Esad Lanxho në film

Kërkesa për Falje e një Krimineli Lufte

Esad Lanxho është njeriu i trazuar në qendër të filmit të ri të regjisorit danez Lars Feldballe-Petersen “The Unforgiven” – një dokumentar mbi pendimin, faljen dhe dëshirën për të shlyer mëkatet e kaluara.

Lanxho, i cili bëri dhjetë vjet burg nga një dënim prej 15 vitesh burg për krime lufte, tha për BIRN se ai mori pjesë në film në mënyrë që të kërkojë ndjesë për atë që ai u bëri të tjerëve gjatë luftës.

“Në film dola si një person që dëshiron t’i kërkojë falje një personi tjetër për gjërat e liga që kam bërë,” shpjegoi Lanxho.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e dënoi atë për krime lufte gjatë kohës që ai ishte roje në kampin e burgimit të Celebicit në komunën e Konjicit në vitin 1992 – krime që ishin “të paramenduara, të egra dhe brutale”, tha gjykata.

Ai u shpall fajtor për shkelje të rënda të Konventave të Gjenevës dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës në kamp, ku “të ndaluar u vranë, torturuan, sulmuan seksualisht, rrahën dhe iu nënshtruan trajtimit mizor dhe çnjerëzor”, sipas gjykatës .

Lanxho tha se pasi u lirua nga burgu, ai ndjeu nevojën të takonte disa nga viktimat dhe t’i kërkonte ndjesë atyre që të mund të fillonte të ndërtonte një jetë të re – edhe pse, shtoi ai, një pjesë e tij kurrë nuk do të jetë në gjendje të gjejë paqe.

Regjisori Feldballe-Petersen tha se pa një ndjenjë të madhe faji te Lanxho.

“Ai doli nga burgu pasi kreu dënimin e tij, por kisha përshtypjen se kjo nuk ishte mjaftueshëm për të. Ai ende ndiente faj,” shpjegoi Feldballe-Petersen.

“Mendova me vete – a mundet Esadi ta kapërcejë ndjenjën e tij të fajit dhe ta falë veten? Me kalimin e viteve, Esadi e ka kuptuar se ndoshta e vetmja mundësi që ai ta mbyllte këtë kapitull do të ishte të kthehej në Bosnjë, t’u thoshte njerëzve se ajo që ai bëri ishte e gabuar dhe t’u kërkonte atyre ndjesë,” shtoi regjisori.

Lanxho, i cili ishte 18 vjeç në fillim të luftës, kur u kryen krimet e tij, tha se e pati shumë të vështirë të përballej me viktimat dhe priste që ata të mos ishin në gjendje ta falnin atë për atë që ai u kishte bërë.

Ai tha gjithashtu se një tjetër nga arsyet për pjesëmarrjen e tij në film ishte sepse e vërteta nuk ishte përcaktuar si duhet gjatë gjyqit të tij në Hagë, pasi prokurorët “e ekzagjeruan” dhe mbrojtja “minimizoi gjithçka”.

“Kur vjen puna te drejtësia, nuk mendoj se ndonjë nga gjyqet e zhvilluara para Gjykatës së Hagës është i drejtë,” tha ai.

Megjithatë, vazhdoi ai, ai ndjeu se mësoi shumë nga vetë gjyqi i tij.

“Përsa më takon mua, gjyqi në Hagë ndihmoi në kuptimin se zbulova se kush isha. Zbulova disa gjëra për veten që s’do të mund t’i kisha zbuluar nëse do të kisha ndenjur në Bosnjë,” shpjegoi ai.

“Nuk do t’i kisha pranuar faktet që pranova pas vetë gjyqit, përfshirë faktin që jam fajtor,” tha ai.

Pendim dhe turp

“The Unforgiven” është një nga disa filma që shfaqen në Festivalin e Filmit të Sarajevës këtë muaj që trajton çështje që kanë lidhje me luftën.

Ndër ta është gjithashtu “Bijeli Put” (“Rruga e Bardhë”), një dokumentar me regji të regjisorit kroat të Bosnjës Zdenko Jurilj, mbi një operacion humanitar në Bosnjën qendrore gjatë konfliktit midis Ushtrisë Boshnjake dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes .

“Filmi flet për luftën, por është tërësisht një film kundër luftës,” shpjegoi Jurilj.

“Në këtë film nuk merremi me djemtë e mirë dhe të këqij, por me punonjës specifik humanitar që ofruan jetët e tyre për të shpëtuar jetën e njerëzve të tjerë,” tha ai.

Ai shtoi se donte të përcillte mesazhin se është e mundur të mbetemi njerëzor “në kohë kur ndodhin gjëra të këqija”.

Ndërsa Landzo, pasi ai vuajti dënimin e tij në Finlandën, ai ka vazhduar të jetojë këtu.

Ai tha se nuk e kishte menduar kurrë të kthehej në Bosnjë dhe Hercegovinë sepse “nuk ka jetë” në atdheun e tij për njerëzit me një të kaluar si e tij.

Landzo këmbënguli se atij s’do t’i vijë kurrë turp për faktin që ka qenë pjesë e Ushtrisë Boshnjake dhe mbrojti vendin, por se atij i vjen turp për atë që ai bëri në kampin e burgimit në Celebici.

Ai theksoi se ishte shumë e rëndësishme për të që njerëzit që shohin filmin të kuptojnë se dikush mund të kërkojë falje edhe pa pritur gjë në këmbim.

“Thjesht shpresoj se njerëzit do të mund të shohin se s’ka asgjë të gabuar apo të keqe t’i shtrish dorën njëri-tjetrit dhe të kërkosh falje për gjërat që bëmë gabim,” tha ai.

Festivali i Filmit në Sarajevë këtë vit zhvillohet nga 11 deri më 18 gusht.