Komuna e Prishtinës - Foto: Atdhe Mulla

Komuna e Prishtinës me kontrata të parealizuara nga 2015

Në raportin e auditimit për komunën e Prishtinës janë evidentuar vonesa në realizimin e kontratave në procesin e ndërtimit të bulevardit mbi kurriz, furnizimin me inventar për administratën komunale dhe ndërtimin e rrugës Barilevë – Besi.

 “Procesi i ndërtimit të Bulevardit mbi kurriz, është përcjellë me mangësi të projektuese dhe vonesa të mëdha”, thuhet në raport.

Projekti me vlerë 977,725€, për të cilin është nënshkruar kontrata me 12/06/2015 është paraparë të përfundojë pas 180 ditësh, dhe i njëjti nuk është përfunduar ende.  

Në shtator të vitit 2017 është ndërruar edhe menaxheri i kontratës, për tu zëvendësuar me një menaxher të ri i cili është duke pritur raportin e një komisioni për vlerësimin e punëve të mëparshme, pozicioneve shtesë, dhe me pas të vazhdojë me mbikëqyrje të projektit.  

Komuna nuk ka aplikuar ndëshkime, mirëpo i vetmi ndëshkim ka qenë tërheqja e vërejtjeve ndaj kompanisë. “Po ashtu kompanisë i janë paguar pozicione të gjelbërimit edhe pse nuk kishte siguruar çështjen e ujitjes së tij gjë e cila ka ndikuar në tharjen e shumë drunjëve”, vazhdon raporti.

Sipas kontratës “Furnizim me inventar për administratën komunale”, në vlerë 55,150€, e nënshkruar me 21/11/2016 dhe planit te menaxhimit të kontratës, afati i përmbushjes ishte 45 ditë nga data e nënshkrimit.

Furnizimi është bërë me 05/07/2017, përkatësisht shtatë muaj me vonesë. Në ndërkohë, siguria e ekzekutimit kishte skaduar dhe e njëjta nuk ishte ripërtërirë. Sipas menaxherit të kontratës, afati i realizimit të kontratës është shtyrë për shkak të mungesës së hapësirës për vendosje të inventarit nga komuna.

Në planin e menaxhimit për kontratën “Ndërtimi i rrugës Barilevë-Besi” është përcaktuar fillimi i punimeve si dhe kohëzgjatja e tyre në një afat prej 180 ditësh.  

Kontrata është nënshkruar në tetor 2015, ndërkohë që punët nuk kanë përfunduar ende.  

Sipas menaxherit të projektit, shkak për vonesën në realizimin e punëve janë problemet me shpronësime të cilat janë vënë në pah pas fillimit të punëve. Kjo si pasojë e nisjes së projekteve pa bërë shpronësimin e tokave që do të jenë pjesë e projektit paraprakisht.  

“Vonesat në përfundimin e projekteve reflektojnë në cilësinë dhe dëmtimin e punimeve. Hyrja në obligime kontraktuale pa analizuar mirë nevojat reale dhe kushtet për kryerje të punëve, rrezikon tej zgjatjen e realizimit të projekteve dhe shkakton barrë në buxhetet e viteve vijuese. Mbi të gjitha dëmton reputacionin e komunës”, potencohet në raport.

Planifikim i dobët i sasive në kontratë

Në procesin e tenderimit për projektin “Renovime dhe përmirësime të infrastrukturës së objekteve shëndetësore dhe sociale” ishte kriter çmimi më i ulët.  

Oferta fituese me çmimin më të ulët ishte 132,021€. Gjatë ekzekutimit, në disa pozicione janë bërë tejkalime të ndjeshme të sasive, më shumë se që ishin paraparë gjatë planifikimit e që në total sasitë e kontratës janë tejkaluar për mbi 200% (por jo në vlerë totale).

Sipas nenit 5 të UA për kontratat publike kornizë, AK do të specifikojë në dosjen e tenderit vlerën ose sasinë e si një prag dhe do të lejoj derivim prej tij plus/minus 30%, dhe nëse urdhërblerjet tejkalojnë atë kontrata duhet të ndërpritet automatikisht.  

