Komasacioni lë belanë te fermerët dhe çon milionat te kompanitë (I)

Mark Lasku ka investuar shumë në shtëpinë e madhe të tij në fshatin Qerim, fare në periferi të Gjakovës, por jeton me drojën e fortë për belatë që i ka lënë dhe vazhdon t’i prodhojë një proces i rregullimit të tokave, i njohur si komasacion, i cili ka marrë start në vitet tetëdhjetë dhe akoma nuk është përmbyllur. Në nisje të projektit, një përleshje kishte përfunduar me vrasje fare pranë shtëpisë së tij, e pas luftës, diku 500 metra më tutje, ishin shkrepur armë.

Mbretëron ky potencial ngatërresash, ani se realizimi i komasacionit bëhet edhe për evitimin e problemeve juridike që qytetarët kanë me pronat. Por qëllimi kryesor i procesit është projektimi i parcelave bujqësore në forma të rregullta gjeometrike, grumbullimi i sipërfaqeve në më të mëdha, e edhe ofrimi i infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe qasjes në rrugë.

Marku i lë në rend të dytë përfitimet bujqësore që i pret nga finalizimi i projektit, pasi thotë se rregullimi i kontesteve pronësore kërkon urgjencë.

“Është problem shumë shqetësues. Deri në vrasje po shkojnë njerëzit: ta lëshoj, s’ta lëshoj, jo e kam tokën deri këtu, jo deri aty”, ankohet ky banor i Qerimit, derisa nga oborri i tij tregon tokat e bashkëfshatarëve të përfshira në komasacion. “Njerëzit kanë nevojë t’i rregullojnë mexhtë. Të dinë ku e kanë tokën e vet. Tash, njeri nuk di as me vllazën si ta ndajë. Është një problem shumë shqetësues. Janë blloku vllaznit mes vete. Janë blloku kojshitë. Diku ka kojtje. Diku pakënaqësi”.

Që në vitin 1983, në Gjakovë dhe në disa komuna të tjera të Kosovës ka nisur projekti i komasacionit, nëpërmjet të cilit është synuar t’i jepet shtytje zhvillimit të bujqësisë. Kishte zgjatur gjashtë vjet dhe ishte lënë i papërfunduar, për mungesë fondesh.

Për shkak të distancës kohore ndërmjet veprimeve të kryera dhe dinamikës sociale e ekonomike në 35 vjetët e fundit, tani ka dallime të mëdha e të dukshme ndërmjet asaj që ishte planifikuar dhe realitetit në terren.

Për pasojë, shumë nga ngastrat që janë në kuadër të sipërfaqes së komasacionit, në Regjistrin për të Drejtat e Pronës së Paluajtshme (RDPP) nuk figurojnë në emër të pronarëve faktikë, duke ua pamundësuar kështu atyre transaksionet me pronat, e edhe aplikimin për subvencione, grante dhe hipotekë.

Formula për të mos kryer punë

Një formulë për të mos kryer punë e për të çuar miliona euro tek kompani private e kishte mësuar Ministria e Bujqësisë nga procesi i pilotimit të komasacionit.

Pilotimi i realizuar një dekadë më herët në 20 hektarë sipërfaqe në Viti, dhe i mbështetur financiarisht nga Komisioni Evropian, kishte treguar se një numër fazash të projektit janë lehtë të realizueshme, por e destinuar të dështojë është faza finale që nënkupton përgatitjen e dokumentacionit për secilën parcelë e pronar dhe integrimin e tij në RDPP.

Pas pilotimit, disa kontrata që nuk peshonin shumë, Ministria i kishte lidhur me disa operatorë ekonomikë. Por këta operatorë mund t’i merrnin paratë nga Ministria, vetëm pasi të përmbyllej regjistrimi i pronarëve në RDPP, akt pa të cilin, sipas Ligjit për rregullimin e tokave, asnjë komasacion nuk mund të konsiderohet i përfunduar.

Kontrata e parë është ajo me kompaninë “Geo Kos”, që ishte lidhur në 2008-n, kohë kjo kur ministër i Bujqësisë ishte Idriz Vehapi. Kontrata peshonte 453 mijë euro.

Ndërkaq kompanisë “Geo Info” 855 mijë euro i ishin dhënë gjatë viteve 2008-2010. “Consalting MM” ka marrë 55 mijë euro gjatë viteve 2010-2011, ndërsa “Intershped” në dy vjetët pasues diku 210 mijë euro. Për të gjitha këto ka vlejtur rregulli i ekzekutimit të mjeteve pas përfundimit të punëve të kontraktuara.

