Grafika: Trembelat për KALLXO.com

Kodi që do t’u japë mundësi çifteve që para martesës të vendosin si do të qeverisin me pasuritë e tyre

Bashkëshortët martesorë gjatë jetës së tyre të përbashkët mund të kenë pasuri të veçantë (individuale), të fituar para lidhjes së martesës, dhe pasurinë e përbashkët që krijohet me punën e tyre të përbashkët gjatë jetës bashkëshortore.

Pasuria e veçantë (individuale) e bashkëshortëve, përveç asaj që ka qenë e fituar para lidhjes së martesës mund të krijohet edhe gjatë kohëzgjatjes së martesës, me trashëgim, dhurim apo formë tjetër të përcaktuar me ligj.

Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve martesorë është pasuria e fituar me punën e tyre të përbashkët ose të ndarë, gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë nëse me kontratë paramartesore bashkëshortët martesorë nuk kanë përcaktuar regjimin pasuror të pasurisë së fituar gjatë martesës.

Çifteve të reja të cilët po planifikojnë që ta kurorëzojnë lidhjen e tyre me martesë, do t’u krijohet mundësia që paraprakisht para se të hynë në martesë, të mund të mund të lidhin një kontratë paramartesore me anë të së cilës do të mund të vendosin për disa kushte paramartesore në atë se çka do të mbetet si pasuri i e tyre e veçantë e çka si pasuri e përbashkët.

Kjo do të jetë e mundur me ndryshimet të cilat janë duke u bërë në Ligjin për Familjen, të drejtën pronësore, sendore dhe trashëgiminë.

Legjislacionit në Kosovë shumë shpejtë pritet që ti shtohet edhe një Kod tjetër.

Momentalisht është duke u punuar në draftimin e Kodit Civil, qëllimi i të cilit do të jetë rregullimi dhe harmonizimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile.

Me hyrjen në fuqi të këtij Kodi janë paraparë disa ndryshime të cilat prekin Ligjin për Familjen, të drejtën pronësore, sendore dhe trashëgiminë.

Në Kosovë për herë të parë pritet miratimi i një Kodi Civil i cili do të përmbledhw në një vend të gjitha dispozitat ligjore të cilat dalin nga e drejta civile.

Risitë të cilat parashihen me miratimin e këtij Kodi janë tek kapitulli i marrëdhënieve pasurore të bashkëshorteve me ç ‘rast është paraparë shtimi i një neni i cili do tu mundësoj çifteve të reja të cilët planifikojnë të lidhin martesë  mundësinë e lidhjes së një marrëveshje paramartesore.

Çka nënkuptohet me marrëveshjen paramartesore ose martesore lidhur me pasurinë e fituar gjatë martesës?

Sipas Kodit Civil të Republikës së Kosovës çifteve të reja të cilët vendosin të lidhin martesë munden që me rastin e lidhjes së martesës paraprakisht të lidhin edhe një kontratë/marrëveshje paramartesore me anë të së cilës do të përcaktojnë se çka do të mbetët pasuri e veçantë e çka pasuri e përbashkët.

“Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve martesorë është pasuria e fituar me punën e tyre të përbashkët ose të ndarë, gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë nëse me kontratë paramartesore bashkëshortët martesorë nuk kanë përcaktuar regjimin pasuror të pasurisë së fituar gjatë martesës”, thuhet në njërën nga dispozitat e këtij kodi.

Sipas këtij kodi bashkëshortët martesorë me kontratë të veçantë në çdo kohë gjatë jetës së tyre të përbashkët martesore mund t’i rregullojnë çështjet pasurore dhe të vendosin për regjimin dhe administrimin e tyre pasuror.

Me anë të këtij kodi po ashtu është paraparë që me rastin e zgjidhjes së martesës tek përcaktimi lidhur me kontributin e dhënë nga bashkëshortët përcaktohet se nëse njëri nga bashkëshortët nuk mund të provoj se kontributin e tij në krijimin pasurisë së veçantë, ajo do të konsiderohet si pasuri e përbashkët.

Çiftet munden si para lidhjes së martesës ose edhe gjatë martesës, në çdo kohë, të lidhin një marrëveshje martesore për çështjet që kanë të bëjnë me pasurinë e fituar gjatë martesës.

