Kompanitë nga Serbia e Shqipëria hulumtojnë për rezervat e qymyrit në Obiliq

Një kompani nga Serbia dhe një tjetër nga Tirana janë kontraktuar nga Korporata Energjetike e Kosovës për të bërë shpimet në fushat veriore dhe jugore të minierës e re. Të dy kontratat do t’i kushtojnë KEK-ut rreth 3.6 milionë euro.

Fillimisht më 2 korrik të vitit 2018 është nënshkruar kontrata e parë për të bërë shpimet në fushat jugore dhe veriore të minierës së re të KEK-ut. Kompania nga Beogradi, “ENCON Technologies & Rudarski Institut – Beograd & Geoing Group” fitoi kontratën në vlerë prej 1.1 milionë euro. Këtë kontratë e kishte fituar pa tender të hapur, pasi procedura e kontraktimit ishte e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Ajo e kishte marrë tenderin pasi Instituti INKOS, që kishte ofertuar gjysmë milion euro më pak, ishte eliminuar nga gara si i papërgjegjshëm.

Rreth gjashtë muaj më vonë, më 28 dhjetor të vitit 2018, KEK-u përsëri ka hapur tender për shpime, por kësaj here shpimet do të bëheshin vetëm në pjesën jugore të minierës së re. Më 28 mars, KEK e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomik nga Shqipëria, “Bindi Sh.P.K; A.L.T.E.A & GEOSTUDIO 2000; PPC Albania Sh.A”. Oferta e operatorit nga Shqipëria është në vlerë prej 2.5 milionë euro, gjysmë milioni më pak se vlera e parashikuar për këtë kontratë.

Por në këtë tender, KEK-u kishte kërkuar që kompanitë ofertuese të kenë parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 21 nëntor 2018, për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat serbe dhe ato boshnjake.

“Me rastin e ofertimit, çdo OE duhet te ketë parasysh vendimin e Qeverisë me numër 01/76, datës 21.11.2018 për taksen 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnja dhe Hercegovina”, thuhej në njoftimin e KEK-ut.

Ky njoftim i KEK-ut është publikuar në faqen E-prokurimit më 12 shkurt, gati dy muaj pas publikimit të njoftimit për kontratë.

Rezultatet e punës së këtyre dy operatorëve pritet të përcaktojnë fatin e minierës së re të qymyrit. Këto hulumtime që do t’i bëjnë ato pritet të tregojnë dy faktor të rëndësishëm: sasinë dhe cilësinë e qymyrit në dy anët e minierës.

Tenderi i parë për shpimet në minierën e re të KEK-ut

Kompania serbe “ENCON Technologies & Rudarski Institut – Beograd & Geoing Group” nga Beogradi e ka fituar tenderin me vlerë 1.1 milionë euro përmes procedurës së negocimit pa publikim të ‘njoftimit për kontratë’ për shpimet në fushat jugore dhe veriore të minierës së re të KEK-ut.

Tenderi për shpimet në minierën e re ishte parashikuar të kishte vlerën 1 milion euro, por pas negocimit kjo kontratë është nënshkruar për 117 mijë euro më shumë se sa ishte parashikuar në fillim.

KEK-u ka hartuar një program të detajuar për realizimin e shpimeve për fushat alternative Veri dhe Jug për projektin e Minierës se Re, në të cilin program janë paraparë analizat e të gjithë parametrave të kërkuar gjeologo – gjomekanike, hidrogjeologjike dhe kimike të qymyrit dhe hirit të qymyrit me qëllim të verifikimit të tyre.

Tenderi me titull “Programi i shpimeve plotësuese gjeologo – gjeomekanike dhe hidrogjeologjike në fushat alternative veriore dhe jugore për projektin e minierës së re”, ishte iniciuar më 11 maj 2018. Njoftimi për dhënie të kontratës ishte publikuar më 19 qershor 2018, kurse kontrata mes kompanisë serbe dhe KEK-ut është nënshkruar më 2 korrik 2018.

Kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët. Numri i tenderëve të pranuar ka qenë 3, ndërsa si i përgjegjshëm është konsideruar vetëm një operatorë ekonomik. Oferta e kompanisë ‘Inkos’ ka qenë 628 mijë euro, oferta e kompanisë serbe “Rudarski institut d.o.o.” ka pasur vlerën 1.117.000 euro kurse ajo e kompanisë nga Maqedonia “Institut za rudarstvo i metalurgiju” ishte 958,5 mijë euro.

