Teatri i Gjilanit

Komuna e Gjilanit vazhdon 35 kontrata mbi vepër pa konkurs

35 persona që ishin paraparë të punojnë për 5 muaj në Komunën e Gjilanit, do të vazhdojnë punën pa ndërprerje deri në fund të vitit.

Përderisa, këto kontrata komuna i quajti ‘harrnime’ të domosodoshme, KALLXO.com ka gjetur persona të njejtë ishin punësuar me të njëjtat kontrata vitin e kaluar. Në mesin e të punësuarëve kishte edhe përkrahës të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Zyrtarë të Komunës së Gjilanit, e kishin quajtur rastësi faktin që personat e njëjtë ishin pranuar me kontrata mbi vepër në vitin 2017 për katër muaj dhe në vitin 2018 për 5 muaj.

Ndërkaq, me përfundimin e kontratave të tyre në korrik të këtij viti, këtyre të punësuarve iu vazhdua kontrata deri në fund të vitit.

Rrjedha e Konkursit

Në konkursin e shpallur më 11 janar të vitit 2018, Komuna e Gjilanit kërkoi punëtorë në fusha dhe drejtori të ndryshme, si: inxhinierë, inspektorë, menaxherë e asistentë etj. Ata janë angazhuar për një periudhë pesëmuajshe.

Sipas Ligjit për Shërbyesit Civilë, Marrëveshjet për Shërbimet të Veçanta lidhen për ‘pozitat e nëpunësve civilë të jo karrierës – të cilët ushtrojnë funksionet me kohëzgjatje të kufizuar deri në dy (2) vjet, për zbatimin e projekteve të caktuara, zëvendësimi i përkohshëm i nëpunësve të përhershëm civilë dhe në raste të mbingarkesave në punë’.

Nevoja për të angazhuar gjithë këta persona me kontrata të përkohshme, sipas komunës ka ardhur për shkak të mungesave të stafit që i kanë në shërbim civil.

Disa prej këtyre pozitave që janë të ushtruara nga shërbyes civil të rregullt, sipas komunës kanë mbetur vakante pasi 24 shërbyes civilë të kësaj komune janë të pezulluar pasi ndaj tyre është ngritur aktakuzë në vitin 2016 për krim të organizuar dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Po ashtu në vitin 2017, dy shërbyes tjerë civilë u pezulluan pasi nga Prokuroria e Shtetit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në shpalljen e konkursit në janar të këtij viti u angazhuan me marrëveshje për shërbime të veçanta 35 persona nga data 14.02.2018 deri më 14. 07.2018.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në përgjigjet e tij për KALLXO.com, tha se vazhdimi i këtyre kontratave ishte i domosdoshëm.

“Komuna e Gjilanit, në shpalljen e parë publike, në fund të së njejtës ka cekur se në rast të mos rikthimit në punë të shërbyesve civil të pezulluar përkohësisht nga puna, të cilët janë ende në proces gjyqësor, punëdhënësi e ruan të drejtën e vazhdimit të këtyre marrëveshjeve edhe për një periudhë të caktuar kohore, e që marrëveshjet janë vazhduar deri më datën 31.12.2018, conform kërkesave të njësive kërkuese komunale”, tha Ismaji.

Ai shtoi se punëtorët janë angazhuar të siguruar funksionimin normal të komunës.

“Sa për sqarim, çështja e angazhimit të këtij numri të punëtorëve nuk është rezultat i dëshirës së punëdhënësit, por është nevojë e parashtruar që të mbulohet boshllëku i shfaqur si pasojë e mungesës së shërbyesve civil shkaku i pezullimit. Duhet theksuar se pozitat që i kanë lënë bosh të pezulluarit, janë vakante dhe mos mbulimi i tyre mund të sjellë çrregullim në procesin e punës në Komunë nëpër drejtoritë përkatëse, e që kjo përkthehet në mos ofrim të shërbimeve të komunale në afat ndaj qytetarëve”, tha Ismajli.

KALLXO.com, në mars të këtij viti kishte publikuar hulumtimin lidhur me këto kontrata mbi vepër dhe dyshimet mbi punësimet partiake.

‘Harrnimi’ i Gjilanit Përmes Punësimeve të Dyshimta