Anija Zahra e kapur në Kretë. Foto: Garda Detare Greke

Kontrabanduesit e cigareve sërish gjejnë strehë të sigurt në Mal të Zi

Ngjashëm me kontrabandën e cigareve të viteve 1990, Mali i Zi është bërë sërish qendër e një mashtrimi global të kontrabandës që transporton miliona cigare false në BE përmes përdorimit të anijeve ‘fantazmë’, kompanive guaskë dhe letrave të falsifikuara.

 

Në orët e hershme të 16 marsit 2015, një barkë peshkatarësh e emëruar Zahra zbarkoi disa metra larg nga rripi i gjatë dhe i gurtë i gjirit Messara, në bregun jugor të ishullit grek të Kretës.

Zahra ankoroi nën flamurin e shtetit ishullor afrikan të Sao Tome dhe Principe. Ekuipazhi i saj ishte ukrainas dhe ngarkesa – 34 milionë cigare – me gjasë ishin të prodhuara në Bosnje dhe Greqi për kompanitë me seli në Kosovë para se të shiteshin për një kompani ‘offshore’ liberiane me seli në portin malazez të Tivarit (Bar).

Destinacioni final i ngarkesës ishte, në letra, Libia, por në pritje në bregun e Kretës ishte një konvoj kamionësh i gatshëm për t’i marrë cigaret përmes rripit transportues, përpara se ato të flakeshin në Bashkimin Europian.

Ishte një operacion kontrabande me lidhje në mbarë globin.

Duke shfrytëzuar shënimet e transportit, emaile të rrjedhur dhe raporteve të agjencive për zbatim të ligjit, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), ka zbuluar se deri në 840 milionë të të ashtuquajturave cigare ‘të lira e të bardha’ ishin eksportuar nga Mali i Zi nga një tufë kryesisht e firmave ‘offshore’ që përdornin shtigje të ngjashme dhe shpesh të njëjtat varka ‘fantazmë’ të peshkatarëve ose anije të vogla cargo, duke lundruar nëpër Detin Mesdhe pa transmetuar vendndodhjen e tyre. Shumica e ngarkesave e kanë shënuar Libinë si destinacionin e tyre final, por Egjipti, Qipro e Veriut dhe Libani gjithashtu dukeshin në listë.

Cigaret e lira të bardha janë imitime të brendeve të njohura por të cilat nuk i shkelin markat tregtare; ato janë të prodhuara ligjërisht në një vend, por më pas kontrabandohen dhe shiten diku tjetër. Ato paraqesin sektorin që është rritur më së shpejti të tregut të paligjshëm të cigareve në BE.

BIRN, duke punuar me Rrjetin Arab të Gazetarisë Hulumtuese (ARIJ), ka identifikuar së paku 17, por ndoshta edhe 20, ngarkesa të dyshuara nga Tivari që nga viti 2014. Zyra Anti-Mashtrim e BE-së, OLAF, e cila ka qenë duke hetuar tregtinë, ka gjetur se shtatë prej tyre “janë kapur duke kontrabanduar” dhe ndaj tri të tjerave është ngritur flamuri i kuq. Shtatë nga dhjetë tjerat kanë karakteristika gati të ngjashme me ato që janë duke u hetuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Më pak se gjysma e ngarkesës së cigareve të lira e të bardha që janë larguar nga Mali i Zi janë konfiskuar. Pjesa e mbetur, nëse janë kontrabanduar me sukses në BE, do të kishin sjellë fitim prej 52 milionë euro për ata që shesin mallra në tregun e zi – dhe një humbje prej 153 milionë euro për taksapaguesit e BE-së, bazuar në akcizën aktuale për cigare të Mbretërisë së Bashkuar, ku taksa është më e larta.

Raporti më i fundit i BE-së, i prillit të vitit 2018, rreth progresit të Malit të Zi drejt përmbushjes së kritereve të vendosura për anëtarësim eventual, krahu ekzekutiv i bllokut, Komisioni Europian, përshkroi portin e Tivarit si “platformë për kontrabandimin e cigareve të falsifikuara drejt BE-së bashkë me cigaret e prodhuara legalisht dhe ato të tregtuara ilegalisht”.

Hetimi nga BE duket se ka ngadalësuar fluksin e ‘të bardhave të lira’ dhe OLAF këmbëngul se që nga ajo kohë ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet e Podgoricës, por firmat ‘offshore’ prapa skemës nuk duket se janë përballur me ndonjë sanksion.

Shqetësime të reja janë ngritur tani rreth hapjes së zonës së re të tregtisë së lirë në Mal të Zi për një fabrikë të re cigaresh që prodhon ‘të bardha të lira’.

