Konferenca e organizuar nga KOSID për prezantimin e analizës ‘Tetë marrëveshje, tre impakte të mëdha’, Foto: KALLXO.com

KOSID: Kontrata për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ më e dëmshja që nga paslufta

Tetë kontratat komerciale të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës me kompaninë Contour Globale për projektin ‘Kosova e Re’ do të kenë ndikim negativ në tre sektorë: mjedis, ekonomi dhe financa si dhe në rrugën për integrime europiane.

Burim Ejupi, nga INDEP, vlerëson se këto impakte negative e bëjnë këtë kontratë më të dëmshmen që është nënshkruar deri më tani që nga viti 1999.

“Nëse kjo kontratë vihet në jetë, Kosova do të marrë përsipër kosto të papërballueshme dhe të pamerituara. Buxheti i shtetit do të rëndohet dhe shumë projekte jetike për Kosovën nuk do të mund të realizohen për shkak të fokusit në mbulimin e kostove të investimit miliardësh. ‘Contour Global’ me asnjë logjikë ekonomike nuk mund të quhet investitor. Përkundrazi, ai është një kontraktor që do të realizojë një kontratë me as edhe një rrezik të vetëm për kapitalin e tij”, u shpreh Ejupi në konferencën në të cilën u shpalos analiza “Tetë Marrëveshje: Tri impakte të mëdha”.

Ky studim shtjellon aspektet sociale, financiare, e mjedisore mbi ndikimet që realizimi i këtij projekti do të ketë për vendin dhe qytetarët e tij, ku si rezultat vihet në pah se kontrata krijon një humnerë financiare njëzetvjeçare për vendin, e izolon atë nga integrimi dhe liberalizimi i tregut të energjisë elektrike dhe shuan shpresat për një sistem energjetik të bazuar në burime të pastra e miqësore me mjedisin dhe shëndetin e popullatës.

Dardan Abazi, hulumtues nga INDEP, qartësoi se ndërtimi i TC “Kosova e Re” paraqet kosto katastrofale mjedisore, shëndetësore e sociale që tejkalojnë përfitimet ekonomike.

“Kontrata për ndërtimin e termocentralit të ri sublimon një politikë të vjetër të subvencionimit shtetëror për një kompani të caktuar, vë një operator në pozitë ekskluzive në treg, si dhe vret interesin e konsumatorëve për energji të përballueshme. Ndërtimi i termocentralit të ri nga qymyri nuk ka marrë parasysh nevojat e Kosovës për integrim të tregut me tregjet rajonale dhe europiane”, ka theksuar Abazi.

Sipas tij mbi të gjitha, termocentrali ‘Kosova e Re’ dhe kushtet e kësaj kontrate e vënë pikërisht operatorin privat në pozitë tërësisht të pavarur dhe të pandikuar nga tregu, gjë që rrjedhimisht e bën që TC “Kosova e Re” të jetë plotësisht në pozitë dominuese ndaj prodhuesve të tjerë të energjisë.

“Prodhuesve të tjerë nuk i janë siguruar asnjë nga garancat që ‘Contour Global’ ka me këtë marrëveshje. Përfundimisht, një kontratë e tillë është marrëveshja më e dëmshme që Kosova ka nënshkruar që nga paslufta”, ka theksuar Abazi.

Sipas KOSID, kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është e dëmshme për arsye se në aspektin financiar është dërrmuese, në aspektin mjedisor dhe social e paparashikueshme dhe në aspektin e integrimit europian është izoluese dhe shkurtpamëse.

Dardan Abazi në fund foli edhe për transparencën në kontratën për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’.

“Për bujën sa i përket transparencës, kemi parë termin që në kontratë është përdorur fjala ‘informacion i rezervuar’, që përdoret 7 herë, te ndërprerja e kontratës etj, nuk mund të themi që kjo kontratë është plotësisht transparente”, ka përfunduar Abazi.

Impakti financiar dhe ekonomik i ndërtimit të TC ‘Kosova e Re’

Në analizën e KOSID thuhet se me këtë marrëveshje Kosova do të ngujohet për të blerë energji të prodhuar nga qymyri nga një operator privat për njëzet vitet e ardhshme. Për më tepër, një pjesë tejet e madhe e investimeve paraprake do të kryhen nga Qeveria e Kosovës për të shtruar rrugën që operatori privat të realizojë investimin dhe fitimin e tij.

“Seksioni 3.6 e Marrëveshjes për Blerjen e Energjisë Elektrike e obligon Kosovën që të ofrojë ujë me një kualitet të caktuar për Termocentralin. Specifikat e kërkesave të kualitetit të ujit duhet të jenë në pajtim me GenCo (Contour Global). Me këtë nen, Kosova është teknikisht e obliguar për të krijuar tender për furnizim me ujë sipas kualitetit të cilin e kërkon GenCo”, theksohet në analizë.

Gjithashtu sipas KOSID ky nen në kontratë e obligon Qeverinë e Kosovës të kërkojë aprovimin e specifikave të dosjes së tenderit para publikimit nga GenCo.

