Kolumnen që s’e Shkrova

Të dashurit e mi, zakonisht në jetë ndodhë që ato që i planifikoni të mos ju realizohen më së miri, edhe nëse ju bëni çdo gjë që është në duart tuaja. Në këtë kolumne po e jap një retrospektivë të asaj që nuk e kam ndarë me ju nga dhjetori e deri tash.

Shumë u nervozova me vetveten kur e kuptova se më ka ikur takimi i parë regjional i blogerëve, i quajtur “blogomania” dhe i mbajtur në fillim të dhjetorit. Që atëherë mezi po i flas vetes. Jam fajtore që nuk shkova për ta kaluar atë fundjavë me blogerë fantastikë nga të gjitha vendet e Ballkanit, e në veçanti po më dhemb që nuk shkova të njoftohem me blogeren më të dashur për mua (natyrisht, pas meje 🙂 ).

Po i bie që kjo kolumne po i kushtohet kolumneve dhe kolumnistëve, atyre që botën na e përshkruajnë nga një kënd më ndryshe. Edhe mua më ndodh që kur i lexoj kolumnet e mia nga e kaluara të ndihem sikur të mos i kisha shkruar vetë. Kjo ndjenjë është thjeshtë e mrekullueshme, kur e kupton se çka të ka frymëzuar që në një moment të caktuar të ulesh dhe t’i shkruash me një frymë disa qindra fjalë.

Por, mund të ndodhë që edhe të kalojë një muaj i tërë e të mos mund të uleni për t’i shkruar ato qindra fjalë.

Për shembull, unë kam dashur të shkoj në Blogomani dhe t’ju shkruaj nga atje, në mënyrë që edhe ju të jeni të pranishëm.

Blogomania kishte të bëjë me ndikimin e blogerëve dhe blogeve në jetën shoqërore dhe politike, sepse blogu është një nga mjetet më efikase për formësimin e qëndrimeve në mesin e shtresave të ndryshme shoqërore dhe përbën një shprehje të lirë të mendimeve të autorëve të pavarur dhe shpesh tejet profesionalë. Në këtë konferencë, të parën e llojit të vet, u takuan blogerë nga tërë regjioni, i këmbyen përvojat dhe mendimet dhe diskutuan për këtë kanal komunikimi, i cili po bëhet çdo herë e më i fortë dhe po e ndryshon botën.

Unë disi tërthorazi thuajse isha e pranishme në këtë konferencë, ngase në të merrte pjesë një mik shumë i mirë i imi (i cili madje e bëri një fotografi me blogeren më të dashur për mua dhe ma vuri atë fotografi në facebook). Dhuratë më të mirë nuk kam mundur të fitoj për festat e fundvitit.

Pritja e vitit të ri ishte më se spektakulare, sepse e kalova me njerëzit më të dashur dhe i tëri kaloi nën shumë muzikë, qeshje dhe mamurllëk.

Disi arrita ta mbijetoj edhe janarin, edhe pse me shumë mund, duke qenë se rreth krishtlindjeve u sëmura dhe nuk arrita të shërohem për dy javë me radhë. Sëmurja gjatë kohës së festave ta shpif. Nëse ju kujtohet ju pata premtuar se gjatë festave do dal e do argëtohem dhe se të njëjtat nuk do t’i kaloj në shpi. Dorën në zemër, e kam pasur edhe një moment inspirimi (megjithëse të shkurtë) që më bëri të vendos që të jetoj shëndetshëm dhe të ushqehem lehtë.

Erdhi edhe shkurti e me të edhe ditëlindja ime, e cila më bëri të ndihem më e vjetër se më parë dhe nuk më la t’ju shkruaj javën e kaluar. Sigurisht se është shumë e rëndësishme të kesh miq të mirë, njerëz që të duan, në mënyrë që me ta t’i ndani të gjitha ato momente që ia vlen të kujtohen. Miq që do t’ju befasojnë me ëmbëlsira, fishekzjarre e shampanjë, adhurues të panjohur  që para derës ju lënë buqeta me trëndafila dhe njerëz të cilët kanë vendosur që përkrah jush të harxhojnë edhe shumë kalendarë. Në njerëz të tillë gjithnjë do të mund të gjeni strehim nga bota dhe fuqinë për tu përballë me të njëjtën botë, por edhe frymëzimin e pashtershëm për t’i shkruar ato qindra fjalë që i përmenda më parë, e me të cilat mundoheni që në mënyrën më modeste të mundshme t’i falënderoni që vazhdojnë të duan edhe pse ju njohin më mirë se të tjerët.

Shkurti është muaji im, muaji i dashurisë dhe muaji i maceve… së shpejti do t’ju shkruaj prapë.

P.S. ju faleminderit që po më lexoni, por tash fikeni kompjuterin, ndalini dritat dhe kursejeni rrymën ngase KEK-u si duket ka vendosur që nga xhepat të na e nxjerr edhe centin e fundit.

Deri në shkrimet dhe leximet e radhës, ju përshëndetë e juaja D.