Kjo ka ringjallur dyshimet rreth vullnetit të lidershipit të Malit të Zi- kryesisht të pandryshuar në krye për rreth 30 vjet – për ta çrrënjosur krimin e organizuar dhe kontrabandën e cigareve që lulëzoi gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste në vitet 1990 dhe tani ka infiltruar portin e Tivarit.

Mosveprimi mund të ketë pasoja për Malin e Zi me 620 mijë banorë duke komplikuar rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Administrata doganore e Malit të Zi tha për BIRN se po bën progres në luftë kundër kontrabandës me cigare.

Depoja e ndryshkur

Infografika: BIRN

Deri tash, disa marinarë janë dërguar prapa grilave, ose janë duke u përballur me dënime me burg, për pjesëmarrje në kontrabandim me cigare drejt BE-së nga ngarkesat që lundrojnë nga Mali i Zi drejt Libisë.

Por katër firma të lidhura me eksportin masiv të cigareve të lira nga Tivari – New Eastern Management, Kosova Tobacco, Range Enterprises dhe Velex Europe Corporation – si dhe fabrika ndërmjetëse, zyrtarë doganorë dhe të tjerë në operacionin e gjerë logjistik nuk janë akuzuar për ndonjë vepër as janë përballur me ndonjë sanksion.

Zyrtarë nga OLAF thonë se mbulesa ‘offshore’ e bën të vështirë të identifikohen njerëzit prapa tyre, por gazetarët e BIRN dhe ARIJ kanë zbuluar drejtime të rëndësishme për tri nga katër prej tyre.

New Eastern Management Inc, një kompani liberiane pronësia e të cilës është mbështjellë në sekret, madje edhe për standardet ‘offshore’, është një firmë e tillë. Ajo ishte prapa ngarkesës Zahra të konfiskuar nga autoritetet bregdetare greke në mars të vitit 2015.

Ajo e mban selinë në një  adresë joekzistente – 80 Broad Street – në kryeqytetin e Liberisë, Monrovia. Adresa është shtëpi e dhjetëra mijëra firmave tjera ‘offshore’, të gjitha ligjërisht të administruara nga një regjistër me pronësi private me seli në shtetin amerikan të Virgjinias, e cila vetë është e menaxhuar nga një kompani ‘offshore’.

Regjistri liberian tha për BIRN/ARIJ se nuk mund të ofrojë detaje për pronarët apo drejtorët.

Por përderisa pronësia e New Eastern Management mund të jetë e mjegullt, selia aktuale e saj është më shumë përtokë, sipas shumë regjistrave publikë: një depo e ndryshkur, Numër 25, në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit.

Nga atje, Zahra mori ngarkesën e vet të 34 milionë cigareve të lira në shkurt 2015 përfshirë ‘Royal Blue’, me gjasë të prodhuara në fabrikën atëherë të kontrolluar nga shteti në Sarajevë, FDS. Cigaret e brenduara GR u gjetën në bord të anijes së konfiskuar janë bërë nga plantacioni SEKAP në Greqinë veriore, në atë kohë e kontrolluar nga biznesmeni miliarder greko-rus Ivan Savvidis, i cili ishte përshkruar së fundmi në një artikull të New York Times si “njeriu i Kremlinit në Greqi”.

Asnjë firmë nuk konfirmoi apo mohoi nëse këto pako specifike janë bërë në fabrikat e tyre respektive- cigaret e lira të falsifikuara nuk janë gjë e pazakontë- por dokumentet e gjykatave dhe intervistat me ndërmjetës dhe prodhues tregojnë se produktet e tyre janë eksportuar në Libi nga New Eastern Management viteve të fundit.

Cigaret në bordin e Zahra ishin të destinuara, me letra, për Libi por cigaret nuk arritën kurrë atje, ose të paktën nuk u shkarkuan asnjëherë në Libi.

Në vend të kësaj, rojet bregdetare greke kapën gjashtë marinarët ukrainas të anijes duke shkarkuar kutitë e cigareve me anë të rripave specialë transportues, me ndihmën e gjeneratorëve, në katër kamionë që po prisnin.

Autoritetet e BE-së dhe Greqisë besojnë se, nëse nuk do të ishin ndaluar, cigaret do të përfundonin në tregun e zi, me gjasë në shtetet me taksa të larta si në Mbretëri të Bashkuar ose Irlandë, duke shkaktar evazion tatimor në vlerë prej 6 milionë euro dhe një fitim për kontrabanduesit në vlerë prej 3.4 milionë euro.

Gjashtë marinarët ukrainas u patën dënuar me nga tetë vjet burg secili në qershor të vitit 2016 bazuar në raportet e shtypit lokal.

BIRN dhe ARIJ kanë zbuluar se kjo nuk ishte hera e parë që Zahra kishte lënë Malin e Zi përplot me cigare të lira, dhe jo hera e fundit që New Eastern Management Inc do të kapej me dyshime për kontrabandë nga porti i Tivarit.