E në vitet e fundit kontratat kanë peshuar më shumë dhe ato përmbajnë formulën e re të pagesës. Kontratat për rregullimin e tokës, por edhe për inventarizimin e saj, të lidhura me “Consult Engineering” dhe me “Geo&Land”, janë dizajnuar në atë mënyrë që pagesa të bëhet për secilën fazë të punës.

Sa i takon komasacionit, faza finale që lidhet me përgatitjen e dokumenteve për t’u integruar në RDPP nënkupton ekzekutimin e vetëm 10-përqindëshit të fundit të totalit të shumës së kontratës.

Kontrata më kapitale është ajo me “Consult Engineering”. Sipas saj, faza finale e rregullimit të tokave nënkuptonte përmbushjen e gjithsej dy specifikave teknike, por që ishin qenësore për projektin, meqë nga to varej regjistrimi ose jo i pronarëve të rinj.

Në pikën e 17 theksohej se në rastet kur nuk ekzistojnë vendimet e vjetra për parcelat e përfshira në sipërfaqen nën komasacion, por edhe në ato kur ekzistojnë dhe ka kërkesa për azhurnim të pronësisë, kompania implementuese e projektit kryen matjet sipas gjendjes aktuale në teren.

Pas kësaj pune, secili Komision komunal për komasacion duhej të përgatiste vendimet e reja dhe tërë dokumentacionin e nevojshëm sipas dispozitave ligjore në fuqi, e të cilat kërkohej të dërgoheshin për regjistrim në RDPP.

Pika e 18 saktësonte se duhej të bëhej dorëzimi i dokumentacionit final nga kompania implementuese e projektit, tek Komisioni komunal për komasacion.

“Të dhënat e aprovuara nga Komisioni i komasacionit (i cili është përgjegjës për miratimin e projektit të komasacionit) duhet të jenë të korrigjuara, teknikisht e juridikisht sipas udhëzimeve dhe ligjeve në fuqi, të dorëzohen në ZKK (Zyrën e Kadastrës të Komunës v.j.), të gatshme për t’u regjistruar në RDPP”, thuhet në këtë pikë.

Mujë Shabani është në prag të pensionimi dhe gjithë kohën sa ka punuar, është marrë me dokumentacionin e komasacionit në Gjakovë. Në projektet e zhvilluara në këtë komunë, ai ishte kryesues i Komisionit komunal.

Shabani ka ruajtur një shkresë, të cilën në prillin e 2014-s ia kishte përcjellë Ministrisë së Bujqësisë. Në të kishte shprehur brengën se kontrata me “Consult Engineering” ishte e jashtëligjshme dhe se ajo nuk kishte qëllim që ta finalizonte komasacionin.

“Për kontratën e lidhur në mes të MBPZHR (Ministrisë së Bujqësisë v.j.) dhe kompanisë ‘Consult Engineering’ nga Kaçaniku, ne nuk kemi qenë në dijeni deri kur ka ardhur përfaqësuesi i kompanisë, Përparim Ahmeti, dhe na e ka sjellë. Më parë, gjithmonë kontratat na i ka sjellë përfaqësuesi i Ministrisë, si dhe na ka njoftuar me përfaqësuesit e kompanisë kontraktuese”, lexon rrjedhshëm Shabani përmbajtjen e vërejtjes që atëkohë e kishte dhënë.

“Në këtë kontratë shihet qartë se kompania ka mundësi të paguhet gjerë në 90 për qind të shumës së pagesës pa kryer asnjë punë përfundimtare të këtij projekti. Ne mendojmë se kjo kontratë është antiligjore, sepse ka mundësi të manipulimit lidhur me pagesat për kryerjen e punëve dhe pastaj t’i mbetet përgjegjësi Komisionit për rregullimin e tokave bujqësore në Komunën e Gjakovës”.

Shabani kishte kërkuar nga sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, që dikasteri qeveritar që i përkiste, t’i bënte disa ndryshime në kontratë, përfshirë edhe në pjesën që rregullonte formën e pagesës, pasi ishte zotuar se nuk do të firmoste ndonjë kërkesë për realizimin e mjeteve, nëse dispozita mbetej e njëjtë.

Ndërhyrje në kontratë ishin bërë pas një takimi mes Shabanit, por edhe Përparim Ahmetit që, sipas një raporti, përfaqësonte kompaninë, si dhe zyrtarëve të Ministrisë. Pjesa e pagesës nuk ishte prekur, ndërsa me ndryshimet e bëra sipas shtojcës “Ref.02/01-38/13”, Shabani konsideron se edhe më shumë ishte dëmtuar kontrata, pasi konsideron se ndryshimet edhe më favorizonin kompaninë, sepse nëpërmjet tyre ishte zëvendësuar Komisioni i paraparë mbikëqyrës i Ministrisë me një menaxher mbikëqyrës.

