Dragan Vasilkoviq në sallën e gjyqit. Foto: BETA PHOTO/HINA/Mario Stromotic.

Komandanti Famëkeq Humb Betejën në Gjyq

Pas një sage ligjore që daton nga viti 2004, kur Kroacia lëshoi për herë të parë një urdhër për arrestimin e Dragan Vasilkoviqit, lideri paraushtarak serb i kohës së luftës u dënua të martën me 15 vjet burg për krime lufte në Gjykatën e Qarkut të Splitit.

Dënimi i Vasilkoviqit erdhi pas një beteje të gjatë ligjore kundër ekstradimit nga njeriu që njihet gjerësisht në Ballkan si “Kapiten Dragani” dhe që dikur kishte një program televiziv që transmetohej në Serbi në vitet 1990.

Megjithatë, në kohën e arrestimit të tij, ai punonte si instruktor i golfit nën emrin Daniel Snedden në atdheun e tij të adoptuar Australi.

Gjashtëdhjetedyvjeçari Vasilkoviq u shpall fajtor për rrahje dhe abuzim të ushtarëve dhe policëve kroatë të burgosur në qershor dhe korrik 1991 në kalanë e Kninit.

Ai u dënua gjithashtu për përfshirje në planifikimin e një sulmi në qytetin e Glinës dhe fshatrave përreth në korrik të vitit 1991, kur dy civilë u vranë dhe prona u plaçkitën dhe u shkatërruan – edhe pse ai u lirua nga akuzat për krime të tjera në fshatin Bruska, pranë qytetit të Benkovcit, në shkurt 1993, kur dy ushtarë kroatë u vranë.

Gjykata arriti në përfundimin se ai i kreu krimet e tij ndërsa ishte komandant i Njësisë Serbe të Operacioneve Speciale e dërguar për të ndihmuar paraushtarakët serbë në Kroaci gjatë rebelimit të tyre të armatosur midis vitit 1991 dhe 1995. Sipas padisë, ai ishte komandanti i qendrës së trajnimit për një njësi paraushtarake speciale e quajtur Alfa.

Kur gjyqi i tij nisi në korrik 2016, ai e deklaroi veten të pafajshëm dhe më vonë tha në gjykatë se ai thjesht po përpiqej të mbronte Jugosllavinë.

“Unë s’jam as agresor dhe as kriminel lufte. Jam një mbrojtës i atdheut tim, Jugosllavisë, e cila më pëlqen vërtet shumë. Ne ishim të gjithë jugosllavë,” tha ai, sipas raporteve të mediave kroate.

Nga jetimorja në frontin e luftës

I pari nga dy botimet e librit komik për “Kninxhe”.

Vasilkoviq lindi në Beograd në vitin 1954 dhe thuhet se kaloi pak kohë në një jetimore kur ishte ende fëmijë para se të bashkohej me familjen e tij emigruese në Australi kur ishte adoleshent.

Raportet e gazetave në Australi thanë se ai shërbeu në Ushtrinë Australiane për disa vite dhe u dënua gjithashtu për pronësinë e një bordelloje në vitet 1980.

Ai u rikthye në Jugosllavi në fund të viteve 1980 dhe kur filloi lufta e Kroacisë për pavarësi në vitin 1991, ai mori pjesë në luftime.

Ai u rekrutua nga Ministria e Brendshme e Serbisë dhe u dërgua në Kroaci që të punonte si instruktor ushtarak në Golubici, pranë Kninit, epiqendra e një kryengritje rebele serbo-kroate.

Luftëtarët serbë të Kroacisë që stërviti ai ndihmuan në krijimin e një enklave rebele që u shpall si Republika e Krajinës Serbe, por u rimor nga forcat kroate në vitin 1995.

Vasilkoviq gjithashtu udhëzoi kryekomandantin famëkeq serb Zhelko Razhnjatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, dhe anëtarët e njësisë së tij paraushtarake Tigrat.

Aktakuzat në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë i kanë lidhur Tigrat direkt me qeverinë e Sllobodan Millosheviçit, duke pretenduar se ata financoheshin nga buxheti shtetëror i Serbisë.

Por kur Vasilkoviq dëshmoi si dëshmitar i prokurorisë në vitin 2003 në gjyqin e Millosheviqit në Hagë, ai mohoi të kishte pasur ndonjë lidhje me autoritetet në Beograd.

Megjithatë, në vendimin e saj ku dënoi ish-liderin e Republikës së Krajinës Serbe, Milan Martiq, në vitin 2007, Gjykata tha se Vasilkoviq “mori pjesë në mbështetjen e qëllimit të përbashkët kriminal të sipërmarrjes së përbashkët kriminale” bashkë me Millosheviqin, Radovan Karaxhiqin, Ratko Mlladiqin dhe politikanë, ushtarakë dhe zyrtarë të lartë të shërbimeve të inteligjencës nga Kroacia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Gjatë gjyqit të ish-kreut të sigurimit serb të shtetit Jovica Stanishiq dhe zëvendësit të tij Franko Simatoviq në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë, Vasilkoviq u përmend gjithashtu si një njeri që stërviste njësitë speciale serbe në një kamp në Golubic, pranë Kninit.

Bëmat e tij të kohës së luftës e bënë atë një figurë të njohur në Serbi. Ai madje kishte programin e tij televiziv dhe një libër komik u botua për të dhe njësinë e tij “Kninxhe”, emri i të cilës ishte një bashkim i fjalëve “Knin” dhe “ninxha”.

Por pasi dëshmoi kundër Millosheviqit në Hagë, ai u kthye në Australi në 2004.