Kjo marrëveshje paramartesore do të hyj në fuqi në ditën e regjistrimit të martesës, ndërsa kontrata e lidhur nga bashkëshortët gjatë martesës hyn në fuqi në momentin e noterizimit të saj.

Me marrëveshje martesore, të fejuarit apo bashkëshortët do të përcaktojnë marrëdhëniet e tyre pronësore për të ardhmen në përputhje me dispozitat e këtij kodi dhe ligjeve tjera në fuqi.

Po ashtu kodi krijon mundësi që edhe çiftet të cilët bashkëjetojnë por nuk janë të martuar të mund të lidhin marrëveshje lidhur me pasurinë të cilën do ta krijojnë gjatë bashkëjetesës.

Marrëveshja duhet të jetë me shkrim dhe e vërtetuar te noteri, një marrëveshje të tillë bashkëjetuesit mund ta lidhin edhe gjatë kohës së bashkëjetesës.

Këto ndryshime në Kodin Civil i ka përmendur edhe Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala i cili në një tryezë të organizuar nga BIRN-i me temë “Barazia në Letër”, pjesë e së cilës ishin përfaqësues nga gjyqësori, MAPL-ja, Agjencia për barazi gjinore dhe avokat e përfaqësues nga komunat e Kosovës.

https://kallxo.com/ligjet-e-mira-nuk-i-ndihmojne-kosoves-ta-adresoje-barazine-gjinore/

Hasan Shala ka treguar se një ndër risitë e Kodit Civil do të jetë mundësia që do tu krijohet çifteve që para se të hynë në martesë të kenë mundësi që të lidhin një marrëveshje paramartesore.

“Një ndër risitë kryesore sa i përket çështjes familjare  dhe pronës së krijuar gjatë jetës martesore është se kemi paraparë të lidhet një marrëveshje paramartesore ose një kontratë ose ajo marrëveshje paramartesore ose kontratë të lidhet edhe gjatë martesës dhe nëse ajo kontratë nuk realizohet atëherë pasuria do të ndahet 50 me 50, kjo është ajo risia që e kemi paraparë në Kodin Civil që e rregullon çështjen statusore ose familjare“, ka thënë Shala.

Kryetari i Gjykatës së Apelit në këtë tryezë ka folur edhe për vonesat të cilat tha se po bëhen në trajtimin e këtyre lendeve, ai ka thënë se arsyeja se pse këto lëndë po presin me vite të tëra është mungesa e kuadrit adekuat për trajtimin e këtyre lëndëve.

“Sa i përket ngecjeve të lëndëve të cilat u tha edhe këtu që vonohen, e vërtetë është se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar pajtohem me ketë megjithatë nuk është ngecja meqë ne i kemi ligjet, por ngecja ka për shkak se kemi mungesë të kuadrit, kemi mungesë të shumë gjyqtareve, kemi mungesë të bashkëpunëtoreve profesional, zyrtareve ligjor…”, kishte deklaruar Shala.

Ndër vite gratë kanë hasur në vështirësi të mëdha për t’u njohur ajo çka u takon me ligj.

BIRN dhe Internews Kosova në vazhdimësi ka paraqitur nevojën për ndryshim dhe harmonizim të legjislacionit aktual që ndikon në të drejtën e grave në pronë, duke qenë pjesë aktive me dhënien e rekomandimeve për projektligjet për trashëgiminë, noterinë dhe procedurën jokontestimore.

BIRN si organizatë vazhdimisht është duke monitoruar rastet gjyqësore të grave që kërkojnë të drejtën në pronë, raste  të cilat më pas po pasqyrohen edhe me emisione me qëllim të sensibilizimit të masës për problemet në të cilat hasin gratë për realizimin e të drejtës së tyre në pronë.

Një prej rasteve me të mëdha me bujë në vendin tonë është rasti i Shyhrete Berishës.

