Kontrata e Tregut e Futi Komunën në Borxhe

Shtatë vjet e gjysmë më parë, më 10 maj 2005, atëherë ish-kryeshefi ekzekutiv i Prishtinës Sami Hamiti kishte nënshkruar një kontratë e cila del se ka dëmtuar buxhetin e komunës afër 650 mijë euro ndërsa Auditori i Përgjithshëm pret që ajo të mos përsëris gabime të këtilla.

Auditori thotë se komuna nuk i paraqiti borxhet në pasqyrat e saj financiare.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) po ashtu thotë se kjo kontratë është arsyeja përse nuk e ka privatizuar një pjesë të ish-ndërmarrjes së fuqishme shoqërore Amortizatori.

Kontrata i jepte ndërmarrjes shoqërore “Tregu”, tani nën administrim të AKP-së, të drejtën e shfrytëzimit të rreth 11 hektarëve të tokës në zonën industriale, tek unaza e madhe në dalje të Prishtinës.

Parcela me sipërfaqe prej 6.42 hektarësh është e ndërmarrjes Amortizatorët Ndërmarrja për Qiradhënie Sh.p.k. ndërsa hapësira tjetër me sipërfaqe prej 4.76 hektarësh është pronë e komunës.

“Tregu” këtë tokë do ta shfrytëzonte si treg me shumicë dhe pakicë dhe si treg të automjeteve e shërbimeve përcjellëse për një periudhë tri vjeçare.

Sipas kontratës, qiramarrësja kishte të drejtën të operojë “në përputhshmëri me praktikën e biznesit normal pa pasur shqetësimin e qiradhënësit”, por aty nuk përmendet arsye tjetër se përse komuna e jep këtë tokë në shfrytëzim me qira përveçse thuhet se “ qiramarrësja dëshiron ta përdorë hapësirën” si treg.

Sipas marrëveshjes, qiramarrësja ishte e obliguar t`i paguante komunës çdo muaj shumën prej 32,140 eurosh.

Mirëpo, nga raporti i zyrës së auditorit të përgjithshëm për komunën e Prishtinës në vitin 2011, del se kjo ndërmarrje nuk e ka paguar shumën e qirasë.

“Ne gjatë auditimit, nuk kemi gjetur dëshmi se këto pagesa mujore janë bërë nga ndërmarrja ‘Tregu’”, shkruan në raportin e zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, që është publikuar në qershor të vitit 2012.

Drejtoi i Tregut, Hafiz Krasniqi, thotë se kontrata “ishte e parealizueshme”.

“Është e pamundshme për tu përmbushur ajo që është në marrëveshje për shkak se të ardhurat e tregut janë të vogla dhe nuk e përballojnë shumën që duhet paguar”, tha Haziri. “Kjo ishte një kontratë jo e arsyeshme”.

Gazeta nuk ka të dhëna se a është ky pohim i pamundësisë së larjes së borxhit nga Tregu i vërtetë.

 
Tregu  

Kontrata ishte nënshkruar mes kryeshefit ekzekutiv të komunës Sami Hamiti dhe ish-drejtorit të ndërmarrjes Burim Krasniqi.

Hamiti, aktualisht kryesues i kuvendit komunal, ishte arrestuar më 12 shtator 2012 pasi ishte denoncuar nga një qytetar i Prishtinës se dy persona i kanë kërkuar atij tri shtëpi dhe një veturë BMW duke folur në emër të ish-kryeshefit të komunës, dhe sipas denoncuesit, nëse ai do t’i jepte këto “dhurata”, Prishtina do ta rregullonte planin urbanistik të Lagjes Sofalia sipas kërkesave të tij. Sami Hamiti është liruar nga parburgimi.

Zëdhënësi i komunës, Asdren Osaj, thotë se komuna ishte vetëm “garantues” i kontratës me Tregun.

Për shkak se tregu nuk pagoi kurrë qira, borxhi i grumbulluar deri më tash ka vlerën e 2,956,880 eurove.

Ndërmarrja Amortizatori kishte ngritur çështjen në gjykatë dhe komuna e Prishtinës ishte detyruar t’ia paguaj gjithsej 635,850 euro më 2007 dhe më 2011.

Raporti i auditorit të përgjithshëm thotë po ashtu se “Nuk ka dëshmi se kjo shumë ishte paraqitur nga komuna si borxh i pa mbledhur në pasqyrat vjetore financiare të vitit 2011”.

Komuna thotë se borxhi nuk ka hyrë në pasqyrat financiare të komunës pasi ka qenë “i ndërmarrjes Tregu”. “Si i tillë nuk paraqitet në pasqyrat financiare si borxh ndaj ndërmarrjes së Amortizatorëve”, tha zëdhënësi Osaj.

Por në raportin e Auditorit Gjeneral thuhet: “Ne duhet ta marrim si të mirëqenë që komuna ka nxjerrë përvoja nga këto lloj të veprimtarive me paratë e taksapaguesve, duke mos përsëritur gabimet”.

AKP thotë se “komuna nuk i ka adresuar shkresë zyrtare AKP-së lidhur me çfarëdo borxhi që Nsh ‘Tregu’ ka ndaj komunës së Prishtinës”.

Agjencioni Kosovar i Privatizimit thotë se tani është duke tentuar që në bisedime me autoritetet komunale të Prishtinës të arrihet një marrëveshje lidhur me pronën e ndërmarrjes “Amortizatorët”, të cilën e shfrytëzon, sipas saj, komuna.
 
“AKP deri në shterjen e të gjitha mundësive për arritjen e një zgjidhje pa dëmtuar ndërmarrjen, do të ketë mirëkuptim për të gjitha kërkesat e Komunës së Prishtinës gjithnjë në dobi të qytetarëve dhe interesave të punëtorëve të ndërmarrjes”, tha zëdhënësi Ylli Kaloshi.

“AKP për këto arsye (v.j. shfrytëzimit të parcelës) nuk e ka privatizuar deri më sot pronën në fjalë”, shtoi ai.

Dy pjesë të Fabrikës së “Amortizatorëve” ishin privatizuar në valën e 45-të privatizimit, më 27 tetor të vitit 2010. Prej tyre, Fabrika e Amortizatorëve, me 8 hektarë tokë, i ishte shitur vetëm për 2 milionë euro koorporatës së fuqishme “Devolli Group”.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar në tetor të  vitit 2011 se si shitjen e kësaj ndërmarrje AKP-ja e kishte bërë në kundërshtim me dy kritere të saj të shitjes – kërkesën për të pasur më shumë se një garues dhe për të mos iu shitur një ndërmarrje nën hetime.

Ndërmarrja shoqërore “Tregu”, që është nën menaxhimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit, tani kërkon prej kësaj të fundit që ta lejojë të shndërrohet në ndërmarrje komunale.

Drejtori i Tregut, Hafiz Krasniqi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kjo ndërmarrje nuk mund të funksionojë pa ndihmën e komunës. “Ndërmarrja shërben qytetarët, mirëpo është e pa mundshme të zhvillohet vetë pa pasur ndihmën e komunës”, tha ai.

Ylli Kaloshi, zyrtar për informim në Agjensionin Kosovar të Privatizimit, i cili nuk ka mundur të konfirmojë nëse kjo kërkesë ka mbërritur në AKP, tha se në parim “ky proces nuk përfundon me vetëm një shkresë” por se “duhet kohë për shqyrtimin” e saj.