Petrit Selimi | Foto: KALLXO.com

Konfirmohet Humbja e Milionave të Premtuara nga ShBA

Liderët e institucioneve kryesore kosovare patën bërë premtime të mëdha pas vendimit agjencisë qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për të pranuar Kosovën në programet e saj. Janë përmendur shuma të mëdha që do të vinin si investime në Kosovë nga Amerika.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kishte thënë se përfitimet e shteteve që kanë qenë në programin “Compact” të MCC-të kanë qenë qindra miliona dollarë.

Kryeministri Isa Mustafa ka qenë më konkret duke thënë se Kosova mund të përfitojë në mes të 200 dhe 400 milionë dollarë amerikanë.

Kurse, Petrit Selimi, koordinator për Kosovën i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit në një intervistë për gazetën “Epoka e Re” kishte thënë se përfitimet e Kosovës nga MCC mund të jenë në mes të 100 dhe 500 milionë dollarëve amerikanë.

Pas vendimit të bordit të agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit që Kosova të jetë në programin “MCC Threshold” dhe jo në atë “Compact”, siç ishte proklamuar, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk ka bërë asnjë reagim.

Vendimi i bordit të MCC-së ka ardhur pas dështimit të Kosovës për t’u përballur me fenomenin e korrupsionit.

Petrit Selimi, koordinator i MCC Kosova në një bisedë për “Gazeta Jeta në Kosovë“ ka shpjeguar pasojat dhe mundësitë për Kosovën pas vendimit të bordit të MCC-së. Ai thënë se ky vendim ka ardhur pas vlerësimit negativë që është bërë sa i përket trajtimit të korrupsionit.

“Indikatori i kontrollit të korrupsionit bazohet në shumë të dhëna dhe sondazhe si ato të Bankës Botërore dhe ‘Transparency International’. Sivjet Kosova ka shënuar përkeqësim të këtij indikatori”, tha Selimi për “Gazetën JnK”.

Korrupsioni ia Humb Kosovës Milionat e Premtuara nga Amerika

Po ashtu, Selimi thotë se shoqëria civile është një nga shkaktarët e vlerësimit negativ për kontrollin e korrupsionit, një nga 20 indikatorët ku është matur.

“…Kontrollin e korrupsionit nuk e ka kaluar. Kur është analizuar se pse ka ndodhur kjo, është vërtetuar se në 8 nënindikatorë, Kosova ka qenë statike, por ka pasur përkeqësim në sondazhin e ‘Gallup’-it për perceptimin e korrupsionit. Niveli i debatit publik, shoqëria aktive civile kanë ndihmuar që publiku i Kosovës të ketë temën e korrupsionit në fokus”, tha Selimi.

“Asnjë investim i madh në Kosovë nuk mund të vijë nëse nuk zbërthehet dhe kontrollohet tema e korrupsionit”, theksoi ai për “Gazetën Jeta në Kosovë“.

Rreziku i përjashtimit të Kosovës nga MCC

Petrit Selimi thotë se Kosova ka rrezikuar që të përjashtohet komplet nga programet e MCC-së për shkak të dështimit në indikatorin e korrupsionit.

“Ka pasur gjasa që MCC të suspendojë bashkëpunimin me Kosovën”, ka thënë ai.

Po ashtu, Selimi thotë se bordi i MCC-së ka sjellë dy lajme të mira duke e vlerësuar si lajm të mirë edhe uljen e Kosovës në “Threshold”.

“E para që bashkëpunimi do të vazhdo, dhe e dyta që tani do të ndahen mjetet nga programi “Threshold”, që janë më të shpejta dhe të fokusuara mu në reformat e nevojshme për përmirësimin e këtyre indikatorëve”, tha koordinatori i MCC-së.

Tutje ai ka thënë se Kosova nuk ka humbur asnjë milion dollarë siç ka raportuar “Gazeta JnK”, me arsyetimin se “asnjë milion ende nuk është ndarë”.

Por, kur është pyetur sërish nëse qëndron prapa deklaratës së tij dhënë “Epokës së Re” se Kosova mund të përfitojë në mes të 100 dhe 500 milionë dollarë nga programi “Compact”, ai ka dhënë shpjegime të cilat dëshmojnë humbjen e të paktën dhjetëra miliona dollarëve.

“Është bordi ai që vendos për mjetet. Por, nga Kongresi amerikan për shtatë shtete në ‘Compact’ për 2017 janë ofruar 1 miliard dollarë dhe është e qartë që Kosova si shtet i vogël ka mundur të shpresojë në një përqindje më të vogël të këtyre mjeteve”, theksoi koordinatori i MCC për Kosovë.