Ministria, e cila nuk i është përgjigjur gazetës për arsyet e ndryshimit të formulës së pagesës për projektet e komasacionit, në vitin 2014 kompanisë “Consult Engineering” ia kishte dhënë 500 mijë euro, në 2015-n  po ashtu  908 mijë euro, kurse në vitin 2016 edhe 630 mijë euro.

Lidhjet e forta

Përtej këtyre kontratave, për konsolidimin dhe inventarizimin e tokave bujqësore, në vitin 2017 Ministria ka lidhur një kontratë me “Consult Engineering” dhe “Geo&Land”, për një periudhë trevjeçare. Sipas kontratës kornizë, për punën që do ta kryejnë brenda konsorciumit, të dyja këto kompani do të marrin rreth 1.5 milionë euro.

Në kontratën për komasacionin që Ministria e kishte me “Consult Engineering”, menaxher figuron Besim Ajvazi, ani se në Gjakovë komunikimet ishin zhvilluar me Përparim Ahmetin dhe vet një raport i kompanisë flet për angazhimin e tij.

Ajvazi figuron menaxher edhe në kontratën kornizë për konsolidimin dhe inventarizimin e tokave, zbatimi i së cilës bëhet nga të dyja kompanitë, ndërkaq një raport për të njëjtën kontratë, që mban datën 18 dhjetor 2018, menaxher projekti e paraqet Ahmetin.

Mbështetur në më shumë se 1000 faqe dokumente të siguruara nga Ministria pas kërkesës për qasje në dokumente publike, por edhe të tjera të siguruara në rrugë alternative, si dhe bazuar edhe në burime të tjera të konsultuara gjatë një hulumtimi që është zhvilluar prej rreth tre muajsh, gazeta ka zbuluar lidhje mes këtyre dy kompanive përfituese, por edhe mes kompanive dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Përparim Ahmeti e ka vëlla Tahir Ahmetin, shef divizioni në Ministrinë e Bujqësisë. Zyrtari i Ministrisë e ka të punësuar në “Geo&Land” edhe djalin e tij, Shkëlqimin.

Sipas uebfaqes së ARBK-së, “Geo&Land” është regjistruar në 2013-n. Besim Ajvazi ka qenë i punësuar aty, por ka kaluar në “Consult Engineering”, kompani që sipas ARBK-së është regjistruar në 2016-n, ndërsa kontrata me Ministrinë ka lidhur vite më herët. Ajvazi është asistent në programin e Gjeodezisë në Universitetin e Prishtinës, ku shef katedre është Përparim Ahmeti.

Saranda Murseli, e cila ka aksione në “Geo&Land”, është gruaja e Besim Ajvazit, që punon në “Consult Engineering”.

Habil Zeqiri, shef divizioni në Ministri, ka qenë përgjegjës për mbikëqyrje të disa kontratave të zbatuara nga kompanitë, qoftë si kryetar i Komisionit implementues, qoftë si menaxher i projektit. Djali i tij, Arbnor Zeqiri, ka punuar për disa vjet në “Geo&Land”, madje edhe gjatë kohës sa zbatimi i kontratave mbikëqyrej nga i ati.

Nga të gjithë të kontaktuarit, vetëm Zeqiri ka pranuar të flasë. Ai ka konfirmuar se djali i punonte në këtë kompani, por ka konsideruar se kjo nuk përbënte konflikt interesi, meqë i biri nuk ishte pjesë e menaxhmentit e edhe për vete thotë të mos ketë kurrfarë ndikimi në vendimmarrje në ministri.

Të tjerët kanë zgjedhur të heshtin rreth afërsisë familjare dhe rreth mundësisë që kjo afërsi të ketë ndikuar në lidhjen e këtyre kontratave. Nuk kanë folur as në kompani.

Luljeta Islamaj është aksionare kryesore në “Geo&Land”. Ajo i ka 67 për qind të aksioneve.

Ymer Kuka është koleg i Përparim Ahmetit në fakultet dhe të dy kanë kryer studimet në Zagreb. I pari është drejtor i “Geo&Land”, ndërsa i dyti menaxher i përgjithshëm.

Gazeta e ka kontaktuar Kukën dhe ai fare shkurt ka thënë se nuk mund të llogaritet në përgjigjet e pyetjeve që javë më përpara ishin adresuar në e-mailin zyrtar të kompanisë.