Kompania nga Maqedonia dhe Inkos, një institut që ishte pjesë e KEK-ut, kanë qenë të papërgjegjëshme.

Kompania serbe tashmë e ka përfunduar kontratën e nënshkruar dhe KEK-u ka bërë pagesat në vlerë prej 1,112,085 milion euro në llogari të kompanisë serbe. Pagesa e parë kishte vlerën 335,100 mijë euro, e dyta ishte bërë në vlerën 446,800 mijë euro, pagesa e tretë që ka shkuar në llogari të operatorit fitues ishte 218,485 mijë euro dhe e fundit ishte bërë në vlerën 111,700 mijë euro.

Shtimi i anëtarëve të Komisionit gjatë procesit të vlerësimit

Komisioni vlerësues dhe negociues i krijuar nga KEK-u ka filluar të bëj vlerësimin e tri ofertave të pranuara më 25 maj të vitit 2018. Por, më 30 maj ishte marrë vendim që Komisionit vlerësues t’i shtoheshin edhe anëtarë të tjerë. Komisioni i plotësuar përbëhej nga shtatë anëtarë: Nazmi Braha, Njazi Thaçi, Adil Januzi, Shefqet Baca, Ismet Mexhuani, Milaim Zhegrova dhe Mustafa Kavaja.

Kurse operatorët ofertues ishin “Institut za rudarstvo i metalurgiju – Bor & Gradzeni Institute Makedonija”, “Inkos” dhe “ENCON Technologies & Rudarski Institut – Beograd & Geoing Group”. Në fund Komisioni kishte vlerësuar se vetëm operatori “ENCON Technologies & Rudarski Institut – Beograd & Geoing Group” ishte i përgjegjshëm dhe e rekomandoi për kontratë.

Oferta e kompanisë “Institut za rudarstvo i metalurgiju – Bor & Gradzeni Institute Makedonija” ishte në vlerën 1,147,930 euro. Sa i përket ofertës së operatorit nga Maqedonia, Komisioni kishte vërejtur se në tërësi i plotëson kërkesat, por kanë pasur një vërejtje. Në listën e referencave të paraqitura është vërejtur se njëra nga tri referencat e dorëzuara ka qenë e paraqitur, por ka qenë nga viti 2013 për dokumentet e dorëzuara.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së Komisionit për të ofruar zbritje nga oferta e dorëzuar, pas një diskutimi kjo kompani kishte ofruar një zbritje në vlerë 189,000 mijë euro dhe në fund kanë ofruar një vlerë totale 958,570 mijë euro.

“Inkos” ka ofruar vlerën financiare prej 661,125 mijë euro. Për kërkesën e Komisionit për të ofruar një zbritje nga oferta e dorëzuar, “Inkos” ofroi zbritje prej 5 për qind apo 33,056 mijë. Vlera përfundimtare e ofertës ishte 628,068 mijë euro.

Kurse “ENCON Technologies & Rudarski Institut – Beograd & Geoing Group”  ofroi ofertën prej 1,482,750 milionë euro. Ndërsa për kërkesën e Komisionit për të ofruar një zbritje nga oferta e dorëzuar financiare ata ofruan zbritje prej 5 për qind apo 74,137 mijë euro të vlerës totale të ofruar prej 1,482,750 milionë euro. Vlera përfundimtare e ofertës është 1,408,612 milionë euro.

Komisioni kishte vazhduar të bëj vlerësimin e ofertave më 28 maj 2018. Gjatë datës 28 maj, Komisioni ka konstatuar se oferta e operatorit ekonomik “Inkos” ka vërejtje të mëdha si në aspektin administrativ po ashtu edhe teknik.

Njëra prej kërkesave ishte që ofertuesi duhet të posedoj një certifikatë të cilësisë ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 18001.

“Ky ofertues ka konkurruar me dy nën-kontraktorë për ekzekutim të punëve duke dorëzuar marrëveshje në mes të tyre dhe deklarata nën betim dhe këta dy nënkontraktorë i posedojnë certifikatat ISO 14001 dhe ISO18001, por nuk i posedon operatori ekonomik që ka dorëzuar ofertën por sipas RrUOPP, secili anëtar i grupit duhet të përmbush kërkesat e përshtatshmërisë”, thuhej në raportin e vlerësimit.