Në një ndarje të barabartë të 1 miliard dollarëve në mes të 7 shteteve i bie që Kosova do të përfitonte 142 milionë dollarë. Nëse do të përfitonte vetëm 10 për qind të kësaj shume, pra më pak se shtetet e tjera, atëherë i bie një përfitim prej 100 milionë dollarë. Pra, edhe nëse Kosova nuk kishte arritur të bindte MCC-në prapë do të përfitonte shumë më shumë se sa që mund të përfitojë nga programi ku aktualisht është vendosur.

Tash, Selimi shpreson që Kosova të mund të përfitojë deri në 45 milionë dollarë.

“Ndërsa do të punojmë që programi ‘Threshold’ të jetë shumë substancial, më i afërt me atë të Sierra Leones që ka qenë 45 milionë sesa të Shqipërisë që ka qenë 13 milionë. Por, përsëri, vlera e mjeteve varet nga shumë faktorë, përfshi elementin komparativ me shtete tjera dhe nivelin total të alokuar nga Kongresi amerikan”, specifikoi Selimi.

Edhe pse deri më tani është thënë se Kosova ka qenë e selektuar në programin “Compact”, Selimi nuk e sheh vendimin e bordit si përjashtim të Kosovës nga ky program. Thotë se ky vendim ka ndryshuar renditjen e hapave por jo domosdo edhe madhësia e granteve për Kosovën.

“Kosova nuk është përjashtuar nga programi ‘Compact’. Kosovës i është mundësuar hyrja në programin ‘Threshold’ si parapërgatitje për programin ‘Compact’”, tha ai.

Në web-faqen e MCC-së është dhënë një shpjegim sa i përket këtij programi, të cilin e citon Selimi. Aty thuhet se “Threshold” është program që ndihmon shtetet të marrin “Compact”-in duke i ndihmuar përpjekjet e këtyre shteteve për reforma kyçe në politika dhe institucione.

Mund të rikthehemi në “Compact”

Petrit Selimi e ka pranuar se është lëvizje mbrapa e Kosovës, sepse tash duhet të punojë shumë që të kthehet në programin “Compact”.

“Bordi i MCC-së ka vendosur të ofrojë Kosovës një program si parapërgatitje për ‘Compact’, dhe ky është lajm i mirë… Programi ‘Threshold’ është program që ndihmon shtetet në arritjen e ‘Compact’-it. Pra, nuk është përzgjedhje ekskluzive ose njëra ose tjetra, por realisht shumica absolute e shteteve që kanë përfunduar “Thresholdin’ kanë vazhduar me ‘Compact’”, tha ai.

Selimi shpreson që Kosova të mund të futet në programin “Compact” në kornizën kohore 2018/2019.

“Derisa më herët ishim duke punuar në zhvillimin e projekteve për ‘Compact’ që do të lansoheshin më 2018, tani do të punojmë në projekte ‘Threshold’ që lansohen më 2017, me synim që implementimi i tyre të mundësojë investimet ‘Compact në kornizën kohore 2018/2019’”, u shpreh ai. “Kosova duhet të punojë shumë. Ekipi im duhet të punojë shumë, dhe bashkëpunimi me sektorin privat dhe shoqërinë civile të jetë i thellë që të arrijmë absorbimin sa më të madh të mjeteve”, shtoi Selimi.

Po ashtu, koordinatori kombëtar në Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit thotë se nga janari ekspertët amerikanë dhe ata vendorë do të punojë për draftimin e koncepteve të projekteve. Prioritetet, sipas tij, janë energjia, ambienti, sundimi i ligjit dhe sasia e mjeteve varet nga kapaciteti absorbues i Kosovës si dhe kualiteti i projekteve.

“Është bordi në Uashington ai i cili në fund vendos për aprovimin e projekteve por ne jemi optimistë që Qeveria Amerikane do të vazhdojë me një dedikim të pashoq për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës”, tha ai.

Këtë vendim të bordit të MCC-së që Kosova të jetë në programin “Threshold”, Selimi e sheh si sinjal të mirë.

“Shkaqet kryesore kanë qenë se bordi i MCC që udhëhiqet nga Sekretari i Shtetit, John Kerry, kanë dashur të ndihmojnë Kosovën sa më shumë dhe sa më shpejtë. ‘Threshold’ është program shumë më i shpejtë dhe më i lehtë për t’u implementuar që në pjesën e dytë të 2017 dhe kjo pastaj krijon kushte shumë të mira për një cikël të mirëfilltë të investimeve në prioritetet kyçe të Kosovës”, tha ai.