Një e lëpirë e bojës

Ilustrim. Foto: Pixabay

Dokumentet e transportit të marra nga doganat e Malit të Zi pas kërkesave për Liri të Informacionit tregojnë se Zahra tashmë kishte bërë dy udhëtime identike për New Eastern Management në 2014 dhe në janar 2015, me sa duket të pazbuluara, duke bartur së paku 72.8 milionë cigare nga Mali i Zi drejt, me sa duket, kompanisë libiane Umal Bhar Shipping.

Firma nga Kosova me të cilën New Eastern Management bashkëpunon – Kosova Tobacco- ka bërë dy dërgesa të mëparshme nga viti 2014 kur anija ishte nën emrin e mëparshëm të Ar Raqqah, që po bartte 40 milionë cigare për firmën e njëjtë libiane.

Përderisa Ar Raqqah dhe Zahra nuk kanë qenë të lidhura asnjëherë, BIRN/ARIJ kanë përcaktuar se anijet janë një dhe të njëjta, sipas një analize të dëmit të anijes se dhe pozicionimit të shenjave dhe shkronjave.

Bazuar në fotografitë e postuara në uebsajte të anijeve, është e mundshme që Ar Raqqah ishte riemëruar dhe ringjyrosur në kobalt të kaltër në gjirin malazez të Kotorit pas dy dërgesave për Kosova Tobacco në vitin 2014.

Winterfell, një anije kargo e regjistruar në Togo, la Malin e Zi në maj 2014 dukebartur 170 milionë cigare të një brendi të paspecifikuar- të përshkruar si ‘sasi e madhe’ nga OLAF- për New Eastern Management drejt një kompanie egjiptiane në Port Said.

Ky informacion ishte i shkruar në një letër të dërguar nga OLAF, në prill 2017 [Salvatore Catania], dhe i siguruar nga BIRN/ARIJ, që kërkonte asistencë nga doganat egjiptiane për ta gjurmuar ngarkesën dhe shprehte shqetësimin e tyre për “ngarkesën e rëndë” në Tivar të Malit të Zi. “Ngarkesa e rëndë” është kur kutitë janë ruajtur lirshëm në anije, në vend se në kontejner, duke e bërë më të lehtë shkarkimin e mallrave jashtë portit.

Shefi i njësisë së OLAF për ‘cigare dhe mallra të falsifikuara’, Salvatore Catania, tha për BIRN se përdorimi i varkave të peshkatarëve për transportin e cigareve ishte gjithashtu një flamur i kuq për autoritetet.

Nuk ka dëshmi të drejtpërdrejtë që ngarkesat e  New Eastern Management dhe Kosova Tobacco i shpëtuan ndërhyrjes- katër që mbahen nga Zahra/Ar Raqqah dhe njëtjetër nga Winterfell- përfunduan duke u kontrabanduar në BE, por transferet që bartnin shumë nga vulat si ato që u ndalën në Greqi dhe ngritën një numër flamujsh të kuq të OLAF.

Në qershor 2017, New Eastern Management përsëriti operacionin e njëjtë të udhëtimit të mëhershëm të Zahra-s me rezultate identike: anija, Golendri, ishte konfiskuar sa ishte gati për të shkarkuar rreth 31 milionë cigare në brigjet e Kretës. Cigaret me gjasë vinin kryesisht nga SEKAP, por gjithashtu cigaret “Royal Blue” ishin gjetur në bord, një produkt i FDS.

Gjashtë marinarët ukrainas mohuan akuzat për kontrabandë sipas mediave lokale. Një avokat i përfshirë në rast, duke folur për BIRN nën kushte anonimiteti, tha se të gjithë të akuzuarit janë gjetur fajtorë në nëntor të vitit 2018. BIRN nuk ishte në gjendje ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë me gjykatën.

Catania tha për BIRN se OLAF lansoi aksionin e vet në vitin 2017 në aktivitetet në Zonën e Lirë. Ai refuzoi të elaborojë më tej.

“Ne bëmë një hetim në Mal të Zi në vitin 2017 dhe bashkëpunimi që morëm nga autoritetet ishte i mirë”, tha Catania.

Ai tha se që nga atëherë më pak anije “kanë ngarkuar cigare në sasi të mëdha nga Mali i Zi” por se puna e identifikimit të firmave prapa operacionit ishte e vështirë.

“Nëse pronarët e anijes dhe pronarët e bizneseve janë në Liberi ose në British Virgin Islands, është e vështirë të merren informacione”, tha ai.

Duke shprehur keqardhje për “mungesën e informacionit gjyqësor ndërkombëtar”, Catania tha se kontrabanduesit ishin të mençur. “Ata e bënë të vështirë të shohim se kush është prapa kompanisë”.