Jakup Kuka është aksionari i vetëm në “Consult Engineering” dhe është vëlla i drejtorit të kompanisë tjetër, “Geo&Land”. Mbështetur në të dhënat në profilin e tij në “Facebook”, edhe Jakup Kuka ka punuar në “Geo&Land”.

Përpara se të provohej komunikimi me të gjithë këta, “Kohës Ditore” i është lajmëruar Përparim Ahmeti, i cili ka folur për pyetjet e adresuara nga gazeta në Ministri dhe për gatishmërinë e tij për t’ia ofruar të gjitha informacionet e nevojshme gazetës për këtë temë.

Por diku dy muaj më vonë ka thënë se mund të flasë vetëm në cilësinë e profesorit universitar dhe jo në emër të “Geo&Land” ku ka pozitën e menaxherit të përgjithshëm, e as në emër të “Consult Engineering”, në të cilën kompani ka thënë të mos ketë pasur ndonjë angazhim gjatë implementimit të kontratës për komasacion, ani se vetë ai gazetës ia kishte ofruar paraprakisht disa raporte të po kësaj kompanie që lidhen me zbatimin e projektit, e në një nga to figuron edhe emri i tij.

Që nga viti 2008, “Geo&Land” është kontraktuar disa herë nga Ministria, edhe për të kryer punë në kadastrën e vreshtave dhe industrisë së verës Rahovec.

Gjysmë milioni i ishin dhënë asaj në vitet e para të realizimit të projektit, ndërsa gati gjysmë milioni euro peshon edhe një kontratë e re e lidhur me këtë kompani, në emër të mirëmbajtjes, zgjerimit, përforcimit të kadastrës së vreshtit, sistemit për menaxhimin e cilësisë së verës dhe pijeve të forta alkoolike në rajonin vreshtar të Kosovës.

Përderisa milionat e shtetit të dedikuar për këto projekte janë derdhur në xhirollogaritë e këtyre kompanive, në shumë komuna ka mbetur i papërfunduar rregullimi i sipërfaqeve të tokave bujqësore.

Shembull i kësaj është edhe Drenasi, komunë në të cilën projekti i komasacionit ka përfshirë sipërfaqen më të madhe.

“Në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë nuk jemi të informuar nga kryetari i Komisionit për rregullimin e tokave bujqësore, z. Hakif Hasi, se si kanë rrjedhur procedurat për rregullimin e komasacionit”, thuhet në një përgjigje të shkruar që ka dhënë Komuna, përkitazi me projektin që kompania “Consult Engineering” konsideron që është përfunduar qysh në vitin 2015. “Sa i përket regjistrimit në RDPP, ne nuk kemi pranuar nga z. Hakif Hasi apo nga Ministria e Bujqësisë ndonjë shkresë zyrtare apo ndonjë raport që ka përfunduar ky projekt”.

Pyetjet për rastin e kësaj komune nuk kanë marrë përgjigje nga Hasi, as nga Ministria dhe as nga kompania.

Në komunikimin me BE-në, Qeveria e Kosovës e ka përmendur Drenasin si një nga komunat shembull ku projekti i rregullimit të tokës bujqësore është realizuar.

Programi për Reforma në Ekonomi është hartuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian. Në këtë dokument, që i referohet vitit 2018, është theksuar se “Projekti i komasacionit të papërfunduar të tokës bujqësore (që ishte nisur në vitet ’80 v.j.) ka përfunduar në 21 zona kadastrale në Komunën e Drenasit me sipërfaqe 4,790.00 ha dhe në 5 zona kadastrale në Komunën e Vushtrrisë me sipërfaqe 487.21 ha”.

Por, BE-ja e di që Kosova ka ngecur me procesin e rregullimit të tokave bujqësore.

“Problemi i konsolidimit të tokës është akoma një problem dhe nuk është bërë ndonjë progres përgjatë viteve. Procesi i konsolidimit të tokës është i ngadalshëm dhe kompleks”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Zyrës së BE-së. “Progresi i bërë deri më tash nuk është aspak i kënaqshëm”.

Është pikërisht BE-ja që e ka mbështetur konsolidimin e tokës si një nga komponentët e një projekti më të madh. Ky projekt ka përfunduar shtatë vjet më parë. Mbështetja është ofruar përmes zhvillimit të legjislacionit dhe kornizës institucionale për implementimin e konsolidimit të tokës dhe zbatimin e pilot- projektit të konsolidimit të tokës.