Pra, oferta e “Inkos” dhe certifikatat e dorëzuara të nënkontraktorëve ISO 14001 dhe ISO 18001 nuk janë pranuar nga Komisioni dhe ky ofertues është shpallur i papërgjegjshëm në këtë aspekt.

Po ashtu sipas vlerësimit të Komisionit nënkontraktimi nuk bën të tejkaloj 40 për qind të vlerës totale të kontratës. Në ofertë tek marrëveshja me nënkontraktorin “Aqua Drilling” ka deklaruar se shpimet i kryen nënkontraktori në tërësi dhe bazuar në këtë pasi që vlera e pozicionit për shpime e ofruar është 488,100 mijë euro e tejkalon 40 për qind e vlerës së kontratës.

KEK

Komisioni ka vlerësuar se në aspektin teknik “Inkos” nuk i plotëson kërkesat e parashtruara në dokumentin për oferta kërkesa ka qenë që përveç laboratorit që duhet të jetë i certifikuar nevojitet që të dorëzohen dhe dëshmia teknike për analizat që do të kryhen për çdo pozicion sipas standardit të kërkuar.

“Ky laborator nuk i përmbushë kërkesat e paraqitura në specifikimin teknik”, thuhet në raport.

Është bërë edhe vlerësimi i ofertuesit tjetër në konzorcium ENCON Technologies & Rudarski Institut – Beograd & Geoing Group në aspektin teknik dhe Komisioni ka konstatuar se ky ofertues i plotëson në tërësi kërkesat të paraqitura në specifikimin teknik si dhe dokumentin tenderues.

Takimi tjetër i Komisionit është mbajtur dy ditë më vonë, më 30 maj 2018. Në raport thuhet se në takim Komisioni ka shqyrtuar edhe një herë çdo ofertë nga ana e ekipit negocues të KEK-ut në lidhje me kërkesat e parashtruara nga ana e Autoritetit Kontraktues.

Po ashtu në raport është evidentuar se gjatë kësaj kohe është marrë informata se Komisioni i vlerësimit do të zgjerohet me anëtarë të tjerë. Shtimi i numrit të anëtarëve të Komisionit është bërë përmes vendimit të plotësuar nga Drejtori Menaxhues. Po ashtu është caktuar se me datën 31 maj, Komisioni në përbërje të plotë edhe një herë të vlerësoj ofertat e arritura.

Sipas nenit 40 paragrafi 5 i Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, numri i anëtarëve të Komisionit vlerësues do të varet nga vlera dhe kompleksiteti i aktivitetit të prokurimit, por në të gjitha rastet do të përbëhet nga jo më pak se tre dhe numri gjithnjë duhet të jetë tek.

Por në raportin e Komisionit nuk është evidentuar që ofertat janë vlerësuar përsëri pasi janë shtuar anëtarët e Komisionit.

Në takimin e datës 31 maj 2018, ekipi negociues dhe vlerësues i KEK-ut është takuar në përbërje të plotë. Pas njoftimit të Komisionit për ecurinë e këtij aktiviteti janë prezantuar kërkesat që ofertuesit nuk i plotësojnë dhe ata që i plotësojnë.

Në takimin e datës 8 qershor 2018, pas sqarimeve dhe konsultimeve të bëra, Komisioni negociues i KEK-ut serish parashtroi kompanisë serbe kërkesën për zbritje të çmimit, e cila ishte vlerësuar si e vetmja që i ka plotësuar të gjitha kushte.

“Komisioni kërkon nga operatori ekonomik që të japin zbritje të vlerës prej 1,134,000 milionë euro. Pala negocuese pas insistimit të Komisionit nga KEK ofroi zbritje dhe tani vlera pas zbritjes nga ana e operatorit ekonomik është 1,117,000 milionë euro”, është shkruar në vlerësimin e raportit.

Komisioni i KEK-ut e ka pranuar vlerën e ofruar prej 1.117.000 milionë euro dhe përfundimisht negociatat kanë përfunduar dhe Komisioni dhe kompania janë pajtuar me të gjitha kushtet.

“Komisioni i vlerësimit rekomandon që oferta e ofertuesit në konzorcium ENCON Technologies & Rudarski Institut – Beograd & Geoing Group i plotëson të gjitha kërkesat dhe të shpërblehet me kontratë për këtë tender”, përfundon raporti.

