Grafika: Trembelat për Kallxo.com

'Korrigjimi' i ri i Hashim Thaçit

Idesë së shumëpërfolur për “korrigjim të kufirit” me Serbinë, i është renditur një paralajmërim i ri për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, i prezantuar nga protagonisti i temave të kufijve, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kreu i shtetit të Kosovës po kërkon realizimin e “ëndrrës shekullore” për bashkim kombëtar, në një kohë kur ideja e tij fillestare është vënë në thumb të kritikave.

Deklarimet e Presidentit Thaçi për ndryshim të vijave kufitare ndërmjet shteteve të pavarura, po vlerësohen të jenë populiste dhe në kundërshtim me realitetin gjeopolitik në Ballkan.

Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi ka lexuar para deputetëve Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, Kushtetuta e të cilit ia ndalon atë për të cilën ai po deklarohet 11 vjet pas.

“Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, thuhet në nenin 1.3 të aktit më të lartë juridik në vend.

Në një aktivitet të Bashkisë së Hasit në Shqipëri, të shtunën, Presidenti Thaçi, tha se shqiptarët në një të ardhme të afërt do të jetojnë në një shtet të përbashkët.

“Bashkëluftëtarë që po i shoh edhe nga kjo trevë e Shqipërisë, bashkëluftëtarë që jetojnë edhe sot në shtetin e Kosovës, bashkërisht do të jetojmë në liri, e bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt në një shtet të përbashkët Kosovë – Shqipëri”, theksoi presidenti kosovar të shtunën e 25 majit.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë fjalimit në Has, 25 maj 2019 – Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Kjo ëndërr, për Thaçin po konsiderohet të jetë e lehtë për t’u realizuar.

“Të jeni të sigurt se shumë më lehtë është realizimi i ëndrrës që të kemi një hapësirë pa kufij në mes Kosovës dhe Shqipërisë sesa që kanë qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova. Dhe kjo do të ndodhë”, deklaroi presidenti.

Lidhur me këtë, ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Besnik Mustafaj thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është një ëndërr më shumë se shekullore e gjithë politikanëve më seriozë dhe se, sipas tij, do të mbetet ëndërr edhe e opinionit publik.

“Problemi është se çfarë Kosove e ka parasysh z. Thaçi se mund të bashkohet me Shqipërinë; Një Kosovë e cunguar, e përgjysmuar, pa veriun e saj, pa burimet e saj ujore, pa burimet e saj minerale, pa Luginën e Preshevës, apo ka parasysh një Kosovë në kufijtë e saj natyralë”, thotë ish-diplomati shqiptar.

Mustafaj më tej shton se duhet bërë dallimi midis një dëshire dhe një premtimi nga një politikan i këtij niveli siç është presidenti i Kosovës.

“Në këtë kuptim, mua më duket se e shprehur si dëshirë nuk ka asgjë të keqe, e shprehur si një projekt nga presidenti, si një premtim, bëhet një premtim populist dhe që përpiqet të largojë vëmendjen e opinionit publik nga projekti i tij i mëparshëm për ndërrim territoresh me Serbinë”, vlerësoi ish-ministri i shtetit shqiptar, për Gazetën JnK.

Ndërkaq, analisti politik kosovar Artan Muhaxhiri, vlerëson se Presidenti Thaçi e ka gjetur një rrugë të lehtë – por të padobishme, për të qenë vazhdimisht i pranishëm në politikën ditore dhe në sferën mediale.

“Me qëndrime të këtilla ekstreme populiste, ai synon ta adresojë emocionalitetin sipërfaqësor patriotik, i cili tek një kategori e njerëzve shkakton ekzaltim afatshkurtër që venitet menjëherë pas daljes në skenë të temave tjera të mëdha”, tha Muhaxhiri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Muhaxhiri shton se ky stil i politikëbërjes nuk është risi për Presidentin Thaçi.

“Edhe në të kaluarën nuk ka ngurruar të premtojë ndryshime që kanë qenë larg përtej mundësive të tij. Për shembull, në vitin 2010 kishte garantuar se liberalizimi i vizave do të bëhej për 13 muaj”, shton më tej njohësi i zhvillimeve politike në vend.

‘Misioni i pamundur’

Presidenti Hashim Thaçi, idenë që tri komunat e Luginës së Preshevës në Serbi t’i bashkohen Kosovës, e ka proklamuar që nga viti 2018, përderisa këtë kërkesë e përmendi edhe dy ditë më parë.

“E ritheksoj zotimin dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë centimetër e territorit të Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, ka thënë presidenti.

Por Besnik Mustafaj thotë se nuk po arrin ta kuptojë projektin e presidentit Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, pa i dhënë Serbisë asgjë në këmbim.

“I gjendur nën presion, ai thotë se nuk do japë territore Kosova, por vetëm të marr Luginën e Preshevës. Kjo do të ishte ideale nëse do të ishte e mundur, por çdo njeri që merret me politikë, çdo njeri që e njeh historinë e Ballkanit e posaçërisht historinë e Serbisë e cila nuk jep territore. Në asnjë rrethanë deri tani sa ka bërë luftëra dhe nuk ka dhënë territore qoftë edhe kur nuk i takojnë asaj si shtet, si Serbi”, tha ai.

Sipas Mustafajt ky është një manipulim i opinionit publik nga ana e Thaçit.

“Në politikë duhet synuar maksimumi i së mundshmes, synimi i  së pamundshmes bëhet spekulim”, përfundon ish-ministri për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, Artan Muhaxhiri thekson se deklarimet për dy idetë, janë në kundërshtim të plotë me realitetin.

“Në kontekstin aktual gjeopolitik dhe gjeostrategjik ballkanas, deklaratat përplot fodullëk për ‘shtetin e përbashkët Kosovë-Shqipëri’ dhe ‘bashkimin e Luginës së Preshevës pa e këmbyer me ndonjë pjesë të territorit kosovar’, janë të pabesueshme, të pabazuara, jashtëzakonisht pretencioze dhe në kundërshtim të plotë me realitetin”, thotë ai.

“Arsyetimi i vetëm politik për këto qëndrime është nëse konsiderohen si kundërpeshë e populizmave që vijnë nga Beogradi, pra si pjesë e një ‘Beteje Populizmash’”, vlerësoi analisti politik për Gazetën JnK.

Së fundmi, lidhur me “korrigjimin e kufirit” është shfaqur i ashpër ndaj Thaçit edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

“Presidentit Thaçi ia kam thënë edhe personalisht dhe e ka thënë gati tërë Kosova, publikisht, se diskursi i tij politik për korrigjim të kufijve është i shumë i gabueshëm dhe i papranueshëm. Ai duhet të korrigjohet. Nëse jo do ta ketë veten në qafë, jo të tjerët”, kishte shkruar ai në Facebook.

Si përgjigje presidenti e falënderoi Mustafën për këshillat, duke përsëritur qëndrimet e tij të gjithëditura.

Korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi im i pandalshëm. Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë…Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë!”, kishte shkruar Thaçi në Facebook.

Për realizimin e ëndrrave, kishte folur edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2018, kishte propozuar idenë për një president mbarëkombëtar.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama – Foto: Atdhe Mulla

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë politikë të jashtme dhe jo vetëm ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, kishte thënë Edi Rama.

Ndërkohë, Presidenti Thaçi po parasheh krijimin e rrethanave të reja për realizimin e ëndrrave për shtetin e përbashkët.