“Planifikimi jo i përafërt i sasive rrezikon shpërblimin e ofertuesve më të shtrenjtë edhe pse në parim gjatë vlerësimit të ofertave mund të perceptohet sikur po shpërblehet oferta me çmimin më të lirë, dhe si rrjedhojë të shkaktohet humbje financiare për komunën dhe gjithnjë ekziston rreziku i keqpërdorimit gjatë tërë procesit të tenderimit dhe ekzekutimit të një kontrate”, thuhet në raportin e auditimit.

Mangësitë në procesin e vlerësimit të tenderëve  

Në dy dosje të testuara Auditori ka vërejtur mangësi gjatë procesit të vlerësimit të tenderit.  

Për projektin “Inventarizimi i çerdhes së re në Tophane”, komuna shpërbleu OE me çmimin 57,830€ e jo ofertën më të lirë e cila ishte 47,587€. Komuna vlerësoi se operatori ekonomik me çmimin më të lirë nuk kishte përmbushur kriterin e kërkuar për punë të kryera në furnizim me inventar minimum 50,000€ për tri vitet e fundit.  

Komuna kishte kërkuar sqarime dhe ky i fundit kishte dërguar dëshmi të mjaftueshme që tregonin se përmbushte këtë kriter megjithatë ishte eliminuar. “Kjo pakujdesi e komisionit të vlerësimit i ka kushtuar komunës me një kontratë me çmim më të lartë mbi 10,000€”, thuhet në raport.  

Në dosjen e tenderit “Furnizim me dy autoambulanca për QMU”, tek kërkesat mbi mundësitë teknike/profesionale, është kërkuar që OE të sjellë deklaratën e garancisë nga prodhuesi, për automjete, në kohëzgjatje prej 24 muaj.  

OE fitues, gjatë kohës së aplikimit, nuk e kishte ofruar deklaratën e garancionit nga prodhuesi, por kishte përgatitur një deklaratë formale të nënshkruar nga vetë kompania.  

Në raportin e vlerësimit, komisioni kishte konstatuar se OE kishte plotësuar të gjitha kriteret dhe ishte i përgjegjshëm duke e shpallur kështu fitues. Pas pranimit të autoambulancave, OE kishte sjellë dhe garancionin nga prodhuesi.

“Vlerësimi jo i drejtë i ofertave rrezikon që komuna të paguajë çmime jo konkurruese si dhe krijon hapësirë për ofertuesit të shfrytëzojnë të drejtat për ankesë dhe si rrjedhojë të zvarritet realizimi i projekteve. Gjithashtu, vlerësimi i OE si i përgjegjshëm, ndërkohë që nuk kishte plotësuar një kriter të rëndësishëm siç është garancia, rrezikon që OE mos t’ju përmbahet kushteve të kontraktuara”, theksohet në raportin e auditimit.

Lidhja e kontratave në mungesë të zotimit të mjeteve  

Kontrata për “Rregullimin e parkut afër sallës 1 Tetori” me vlerë 79,376€, ishte nënshkruar pa zotimin paraprak të mjeteve. Zotimi ishte bërë pas pranimit të faturës.  

Gjithashtu, për kontratën për “Furnizim me dy autoambulanca për QMU” me vlerë 103,996€, zotimi ishte jo i plotë në vlerë prej 50,000€.  

Zotimet jo të plota sipas Auditorit ishin gjithashtu edhe tek kontratat si: trajtimi i qenve endacak dhe trajtimi i mbetjeve ndërtimore.  

“Nënshkrimi i kontratës në mungesë të zotimit të mjeteve, rrezikon mos përmbushjen e kontratës apo zbatimin e vonshëm të saj dhe në këtë mënyrë mosarritjen e objektivave të komunës”, thuhet në raport.

Sipas Rregullës Financiare 01/2013, asnjë kontratë nuk duhet të nënshkruhet pa zotimin paraprak dhe se zotimi duhet të jetë pjesë përbërëse e kontratës.