Grafika: Trembelat për Kallxo.com

'Korrigjimi' i Thaçit, nga monologët në Facebook te konferencat e shpeshta

Gazetarët muajve të fundit shpesh e kanë vizituar Zyrën e Presidentit të Kosovës. Kjo për shkak të konferencave të shpeshta të Presidentit Hashim Thaçi.

Gazeta Jeta në Kosovë është kthyer mbrapa për t’i parë konferencat e mbajtura nga Presidenti Hashim Thaçi që nga pranimi i detyrës si president i Republikës më 7 prill të 2016.

Gazeta JnK ka gjetur se në dy vitet e para si president, përkatësisht nga data 7 prill 2018 e deri më 31 mars të këtij viti, Thaçi i ka mbajtur vetëm katër konferenca për media.

Ndërsa që nga Qershori i këtij viti, për 5 muaj, Hashim Thaçi ka mbajtur 17 konferenca vetëm në zyrën e tij, pa i numëruar këtu konferencat e deklarimet nga Brukseli apo në vizita të tjera të punës, ku ai është deklaruar e përgjigjur edhe për çështje të dialogut.

Pra që nga qershori/korriku i këtij viti, Thaçi i ka shpeshtuar konferencat për media, në të cilat është folur pothuajse ekskluzivisht vetëm për një çështje, fazën finale të dialogut me Serbinë.

Paraqitja e parë, monologu i Thaçit

Konferenca e parë e Hashim Thaçit si president kishte ardhur 6 muaj pas ardhjes në detyrë. Në konferencën e parë të tij si president, më 10 tetor 2016, Thaçi e kishte mbajtur konferencën e “letrave të famshme për prokurorinë”. Në atë konferencë Thaçi nuk kishte pranuar asnjë pyetje dhe për këtë kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Prej tetorit 2016, kishin kaluar 14 muaj deri te konferenca e radhës me gazetarë nga Presidenti Thaçi. Madje, ai nuk e kishte quajtur konferencë, por bashkëbisedim me gazetarë.

Kjo kishte ndodhur në fund të vitit 2017, më 21 dhjetor, që nga zyra e Thaçit ishte emërtuar si bashkëbisedimi i fundvitit me gazetarë, të cilën e kishte transmetuar edhe live në Facebook-un e tij.

Presidenti Thaçi i kishte disa paraqitje para mediave nga zyra e tij, kryesisht pas vizitave të zyrtarëve të shteteve të ndryshme që i kishin bërë Kosovës.

Pas konferencës së fundvitit të 2017, Thaçi kishte ftuar konferencë rreth 2 muaj më vonë, ku përmes zyrës së tij kishte njoftuar për arritjen e marrëveshjes me Presidentin e Malit të Zi, tanimë ish presidentin Filip Vujanoviq, e cila më vonë do t’i hapte rrugë ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me këtë shtet.

https://kallxo.com/deklarata-per-demarkacionin-thaci-vujanoviq-foto/

Konferenca pasuese e Thaçit ishte mbajtur rreth 2 javë më vonë, e cila kishte qenë e përbashkët me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku edhe i ka zyrat vet Presidenti. Në këtë konferencë ishin pranuar 2 pyetje nga gazetarët.

Pas kësaj konference, Thaçi kishte mbajtur konferencë të përbashkët edhe me një mysafir tjetër, kësaj radhe me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, ku gazetarët nuk ishin lejuar të parashtrojnë pyetje.

Më 31 mars 2018 ishte mbajtur konferenca e radhës nga presidenti. Kjo konferencë ishte mbajtur e vetme nga ai, në zyrën e tij. Kjo ishte vetëm konferenca e katërt brenda dy viteve qeverisje nga posti i Presidentit, që Thaçi i vetëm kishte ftuar gazetarët. Në këtë konferencë Thaçi kishte folur për deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova.

Konferencë tjetër të përbashkët e të paralajmëruar Thaçi e kishte mbajtur në holl të Kuvendit së bashku me kryeministrit e Bullgarisë, Boyko Borissov në prill të vitit 2018 ku edhe kishin pranuar pyetje.

Ndërsa, në fund të prillit, Thaçi kishte mbajtur edhe një tjetër konferencë të përbashkët me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Presidenti i kishte mbledhur gazetarët në oborrin e institucionit ku gjendet zyra e tij edhe në ditën e të pagjeturve ku kishe dhënë një deklaratë për media. As këtu presidenti Thaçi nuk kishte pranuar pyetje nga gazetarët.

Pas kësaj ai kishte mbajtur edhe dy konferenca pas takimit që kishte pasur me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Njëra konferencë ishte e përbashkët me kancelaren gjermane, ndërsa të nesërmen kishte mbajtur i vetëm një konferencë për media.

