Kërkohet Shkarkimi i Gjukajt

(E plotësuar)

Shefi ekzekutiv i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës Arben Gjukaj mund të shkarkohet shumë shpejt, pasi këtë e kërkoi  Komisioni i Ministrave për Ndërmarrje Publike.

Kërkesën për shkarkim të Gjukajt e publikoi përmes një komunikate Ministria e Zhvillimit Ekonomik, derisa të premtën po mbahej në Kuvend një debat lidhur me faturat e fryra të KEK-ut për muajin janar.

Gjatë këtij debati në Kuvend, deputetët opozitarë nuk u mjaftuan vetëm me shkarkimin e Gjukajt, por kërkuan që përgjegjësia të kapë edhe rangje më të larta të pushtetit ekzekutiv.

Debatin në Kuvend e inicoi Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa e miratoi Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e së enjtes.

Më shumë se dorëheqjen e Arben Gjukës, kërkuan edhe Grupi i Qytetarëve të Organizuar, gjatë protestës së gjashtë të së mërkurës, kur ngritën kërkesat nga ato që lidheshin me KEK-un, në të tjera që kërkonin edhe shkarkim ministrash.

Në protestat e para dy ditëve kundër korrupsionit mori pjesë edhe aktorja kosovare me famë ndërkombëtare, Arta Dobroshi.

Atë ditë u kërkuan edhe dorëheqjet e ministrit të Zhvillimit Ekonomik Besim Beqajt dhe atij të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepit.

Komisioni i Ministrave për Ndërmarrje Publike në një mbledhje të jashtëzakonshme, pasi shqyrtoi një raport të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për pakënaqësitë e konsumatorëve me faturat e janarit, kërkoi nga trupi që rregullon energjinë në Kosovë marrjen e masave në KEK, për shkak se gabimet e lëshuara dhe situata e krijuar pas tyre mund të menaxhoheshin më mirë-thuhet më tutje në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Në komunikatë konstatohet se nga analiza e ankesave të qytetarëve me faturat është vërejtur se disave prej tyre në faturat e janarit u eshte përshkruar edhe një pjesë e energjisë së harxhuar për  muajin dhjetor.

Kërkesa institucionale për shkarkimin e Gjukajt nuk u bëri përshtypje as zyrtarëve të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

KOSID-i i kërkoi Kuvendit dhe Qeverisë shkarkimin e Besim Beqajt përmes një komunikate të lëshuar të premten pasdite, pasi ministri i Zhvillimit Ekonomik zbaton politika të gabuara qeveritare në fushën e energjisë.

Pas faturave të janarit, që nga muaji shkurt punëtorët  KEK-ut nuk janë pritur mirë nga qytetarët kur kanë dalë për të kryer punë në terren, sidomos në distriktin e Prishtinës.

Zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti tha për Gazetën Jeta në Kosovë se në policinë e rajonit të Prishtinës është raportuar për një rast sulmi ndaj punëtorit të KEK-ut, derisa policia e Prishtinës, pas aferës së fryrjes së faturave ka asistuar në katër raste punëtorët e korporatës.

Të dielën e kaluar Instituti GAP dhe rrjeti i organizatave joqeveritare FIQ kanë paralajmëruar edhe mundësinë e trazirave sociale në Kosovë, nëse çmimi i rrymës vazhdon të ngrihet.