Koshtunica dhe Gjykimi i Kushtëzuar

Pas shpalljes së Kosovës, shtet i pavarur, në 2008-tën,  urrejtja dhe mllefi i politikës, por edhe i grupeve të organizuara kriminale në Beograd u shfrye edhe mbi shtetet të cilat ndihmuan dhe qysh në fillim pranuan pavarësinë e Kosovës.

Disa ditë më vonë, saktësisht më 21 shkurt të atij viti,  pozita dhe opozita serbe përmes protestash kundërshtuan,  sipas tyre,  shpalljen jolegjitime të pavarësisë së Kosovës.

Fjalimet ekstra nacionaliste të kryeministrit të atëhershëm serb Vojislav Koshtunica dhe kryetarit të tanishëm të Serbisë Tomislav Nikoliç motivuan protestën e mijëra personave e cila eskaloi në dhunë. Gurë e koktej molotovi u hodhën në drejtim të ambasadave të ShBA-së, Gjermanisë, Kroacisë, Sllovenisë etj.

Skenë e paharrueshme mbetet sulmuesi i djegur në zjarr brenda Ambasadës Amerikane që ngjasonte me pamjet historike të vitit 1979, kur po e njëjta ambasadë, ajo e shtetit amerikan u sulmua në Teheran. Hiç më mirë nuk  shpëtoi as Ambasada  Gjermane në Beograd.

Nuk mund të mos bëhen pyetje naive se si ndodhi që ambasadat të lihen pa mbrojtjen policore, edhe pse me ligje ndërkombëtare garantohet siguria për objektet dhe personelin diplomatik nga nikoqirët, apo se kush urdhëroi tërheqjen e policisë dhe xhandarmërisë serbe, në mënyrë që ambasadat të liheshin krejtësisht të pambrojtura dhe lehtë të sulmueshme.

Mbetet ende i çuditshëm fakti se po atë ditë kur u sulmuan ambasadat, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç udhëtoi për vizitë zyrtare në Rumani dhe ministri i Punëve të Brendshme, Dragan Joqiç, ishte  i shtruar në spital.

Në mungesë të atyre autoriteve, funksioni  sipas ligjit bartet te Sekretarja Shtetërore, por edhe Mirjana Orashanin, që kryente atë detyrë, qëlloi të ishte  në një udhëtim zyrtar në Mal të Zi.

Sipas informatave që kanë qarkulluar qarqeve diplomatike, asnjëherë të demantuara, me komandën e policisë atë ditë ka udhëhequr njeriu më i besueshëm i Koshtunicës, shefi i kabinetit të tij, Aleksandar Nikitoviç.

Ambasadori i atëhershëm amerikan në Serbi, Camerun Munter, në mënyrë direkte pati fajësuar Koshtunicën, si urdhërdhënës të atye sulmeve, në librin “Americás Other Army”.  Përshkruhen aty edhe detaje tjera rreth ngjarjes, pjesë të të cilave janë publikuar më vonë edhe në revistën prestigjioze “Foreighn Policy”.

Pas presioneve të pandalshme të SHBA-së dhe Gjermanisë,  qeveria serbe detyrohet që në korrik të vitit 2014 përmes Ministrisë për Punë të Brendshme të formoj një Grup punues për hetimin e sulmeve, në vazhdë të të cilave disa gjeneralë të pensionuar dhe disa zyrtarë të lartë të policisë serbe, dolën të jenë të dyshuar se me veprim apo mosveprim kanë shkaktuar rrezikim të përgjithshëm duke keqpërdorur pozitën zyrtare.

“Rasti i ambasadave” u riaktualizua prap para disa ditësh, kur Lideri i i Partisë Radikale, Vojislav Sheshel, gjatë një konference për shtyp mori përsipër se pas atyre sulmeve qëndron ai personalisht bashkë me Tomislav Nikoliqin dhe DSS-në e Vojislav Koshtunicës.

Sipas deklaratave të Sheshelit, kishte ekzistuar atëbotë një marrëveshje që e gjitha të përfundojë veç me hedhje gurësh, por asesi të mos tentohej depërtimi në ambasada. Veç tjerash, në po atë konferencë, Shesheli kërkoi nga Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliç që ta përdorë abolimin ndaj gjeneralëve dhe funksionarëve të lartë policorë, të dyshuar për sulmet.

Mirëpo, pas rishikimit historik të ngjarjeve dhe analizimit të detajeve del se edhe deklaratat e tilla i shërbejnë mjegullimit të së vërtetës, duke shpërqendruar sytë e opinionit publik nga kryeministri i atëhershëm, Koshtunica, i cili pavarësisht qasjes analitike që i bëhet ngjarjeve asesi nuk mund të shpëtohet nga përgjegjësia politike.

Ndërsa, përgjegjësia individuale bie mbi grupet e njohura kriminale, fillet e të cilave datojnë që në vitet e ’90-ta. Të fuqizuar më tej nga Millosheviqi, ordinerët huliganë i shërbyen çdo herë partisë në pushtet për të qëruar hesapet politike, në rastet dhe momentet kur ishte i pamundur angazhimi i forcave të rregullta policore apo ushtarake. Grupet e tilla kriminele mbetën garda pretoriane e pushtetit serb.

Mirëpo, është momenti i këmbanave të fundit për Serbinë, që të ballafaqohet përfundimisht me veten, duke marrë përgjegjësitë e plota politike pas pastrimit nga e kaluara dhe e tashmja kriminale ose që të heqë dorë nga synimi i integrimit drejt familjes evropiane.

Shteti gjerman ende pret nga autoritetet serbe dënimin e  personave që  morën pjesë në sulmin mbi ambasadën e tyre në Boeograd, ndërsa njëri nga shtatë kushtet e Bundestagut për afrimin e Serbisë në BE është zbulimi  i organizatorëve dhe arrestimi e dënimi i  kryesve të këtyre akteve kriminale.

Një sihariq i mirë është lajmi se nesër Koshtunica së bashku me bashkëpunëtorin e tij të afërt Aleksandër Nikitoviq, në cilësinë e dëshmitarëve, do të paraqiten para prokurorit te Shtetit për rastin e ambasadave.
Prokuroria e shtetit po udhëheq hetimet ndaj Gjeneralëve të policisë që tashmë janë të pensionuar, Stevan Bjeliç, Borivoje Tashiç, Mladen Kuribaka dhe zyrtarët e lartë të policisë, Sllobodan Vukolliç, Bojan Markovic dhe Zoran Raskoviç. Ndërsa, ende vazhdon gjykimi i filluar në vitin 2013-të i dymbëdhjetë personave për pjesëmarrje mbi sulmin e ambasadave .

Optimistët, mund të luten për një proces të paanshëm e të drejtë, po kjo mbetet të shihet!