Kim Mehmeti. Foto: Kallxo.com

Kim Mehmeti për dekoratat ‘me thes’ në Kosovë: Mbulesë për injorancën e atyre që i japin

Të dekorohesh me medalje të larta shtetërore në Kosovë nuk po del të jetë shumë e vështirë.

Presidenti dhe Kryeministri Ramush Haradinaj së fundi kanë “lëshuar dorën” dhe po dekorojnë njerëz të profesioneve të ndryshme e për kontribute të ndryshme.

Sot gjatë ditës, kryeministri Ramush Haradinaj dekoroi këngëtarin dhe deputetin Labinot Tahiri me medaljen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, për siç tha Kryeministri, punën e tij si deputet dhe humanist.

Poashtu, sot gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci nga Tirana shpërndau dekorata të shumta për personalitetet e akademisë dhe politikës shqiptare nën arsyetimin e kontributit për lirinë e Kosovës.

Analisti nga Shkupi, Kim Mehmeti, në një bisedë për KALLXO.com ka folur për fenomenin e dhënies së dekoratave.

Për Mehmetin, dekoratat në Kosovë po jepen jo për meritat e personave që po i marrin ato dekorata, por për mbulimin e injorancës së dhënësit të dekoratës.

“Dekoratat kryesisht nuk shprehin meritat e të dekoruarve, por shërbejnë si mbulesë për injorancën e dhënësit të tyre. Pra, duke iu frikësuar të vërtetës për pavlefshmërinë e vet, në të shpeshtën e rasteve, burrështetasit tanë i dekorojnë të ngjashmit me vetveten”, tha Mehmeti për KALLXO.com.

Sipas tij, në shoqërinë shqiptare janë rrënuar standardet vlerësuese dhe janë shlyer kufijtë mes të vlefshmes dhe të pavlefshmes.

Kim Mehmeti. Foto: Kallxo.com

“Në shoqëritë shqiptare prej moti, dhe jo pa qëllim, edhe bardi, edhe i pafytyri, edhe i ndershmi edhe hajduti…, qëndrojnë në të njëjtën rrafsh, kështu që u barazuam të gjithë me të gjitha. Me çka edhe ndodhë që gomarit t’i vihen këmbore e shalë, e kalit kapistër e samarë. Dhe kjo të mos i bëjë përshtypje askujt”, thotë Mehmeti.

“Është  bë e turpshme, e jo diçka mburrëse, të marrësh dekoratë nga disa dekoratëdhënës tanë”, thotë ai.

Mehmeti kështu e shpjegon dhënien e medaljes së heroit të kombit Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, deputeto-këngëtarit, Labinot Tahiri.

“Te ne dekorata u ndahen atyre që u këndojnë rapsodi burrështetasve tanë, e që besojnë se madhështia e tyre është proporcionale me këngët që u këndohen me çifteli me dy tela”, thotë Mehmeti.

Ai tregon se në shoqëritë e shëndosha ka standarde tjera për dhënie të dekoratave të larta shtetërore.

Mehmeti shpjegon se në dhënësit e dekoratave në shoqëritë e shëndosha, i ndajnë ato duke u kujdesur që çmimi (dekorata) të jetë në proporcion me vlerësimin që e kanë edhe qytetarët për të dekoruarit në këtë rast.

“Dekoratat jepen në shenjë mirënjohje për të mirat që individët apo grupet kanë bërë për popullin e shtetin, e jo si te ne, ku shpërblehen kryesisht njerëzit që, për shembull, kanë ndihmuar injorantin të bëhet burrështetas”, thotë tutje ai.

Mehmeti është kthyer të flet edhe për dekorimet që presidenti Thaçi i bëri në 10 vjetorin e Pavarësisë.

Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Ai përmend medaljet presidenciale që presidenti i kishte ndarë për, siç thotë Kim Mehmeti, “simpatizanët e Thaçit në Maqedoni”.

“E patë çka bëri Presidenti i Kosovës para një viti: Mori një thes me dekorata dhe ua shpërndau ‘simpatizantëve’ të vet nga Maqedonia, kështu që, mos ishin ato dekorata, ne shqiptarët e këtushëm, as që do e dinim se disa nga të dekoruarit jetojnë mes nesh, e lë ma për veprimtarinë e tyre kombëtare!?”, thotë tutje Mehmeti duke e përmendur edhe “thesin” e ditës së sotme që Thaçi e shpërndau në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë.

“Tani e ka mbushur thesin tjetër dhe ka shkuar në Tiranë, që edhe atje t’i dekorojë të gjithë anëtarët e klubit – ‘Miqtë e dhe simpatizantët e Presidentit të Kosovës’”, shprehet Mehmeti.

Mirëpo, Mehmeti nuk shprehet i habitur me këto akte shtetërore.

Sipas tij, shqiptarët janë duke jetuar në kohën e vlerave, heronjve e patriotëve të rrejshëm.

“Nuk duhet harruar se jetojmë në kohë të vlerave të rrejshme, të heronjve e patriotëve të rrejshëm…, në kohë kur të gjithë nguten të shkruajnë biografitë e tyre të rrejshme, të dekorojnë e të dekorohen edhe për hajdutërinë e tyre, duke harruar se e rrejshmja ka afat përdorimi vetëm për aq kohë sa atë mund ta mbrojë gënjeshtari i pushtetshëm apo i pasur”, thotë ai.

Presidenti Hashim Thaçi gjatë ceremonisë së ndarjes së dekoratave në Tiranë.

Mehmeti thotë se e vlerëson veprimtarinë e çdokujt, mirëpo shton se askush nuk mund të dekorohet për një punë të cilën paguhet që ta bëjë.

“E çmoj veprimtarinë e çdokujt. Nuk e mbajë veten për ‘peshore’ te saktë që mund t’i matë vlerat e të tjerëve. Por e di se askush nuk mund të dekorohet për atë që paguhet ta bëjë, apo për diçka që quhet mirësi e rëndomtë njerëzore”, thotë ai.

Kryeministri Haradinaj, e dekoroi sot deputetin Labinot Tahiri. Në lajëmrimin e urimit, kishte shkruar se medalja po i dhurohet për shkak të punës së tij si deputet, e bamiërs.

“Neve është duke na mbuluar ‘tallava’ arsimimi, ‘tallava’ gazetaria, ‘tallava’ politika…, me çka s’ka si mos kemi edhe ‘tallava’ dekorata dhe burrështetas të cilët duan t’u takojë edhe lavdia edhe hajnia”, thotë në fund Kim Mehmeti.