Shtimi i numrit të anëtarëve në Komision nuk rregullohet me LPP

Gazeta JnK ka kërkuar interpretim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) në lidhje me shtimin e anëtarëve në Komision në mes të procesit të vlerësimit të ofertave.

Në përgjigjen e KRPP-së thuhet se në Ligjin për Prokurim Publik dhe në legjislacionin sekondar nuk ka ndonjë dispozitë të veçantë që flet për çështjen e shtimit të numrit të anëtarëve të komisionit gjatë procesit të vlerësimit.

“Sa i përket numrit të shtimit të anëtarëve të vlerësimit kjo është një situatë e re që nuk përmendet në LPP dhe për të cilën AK duhet t’i ketë arsyet e një veprimi të tillë. Është e arsyeshme që pas shtimit të numrit të anëtarëve të komisionit vlerësues, të bëhet që nga fillimi ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve në të gjitha aspektet e tenderëve, pasi që edhe sipas LPP-së edhe sipas nenit 40 të RRUOPP të gjithë anëtarët e komisionit të vlerësimit mbajnë përgjegjësi individuale për vlerësimin e ofertave, në veçanti për vlerësimin e aspekteve teknike të ofertave dhe kjo nuk do të nënkuptojë një proces ri-vlerësimi”, theksohet në përgjigjen e KRPP-së.

Sipas paragrafit 1 të nenit 59 të LPP-së, të gjithë anëtarët e komisionit vlerësues marrin përgjegjësi individuale për vlerësimin e tenderëve.

Kurse duke u bazuar në nenin 40.3 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik të gjithë anëtarët e komisionit vlerësues duhet t’i përmbushin kërkesat e përshtatshmërisë. Dhe për këtë qëllim duhet të nënshkruajnë deklaratën duke përdorur formën standarde të aprovuar nga KRPP “Deklaratën nën Betim” ku deklarohet se anëtarët do të kryejnë detyrën e vlerësimit në mënyrë të sinqertë dhe me fisnikëri në pajtim me LPP-në.

Tenderi i ri i KEK-ut për shpim në pjesën jugore të minierës

Në fund të vitit 2018, KEK-u përsëri ka hapur tender, por tash për shpimet në pjesën jugore të minierës së re. Më 28 mars, KEK ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve “Bindi Sh.P.K; A.L.T.E.A & GEOSTUDIO 2000; PPC Albania Sh.A”. Oferta e grupit të operatorëve nga Shqipëria ishte 2.5 milionë euro, gjysmë milioni më pak se vlera e parashikuar për kontratë.

“Korporata Energjetike e Kosovës shpërblen me kontratë Grupin e Operatorëve Ekonomik “Bindi Sh.P.K; A.L.T.E.A & GEOSTUDIO 2000; PPC Albania Sh.A” me vlerën e ofertës prej 2.498.981 euro”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

KEK-u ka përzgjedhur operatorin më të suksesshëm nga gjashtë kompani sa kishin ofertuar gjithsej. Oferta më e ulët ishte e “Gjeokonsult & CO” në vlerë prej  2,305,171 euro kurse më e larta e grupit të operatorëve “H & B Consulting Sh.P.K & Gradevinski Institut Makedonija A.D Skoplje GEOtest a.s” në vlerë prej 2,943,566 euro.

‘Njoftimi për kontratë’ për tenderin me titull “Programi i shpimeve plotësuese gjeologo – gjeomekanike dhe hidrogjeologjike në fushën jugore”,  është publikuar më 28 dhjetor 2018.

Për dallim nga tenderi për shpimet në pjesën veriore dhe jugore të minierës së re që është iniciuar me procedurë të negocuar, ky tender është iniciuar me procedurë të hapur.

Kohëzgjatja e kontratës brenda së cilës duhet të kryhen punimet janë 9 muaj, ndërsa kriter për dhënie të kontratës është çmimi më i ulët.

Kontrata ka te bëjë me programin për shpimeve hulumtuese gjeologo –gjeomekanike dhe hidrogjeologjike në fushën jugore, me qëllim të hulumtimit, azhurnimit dhe verifikimit të të dhënave ekzistuese gjeologjike për kualitetin e qymyrit në fushën është hartuar programi i 133 shpimeve plotësuese.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.