Në përgjigje ndaj pyetjeve rreth përpjekjeve për të përçarë rrjetin e gjerë të kontrabandës prapa skemës së cigareve të lira, doganat e Greqisë thanë se nuk mund të komentojnë rreth një hetimi që po vazhdon.

Lidhjet e New Eastern

Anija Zahra e kapur në Kretë. Foto: Garda Detare Greke

Përderisa është e njohur kush është pronari aktual i New Eastern Management, dokumentet e siguruara nga BIRN/ARIJ tregojnë se firma punon ngushtë me Kosova Tobacco, e cila është një pronësi të një familjeje të pasur nga Kosova.

Fabrika FDS në Sarajevë tha për BIRN/ARIJ se Kosova Tobacco kishte një kontratë ekskluzive për të shpërndarë Royal Blue në Afrikë dhe Lindje të Mesme por asnjëherë nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me New Eastern Management. Të gjitha eksportet e New Eastern Management të produkteve të FDS nga Tivari në Libi duhet, megjithatë, të kenë kaluar përmes Kosova Tobacco.

Dokumentet malazeze të transportit gjithashtu tregojnë se New Eastern Management dhe Kosova Tobaco eksportuan nga Tivari te firma e njëjtë libiane, Umal Behar, me anije të njëjtë në vitin 2014.

Dhe dërgesat e New Eastern Management të blera nga SEKAP në Greqi kishin kaluar përmes International Trade Inc Shpk me seli në Prishtinë, sipas një deklarata e nga pronarët e firmës të ofruar si dëshmi për gjykatat greke lidhur me anijen Golendri dhe të siguruara nga BIRN/ARIJ. Në letra, drejtor i International Trade Inc është punëtori i Kosova Tobacco, Lulzim Gashi, dhe gjendet në të njëjtën adresë, gjë që ofron lidhjetë afërta ndërmjet Kosova Tobacco dhe New Eastern Management.

Pronari i International Trade Inc, Evangelos Siontas, tha për BIRN se i ka shitur cigare SEKAP për Golendri dhe Zahra, por insistoi se as ai as New Eastern Management nuk kanë bërë ndonjë gjë gabim.

“Problemi nuk ishte përmes malazezëve [New Eastern Management] ose anës sonë, problemi ishte pala libiane”, tha ai duke iu referuar Zahra-s. “Ne kemi marrë dokumente që tregojnë se mallrat kanë shkuar në Libi”.

BIRN nuk ishte në gjendje ta kontaktojë firmën nga Libia, Umal Behar, e cila nuk ishte akuzuar për ndonjë keqbërje në rastin në gjykatën greke.

Siontas shtoi se International Trade Inc nuk ka punuar me New Eastern Management në tri vitet e fundit. Ai tha se edhe pse Lulzim Gashi ishte, në letër, ende menaxher i International Trade, në praktikë kjo nuk ndodhte më.

Kosova Tobacco është në pronësi të familjes Govori, e cila kontrollon një varg kompanish përfshirë edhe një bankë, Banka për Biznes.

Përkundër lidhjeve të Kosova Tobacco me këto operacione të kontrabandës, duket se ajo nuk është përballur me sanksione ose të jetë akuzuar për ndonjë vepër penale. Ajo nuk u përgjigj në kërkesat për të komentuar.

Që nga viti 2014, fabrika e cigareve nga Sarajeva, FDS, i ka shitur mallra Kosova Tobacco-s, e cila liston New Eastern Management si marrës të ngarkesave, disa nga të cilat kanë përfunduar me gjasë duke u kontrabanduar në bordin e Zahra dhe Golendri.

FDS vazhdoi t’i shesë Kosova Tobacco-s për dërgesa në Libi deri së paku në korrik të vitit 2017, madje edhe pas disa konfiskimeve, sipas një dokumenti të tatimeve të Bosnjës të siguruar nga BIRN/ARIJ.

Në vitin 2014, FDS ishte në shumicë në pronësi shtetërore, por në vitin 2016 ajo qe blerë nga një fond investues austriak.

Drejtori i FDS, Bustafa Bibic, tha se Kosova Tobacco ka punuar me fabrikën nga Sarajeva që nga viti 2002 dhe ishte një firmë me reputacion.

“Ne kemi vazhduar të punojmë me Kosova Tobacco. Mendoj se ata janë plotësisht të arsyeshëm”, tha Bibic për BIRN/ARIJ. “Sa e di unë, Kosova Tobacco kishte ndaluar të bënte biznes me New Eastern Management”.

New Eastern Management nuk është grupi i vetëm që është akuzuar për kontrabandë ndërkombëtare jashtë portit malazez të Tivarit me cigare të blera SEKAP.

Dokumentet malazeze të transportit tregojnë se Velex Europe Corporation nga Panama gjithashtu ka eksportuar sasi të mëdha të cigareve të lira në Libi.