“Përderisa korniza rregullative dhe të gjitha parakushtet e tjera ligjore për zbatimin e konsolidimit ekzistojnë, zbatimi i plotë i konsolidimit të tokës nuk ka qenë i mundur, kryesisht për shkak të situatës tejet komplekse të pronësisë në Kosovë”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Zyrës së BE-së.

Kaosi në Gjakovë

Rasti i Gjakovës më së miri e mbështet këtë konstatim të BE-së. Brenda dhjetë vjetësh tri kompani janë kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë për ta përmbyllur komasacionin në këtë komunë, por në Qerim kurrkush nuk ka kryer punë.

Në dhjetor të 2013-s, Ministria kishte lidhur kontratë me “Consult Engineering”, me kohëzgjatje prej 36 muajsh. Për sipërfaqen e tokave në komasacionin e papërfunduar që nga vitet  ’80, ishte akorduar çmimi prej 197.40 eurosh për hektar, e për sipërfaqet e tokave në të cilat realizohej komasacion vullnetar, pra nga fillimi, ishte paraparë çmimi 462.25 euro për hektar. Fillimisht ishte paraparë që komasacioni të realizohej në sipërfaqe prej 300 hektarësh në secilën prej këtyre dy kategorive, por pastaj sipërfaqja që i ishte dhënë në punë kompanisë ishte shumë më e madhe sesa parashihej në dokument.

Kontrata përmbante 18 specifika teknike për projektin, por edhe planin e pagesës që duhej të realizohej në katër faza.

Pas përfundimit të fazës së parë kërkohej të bëhej pagesa në shkallën 30 për qind të vlerës së kontratës, meqë në këtë përqindje vlerësohej vëllimi i punës së përshkruar në 5 specifikat e para të kontratës, e që kishin të bënin kryesisht me informimin e institucioneve dhe fermerëve për projektin, por edhe me grumbullimin e shënimeve dhe me statusin ligjor të parcelave.

Përfundimi i fazës së dytë, që nënkuptonte ekzekutimin e plus 40-përqindëshit të kontratës, nënkuptonte realizimin e punëve nga përpunimi i të dhënave të mbledhura, deri te paraqitja definitive e kufirit të zonës kadastrale.

Faza e tretë, së cilës i ishte përshkruar 20-përqindëshi i volumit të punës që parashihte kontrata, kërkonte përmbushjen e specifikave teknike që nga diskutimi publik i cili nënkuptonte intervistimin e secilit pronar në zonat kadastrale ku zhvillohej projekti, deri tek plotësimi i mundshëm i kërkesave të komisioneve komunale të komasacionit.

Faza finale, ajo e katërta, ishte llogaritur se përbënte vetëm 10-përqindëshin e vëllimit të punëve. Ajo përmbante dy specifika teknike, që ishin qenësore për projektin. Midis tjerash kërkohej të përgatiteshin vendimet e reja në rastet ku shtrohej nevoja, e po kështu edhe i tërë dokumentacioni i nevojshëm sipas dispozitave ligjore në fuqi, e pastaj të përcilleshin për regjistrim në RDPP.

Pika e 18 saktësonte se duhej të bëhej dorëzimi i dokumentacionit final nga kompania implementuese e projektit, te Komisioni komunal për komasacion, mekanizëm ky që kishte kompetencën për aprovimin ose jo të këtyre të dhënave, e që duhej të ishin të korrigjuara, teknikisht e juridikisht sipas udhëzimeve dhe ligjeve në fuqi, e të cilat pastaj kërkohej të dorëzoheshin në Zyrën e Kadastrës të Komunës, të gatshme për t’u regjistruar në RDPP.

Implementimi i kontratës kishte filluar, pavarësisht se Mujë Shabani, si kryesues i Komisionit komunal, kishte alarmuar për kontratë të jashtëligjshme dhe që, sipas tij, kompanisë ia mundësonte të paguhej deri në 90 për qind të shumës së kontraktuar, “pa kryer asnjë punë përfundimtare të këtij projekti”.

Që në fazën e parë të zbatimit të kontratës nuk ishin të kënaqur pronarët e tokave ku realizohej komasacioni.

Mark Lasku dhe disa fermerë të tjerë që kanë parcelat në Qerim kishin firmosur një peticion kundër formës se si po kryheshin punimet.

