Deponia e Mirashit | Foto: KALLXO.com

Kompania Publike me licencë të përkohshme nga 2012

Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) e cila menaxhon deponitë e mbeturinave në rreth 70 për qind të territorit të Kosovës, vazhdon të operoj me licencë të përkohshme prej vitit 2012.

“Edhe përkundër përpjekjeve për sigurimin e licencës, vazhdon të operoj me licencë të përkohshme të mos përgjigjes nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në raportin e auditimit.

Në Ligjin për Mbeturina, neni 16 pika 1, thuhet që “mbledhjen, grumbullimin, transportimin, trajtimin, përpunimin, magazinimin, riciklimin dhe deponimin e mbeturinave e bënë vetëm personi i licencuar”.

Po ashtu KMDK nuk ka arritur të siguroj tarifën për deponimin e mbeturinave dhe ende vazhdon që shërbimet e veta t’i faturoj në bazë të tarifores së trashëguar nga ZRrUM të vitit 2012.

Kjo tarifore (e skaduar) mbulon vetëm mbledhjen e mbeturinave të amvisërisë me vlerë 5.31 euro për ton.

Kompania vazhdon të pranojë lloje tjera të mbeturinave për të cilat nuk kishte licencë as tarifore, siç janë: deponimin e qelqit, gomës, mbeturinat e dheut dhe gurëve, mbetje shtazore dhe asgjësimin e mbeturinave të doganës.

Për këto lloje të mbeturinave, Bordi i Drejtorëve të kompanisë në janar të vitit 2016 kishte caktuar tarifën në vlerë prej 50 euro për ton.

“Këtë veprim kompania e kishte bërë shkaku i mos përgjigjes nga organi kompetent për caktimin e tarifave, respektivisht MZhE”, potencohet në raport.

Në Ligjin për Mbeturina, neni 14 pika 2, thuhet se “në bazë të dispozitave të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe këtij ligji, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në marrëveshje me Komunat përkatëse përcakton tarifat për deponimin e mbeturinave komunale në deponitë e caktuara”.

Blerja e mallrave dhe shërbimeve pa procedura të prokurimit  

Nga pagesat e testuara nga Zyra Kombëtare e Auditorit është vërejtur se në pesë raste KMDK kishte bërë blerje direkt nga operatorët ekonomik duke anashkaluar procedurat e prokurimit.

Vlera e përgjithshme e pagesave e ka kaluar kufirin e caktuar prandaj Autoriteti Kontraktues është dashur të përdorë njërën nga llojet e kontratave të cekura në nenin 16.3 të LPP.

Rastet e identifikuara nga Auditori kanë një vlerë totale prej 36,635 mijë euro.

20 pagesa për servisim të kontejnerëve dhe dyerve, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 1,871 euro, 18 pagesa për larjen e makinerisë, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 1,503 euro, 15 pagesa për largimin e ujërave të zeza, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 1,425 euro.

Po ashtu edhe 15 pagesa për punë me skip, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 9,186 euro dhe pesë pagesa për furnizim me derivate vlera e përgjithshme e të cilave ishte 22,650 euro (për ketë furnizim ishin zhvilluar procedurat e prokurimit, por kanë qenë në procedurë ankimore në Organin Shqyrtues të Prokurimit).

“Këto blerje kanë ndodhur si rezultat i mungesës së funksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme”, potencohet në raportin e auditimit.

Sipas nenit 16.3 të LPP-së, çdo kontratë publike vlera e parashikuar e së cilës është e barabartë me ose më e madhe se, ose me arsye pritet të jetë e barabartë me ose më e madhe se 1.000 euro, por më e vogël se 10.000 mijë konsiderohen “kontrata me vlerë të vogël”.

Si dhe çdo kontratë publike vlera e parashikuar e së cilës është më e vogël se, ose me arsye pritet që të jetë më e vogël se 1.000 mijë konsiderohet si “kontratë me vlerë minimale’’.

Arsyetimi i KMDK-së është se ato kanë vlera të vogla dhe për më shumë kishte lidhur Memorandume mirëkuptimi për shërbime të ndërsjella me operatorët ekonomikë, e cila nuk është në pajtim me LPP-në.

“Në analizën tonë të bazës së shpenzimeve të kompanisë kemi vërejtur se kishte disa blerje të mallrave ose shërbimeve me të njëjtën operator ekonomik ku disa prej tyre ishin bërë me para të gatshme (petty cash) me vlera nën 100 euro”, theksohet në raport.

Sipas Auditorit, blerja e mallrave dhe shërbimeve duke anashkaluar procedurat e prokurimit rrezikon që kompania të dëmtoj buxhetin duke mos arritur vlerën për paranë e shpenzuar dhe kufizim të konkurrencës.

Mos pagimi i shtesës së përvojës në punë   

Edhe pse KMDK e kishte parashikuar pagesën e shtesës në përvojën e punës në planin e biznesit, nuk kishte arritur ta përmbushë ketë obligim ndaj punëtorëve.

“Kjo për shkak të kontrolleve jo të mjaftueshme në planifikim dhe realizim të buxhetit”, thuhet në raport.

Neni 48.1 i Marrëveshjes së përgjithshme kolektive të Kosovës, parasheh që të punësuarve, t’iu njihet e drejta e shtesës për përvojë në punë, 0.5% të pagës bazë, për çdo vit të plotë të përvojës në punë.

“Mos përmbushja e obligimeve ndaj punëtorëve mund ta ekspozoj kompaninë para rreziqeve për pagesa të ndëshkimeve dhe interesa”, thuhet në raportin e auditimit.