BIRN/ARIJ ka gjetur katër ngarkesa të cigareve të lira nga firma ndërmjet gushtit 2014 dhe nëntorit 2016. Tri duket të jenë hetuar nga autoritetet greke, edhe pse emri i Velex është përmendur në lidhje me rastin më të fundit, që e përfshin një varkë ruse peshkatarësh – RS 300 numër 97. Ajo u largua nga Mali i Zi me 20 milionë cigare në bord, duke e deklaruar si destinacion final kryeqytetin libanez, Bejrutin. Më 27 nëntor 2016, autoritetet greke e kapën varkën e peshkatarëve me ngarkesën e vet.

Sipas një letre të ofruar nga doganat për parlamentin e Greqisë, anija ishte porositur nga Velex por marrësi, Beirut for Transit SAL, tha se nuk ishte përfshirë në transfer, gjë që ngriti dyshime se cigaret sërish ishin destinuar për t’u kontrabanduar. Në mesin e cigareve të gjetura në bord ishin brende të prodhuara nga SEKAP dhe të eksportuara në Mal të Zi në vitin 2014.

Një hetim penal ishte nisur rreth këtij rasti në shtator 2018, sipas mediave greke.

BIRN/ARIJ nuk ishte në gjendje t’i identifikojë pronarët e Velex, për të cilët nuk është ofruar asnjë lidhje në dokumentet e siguruara nga Panama.

Në një deklaratë të lëshuar nga pronarët e rinj, Japan Tobacco International, SEKAP tha për BIRN se “ishte në dijeni rreth dyshimeve historike rreth SEKAP”.

“Do të ishte e pavend për ne të komentojmë rreth hetimeve specifike dhe që po vijojnë, ose procedimeve ligjore”, shtoi firma.

 Rimorkio të anijeve dhe kontrata të tërhequra

Anija Zahra e kapur në Kretë. Foto: Garda Detare Greke

Një tjetër firmë nga Libia, Range Enterprises, gjithashtu ka bërë së paku një ngarkesë të cigareve të lira nga Tivari në Libi përmes varkës së peshkatarëve Grot Yug.

Anija e njëjtë ishte kapur në shtator 2015 në bregun e Kretës nga autoritetet greke, në të cilën u raportua se është gjetur “një sasi e madhe e cigareve të kontrabanduara”. Për të cilat nuk kishte faturë të ngarkimit. Fotografitë zyrtare tregojnë se ngarkesa përmbante brendet Gold Mounts dhe Raquel Slim. Gjashtë marinarë ukrainas ishin arrestuar, sipas mediave greke.

Përderisa ngarkesa Range Enterprises nuk është konfirmuar formalisht si e njëjtë me atë që është kapur nga autoritetet greke, dy ngarkesat kanë shumë ngjashmëri mes vete.

OLAF tha për BIRN në një deklaratë se Grot Yug po bartte 2300 pako cigaresh dhe kishte deklaruar Libinë si destinacion final, kur ishte kapur.

Dokumentet e lëshuara nga doganat e Malit të Zi rreth ngarkesave të cigareve nga Tivari në Libi nga viti 2013 deri në 2016 përfshinë vetëm një dokument të ngarkesës nga Grot Yug. Ngarkesa ishte porositur nga Range Enterprises dhe po bartte 2500 pako, përfshirë Gold Mounts, të gjetura në bordin e anijes së kapur, drejt Libisë. Data e saktë e nisjes në vitin 2015 është e paqartë nga dokumenti i ngarkesës.

Lidhjet e Range Enterprises me tregtinë me cigaret e lira nuk duket se e kanë penguar operacionin e saj në portin e Tivarit.

Firma provoi ta zgjerojë biznesin e vet me një kërkesë për ta rindërtuar një depo në Zonën e Lirë, sipas një dokumenti të parashtruar në autoritetet lokale në vitin 2017.

Përkundër kërkesave të përsëritura, komuna e Tivarit nuk ishte në gjendje të thotë nëse është miratuar aplikacioni apo jo.

Dokumentet zbulojnë një lidhje me biznesmenin grek Konstatinos Eleftherios Fyrogenis, një figurë kyçe në prodhimin kontrovers të brendit më të njohur egjiptian të cigareve, Cleopatra, në Mal të Zi. Ai gjithashtu ka mbajtur një përqindje të vogël aksionesh në fabrikën që prodhon cigaret Raquel në Qipro. Emri i tij duket në një dokument të parashtruar në këshillin lokal të Tivarit si pjesë e një aplikacioni planifikimi për një depo në port.

Ai nuk u përgjigj në kërkesat e përsëritura për ta qartësuar rolin e vet në Range Enterprises.

Biznesi kontrovers i firmës gjithashtu nuk e parandaloi atë për të bërë punë bamirësie, sipas një komunikate për shtyp të lëshuar në prill të vitit 2016 nga autoritetet e portit. Ajo bënte të ditur se porti, Range Enterprises dhe Optimum Company –një agjent i madh ngarkesash-  do të merrnin pjesë në një punë bamirësie në emër të Kryqit të Kuq.