“Njerëzit kishin probleme në terren. Kompania donte t’i caktonte mexhat vetëm nga zyret. Dhe, e kundërshtuam”, tregon Marku, i cili është mësimdhënës dhe përfaqësues fshati. “Këtu ka shumë probleme. Mexhët janë të luajtura. Edhe rrugët e vendosura para 35 vjetësh kanë luajtur. Ne e kemi ditur që do të vijë komasacioni dhe kemi shpresuar se do t’i vendosë drejt, por kur erdhi, ata punojshin veç në letra në zyre, e në terren jo. Ne ju thamë se në letra mirë janë, por problemi është në terren, sepse janë mbyllë rrugë e të tjera. Ata thanë që nuk dalin”.

Kompania kishte ndërprerë punën, jo veç në Qerim, por edhe në dy zona të tjera kadastrale ku ishte duke punuar – në Meqe dhe Doblibare.

Përparim Ahmeti nuk ka treguar arsyet pse ishte ndalur puna, nën arsyetimin se ai nuk ishte i angazhuar në projekt dhe as nuk i përkiste kompanisë së kontraktuar. Megjithëkëtë, korrespodencat e shkruara që ishin realizuar katër vjet më parë, e demantojnë.

As në kompani nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me realizimin e kësaj kontrate dhe të tjerave të lidhura me Ministrinë e Bujqësisë. Prej një muaji “Consult Engineering” nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Por një raport i kësaj kompanie përmban akuza për abuzim me dosjet e komasacionit që ishin përgatitur në vitet ’80. Në raport është evidencuar se ky dokument është hartuar nga Faton Bajselmani, në konsultim me Përparim Ahmetin.

Aty ishte shprehur ankesa se Komisioni komunal kishte ofruar të dhëna të pjesshme dhe se, nga 192 parcela sa ishin të përfshira në komasacion për zonën kadastrale Qerim, vetëm 14 sosh me aktvendim fillestar të vitit 1985 ishin pa asnjë problem dhe të gatshme për procesim të mëtutjeshëm tek Komisioni që e drejtonte Shabani.

“Parcelat e tjera janë objekt i ndryshimeve të cilat kanë ardhur si rezultat i vendimeve pasuese nga viti 1986 deri më 31.12.3013. Për shumicën e aktvendimeve pasuese, nuk ka një historiat të kompletuar si në aspektin grafik, gjithashtu edhe në atë pronësor. Vendimet e marra nga Komisioni komunal për komasacion pas vitit 1999, më 10 qershor, për ndarjen e parcelave, për ne kanë qenë të pajustifikueshme në aspektin ligjor (ne nuk kemi dëshmi mbi autorizimin që mund ta ketë pasur Komisioni për ndarje të parcelave në komasacion). Ne mendojmë që Komisioni për komasacion nuk është dashur të realizojë punët e kadastrës komunale, duke bërë ndarje fizike apo ndërrim të parcelave”, thuhet në raport. “Për këtë arsye, dokumentacioni i komasacionit ka ndërruar shumë nga gjendja fillestare dhe është dëmtuar rëndë në aspektin kualitativ si tërësi e dokumentacionit të komasacionit, duke krijuar parcela të vogla dhe të shumta brenda komasacionit”.

Në këtë dokument rikujtohet se qëllimi i komasacionit të tokës është grumbullimi dhe rregullimi i pozitës së parcelave kadastrale, dhe theksohet se në Gjakovë, qysh pas 1985-s, në zonat e përfshira në komasacion këto parcela janë copëtuar pandërprerë.

“Këto konstatime tona nuk kanë për qëllim të pohojnë ndonjë fakt akuzues juridik, por vetëm vërtetojnë kaosin që është krijuar në zonat e përfshira në komasacion (Qerim, Meçe, Doblibare) të trajtuara përmes projektit dhe pamundësinë e përgatitjes së dokumentacionit kadastral për zonat e përfshira në komasacion, si pasojë e mosposedimit të tërë dokumentacionit zinxhiror për shumicën e parcelave”, thuhet në raport, në të cilin theksohej se ai nuk implikonte kosto financiare.

Pas 35 vjetësh që kur ka nisur komasacioni, dokumentacioni ka ndërruar shumë. Veçmas janë prekur parcelat që ishin në emër të KBI “Ereniku”. Për shembull, parcela me numër 70705076-124-0 ishte në pronësi të Kombinatit, por ishte ndarë në 18 pjesë dhe secili pronar tani ka aktvendim të ri. Pas copëtimit, në parcela më nuk është përfillur komasacioni. Probleme të njëjta vlejnë edhe për parcelën me numër 70705076-135-0 që ka pësuar 20 ndarje, por edhe për shumë parcela të njëjta që ishin në pronë të KBI “Ereniku”. Po kështu, edhe prona që figurojnë në emër të serbëve, e që janë ndarë në pjesë më të vogla, dhe në to tani nuk përfillen kërkesat e komasacionit.

