Konsiderojnë Fondet e Trustit

Mbi 150 milionë euro të kontributeve të kosovarëve të cilat derdhen në Trustin Pensional mund të investohen brenda vendit me ndryshimet që po bëhen në ligjin që rregullon këtë institucion, si rezultat i një iniciative të Qeverisë e cila është gjendur nën presione buxhetore. 

Ekzekutivi ka sponzoruar një draftligj i cili do të shkojë në Parlament brenda këtij viti. Ministri i Financave Bedri  Hamza ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se ligji parashikon që deri në 30 për qind të fondit të Trustit Pensional të mund të investohet brenda Kosovës.

“Normalisht, prapë i takon Bordit të Trustit të vendosë se ku dëshiron të investojë. Njëjtë, edhe Qeveria nuk do të thotë se do të kërkojë gjithsesi tërë ato mjete dhe gjithmonë pasi kjo varet nga planet e saj buxhetore”, ka thënë ministri Hamza.  

Sidomos tash pas dështimit të privatizimit të Post-Telekomit të Kosovës (PTK) – shitje e cila ishte paraparë të realizohej deri në fund të vitit dhe nga e cila do të regjistroheshin rreth 300 milionë të hyra njëdrejtimëshe në buxhetin e vendit – Qeveria ka nevoja për mjete financiare për të mbuluar buxhetin. Huat ose mënyrat tjera të shfrytëzimit të kontributeve pensionale janë vetëm një nga rrugët të cilat Qeveria ka gjurmuar.

Në fondin e Trustit aktualisht janë 557 milionë euro të rreth 360 mijë kontribuuesve, të investuara kryesisht nëpër kompani dhe institucione tjera të huaja jashtë vendit. Prej tyre vetëm 35 milionë euro janë të investuara në Kosovë. Në bazë të ligjit në fuqi, Trusti mund të investojë jo më shumë se pesë për qind të totalit të vetë në tregun e brendshëm. 

Lajmet të cilat vijnë nga tregjet ndërkombëtare nuk flasin aq mirë për paratë e investuara jashtë. Një pjesë e tyre kanë humbur si pasojë e krizës së borxheve.

Nga fillimi i vitit e deri më 15 tetor, Trusti ka humbur 5.3 milionë euro. Çmimi aktual i aksionit është 1.02 euro nga rreth 1.03 euro që ishte në fillim të vitit. Kurse tremujori i tretë i këtij vitit ka qenë dëmtues për paratë e kontribuuesve kosovarë në Trustin e kursimeve, ku janë shënuar 31 milionë euro humbje. 

Naim Gashi, profesor i makroekonomisë, thotë se ky trend është rezultat i zgjedhjes së bankave ku janë bërë investimet. “Trusti zakonisht investon në banka qendrore të vendeve europiane dhe përgjithësisht në institucione me shkallë rreziku shumë të ultë”, shpjegon ai. “Si rezultat nuk ka përfitime të mëdha, por në të njëjtën kohë as rrezik serioz për to”. 

Kryetari i Bordit të Trustit, Ymer Havolli, thotë se institucioni është i interesuar të investojnë më shumë mjete të kontribuuesve në vend. Megjithëkëtë, sipas tij, aktualisht ligji aktual nuk u mundëson që të bëjnë këtë. 

“Kemi iniciuar çështjen e ndryshimit të ligjit pasi Trusti e ka pasur të pamundshme që në një etnitet të investojë më shumë se 5 për qind të mjeteve”, thotë ai. “Bordi i Trustit është i interesuar të investojë më shumë mjetë në Kosovë”.

Havolli thotë se baza ligjore duhet të shërbejë për të pasur siguri në investimet e mjeteve të kontribuuesve në Kosovë. “Për investimet të cilat pritet të bëhen në Kosovë, së pari duhet të krijohen instrumentet financiare, siç janë tregu i kapitalit dhe letrat me vlerë”.

Sipas tij, pa krijimin e tregut të kapitalit nga ana Qeverisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës nuk mund të investohet më shumë se 5 për qind i mjeteve të përgjithshme të Trustit në vend. 

Mjetet e kontribuuesve kosovarë të cilat i menaxhon Trusti janë të investuara në këto tregje ndërkombëtare financiare: Vanguard, Schoders, Ecm-Ecl, Ecm-Dec, Fortis Glf, Axa Gilb, Aquila Capital si dhe në dy bankat të cilat operojnë në vend, Raiffeisen Bank dhe NLB Prishtina.

Ministri i Financave Bedri Hamza thotë se ka një pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar sa i përket ligjit. “Kjo është mundësi e hapur”, tha ai. 

Dhjetë ditë më parë Qeveria shpalli buxhetin e saj për vitin 2012, në vlerë prej rreth 1.5 miliardë dollarësh. 

Deficiti mbulohet me suficitin e vitit paraprak afër 244 milionësh, pjesën e akumuluar të bilancit bankar nga viti 2011 prej rreth 28 milionë eurosh, fondet që mund të llogariten si financim nga programet e ardhshme me IMF’në (si donacionet e premtuara që priten të zhbllokohen dhe kreditë prej rreth 50 milionësh etj), të hyrat nga doganat, administrata tatimore, të komunave (bashkë rreth 125 milionë) si dhe të hyrat e njëhershme (si shitja eventuale e PTK’së, rrjetit të transmisionit të KEK’ut, likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore etj). 