‘Kërcënimi i ri’

Anija Grot Yug e kapur në Kretë. Foto: Garda Detare Greke

Në raportin e vet të progresit për vitin 2018, Komisioni Europian tha se mbesin “shqetësime të vazhdueshme” lidhur me luftën kundër tregtisë ilegale me cigare përmes Malit të Zi, sidomos në portin e Tivarit.

Përderisa raporti thotë se Mali i Zi ka rritur bashkëpunimin me autoritetet doganore europiane, më shumë duhet bërë në kuptim të kontrolleve të kargo-ve, hetimit proaktiv dhe përdorim më të shpeshtë të hetimeve financiare për të ndjekur “organizimin e krimit të organizuar” prapa kontrabandës.

Sipas autoriteteve malazeze, një zyrtar i pamerëuar i Europol-it vizitoi Malin e Zi në tetor të vitit 2014 për ta vlerësuar luftën e këtij vendi kundër kontrabandës së cigareve.

Zyrtari ngriti brenga serioze rreth sigurisë së dobët në zonë përfshirë edhe rrethojat të përshkruara si “simbolike”, një dry i ndryshkur në deponë e cigareve dhe praninë e një numri të madh të varkave.

Zyrtari gjithashtu zbuloi se zyrtarët doganorë ishin të lejuar ta inspektojnë deponë vetëm gjatë orarit të tyre zyrtar të punës, nga ora 07 deri në 14.

Në një deklaratë për BIRN/ARIJ, dogana e Malit të Zi tha se tani ka qasje të plotë në port dhe se siguria është përmirësuar. Krahasimet, megjithatë, ndërmjet imazheve historike të Zonës së Lirë dhe fotografive të bëra së fundmi tregojnë se një perimetër i rrethojës është i pandryshuar.

Më tej në deklaratë, dogana shpjegoi se “terminali i kontejnerëve” është i rrethuar nga një “rrethojë speciale dhe në të hyhet nga një derë për hyrje/dalje e cila është nën mbikëqyrje të kamerave dhe e pajisur me një sistem leximi të kartelave dhe targave të automjeteve të transportit, kështu që lëvizja e njerëzve dhe mallrave është e monitoruar në mënyrë konstante në këtë zonë koncesioni nga Porti i Adrias”.

Dogana shtoi se po punon me një numër firmash ndërkombëtare të cigareve, organizata dhe qeveri për ta luftuar kontrabandën me cigare dhe se po bënte “inspektime më të shpeshta të kompanive në biznesin e tregtisë me cigare”.

Tani po ngriten shqetësime rreth hapjes së një zone të re ekonomike të përqendruar në një fabrikë cigaresh në Podgoricë, në pronësi të BMJ Industries me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo firmë bleu fabrikën në pronësi shtetërore Kombinati i Duhanit në Podgoricë, DKP, dhe lëvizi shpejt për t’i vënë asaj qepenat dhe për ta hapur një ndërtesë të re, moderne prodhimi në zonën e porositur ekonomike të miratuar nga qeveria e Malit të Zi.

Por në disa muaj sa DKP mbeti e hapur, drejtori i emëruar nga BMJ, Isat Boljevic, organizoi një operacion ilegal të prodhimit dhe shiti 3.9 milionë pako cigaresh në tregun e zi në Maltë Zi dhe jashtë. Ai pranoi fajësinë në akuzat për kontrabandë dhe u dënua me 9 muaj burg.

Në mesin e cigareve të prodhuara nën operacionin ilegal të Boljevic ishte edhe ‘Mac’, brend i BMJ, e cila gjithashtu ishte cigarja më e zakonshme në tregun e zi në Afrikën veriore, sipas një raporti të publikuar në korrik 2017 nga auditorët KPMG në emër të gjigantit amerikan të cigareve, Philip Morris.

Një nga ngarkesat e kontrabandës së dyshuar nga Mali i Zi të theksuara nga OLAF ishte Med Patron, e kapur në korrik 2017 nga marina spanjolle që ishte ngarkuar në portin e Tivarit. Në bord të saj ishin gjetur brendet Napoli Red dhe Blue të prodhuara nga BMJ, sipas një video nga mediat spanjolle.

BMJ tha për BIRN në një deklaratë me shkrim se nuk toleronte kontrabandën, duke shtuar se Boljevic “ishte liruar nga detyra” kur mësuan për akuzat ndaj tij.

Firma shtoi se nuk ishte në dijeni për dyshimet se prodhimet e saj ishin në mesin e më të njohurave në tregun e zi të Afrikës veriore, duke shtuar se studimi që shfaq këto dyshime ishte sponsoruar nga konkurrenti i saj, Philip Morris International.