Në maj, presidenti kishte ftuar edhe një bashkëbisedim tjetër me gazetarë. Nëse i shohim ftesat e Thaçit për bashkëbisedim dhe konferencë, ato kanë vetëm një dallim. Të parën e mbanë ulur në karrige, ndërsa të dytën në këmbë. Kjo konferencë ishte mbajtur pas kthimit nga samiti i Sofjes, ku kishin marrë pjesë një numër i madh i zyrtarëve shtetëror të Kosovës.

Dominimi i Presidentit

Në fund të muajit maj, Thaçi kishte mbajtur konferencë pas takimit me kancelarin austriak, Sebastian Kurz.

Momenti i fillimit të konferencave të shumta mund të llogaritet ai i 20 qershorit të këtij viti, kur Thaçi kishte ftuar edhe një bashkëbisedim tjetër me gazetarë, përsëri ai i ulur në karrige. Në këtë bashkëbisedim ai e kishte paralajmëruar fazën finale të dialogut dhe takimin e parë ndërmjet dy presidentëve, atij dhe homologut serb Aleksandar Vuçiq.

Nga kjo konferencë apo bashkëbisedim, ftesat për gazetarë nga zyra e tij kanë qenë të shumta.

Që prej asaj date e deri në fund të nëntorit, Presidenti Thaçi ka ftuar edhe 16 konferenca tjera në zyrën e tij, ku në të gjitha prej tyre ka pranuar pyetje.

Në muajin korrik ka mbajtur 4 konferenca. Në muajin gusht kur pjesa më e madhe e institucioneve janë në pushim, Thaci i ka mbajtur tri konferenca. Një pjesë e opozitës kishte marrë iniciativë për të thirrur një seancë plenare të Kuvendit për t’i diskutuar idetë e Thacit që interpretoheshin si mundësi e ndarjes së Kosovës. Ndërsa rekordin e konferencave të thirrura brenda muajit, ai e ka arritur në muajin shtator ku ka ftuar 5 konferenca, ndërsa në tetor dy. Të gjitha këto konferenca të paralajmëruara paraprakisht.

Temat e folur në këtë konferenca kanë qenë të shumta, por gjithnjë ka mbizotëruar ajo e korrigjimit të kufirit, bashkimi i Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën si dhe rezultatet e mundshme nga dialogu me Serbinë, apo parakushte për të arritur këtë bashkim siç është miratimi i ligjit për referendum.

Përveç konferencave kur i vetëm ka dalë para gazetarëve, Thaçi ka mbajtur edhe konferenca të përbashkëta me zyrtarë të tjerë apo edhe jashtë vendit.

Ai kishte mbajtur konferencë për media pas takimit të parë me presidentin e Serbisë në Bruksel më 24 qershor.

Në Bruksel, Thaçi kishte mbajtur konferencë për media edhe më 18 korrik kur Komisioni Europian kishte votuar pro liberalizimin e vizave.

Po atë ditë, ai kishte mbajtur edhe dy konferenca tjera. Një konferencë të përbashkët me komisionerit Dimistris Avramopoulos. Ndërsa në mbrëmje, në Aeroportin e Prishtinës, ai së bashku me 4 burra tjerë i kishin ftuar gazetarët për ta dhënë këtë lajm, por nuk kishin lejuar parashtrimin e pyetjeve.

Kishin uruar për vizat, mirëpo ende sot, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të lëvizin nëpër zonën Schengen.

Thaçi nga Brukseli ishte lajmëruar edhe me 7 shator, kur ishte “tradhtuar” nga Vuçiqi për takimin e Brukselit, pasi që ky i fundit kishte refuzuar të marrë pjesë. Megjithatë, edhe pse nuk ishte takuar me presidentin e Serbisë, ai kishte mbajtur konferencë.

Në deklarimet e shpeshta të Thaçit, Krypometri kishte gjetur se ka mos-përputhje dhe ndërrim të qëndrimeve.

Rrena e kryptë e Presidencës për korrigjimin e kufijve

Gazeta Jeta në Kosovë në 6 mujorin e parë të Thaçit si president kishte shkruar për heshtjen e tij karshi komunitetit të gazetarëve, duke mos i’u përgjigjur pyetjeve të dërguara në e-mail dhe mos-ftimin e konferencave për gazetarë.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se në atë kohë, Hashim Thaçi mbante rekordin me presidentët e rajonit por edhe krerëve tjerë evropian e botëror sa i përket statuseve e shkrimeve në Facebook.

Thaçi Shmang Mediat me Rekorde Facebook-u