Korrupsioni si Krizë e Vlerave Morale dhe Qytetëruese

Në muajin janar, organizata Transparency International publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015 i cili rendit Kosovën në vendin e 103-të në botë bashkë me Moldavinë. Një vit më parë, shteti më i ri i Evropës ndau vendin e 110-të me Shqipërinë, shtet i cili u përmirësua për 22 vende në këtë vit. Shtetet tjera fqinje u rankuan më mirë: Mali i Zi (61-ti), Maqedonia (66-ta), Serbia (71-ta) dhe Bosnja e Hercegovina (76-ta). Kjo renditja është e bazuar në perceptime e jo në fakte. Si i tillë, ky Indeks ka mangësitë metodologjike dhe u është nënshtruar kritikave serioze për. Sidoqoftë, ky publikim është bërë indikatori më i njohur dhe më i cituar i korrupsionit, duke tërhequr vëmendjen e mediave, shtresës akademike dhe publikut. Një shtet i rangut të ulët në Indeks kryesisht shihet si një vend me sektor publik të korruptuar, gjë e cila paraqet pengesë për zhvillimin e demokracisë, transparencës dhe institucioneve tjera.

Qasjet standarde ekonomike e shohin korrupsionin si fenomen të rrënjosur thellë në burokracinë politike dhe institucionale. Me fjalë më të pakta, Banka Botërore e definon korrupsionin si shpërdorimin e detyrës publike për përfitime personale. Zakonisht, korrupsioni lulëzon në shtete që kanë nivel të lartë të varfërisë, sundim të dobët të ligjit dhe transparencë të ulët të qeverisë. Strategjitë e njohura, përmes së cilave mund të luftohet korrupsioni, janë pagat e mjaftueshme për shërbyes civilë në mënyrë që të dekurajohet ryshfeti, transparenca në shpenzime qeveritare, eliminimi i rregulloreve të tepërta burokratike, eliminimi i subvencioneve negative, e kështu me radhë. Këto politika normative janë shfrytëzuar deri në njëfarë mase për t’i adresuar problemet e ryshfetit dhe zhvatjes me të cilat përballet Kosova.

Por, përtej këtij definimi standard, korrupsionit i vishen një sërë vetish që lidhen me karakteristika të veçanta të kulturës qytetëruese, historisë e madje edhe vlerave morale. Të sugjerosh se korrupsioni në Kosovë ka një dimension moral do të thotë të përfshihesh në një debat spekulativ. Fundja, ky fenomen është një problem që prek tërë botën dhe është pothuajse i pranishëm në secilën kulturë; asnjë shtet apo shoqëri nuk është krejtësisht e lirë nga korrupsioni.

Megjithatë, qysh prej kohëve të lashta, korrupsioni është parë si çështje morale dhe e ndërlidhur me vlera qytetëruese, në marrëdhëniet e qytetarit me shtetin. Deri edhe në Greqinë e lashtë, filozofët si Platoni dhe Aristoteli kishin sugjeruar që korrupsioni është një formë e dështimit moral dhe përkushtimit të qytetarit ndaj shtetit, në kontekst të shoqërisë. Në Komedinë Hyjnore të shekullit të XIV, poeti i madh italian Dante Alighieri i vendos njerëzit e korruptuar në rrethin e tetë—ndër më të poshtëruarit— të Ferrit, duket i paraqitur ata të zhytur në ujë ti zi duke lënguar dhe rrethuar nga djajtë. Ngjashëm sikur Platoni dhe Aristoteli, Dante mendonte se korrupsioni është tregues i degradimit moral të vlerave; dhe se të qenurit në shërbim të shtetit dhe kultivimi I vlerave qytetëruese është i domosdoshëm për të parandaluar hapjen e korrupsionit në shoqëri.

Në librin e tij të publikuar në vitin 1987, “Ryshfeti, Historia Intelektuale e një Ideje Morale,” John T. Noonan shkruan se qysh nga kohërat e lashta, “ryshfeti është parë si një koncept moral.” Përderisa forma përfundimtare e korrupsionit është një dështim ekonomik e politik, rrënjët e këtij fenomeni janë të ngulura thellë në normat etike dhe morale që prijnë sjelljen individuale dhe grupore. Dëmi material nga korrupsioni është relativisht i vogël krahasuar me dëmin që kjo e ligë i shkakton karakterit të shoqërisë dhe vlerave morale dhe qytetëruese. Në formën e vet ideale, besimi qytetar në shtet është një kontratë shoqërore dhe morale mes njerëzve dhe qeverisë dhe është fondamental për funksionimin e një shoqërie të mirëfilltë.

Në Kosovë, elita e shtetit po përballet jo vetëm më një makth politik, por edhe me një krizë të thellë etike e morale të përhapur gjithandej në qeveri, institucione publike, shkolla, spitale, kompani private e individë. Korrupsioni në qeveri merr mbulim të madh në media, por, mos të gabojmë se mashtrimi dhe sjelljet korruptuese nuk janë të kufizuara vetëm brenda suazave të qeverisë. Punime të tëra shkencore të profesorëve janë kopjuar e vjedhur, duke shkelur të gjitha të drejtat e pronësisë intelektuale. Korruptimi i vlerave etike e morale shihet edhe te profesorët dhe mësuesit që bëjnë pazar me nota duke kërkuar ose seks ose para në vend të dijes. Mjekët thyejnë një nga betimet më të shenjta njerëzore duke i mashtruar dhe dëmtuar pacientët e tyre dhe duke u shkatërruar jetën e tyre financiare.