Kur gazeta “The Australian” e gjurmoi atë në një dyqan golfi në Perth, ku ai jetonte në vitin 2005, dhe e pyeti nëse ai kishte kryer krime lufte gjatë konfliktit kroat, ai e mohoi këtë.

“Nuk do të them që jam i përsosur. Jo, askush s’është i përsosur kur vret njerëz, por jam i sigurt që s’kam vrarë kurrë një civil. Jam i sigurt që s’kam vrarë kurrë një të burgosur. Jam i sigurt që s’kam vrarë kurrë një njeri që s’meritonte të vritej,” tha ai.

Gazeta raportoi se Vasilkoviq, një pronar jahti dhe lojtar golfi, shihej nga diaspora serbe në Australi si një hero lufte dhe se ai udhëtonte nëpër vend duke mbledhur para për bamirësi për viktimat e tij të luftës.

Ai madje bëri një shaka për pseudonimin e tij të kohës së luftës: “Unë luaj golf me kapiten Draganin,” i tha ai gazetarit të “The Australian”. “Ai është njeri shumë i mirë.”

Gazeta më pas botoi një artikull që pretendonte se ishte i përfshirë në krime lufte. Vasilkoviqi e paditi dhe humbi.

Një betejë nëntëvjeçare

Urdhër arresti nga Interpoli për Vasilkoviqin

Vasilkoviq u arrestua në Australi në vitin 2006 dhe i kaloi nëntë vitet që pasuan duke luftuar ekstradimin në Kroaci. Ai ngriti një padi për mbajtjen e tij të gjatë në paraburgim në Komitetin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së në 2016.

Ndërsa përpiqej t’i rezistonte ekstradimit, Vasilkoviq, i cili kishte nënshtetësi serbe dhe australiane, shprehej vazhdimisht se s’do të kishte një gjykim të drejtë në Kroaci.

Për një periudhë kohe, Vasilkoviq u bë objekt debati midis politikanëve kroatë dhe serbë.

Pasi një gjykatë australiane rrëzoi apelin e Vasilkoviqit kundër ekstradimit të tij në Kroaci në janar të vitit 2015, ministri serb i Srejtësisë në atë kohë, Nikola Selakoviq, i kërkoi homologut të tij australian, Michael Keenan, të lejonte Beogradin të ndiqte penalisht ish-paraushtarakun.

Selakoviqi tha se Serbia ishte “plotësisht e përgatitur të kryente procedurat penale”, duke argumentuar se në Kroaci Vasilkoviqi do të kishte një gjykim të njëanshëm.

Por gazetarët që ishin në gjykatë për gjyqin e tij në Split thanë se mendonin se këto shqetësime ishin të gabuara.

“Përshtypja ime është se ai pati një gjyq të drejtë. Të gjithë ata që duhej të dëshmonin, e bënë këtë,” tha për BIRN Ivica Profaca, një gazetar me përvojë në Split, i cili ndoqi çështjen për gazetën “The Australian”.

Profaca tha se shumica e dëshmitarëve të mbrojtjes folën nëpërmjet lidhjes me video nga Beogradi, ndoshta për shkak se disa prej tyre kanë “padi ose vendime kundër tyre në Kroaci”, sugjeroi ai.

“Gjyqtari, Damir Romaç, e udhëhoqi siç duhet procesin në tërësi, duke i ndaluar të dyja palët kur hynin në ujëra që s’ishin të një natyre ligjore apo në rastet kur prokuroria bënte pyetje në lidhje me diçka që nuk ishte temë e gjyqit,” tha ai.

Profaca tha se gjatë gjyqit, Vasilkoviq shpesh tha se ai nuk e njihte juridiksionin e gjykatës apo ekzistencën e Republikës së Kroacisë.

Ai shpesh i referohej Kroacisë si “NDH” – një akronim për shtetin kukull pro-nazist kroat të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Shteti i Pavarur i Kroacisë. Sipas Profacës, Vasilkoviq gjithashtu iu referua ushtarëve dhe policëve kroatë si ustashë, lëvizja që krijoi NDH-në.

Megjithatë ai tha gjithashtu se “kushtet e tij në burg në Split ishin të shkëlqyera”, tha Profaca, dhe se rojet e burgut reaguan menjëherë kur ai pati probleme shëndetësore në gusht 2016 dhe i shpëtuan atij jetën.

Ndërsa gjyqi afronte drejt fundit, Vasilkoviq pretendoi se ai kishte qenë pjesë e “një procesi shtypës fashist”, duke këmbëngulur se gjykimi i tij ishte i motivuar politikisht.

Korrespondentja europiane e “The Australian” Jacquelin Magnay, e cila gjithashtu raportoi në gjyq, tha për BIRN megjithatë se gjyqtari e lejoi Vasilkoviqin ta paraqiste plotësisht çështjen e tij duke i dhënë atij vend “për të paraqitur informacione më te gjera në lidhje me çështjen, shumë më tepër nga sa kam parë nëpër gjyqe”.

Në seancën e fundit të enjten, tha Magnay, gjyqtari pranoi që Vasilkoviq mund të jepte një pasqyrë të shkurtër të të gjithë gjyqit, pas së cilës i pandehuri dha një deklaratë “katër orë të gjatë”.

Kur rifilloi gjyqi, avokati i Vasilkoviqit, Goran Cvetiq, tha për BIRN se për mendimin e tij, padia ishte ndërtuar “mbi baza të lëkundura”.

Pas vitesh të tëra betejash ligjore, gjykata nuk u pajtua dhe e dënoi Kapitenin Dragan për krime lufte.