Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Kosova angazhon firma ligjore amerikane e britanike për rastet në Gjykatën Speciale

Qeveria e Prishtinës do t’i paguajë firmës ligjore amerikane dhe asaj britanike 400,000 euro që t’i ofrojnë këshillim ligjor gjatë prezantimit të qëndrimit të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë, e cila pritet të gjykojë ish-guerilas të lartë të UÇK-së.

 

Ministria e Drejtësisë e Kosovës tha për BIRN se kishte kontraktuar një firmë ligjore amerikane dhe një firmë ligjore britanike për një tarifë prej 400,000 eurosh për “këshillim ligjor mbi hartimin, zhvillimin dhe prezantimin e pozitës ligjore të Kosovës në Dhomat e Specializuara”.

Të dyja firmat, të cilat ministria nuk i përmendi me emër, do të “sigurohen se procedurat gjyqësore janë të drejta dhe respektohen të drejtat e të pandehurve”, tha ajo.

Ata gjithashtu “do të monitorojnë dhe, kur është e nevojshme, do të rekomandojnë vërejtje në procedurat gjyqësore kur ka shkelje të procedurave dhe të drejtave të të pandehurve”.

Detyrat e tjera të firmave ligjore do të përfshijnë monitorimin e qëndrimit të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ndaj Dhomave të Specializuara dhe do të rekomandojnë “veprime strategjike” kur të jetë e nevojshme dhe do të ndihmojnë “për të siguruar që historia e Kosovës dhe e ardhmja e saj të prezantohen dhe të mbrohen si duhet”, shtoi ministria.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Kosovës janë të ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e të dyshuarve për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, nga viti 1998 deri në vitin 2000. Figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të akuzohen për krime të dyshuara duke përfshirë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Ministria e Drejtësisë u kritikua së fundmi për dyshimet për pagimin e organizimit të udhëtimit për grupin e parë të ish-luftëtarëve guerrilas të ftuar në Hagë për t’u marrë në pyetje rreth akuzave për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në janar, prokurorët e Hagës morën në pyetje dy ish-komandantë rajonalë të UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa, të cilët i kanë kërkuar të dy ministrisë që të kompensohen.

Sipas ligjit të Kosovës për mbrojtjen ligjore dhe financave për të paditurit e mundshëm në Dhomat e Specializuara, pagesa të tilla nuk lejohen gjatë procesit të hetimit.

Ministria e Drejtësisë tha për BIRN se ende nuk u ka paguar para ish-luftëtarëve të UÇK-së të cilët kanë udhëtuar në Hagë për t’u marrë në pyetje.

“Ministria e Drejtësisë deri më tani nuk ka pranuar faturat e shpenzimeve në lidhje me mbështetjen financiare të personave që mund të akuzohen në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara,” tha ministria.

Në vitin 2015, nën presionin ndërkombëtar, Parlamenti i Kosovës votoi për krijimin e Dhomave të Specializuara, pavarësisht protestave kundër kësaj nga vetëranë të UÇK-së dhe të tjerë në Kosovë që besojnë se kjo është një ofendim për atë që ata e shohin si luftë heroike për çlirimin nga sundimi serb.

Në të njëjtën kohë, Parlamenti i Kosovës nxori një ligj tjetër që parashikon mbështetje financiare për të afërmit e ngushtë të të dyshuarve të Dhomave të Specializuara, duke përfshirë shpenzimet e udhëtimit kur procedurat zhvillohen jashtë Kosovës.

Të gjithë ata që gjykohen para Dhomave të Specializuara kanë gjithashtu të drejtë të kërkojnë kompensim nëse nuk gjenden fajtorë në një vendim përfundimtar.

Kosova merr në punë prokurorin e Millosheviqit, Geoffrey Nice

Avokatët e punësuar nga autoritetet e Kosovës do të përfshijnë Geoffrey Nice, një avokat britanik i cili ishte prokurori kryesor në çështjen kundër ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Ministria e Drejtësisë tha se “Geoffrey Nice do t’i ndihmojë institucionet e Kosovës me aspekte ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

Nice fillimisht filloi të punonte me autoritetet e Kosovës katër vjet më parë për t’i ndihmuar ata të merreshin me Dhomat e Specializuara gjatë themelimit të tyre.

Një letër që Nice i dërgoi qeverisë vitin e kaluar, e cila u zbulua nga mediat, thoshte se ish-kryeministri i Kosovës dhe presidenti aktual Hashim Thaçi ende i detyrohej atij gati gjysmë milioni euro për punën e tij për qeverinë.

Nice shkroi në letrën se ai dhe ekipi i tij arritën një marrëveshje me kryeministrin e atëhershëm Thaçi për të përgatitur një bibliotekë me materiale për qeverinë e Kosovës që mund të jetë e dobishme kur individët paditen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Informacioni u përgatit në baza objektive dhe duhej të ngarkohej në një sistem kompjuterik të Kosovës pasi të ishte ndërtuar dhe porositej një sistem sigurie,” tha ai.

Nice gjithashtu tha se ai ishte një anëtar i ekipit të Kosovës gjatë bisedimeve me BE-në në Bruksel rreth Ligjit të Kosovës mbi Rregullat e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara dhe Marrëveshjes së Shtetit Pritës, i cili mundësoi gjykatën e re, e cila është pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, e do të ngrihet në Holandë.

“Pas një periudhe kohe, pagesa e tarifave tona ndaloi dhe ne ishim të detyruar të kërkonim pagesën e këtyre tarifave me çdo mjet ligjor që kishim në dispozicionin tonë,” shkroi Nice.

Ai nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes së BIRN në lidhje me angazhimin e tij të ri me qeverinë e Kosovës dhe nëse ai e ka marrë pagesën të cilës i referohej në letrën e tij.

Nice do të jetë një nga avokatët e ish-komandantit të UÇK-së Sami Lushtaku, ka konfirmuar Ministria e Drejtësisë.

Kosova do të shpenzojë 1.5 milionë euro për çështjet në Hagë

Sipas buxhetit të Kosovës për vitin 2019, autoritetet planifikojnë të shpenzojnë 1,556,089 euro këtë vit për aktivitete që kanë lidhje me Dhomat e Specializuara.

Bashkimi Europian është mbështetësi kryesor financiar i vetë gjykatës.

Në bazë të një vendimi të Këshillit Europian në qershor 2018, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar financohen nga BE-ja në kuadër të buxhetit të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe nëpërmjet një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë për grante, si dhe edhe përmes kontributeve financiare të bëra nga vende të tjera jo anëtare të BE-së.

Shuma e caktuar nga BE-ja për të mbështetur procedurat gjyqësore deri në qershor 2020 është 86,250,000 euro.

Dhomat e Specializuara të Kosovës i konfirmuan BIRN-it se përveç fondeve të dhëna nga BE-ja, ata kanë marrë para nga dy vende të tjera.

“Qeveria norvegjeze dha një shumë që arrin në 8,000,000 euro për të mbështetur zhvendosjen e procedurave në ndërtesa të reja në Hagë. Gjithashtu, qeveria zvicerane konfirmoi fondin prej 181,200 eurosh për aktivitetet e Dhomës së Specializuar të Kosovës në vitin 2018 dhe 2019,” thanë Dhomat e Specializuara në një përgjigje me shkrim.