Komuna e Prishtinës u bindet britanikëve për Bordin e “Prishtina Parking”

Komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga Shpend Ahmetit ka vendosur ta respektojë rekomandimin e BDO-së, kompania e angazhuar nga Ambasada britanike për t’i ofruar asistencë në rekrutim, për bordin e ‘Prishtina Parking’.

Në konkursin e fundit që është shpallur me 19 dhjetor 2018 kanë qenë të përfshirë edhe BDO-ja.

Pas përmbylljes së procesit të intervistimit, Komisioni vendor ka propozuar katër kandidatë të suksesshëm për bord të ndërmarrjes: Lulzim Pirraku, Sinan Pasha, Mahir Blaku dhe Naser Krasniqi.

Kurse, BDO-ja pas intervistimit të 18 kandidatëve për katër pozitat e kërkuara ka arritur ta rekomandojë vetëm një kandidat të emërueshëm. Sipas BDO kandidati i vetëm i emërueshëm ka qenë vetëm Naser Krasniqi.

“Pas diskutimeve edhe me kompaninë dhe me Ambasadën Britanike, rekomandimi është që të emërohet vetëm kandidati që i ka kaluar kriteret, dhe për tre vendet tjera të shpallet prapë konkurs. Në ndërkohë kompania vazhdon me bord të përkohshëm”, ka thënë Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës së Prishtinës për KALLXO.com.

Ahmeti ka shtuar se vendimin do ta marrin aksionarët e “Prishtina Parking” javën e ardhshme.

Komuna e Prishtinës kishte zvarritur funksionalizimin e ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” dhe përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të kësaj ndërmarrjeje. Ky konkurs ishte anuluar dy herë dhe pritet që të anulohet pjesërisht edhe për herë të tretë.

Komuna e Prishtinës menjëherë pas përfundimit të procesit kishte publikuar në Facebook një fotografi me anëtarët e komisionit ku kanë bërë njoftimin e përzgjedhjes së kandidatëve.

“Komisioni i Aksionarëve të Ndërmarrjes “Prishtina Parking”, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, kanë zgjedhur anëtarët e Bordit të kësaj ndërmarrjeje. Lulzim Pirraku, Sinan Pasha, Mahir Blaku, Naser Krasniqi janë zgjedhur anëtarë të Bordit, pas përfundimit të të gjithë procedurave të konkursit publik”, kishte shkruar Komuna e Prishtinës në “Facebook”. Ky postim ishte fshirë pak minuta pas publikimit.

Komuna e Prishtinës më 7 nëntor të vitit 2018 ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum  është nënshkruar nga ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi kryetari Ahmeti ka deklaruar se projekti i memorandumit të bashkëpunimit do ta ndihmojë Komunën e Prishtinës në rekrutimin e pozitave të larta.

“Kjo është mundësi që të tregojmë transparencën dhe të sigurohemi edhe ne se po e bëjmë më të mirën. Bordet e ndërmarrjeve janë me rëndësi për partitë dhe ka presion, këtë nuk mund ta mohojmë. Kjo është lehtësim për ne. Janë pozita që po vijnë në këtë fazë për komunën dhe janë të rëndësisë së lartë. Po flasim për ndërmarrjet, duke filluar nga NPB-ja në katër pozita në bord, për parkingjet, Pallatin e Rinisë”, kishte thënë Ahmeti.

Ahmeti kishte paralajmëruar se do të shpallet konkurs për emërimin e anëtarëve të bordit në ndërmarrjen “Prishtina Parking”, pak ditë pasi ishte shmangur ky konkurs dhe anëtarët e bordit ishin zgjedhur me mënyrën e emërimit.

“Patjetër po. S’kemi pasur persona që kanë përmbushur kriteret. Ne shpallim edhe konkursin për përzgjedhje dhe do ta bëjmë në bashkëpunim me ambasadën”.

Për këtë pozitë është kërkuar që kandidatët të kenë së paku pesë vjet përvojë pune në një nivel të lartë të menaxhmentit në fushën e administrimit të biznesit, financave korporative, financa, menaxhim i thesarit, banka, konsulencë në biznes ose industri ose nga një fushë tjetër e shkencës ose njohurisë e cila ka të bëjë me veprimtarinë afariste të NP-së.