Organizatat e huaja thonë se qëndrueshmëria financiare mund të rrezikohet në muajt e ardhshëm dhe se vendi do të ketë përpara ‘vite të shtrënguara’.

Ndonëse nuk është folur për fondin e privatizimit, dy mundësi që Qeveria i ka diskutuar me IMF’në përfshijnë ‘interesimin’ e bankave komerciale për të investuar në letrat me vlerë dhe huat ose format tjera nga Trusti Pensional.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit ‘RIINVEST’, Lumir Abdixhiku, thotë se Qeveria ka planifikuar të hyra prej 456 milionë eurosh pa i pasur ato – 156 milionë nga asistenca financiare dhe 300 milionë nga shitja e PTK’së. Ky fakt sipas tij është shqetësues dhe ngre çështje se sa e aftë është kjo Qeveri te planifikojë të hyrat e veta. 

“Në anën tjetër shpenzimet veçse i kemi bërë dhe për më tepër këto janë kryesisht kontrata afatgjata, pra prekin dhe buxhetet vijuese”, thotë Abdixhiku.

Ai shton se nuk do të ketë bilance bankare për të shpëtuar vendin nga kriza buxhetore. “Prandaj Qeveria do t’i kthehet fondeve tjera si ai i Trustit, privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe privatizimit eventual të ndërmarrjeve publike”.

Sipas tij, me dështimin e privatizimit të PTK’së krijohet një hendek i madh në mbulimin e deficitit buxhetor. “Shfrytëzimi i pakontrolluar i bilancit bankar është shqetësues në periudhë afatgjate me që qysh vitin tjetër ne do të mbesim si një vend tërësisht jolikuid”.

Tetor 2010

Likuiditet do të thotë kapaciteti i Qeverisë për të paguar shpenzimet e veta. Ministri Hamza nuk sheh ndonjë rrezik të tillë. “Do të kryhen të gjitha obligimet si të pagave, pensioneve mallrave dhe shërbimeve dhe investimeve kapitale”, tha ai. 

Qeveria ruan të drejtën që të anulojë deri 25 për qind të shpenzimeve të saj, sidomos në projektet kapitale, pa aprovimin e Parlamentit. 

Sipas profesorit Naim Gashi, Qeveria ka shkurtuar shpenzimet në masë të madhe në vitin buxhetor që do të mbyllet. “Prandaj duhen llogaritur kursimet”.

Ai nuk parasheh ndonjë problem serioz me kalimin eventual të projekt-ligjit për trustin. “Trusti nuk rrezikohet, pasi garant për ato hua (nëse realizohen) është shteti”, thotë Gashi. “Madje do të ishte mirë që deri në 20 për qind të fondit të trustit të investohet në tregun e brendshëm për të pasur qarkullim të keshit dhe për të ndikuar në kredidhënie në sektorin e agrikulturës”. 

Kosova kishte acaruar marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar në kur ajo rriti të ardhurat e shërbyesve civilë mes 20 dhe 50 për qind verën e këtij viti. Me buxhetin e ri pritet të rriten ende shpenzimet në sektorin e shëndetësisë dhe atë të pensioneve, për 50 dhe 20 milionë respektivisht. 

Banka Botërore i kishte dërguar një letër Ministrisë së Shëndetësisë me të cilën konfirmonte mbështetjen e saj për draft-ligjin për sigurime shëndetësore. 

Lundrim Aliu, zyrtar për Komunikim në Bankën Botërore, po ashtu ka thënë për Gazeta Jeta në Kosovë se një ekspert i këtij institucioni për pensionet ka shqyrtuar projekt-ligjin për

pensionet dhe ka konstatuar se ai është në përputhje me skemën e sistemit të pensioneve kosovare.

Eksperti kishte vlerësuar se draft-ligji  duket të jetë i qëndrueshëm nga aspekti fiskal në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe se ‘ndryshe nga vendet fqinje ku një numër i madh i të moshuarve nuk marrin mbështetjen shtetërore, ky projekt-ligj ofron disa përfitime për të gjithë të moshuarit”. 

“Për sa i përket kostos së përgjithshme të ligjit të pensioneve, 112 milionë euro tashmë janë duke u paguar sipas ligjit aktual, kështu që me ligjin e ri shpenzimet për pensionet për vitin 2012 shtohen për 20 milionë euro (dhe në qoftë se ligji zbatohet vetëm për gjysmën e vitit 2012, siç është planifikuar, atëherë shtohet vetëm gjysma e kostos shtesë)”, ka thënë Aliu. 

“Nuk ka një shifër të drejtë ose të gabuar lidhur me atë se sa duhet të shpenzohet për pensionet. Çdo qeveri, çdo shoqëri, i bën zgjedhjet e veta”, ka shtuar ai. “Se a zgjedh Qeveria për të shpenzuar, ose a mund të përballojë për të shpenzuar, një kosto shtesë prej 20 milionë eurove për pensionet, varet nga ajo se çfarë tjetër dëshiron të financojë qeveria me buxhetin e saj të kufizuar”.

Qeveria thotë se do të vazhdojë me projektin e autostradës me Shqipërinë dhe ende po shikon mundësitë e gjetjes së mjeteve për autostradën Prishtinë – Shkup. Autostradat kishin qenë ndër pikat kryesore në ofertën zgjedhore të Kryeministri Hashim Thaçi në votimet e nëntorit 2007 që e sollën në pushtet.