Klinika e Pediatrisë Ndërtohet Me Fonde Humanitare

Klinika e Pediatrisë e cila do të ndërtohet në oborrin e Spitalit Rajonal të Mitrovicës planifikohet të ketë dy kate me rreth 1200 metra katrorë dhe do të ketë mbi 25 shtretër  si dhe aparaturë për kontrolle, diagnostifikim dhe shërimin e fëmijëve.

Të shtunën u vu gurthemeli i kësaj klinike e cila po ndërtohet me fondet e mbledhura dy vite më parë në një gala mbrëmje të organizuar nga Shoqata Nëna Terezë në Gjermani, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Gjysmë milionë euro ishin mbledhur në atë mbrëmje humanitare.

Shaqir Gashi, përfaqësues i Shoqatës “Nëna Terezë” në Gjermani dhe iniciues i ndërtimit të kësaj klinike, pohoi se ky investim do të iu shërbejë mbi 250 mijë banorëve të Mitrovicës.

Ai shtoi se vitin e kaluar kur kanë vizituar spitalin e Mitrovicës kanë parë nevojën emergjente për ndërtimin e kësaj klinike.

“Gjatë vizitës sonë kohë më parë kemi vërejtur se në spitalin Mitrovicës nuk kishte fare repart të pediatrisë, përveç një improvizimi ku qëndronin tre katër fëmijë, pa asnjë mundësi të diagnostifikimit apo mjekimit modern apo standardi që sot bëhet në Evropë”, tha Gashi.

Ai tha se klinika pritet që të behet funksionale në tetor të këtij viti.

Në inaugurimin e ndërtimit të Klinikës Pediatrike përveç punonjësve shëndetësorë në Mitrovicë morën pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, Ministri i Punëve të Brendshme Bajarm Rexhepi, kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati.

Kryetari i Mitrovicës vlerësoi se këtij qyteti më së shumë se sa tjerëve i duhet një spital i kompletuar.

Ministri i Shëndetësisë pohoi se investimi në këtë klinikë do të ndikojë drejtëpërdrejtë në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve të regjionit të Mitrovicës.

Ministri i Punëve Bajram Rexhepi, i cili ka shërbyer për dy mandate si kryetar i Mitrovicës, shtoj se një klinik e tillë i ka munguar me vite banorëve të këtij qyteti.

“Ky është një ndër projektet më të qëlluara, ku siç dihet nga pas lufte Mitrovica nuk ka pasur objekt të tillë, apo klinikë pedriatike. Unë besojë se ndërtimi i kësaj klinike ka qenë i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm”, ka thënë Ministri Rexhepi i cili me profesion është mjek.