Beteja e saj ligjore për të fituar atë që i takon filloi qysh në vitin 2001 ndërsa tek pas 11 vitesh ajo më në fund pas shumë e shumë peripecish arriti të fitoj atë që i takon me ligj.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Shyhrete Berisha ka akuzuar kunatin e saj (vëllain e burrit të vrarë) Xhelal Berisha se ia ka marrë të drejtat që i takojnë me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Trashëgiminë, raportuar edhe nga KALLXO.com. Kunati i saj ka pretenduar se ai është trashëgimtar i shtëpisë ku znj. Berisha ka jetuar me bashkëshortin dhe fëmijët e saj për shkak se ajo nuk ka qenë e ndarë paraprakisht mes trashëgimtarëve të babait të burrit të znj. Berisha

Ajo po ashtu kishte kërkuar që t’i jepet e drejta bazuar edhe në kontributin që ajo ka dhënë gjatë jetesës së saj në atë shtëpi deri në vitin 1999 me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.

Ky rast është parë nga mediet dhe shoqëria civile si një precendet në drejtësinë Kosovare për sa i përket të drejtave të grave në trashëgim të pronës në lidhje martesore.

Më në fund në korrik të vitit 2017 Gjykata kishte marrë aktgjykim me anë të të cilit është vërtetuar se Shyhrete Berisha është pronare e gjysmës së shtëpisë së banimit dhe po ashtu pronare e gjysmës së paluejtshmërisë së pronës.

Të drejtën e pronësisë, Shyhrete Berisha e fitoi në bazë të trashëgimisë ligjore, sipas përfaqësimit pas vdekjes së bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.

https://kallxo.com/gjysma-e-prones-dhe-gjysma-e-shtepise-takojne-shyhrete-berishes/

Ngjashëm me këtë rast ka qenë edhe rasti i Shukrie Berishës, e cila paditi kunatin e saj në vitin 2005 pasi ai e kishte kaluar tërë pronën e trashëguar nga babai në emrin e tij. Kështu ai kishte anashkaluar Shukrie Berishën e cila kishte jetuar 30 vjet në shtëpinë e përmendur me burrin e saj që kishte ndërruar jetë para se të bëhej ndarja e pronës mes trashëgimtarëve. Ajo pretendonte se ka të drejtë ta trashëgojë një pjesë të shtëpisë. Pas 11 vitesh, aq sa është dashur që gjykimi të marrë formën e prerë, asaj i është ndarë 1/10 e oborrit dhe 1/6 e shtëpisë ku ajo ka kontribuar 30 vjet sa ka jetuar në të me burrin e saj.

12 Vjet në Kërkim të Drejtësisë për Shtëpinë

Së fundmi kemi edhe rastin e Arjeta Gashit e cila po kërkon nga Gjykata që të vërtetohet se ka kontribuar në gjysmën e pasurisë së përbashkët martesore në vlerë prej 75.800 mijë euro sa kishte qenë e martuar me bashkëshortin e saj.

Ky proces gjyqësor ka filluar në vitin 2016, ndërsa paditësja pretendon se ka kontribuuar në krijimin dhe shtimin e pasurisë përmes punës së saj në KOSTT përgjatë 10 viteve. Paditësja pretendon se i takon gjysma e një banese e cila ndodhet në Prishtinë si dhe pasuria tjetër e luajtshme e përshkruar në padi.

Arjeta pretendon se kontributi i saj është dhënë edhe përmes përgatitjes së ushqimit për fëmijë dhe për familje, higjienë dhe punë tjera të mirëmbajtjes së familjes së përbashkët.

Në anën tjetër pretendimet e paditëses kundërshtohen nga ish-bashkëshorti, tani i padituri i cili pretendon se fare nuk është pronar i banesës së pretenduar nga ish-gruaja e tij porse kjo pasuri i takon familjes së tij, nënës, motrave dhe vëllait të tij.

Pas disa seancave të mbajtura dhe pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur që ta refuzonte kërkesëpadinë e paditëses Arjeta Gashi.

Kundër këtij aktgjykimi të Gjykatës së shkallës së parë ankesë kishte ushtruar paditësja Arjeta Gashi  më ç ‘rast më pas Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Arjetës dhe e ka kthyer në rigjykim vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës rreth pretendimit të saj për njohjen e kontributit në krijimin e pasurisë së përbashkët me ish- bashkëshortin.

Momentalisht rasti ndodhet në proces.

https://kallxo.com/apeli-e-kthen-ne-rigjykim-rastin-e-arjeta-gashit-per-ndarjen-e-prones-ish-bashkeshortin/