Dështimi në Viti

Me kërkesën formale të autoriteteve komunale, ishte vendosur që të realizohej një projekt vullnetar komasacioni në Viti, ani se një pilot-projekt i mëhershëm kishte rezultuar i pasuksesshëm në këtë komunë.

Pilotimi ishte zhvilluar në fshatin Pozhoran. Procesi kishte nisur mirë dhe nuk ishin evidencuar probleme deri në fazën kur pronarët duhej të shkëmbenin tokat dhe kur parcelat e reja kërkohej t’i kthenin në emrin e tyre. Në këtë pikë kishte hasur sharra në gozhdë. Për pasojë, komasacioni nuk ishte finalizuar kurrë në asnjë nga 20 hektarët ku ishte pilotuar projekti.

Këtë, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, refuzon ta kualifikojë si dështim.

“Duke ditur që ka qenë pilot, atëherë ne nuk japim vlerësim a ka qenë i suksesshëm apo jo, sepse ka qenë fazë testuese në vetëm 20 hektarë”, insiston ai.

Pavarësisht se testi kishte rezultuar i dështuar, Komuna e Vitisë kishte parashtruar kërkesë në Ministri për realizimin e një projekti komasacioni vullnetar, në një sipërfaqe 120 herë më të madhe sesa ajo në të cilën kishte ndodhur pilotimi. Komuna, që edhe atëkohë drejtohej nga Haliti, kishte iniciuar komasacionin që të realizohej në shtatë zona kadastrale: Gërmovë, Viti, Drobesh, Sadovinë e Jerlive, Sadovinë e Çerkezëve, Pozhoran dhe Sllatinë.

Ilustrim

 

Kufiri i propozuar nga Komuna përfshinte një sipërfaqe prej 2,370 hektarësh, në të cilën binin parcelat e 1,838 pronarëve.

Kjo nuk ishte pasuar me procedura prokurimi për ta zgjedhur kompaninë që duhej ta realizonte komasacionin. Procedurat ishin kryer më herë. Ministria kishte lidhur kontratën me “Consult Engineering”. Kontrata kornizë ka datën 5 dhjetor 2013, ndërsa shkresa e Komunës ishte protokolluar gati dy vjet pas, më 12 nëntor 2015. Vetëm një ditë më vonë kërkesa ishte miratuar nga sekretari Kapllan Halimi.

Ky nuk ishte problemi i vetëm që e shoqëronte startin e procesit.

Neni i 10 i Ligjit për rregullimin e tokës kërkon që “miratimi i kërkesës për rregullimin e tokës të shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në tabelën e shpalljeve të Kuvendit Komunal”. Ministria nuk ka prezantuar dëshminë se vendimi ishte publikuar në Gazetë Zyrtare, ani se gazeta e ka kërkuar një të tillë.

Neni përpara këtij sanksionon që komasacioni nuk mund të bëhet kur “shpenzimet e projektit nuk janë në proporcion me përfitimet dhe interesat të cilat priten nga rregullimi i tokës”.

Mbështetur në kontratë, për një hektar tokë të rregulluar, kompania paguhet 462.25 euro. Kësisoj, për sipërfaqen në të shtatë zonat kadastrale tejkalohet vlera prej 1 milion eurosh.

Por fermerët nuk kanë përfituar nga procesi. Puna është lënë në gjysmë, ndërsa shumica e vlerës së kontratës për komasacionin në Viti ka shkuar në konton e kompanisë. Kjo për shkak se, sipas Ministrisë, kompania i ka kryer dy faza të realizimit të kontratës.

“Mbas përfundimit të çdo faze, Kompania implementuese e projektit ka përgatitur raportin për kryerjen e punëve, si dhe është përgatit raporti nga komisioni komunal dhe më pas është bërë pagesa nga Ministria”, thuhet në raportin që Ministria ia ka përcjellë gazetës. “Për shkak të skadimit të kontratës më datë 5.12.2016, kompania nuk ka mundur t’i realizojë fazat e tjera”.

Në Komunën e Vitisë, kryetar i Komisionit për komasacion ishte një jurist, që punë ditore e ka taksinë, por edhe bën muzikë nëpër ahengje. Është Përparim Sylejmani. Ai i ka thënë gazetës se pikërisht këto dy punë që i bën i kishin ndihmuar që si kryetar i Komisionit komunal për komasacion t’i bindte njerëzit të pranonin të përfshiheshin në proces, meqë e njihnin dhe i besonin. Ai ka thënë të mos jetë në dijeni se çfarë ka ndodhur prej dy vjetësh me projektin e ndërprerë.