Ajo gjithashtu vuri në pikëpyetje përdorimin e termit “cigare të lira”, duke e përshkruar atë si term të krijuar nga “kompanitë e mëdha” në mënyrë që “t’i fyejnë brendet tona përderisa po rriten në popullaritet dhe po kërcënojnë tregun e ndarë nga brendet kryesore globale”.

Firma gjithashtu përmendi se cigaret Napoli të gjetura në bordin e Med Patron ishin me gjasë të falsifikuara.

Ana GOmes, një anëtare portugeze e Parlamentit Europian, ka ngritur shqetësime rreth hapjes së një zone të re për një fabrikë të re cigaresh, për shkak të “problemeve të vazhdueshme rreth prodhimit ilegal të cigareve që hyjnë në BE nga zona e tregtisë së lirë në portin e Tivarit”.

Ajo tha në parlament se zhvillime të tilla “paraqesin një kërcënim të ri i cili mund të rezultojë në rritje të numrit të cigareve që po kontrabandohen në BE nga Mali i Zi”.

Komisioni Europian, në përgjigje, tha se po e monitoron situatën nga afër.

Sa u përket shqetësimeve të ngritura nga Gomes, BMJ tha për BIRN: “Absolutisht nuk ka arsye për Ana Gomes që të shqetësohet, ne e mbështesim ekonominë lokale duke punësuar punëtorë lokalë dhe duke blerë material lokal”.

“Ne pajtohemi plotësisht se Mali i Zi historikisht ka një reputacion të keq për shkak të kontrabandës me cigare të organizuar nga industria e madhe e cigareve në dhe përmes Malit të Zi”.

Në një intervistë për BIRN, Ana Gomes tha se çështja e kontrabandës me cigare përmes Malit të Zi duhet të merret “shumë seriozisht” nga Brukseli.

“Duhet të ketë implikime në kuptim të kërkesave për t’i pastruar veprimet e tyre”, tha ajo.

“Nuk mund të anashkalohet për shkak të sasisë së parave që humbin arkëtimet publike por sepse këto organizata kriminale të përfshira në organizimin e kontrabandës me cigare kanë lidhje të qarta me organizata terroriste”.

“Kjo periudhë e negociatave duhet të jetë, siç ka qenë në rastet tjera, një periudhë e transformimit të vendit dhe nëse vendi varet nga këto lloj aktivitetesh ilegale e kriminale për të mbijetuar ekonomikisht, unë mendoj se roli i BE-së është… të kërkojë transformim”.

Ngritja e cigareve të lira

Në bitin 2000, Komisioni Europian ngriti një padi në Nju Jork kundër Philip Morris International, PMI, prodhues i Marlboro-s, duke e akuzuar atë për kontrabandë të cigareve në BE, përfshirë edhe përmes Malit të Zi me ndihmën e liderit dominues malazez në tri dekadat e fundit, Milo Gjukanoviq.

Rasti ishte hedhur poshtë në vitin 2004 pasi PMI u pajtua t’i paguajë BE-së dhe shteteve anëtare më shumë se 1 miliard euro për 12 vite për ta luftuar kontrabandën.

BE pastaj nënshkroi një seri vendimesh dhe marrëveshjesh me prodhues tjerë të cigareve- Japan Tobacco International në vitin 2007 dhe British American Tobacco dhe Imperial Brands në vitin 2010- për ta luftuar kontrabandën me cigare.

Si rezultat, kontrabanda e produkteve të mirëfillta të bëra nga gjigantët e mëdhenj të cigareve u zvogëlua, ndërsa krimi i organizuar u zhvendos te cigaret e lira, për të cilat vendet prodhuese dhe ato të transitit mund ta mbajnë një sy të mbyllur ndaj pretendimeve se prodhimi i tyre është ilegal.

Komisionieri i BE-së për buxhetin, Gunther Oettinger, së fundmi i përshkroi cigaret e lira se “cigare të cilat në janë të prodhuara mënyrë tipike ligjërisht në një juridiksion por të tregtuara ilegalisht në një juridiksion tjetër”.

Sipas një raporti të vitit 2017 të BE-së, të dhënat e konfiskimeve të vitit 2013 nga shtetet anëtare zbuluan se tetë nga dhjetë brendet më të konfiskuara të cigareve ishin prej atyre të lirave. “Nga më shumë se 1 miliard cigare të konfiskuara me ndihmën e OLAF gjatë dy viteve të kalara, më shumë se 90 përqind janë ‘brende’ të cigareve të lira”, thotë raporti.

Anijet fantazmë në Mesdheut

Anijet që transportojnë cigare nga Mali i Zi janë shfaqur si fantazmë nëpër Detin Mesdhe me pajisjet e përcjelljes të shkyçura dhe nganjëherë në kushte të këqija për lundrim, ka zbuluar BIRN.