Kjo mungesë e plotë e përgjegjësisë personale dhe shpërfillja e integritetit të një personi janë të meta morale që shoqërojnë veprimet e këtyre individëve në çdo kënd të Kosovës.

Parë nga kjo perspektivë, përhapja e gjerë e korrupsionit duket të jetë simptomë e shembjes së idealeve dhe vlerave që formojnë thelbin e besimit reciprok mes qytetarit dhe qeverisë apo ata që mbajnë pozita të larta në shoqëri. Viktimizimi i qytetarëve të pafat, shfrytëzimi i të sëmurëve për përfitime personale, nuk është vetëm një dështim politik, por edhe një shkelje themelore e vlerave njerëzore, dhe shkatërrim i besimit të ndërsjellë.

Elita e shtetit ka përgjegjësi të krijojë një ambient ku rinia mësojnë për vlera qytetëruese dhe detyrën ndaj shtetit, dukë u bazuar në integritet dhe shërbim për të mirën e gjithmbarshme. Në shkollë, fëmijët duhet të mësojnë historinë në frymën e kohëve të shkuara, tragjedinë që sjell lufta dhe armiqësia, e jo vetëm hyjnizimin e dhunës në kontekst hero0kc. Rinia duhet të mësojë se paraardhësit e tyre kanë qenë edhe viktima edhe shkaktarë të dhunës, dhe se historia duhet të shërbejë si mësim për të shmangur gabimet tragjike që kanë bërë brezat e mëparshëm.

Fatkeqësisht, në vend të këtyre idealeve, fëmijët nëpër shkolla sot zhyten në një pëmbajtje toksike të patriotizmit, duke mësuar historinë në mënyrë selektive me theks të veçantë në ata persona të rënë me pushkë në dorë. Është vështirë të gjesh figura publike në politikë, art dhe shkencë që shërbejnë si liderë dhe modele duke theksuar qartë rolin e përgjegjësisë publike, integritetit dhe vlerave etike e morale. Sot, fëmijët dhe të rinjtë nuk shohin një liderë të tillë prej të cilëve mund të mësojnë së si t’i shërbejnë shoqërisë dhe t’i kultivojnë idealet e qytetarisë.

Si erdhi Kosova deri në këtë situatë? Në rend të parë, shteti i ri nuk ka histori të mëparshme të shtetësisë së mirëfilltë dhe institucionet e pavarura janë krijuar vetëm disa vite më parë. Udhëheqësia e Kosovës është edhe e papërvojë dhe, për më shumë, është pjekur në një vakum shoqëror e intelektual të viteve të 90-ta. Këto ishin vite kur një brez i tërë ka jetuar dhe vepruar në një klimë politike të ngjashme me aparteidin jug afrikan, me shumë pak mundësi për të shërbyer në institucionet publike dhe kultivuar vlerat e nevojshme ndaj shtetit.

Për aq sa Kosovarët e mbajnë mend, shteti ka qenë një entitet politik, që për qëllim thelbësor ka pasë kontrollimin, përndjekjen, dhe kufizimin e lirive individuale. Kosovarët që mbajnë në mend vitet e Jugosllavisë mund të kujtojnë një shtet paternalistik që gradualisht morri një formë armiqësore ndaj qytetarit. Përfundimisht, shteti u shkatërrua dhe idealet sipërfaqësore të vëllazërim-bashkimit u grabitën nga nacionalizmi agresiv që u shfaq në fund të viteve ‘80. Me fjalë të tjera, një gjeneratë e tërë është kultivuar për ta parë shtetin si autoritet që grabiste qytetarët e vet, privonte ata nga liria, dhe në fund edhe vriste ata.

Kjo është një trashëgimi sociale e politike që Kosovarët përballen me të sot. Dhe për këtë arsye, as ekspertiza ndërkombëtare, as donacionet e as liberalizimi i vizave nuk do t’ia mësojë brezit e ri të Kosovës vlerat etike dhe qytetëruese që përbëjnë thelbin e një shoqërie të mirëfilltë. Një përkushtim i tillë duhet të vijë nga elita e Kosovës – politikanët, liderët, mësuesit, historianët, artistët, mjekët – që janë përgjegjës për thyerjen e rrethit vicioz të shkatërrimit të besimit dhe shkeljes së integritetit të njerëzve.

Jetët tona nuk janë gjithmonë të prirura nga instinkti i triumfit kundër dikujt tjetër, mirëpo janë të ndërthurura dhe udhëhiqen nga vlerat dhe parimet që na mësojnë si të lidhemi me njëri tjetrin. Amartya Sen, ekonomisti i famshëm Indian, shkruante se “Për ta kuptuar…korrupsionin, ne duhet ta braktisim paragjykimin se vetëm interesi personal i shtyn njerëzit dhe se vlerat e normat nuk janë me rëndësi. Këto vlera, ashtu siç ilustrojnë modelet e shoqërive tjera, janë tepër me rëndësi. Përkundër sfidës, Sen ishte optimist se “[prapë ka] hapësirë për ndryshim… dhe duhet të konsiderojmë faktin se çdo rreth vicioz implikon një rreth virtual nëse [jemi të gatshëm të ndërrojmë] kahun.”

Ky është momenti kur kahu duhet të ndryshohet në Kosovë. Kjo duhet filluar nga hapësira jonë private deri në klasa shkollore, spitale e institucione tjera qeveritare dhe brenda shoqërisë në mënyrë që të ushqehet një brez i ri që do t’i shërbejë shtetit me integritet dhe t’i respektojë vlerat e shtetndërtimit.