“Seksoni 3.7 i Kontratës së Blerjes së Energjisë Elektrike e obligon Qeverinë e Kosovës të bëj një Analizë të Impaktit Mjedisor dhe Social. Në shembujt e shteteve perëndimore, një plan i tillë duhet të përgatitet nga operatori ekonomik dhe të pranohet apo të refuzohet nga qeveria, si pjesë e marrjes së licencës. Ky studim kërkon specifika teknike të analizës së erës, lartësisë se oxhakut, emisioneve etj. Tek pastaj, GenCo do të bëjë një Analizë të veten dhe kjo kontratë nuk e detyron GenCo t’i përmbahet gjetjeve dhe përfundimeve të analizës së Kosovës”, potencohet në analizë.

Po ashtu sipas nenit 16.25, Qeveria e ka për detyrë për të rimbursuar ‘GenCo’ për të gjitha sasitë e linjitit që rrjedhin si pasojë e marrëveshjes “Take or pay” me KEK Mining, përveç në rastin kur GenCo nuk ka arritur të përmbushë marrëveshjen ‘take-or-pay’ për shkak të paaftësisë së GenCo për të gjeneruar rrymë.

“Nën një treg të lirë të energjisë, Qeveria e Kosovës nuk duhet të paguaj kosto të linjitit në rast se bie fjala ka rënie të kërkesës për energji në treg”, thuhet në analizën e realizuar nga KOSID.

Linda Shuku, hulumtuese nga KOSID ka thënë se për realizimin e këtij projekti 910 milionë euro duhet të sigurohen përmes kredisë dhe 300 milionë përmes investimeve private.

“Ne nuk e dimë se do të jetë norma e interesit. Ne kemi analizuar nëse do të jetë 7.5 dhe 18 për qind. Nëse realizohet skenari me kamatë 7.5 për qind atëherë do të duhet të kthehen 2.2 miliardë euro. Nëse realizohet skenari me 18 për qind interes shuma për ndërtimin e termocentralit do të shkojë në 4 miliardë. Me 7.5 për qind të interesit me periudhë të kthimit në 3 vite kosto do të kapë vlerën 3 miliardë ndryshe nga ajo që është deklaruar se do të jetë në 1.3 miliard euro”, ka thënë Shuku gjatë konferencës.

Një marrëveshje anti-europiane

Në analizë është potencuar se Kosova është palë nënshkruese e Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë, një mekanizëm për përafrimin e legjislacionit dhe zhvillimit të tregut rajonal të energjisë me atë europian.

Komuniteti i Energjisë është dizajnuar si një instrument për liberalizimin e tregut dhe integrim rajonal por gjithashtu për të drejtuar vendet e Ballkanit Perëndimor drejt një sektori të pastër e të qëndrueshëm të energjisë.

“Ideja e liberalizimit të tregut ka lindur nga rregullat e konkurrencës së lirë dhe garantimit të funksionimit të një tregu fer të energjisë duke ndaluar pozitën favorizuese apo dominuese të njërit operator ndaj tjetrit”, është shkruar në analizë.

Sipas KOSID, me këtë marrëveshje një nga operatorët e gjenerimit në Kosovë, ‘Kosova e Re’ do të ketë të garantuar shitjen e energjisë me çmim të përcaktuar.

“Nuk mund të ketë treg të lirë e të liberalizuar në qoftë se njërit nga operatorët shteti ia garanton qymyrin sipas kërkesës së vet operatorit, sasinë enorme të ujit, blerjen e pandërprerë të energjisë, çmimin dhe në fund plasimin me përparësi në treg”, theksohet në analizën e KOSID.

Dardan Abazi gjatë konferencës tha se kjo do të jetë në kundërshtim me parimet e tregut dhe se Autoriteti i Konkurrencës duhet të vihet në punë për këtë.

Dëmet në mjedis nga ndërtimi i TC ‘Kosova e Re’

Në analizën e publikuar nga KOSID, ‘Tetë marrëveshje, tre impakte të mëdha’ thuhet se kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ nuk i përmbushë standardet më të mira mjedisore.

“Nuk i referohet limiteve specifike të EU-së sa i takon emisioneve, por i referohet standardeve të aplikueshme nga viti 2016 nën European Industrial Emissions Directive (EIED), (psh. 150 mg/m3 NOX), jo limitet e reja të dakorduara të fillojnë së zbatuari nga viti 2021 (deri me 85 mg/m3) e që përbëjnë dallim të madh. Sa i takon CO2 do të jetë ‘carbon capture ready’ që nënkupton se reduktimi do të jetë vetëm margjinal për shkak të rritjes së efiçiencës së prodhimit”, thuhet në analizë.

KOSID e ka theksuar në analizë si një element të rëndësishëm dhe çështjen e pluhurit.

“Pluhuri do të transportohet duke përdorur teknologjinë e tanishme hidraulike të transportit e cila po shkakton ndotje të mëdha të ujit (ujë të kaltër) me përqendrim pH13 dhe kemikate shumë të dëmshme”, theksohet në analizën ‘Tetë marrëveshje, tre impakte të mëdha’.

KOSID i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të njoftojë tërheqjen nga marrëveshja për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ përkundër implikimeve financiare që mund të ketë tërheqja nga nënshkrimi i kontratës.