Objekti i Ministrisë së Arsimit

Kontesti i humbur i MASHT ndaj Kolegjit AAB përfundon në prokurori

Një udhëzim administrativ i nxjerrë në vitin 2013 nga Ministri i atëhershëm i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë i kushtoi kësaj ministrie afro 240 mijë euro.

Kolegji privat ‘AAB’ është njëri nga institucionet private arsimore që e fitoi gjyqin ndaj Ministrisë së Arsimit lidhur me një taksë shtesë që kërkohej nga këto institucione për akreditim.

Në vitin 2013 nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte nxjerrë një udhëzim administrativ me numër 02/2013 që në nenin 23 të titulluar ‘Shpenzimet e procesit të akreditimit’ kishte futur një paragraf ku parashihej një taksë shtesë për akreditim për institucionet private të arsimit të lartë.

Paragrafi 10 i nenit 23 në këtë udhëzim administrativ thotë “Institucionet private të akredituara do t’ia paguajnë Agjencionit Kosovar të Akreditimit një shumë fikse prej 5€ për student në vit si tarifë tatimore për akreditim”.

Ky paragraf kishte bërë që kolegji privat ‘AAB’ të nisë procedura gjyqësore nga ku doli fitues duke arritur të rikthejë shumën e parave që kishte dorëzuar në ministri në kuadër të kësaj takse.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për vitin 2017 në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte përmendur humbjen e këtij kontesti gjyqësor si faj i papërgjegjësisë së ministrisë.

“MAShT kishte humbur kontestin gjyqësorë me Kolegjin AAB dhe si rezultat i humbjes sipas vendimit gjyqësor kishte paguar 239,353€. Kjo humbje e kontestit gjyqësor ka ndodhur për shkak se neni 23 i Udhëzimit Administrativ mbi akreditimin i hartuar nga ministria ishte në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë nr. 04/L—037”, thuhet në raport.

Auditori rekomandoi se për t’iu shmangur situatave të ngjashme, Ministri duhet të siguroj që legjislacioni sekondar të jetë në harmoni me ligjet dhe të forcoj disiplinën financiare që të gjitha obligimet të paguhen me kohë.

Lidhur me këtë kontest, KALLXO.com kontaktoi kolegjin ‘AAB’ të cilët konfirmuan fitoren në këtë gjyq.

Sekretari i këtij universiteti, Granit Curri, tha se taksa e ushtruar me atë udhëzim administrativ është e padrejtë.

“Sa i përket çështjes që i referoheni, bëhet fjalë për një taksë diskriminuese që MASHT e ka aplikuar ndaj studentëve të institucioneve jopublike. Për këtë çështje kemi ushtruar padi dhe Gjykata ka vendosur që këto mjete të paguara nga ne, të na kthehen, pra behët fjalë për mjetet tona dhe jo për mjete financiare të MASHT-it”, tha Curri.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë refuzuan të japin detaje të tjera mbi këtë kontest gjyqësor.

Zëdhënësja e kësaj ministrie, Besa Bytyqi, sipas të dhënave që ka siguruar nga zyrtarët e MAShT tregoi për KALLXO.com se çështja tashmë është dërguar në prokurori.

“MASHT e ka dorëzuar lëndën në prokurori dhe për shkaqe të mos dëmtimit të hetimeve jemi të kufizuar në dhënien e informacioneve”, tha Bytyqi.

Në anën tjetër, vetë Ministri i atëhershëm, Ramë Buja nuk ka komentuar lidhur më këtë çështje, duke sugjeruar që për të të përgjigjet ministria si institucion.

“Unë qe gati pesë vite jam jashtë politikës ekzekutive dhe po komentova diçka tani i bie të flasë me mbamendje e hamendje! Dokumentat flasin”, tha Buja për KALLXO.com.

KALLXO.com ka gjetur se në udhëzimet e mëvonshme adminsitrative që kanë të bëjnë me procesin e akreditimit, paragrafi që e parashihte atë taksë është hequr.

Përshembull, në udhëzimin administrativ të vitit 2016, me numër 20 /2016, në nenin 23 që është i njëjtë me atë të udhëzimit administrativ të viti 2013 është hequr vetëm paragrafi mbi atë taksë.

Po ashtu në udhëzimin administrativ mbi Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës,  të vitit 2017 me numër 9/2017, në nenin 31 që parasheh shpenzimet e akreditimit, nuk përfshihet taksa e lartpërmendur.