Por, nuk kishte shkuar krejt siç thotë Sylejmani.

Mbështetur në ligj, “projekti për rregullimin e tokës zbatohet nëse pajtohen me shkrim 2/3 e numrit të pjesëmarrësve me projektin e propozuar”.

Prandaj kërkohej të merrej pëlqimi me shkrim i pronarëve të parcelave që ishin pjesë e të shtatë zonave kadastrale që i përfshinte projekti.

Pesë ditë gjatë majit të 2016-s, por edhe një ditë korriku, kompania ishte përpjekur që në Gërmovë të mblidhte nënshkrimet për pëlqim. Pëlqimi nuk ishte dhënë në përqindjen që kërkohej, meqë kishte pasur bojkot të procesit.

Kompania e ka pranuar këtë në një raport.

“Kjo na ka shtyrë neve në ndërprerjen e punës për mbledhjen e deklaratave nga ekipet tona në atë zonë kadastrale”, thuhet në raport. “Si rrjedhojë, në zonën kadastrale Gërmovë kemi një përqindje më të madhe të pronarëve që nuk janë pajtuar që procesi i komasacionit të vazhdojë tutje”.

Po në këtë dokument janë evidencuar probleme të së njëjtës natyrë edhe në Sadovinë të Çerkezve.

“Komasacioni i papërfunduar i viteve të ’80 në disa fshatra dhe pasojat që kanë mbetur nga ky proces ende i papërfunduar, kanë ngjallur dyshime tek pronarët e kësaj zone”, theksohet aty. “Si arsye tjetër e refuzimit të pronarëve të kësaj zone kadastrale është edhe forma e rregullt e disa parcelave dhe qasja e atyre parcelave në rrugë, dhe pronarët nuk e shihnin të arsyeshme realizimin e këtij procesi në pronat e tyre”.

Pavarësisht kësaj, në Gërmovë ishte siguruar konfirmimi për përkrahje të projektit në shkallën 64.8 për qind, që nuk mbërrinte dy të tretat, e në Sadovinë e Çerkezve 67.5 për qind, që për më pak se një për qind e mbërrinte kushtin ligjor. Sipas të dhënave të njëjta, kushti ligjor mezi ishte mbërritur edhe për sa i përket Sllatinës e Pozheranit, të dyja me nga 68 për qind.

Kompania kishte bërë një zgjidhje. Ajo e kishte ndërruar kufirin kadastral të zonave, duke i hequr nga sipërfaqja e tyre disa parcela të pronarëve që kundërshtonin, për të rritur kështu përqindjen e atyre që ishin pro projektit. Në këtë mënyrë ishte përmbushur kushti ligjor për të vazhduar tutje.

Në rastin e Gërmovës ku pronarët e 130 parcelave kishin kundërshtuar të përfshiheshin në proces, kufijtë e zonës ishin tkurrur, duke i qitur jashtë saj 19 pronarë parcelash. Pas kësaj, shkalla e konfirmimit për t’u përfshirë në projekt ishte rritur nga 64.8 në 67.9 për qind, e mjaftueshme kjo për të përmbushur kushtin ligjor prej dy të tretave të pronarëve që ishin për.

Kësisoj, thuajse në të shtatë zonat kadastrale ishin dizajnuar kufij të rinj kadastralë.

Pavarësisht pakënaqësive dhe përkundër faktit që kompania ka marrë shumicën e vlerës së kontratës, e realizimi i kontratës ka mbetur në gjysmë, në Komunën e Vitisë kanë folur në superlativ për projektin.

Kryetari Sokol Haliti ka refuzuar ta quajë të dështuar edhe këtë projekt. Ai do që të shtyhet përpara një justifikim i kompanisë.

“Në raportet e kompanisë kërkohet që për vazhdim të fazës përfundimtare të ri-rregullohet baza ligjore, pasi që mbi 90 për qind të pronave kanë pronarë jofaktikë”, ka thënë kryetari Haliti. “Komuna e Vitisë ka qenë e angazhuar dhe ka marrë pjesë në disa workshope me MBPZHR-në, si dhe me ekspertët e huaj për t’i realizuar ndryshimet e nevojshme. Pas qartësimit të bazës ligjore, komasacioni mund të vazhdojë”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Besnik Krasniqit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.

Pjesa e dytë e hulumtimit

Abuzimi me komasacionin lë fermerët pa tapi (II)