Kisha ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Kisha Ortodokse Duhet të Bëhet Muze i Historisë së Afërt të Kosovës

Si fëmijë e vogël, më kujtohet kur ndërtimi i Kishës Ortodokse afër shtëpisë time filloi. Hapësira ku duhej të ndërtohej kjo kishë ishte bukur e madhe kurse punimet e saj nuk u penguan nga askush, natyrisht për shkak të kohës së regjimit që ekzistonte në atë kohë, në të cilën të drejtat e shqiptarëve ishin të pabarabarta me atyre të serbëve. Shtëpitë për priftërinjtë u ndërtuan afër kishës, në hapësirën ku tani është i vendosur Fakulteti i Arteve. Po ashtu, kujtoj kohën kur u vendos kryqi në maje të saj. Në fakt e kishim parë të gjithë sepse ishte endur me helikopter nëpër Prishtinë për ta kryqëzuar qytetin para se të vendosej përfundimisht aty ku është edhe sot, mbi kupolën e madhe prej betoni. Të gjithë e komentonim se si ai kryq ishte e flakëruar në ari. Më 29 mars 1999, hapësira rreth kishës ishte e stërmbushur me qytetarë serbë që shikonin vendosjen e kryqit.

Ne shqiptarët ishim të mbyllur nëpër shtëpi, dhe eventualisht e shikonim nga dritarja.

Gjatë luftës së Kosovës, punimet në kishë u ndërprenë. Kisha nuk u përfundua asnjëherë, dhe pasluftës, gjatë natës dikush kishte vendosur dinamit, me qëllimin e rrënimit të saj. Ishte një krismë shurdhuese, dhe xhamat e banesave në atë hapësirë u bënë copë e grimë. Po të njëjtat xhama u kishin qëndruar bombardimeve të NATO, gjatë të cilave ishte rrënuar ndërtesa e postës (që dikur ishte afër ndërtesës aktuale të qeverisë) dhe Ministria e Punëve të Brendshme, atëkohë MUP, që ende është pak përtej Sheshit Zahir Pajaziti.

Kur u detonua, mendova që kisha ishte bërë rrafsh me tokë. Por isha gabim, dukej sikurse mos t’i kishte ndodhur asgjë. Dukej, sikurse duket sot, me asnjë tullë më pak.

Duke e marrë parasysh faktin që kisha u ndërtua në hapësirën e Kampusit të Universitetit, në hapësirën që duhej të ishte në shfrytëzim të dhjetëra mijëra studentëve, shumë rregullisht ngrenë zërin që kisha duhet të rrënohet.

Unë nuk jam përkrahëse e kësaj ideje, për arsye se mendoj që objekti i shërben kujtesës kolektive. Nuk e besoj që historia duhet të bëhet me storie selektive, të marrim atë që na pëlqen dhe ta zhdukim/fshehim atë që nuk na pëlqen apo konvenon. Kisha Ortodokse është aty, është ndërtuar në kohën e regjimit të Millosheviqit, fakt të cilin askush nuk mund ta mohojë, deshëm ne apo jo. është pjesë e historisë. Kisha Ortodokse tregon më së miri se si është trajtuar Kampusi i Universitetit në atë kohë, tregon për uzurpimin e jashtëligjshëm të hapësirës publike. Mendësia e rrënimeve apo zhdukjes së ngjarjeve të historisë nuk i kontribuon pasqyrimit të së vërtetës, e as faktimit të saj. Nëse vazhdojmë me logjikën e rrënimit, do të duhej të rrënohej edhe hapësira që shfrytëzohet nga Fakulteti I Arteve, sepse edhe ajo është pjesë e Kishës Ortodokse.

Poashtu, e kundërshtoj logjikën që historinë e shkruajnë vetëm fituesit. Ajo nuk mund të quhet histori sepse nuk mbështetet në parametra shkencor; është thjeshtë një përrallë e bukur që u shërben politikave të pushtetit dhe atë që ne duam ta besojmë.

Në gjithë botën, nuk është e pazakontë që një sistem i ri politik të targetojë monumentet dhe zonat historike e sistemit të mëparshëm. Këto veprime shfaqin papjekurinë e shoqërisë që nuk është e gatshme ta përballoj të kaluarën. Në vend se të mësojë historinë, politikanët dhe qytetarët tentojnë të harrojnë, betonojnë, rrënojnë, ose fabrikojnë atë. Tentim rrënimi i përmendores së “Bashkim-Vllaznimit” është rast i ngjashëm. Argumenti im, nuk duhet të shihet si kundërshtim për monumentet dhe kujtesën për ngjarjet e dhimbshme të luftës. Mirëpo historia duhet të shihet dhe përshkruhet nga të gjitha anët dhe këndvështrimet. Kjo do t’i kontribuonte pluralitetit të shoqërisë, ku gjeneratat e reja do ta kishin më të lehtë ta përfytyronin të kaluarën, rrjedhimisht do të pengonte manipulimin e mundshëm me ngjarjet e së kaluarës.

Në Kosovë, sikurse në shtete tjera të rajonit, temat e tilla përdoren për manipulime politike nga parti dhe individ për të ndikuar në gjeneratat e reja që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të kaluarën, duke mos kontribuar në përmirësimin e jetës së njerëzve.

Ta zëmë që kisha do të rrënohet. Çfarë ndryshimesh pozitive do të sillte në shoqëri? A do të sillte paqe të qëndrueshme? Fitore të shqiptarëve ndaj serbëve? Hapësirë më të madhe të Universitetit? Dënim të të akuzuarve për krime lufte? A do të rriste punësimin e të rinjve? A do të definoheshin kufijtë e Kosovës?

Unë, gjithashtu jam kundër objekteve fetare në hapësirën e Universitetit të Prishtinë, pra nuk e përkrahi as idenë e ri-funksionalizimit të kishës si shtëpi të zotit. Meqenëse kisha ortodokse është aty, ideja më e mirë do të ishte shfrytëzimi I hapësirave të saja për të pasqyruar politikat e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, luftën, vrasjen e mijërave civilëve nga komunitetet e ndryshme, zhvendosjen e komunitetit serb nga Kosova dhe ndarja etnike e Kosovës.

Nisur nga fakti se librat shkollor nuk e pasqyrojnë të kaluarën e afërt dhe nga mungesa e memorializimit të saj, Qeveria e Kosovës do të duhej ta kthente këtë objekt në muze historik që do të shfaqte një histori më gjithëpërfshirëse sa i përket komuniteteve të ndryshme të Kosovës. Një muze i tillë do të kontribuonte në ndërtimin e tolerancës mes komuniteteve. Shoqëria kosovare do të pasurohej me një institucion kulturor e shkencor si dhe me informata afatgjata mbi historinë e saj.

 

*Teuta Hoxha është ushtruese e detyrës së Drejtores së Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.