Nga Ivan Angelovski

Varka e peshkimit Zahra, e mbushur me 34 milionë cigare, ishte në gjendje aq të keqe kur rojet bregdetare greke e kapën në mars të vitit 2015 sa që fotografitë e saj ishin depozituar në kategorinë “rrënoja dhe relike” në një sajt të popullarizuar të anijeve.

Në letra, ky ishte lundrimi i saj i pestë me cigare nga Mali i Zi drejt Libisë – së paku. Në fakt, gjashtë marinarët ukrainas në bord më vonë ishin dënuar për përpjekje për kontrabandim në Bashkimin Europian përmes Greqisë.

Kjo është një nga nëntë anijet dhe 18 ngarkesat që BIRN ka identifikuar që po transportonin cigare të lira nga porti malazez i Tivarit që nga viti 2014, një skemë e cila është nën hetim nga Zyra Anti-Mashtrim e BE-së, OLAF.

Zhdukja e anijeve nga përcjellja

BIRN ka bashkëpunuar me shërbimin e monitorimit të anijeve MarineTraffic.com për të gjurmuar nëse anijet, dhe kargo-t, kishin mbërritur në destinacionin e deklaruar.

Nga nëntë anijet, vetëm një prej tyre kishte transmetuar të dhëna të përcjelljes përderisa po bartte cigare- anija Winterfell.

Edhe atëherë, sinjali i Winterfell u hoq jo shumë gjatë pasi e la portin e Tivarit me 170 milionë cigare në bord. Javë më pas ajo u rishfaq afër bregut grek, duke e bërë të pamundur për ta gjurmuar udhëtimin e supozuar në Egjipt.

Sinjali nga ‘Sistemi automatik i identifikimit’ (AIS) i anijes është vetëm një nga tiparet që ndihmojnë anijet t’i shmangin aksidentet. Edhe pse ka arsye legjitime që anijet të jenë zhdukur nga sistemi, mbytja e sinjalit të AIS konsiderohet si flamur i kuq për kontrabandë.

“Kyçja dhe shkyçja e AIS është një indikator që do të nxiste interes në atë që anija po bën”, tha për BIRN/ARIJ, Sarah Bladen nga Global Fishing Watch, një OJQ ndërkombëtare e angazhuar në qëndrueshmërinë e oqeaneve.

E paqëndrueshme dhe e rrezikshme

Katër nga nëntë anijet e identifikuara nga BIRN janë të regjistruara si anije peshkimi, një tjetër flamur i kuq sipas OLAF.

Varka e peshkimit RS-300 Numër 97 është e ndërtuar në vitin 1997, me gjasë në të njëjtin kantier detar rus me Zahra.

Duke lundruar nga Tivari, ajo u ankorua në portin e Kretës në nëntor 2016 pasi kishte pësuar një dëmtim mekanik, një temë e zakonshme për nëntë anijet, të cilat shpesh kishin kërkuar asistencë ose inspektime të dështuara të sigurisë.

Winterfell, e ndërtuar në vitin 1969, ishte mbajtur nga inspektorët e portit për gjashtë ditë në vitin 2013 për shkak se një inspektim e gjeti atë të pasigurt, me kushte të këqija për jetë dhe punë.

Muaj më vonë, inspektorët gjetën dhjetë parregullsi tjera; një lëvozhgë të gërryer, ventilim dhe pompim të dobët dhe pjesë tjera të makinës të dobëta, si dhe sinjal, bateri dhe ndërprerës që nuk operonin.

Pula e skaduar dhe mospagesa

Në mesin e kushteve më të këqija, megjithatë, ishin ato në anijen Yong Gi, që lundronte nën flamurin e Sierra Leone, e cila ka bërë një numër ngarkesash të cigareve nga Mali i Zi.

Në janar 2015 ajo ishte ndalur nga rojet bregdetare greke derisa anija po lundronte nga Tivari në një destinacion të paemëruar, sipas marinarëve.

Ekuipazhi nuk iu përgjigj disa thirrjeve nga autoriteti lokal i portit kështu që rojet bregdetare ishin dërguar për ta ndaluar atë. Anija kishte marrë “dëmtime në marsh të shpejtësisë”, nuk kishte letrat në rregull dhe madje as ishte e regjistruar në atë kohë.

Fotografitë e marra nga inspektorët zbuluan se marinarët ishin duke jetuar me pula, jogurtë dhe sallame të skaduara, dhe nuk ishin paguar si duhet.

Anija ishte liruar nga mbajtja katër muaj më vonë, pas riparimeve të shumta dhe nën një emër të ri- Simone. Vetëm një vit më vonë, në 2016, ajo ishte kapur nga rojet bregdetare greke në një lundrim ndërmjet Malit të Zi dhe Qipros nën dyshimet për kontrabandë me cigare.