Një hartë imagjinare e Ballkanit nga i ashtuquajturi "Shteti Islamik" | Foto: Facebook

Keqkuptimet e Kosovës ndaj ‘Islamit Radikal’ Mbeten pa Përgjigje

Që nga publikimi i saj në shtator të vitit të shkuar, qeveria e Kosovës nuk ka arritur të adresojë një sërë mangësish në Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm, 2015-2020.

Përveç disa pasaktësive dhe ambiguiteteve, në përmbajtjen e dokumentit është vërejtur të paktën një paragraf që mund të përbëjë rast plagjiature.

Ndërkaq, zyrtarët përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e këtij dokumenti, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë për rastet në diskutim.

Qeveria e Kosovës njoftoi në mars të këtij viti formimin e grupit të punës për hartimin e strategjisë kundër parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa në shtator u miratua varianti i saj zyrtar.

Strategjia përmban propozime që përfshijnë masa jashtë institucioneve të zbatimit të ligjit për të trajtuar radikalizmin, përfshirë edukimin fetar dhe fushatat e ndërgjegjësimit, duke renditur ndër dobësitë kryesore edhe problemet me arsimin dhe papunësinë e lartë.

Por, një nga problemet e strategjisë ka të bëjë me aventurizmin e saj në klasifikimin e rrymave fetare brenda Islamit sunit. Sipas strategjisë, me një gjuhë alarmante thuhet se shkolla selefiste përbën rrezik sa i takon radikalizimit, praktikisht duke e barazuar këtë doktrinë me ekstremizmin e dhunshëm.

“Ekstremistët kanë për qëllim zbatimin e fesë në bazë të rregullave dhe ligjeve strikte sipas pikëpamjes së tyre të Sheriatit si dhe shpalljen e Kalifaiti [Kalifatit] si synim final. Ata me këtë rrezikojnë që të zhdukin mësimet fetare tradicionale jashtëzakonisht tolerante dhe racionale të Methhebit– Hanefi dhe t’i zëvendësojnë ato me mësime tepër ekstreme e irracionale të doktrinës Selefiste.”

Së pari, “Methheb” do të thotë doktrinë apo shkollë mendimi në arabisht, ndaj “të Methhebit–Hanefi”, do të thotë “të doktrinës/shkollës Hanefite”, të quajtur kështu sipas emrit të një prej teologëve kryesorë të islamit, Ebu Hanife, i cili jetoi rreth viteve 700.

Nga ana tjetër, sikurse në rastin e doktrinës Hanefite, nuk ekziston asnjë burim zyrtar sipas të cilit metodologjia Selefite (selefizmi nuk është doktrinë apo shkollë mendimi) promovon ekstremizmin e dhunshëm. Madje, Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se praktikantë të kësaj rryme konservatore në Kosovë, kanë botuar dhe shpërndarë libra që dënojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin që prej vitit 2004.

Për më tepër, vlerësimi i mësimeve fetare si “racionale” apo “irracionale”, nuk janë objekt i strategjive zyrtare. Të përdorura pa argumente mbështetëse, përcaktime të tilla janë subjektive.

Keqkuptimet mbi shkollat e metodologjitë kryesore brenda islamit, duke i ndarë ato në të ‘moderuara dhe paqësore’ apo ‘radikale dhe të rrezikshme’, ndodhin shpesh në mungesë të përfshirjes së ekspertëve dhe teologëve relevantë.

Për shembull, Hanefizmi militant figuron si doktrina bazë e talebanëve që nga fillimi i kësaj lëvizjeje (ndonëse kjo shkollë mendimi nuk e mbështet ekstemizmin e dhunshëm), dhe më vonë gjatë viteve 2000 është pasuruar edhe me mësime më të ashpra nga rryma Deobandiste, e cila ka origjinën në Pakistan.

Ndërsa një pjesë e luftëtarëve të ISIS e identifikojnë veten si selefë, ndonëse edhe kjo metodologji nuk e mbështet ekstemizmin e dhunshëm, duke u përcaktuar më shumë si Takfiristë.

Edon Myftari, i cili kryesoi grupin e punës për hartimin e kësaj strategjie, ishte i paarritshëm përmes emailit. Myftari, që më parë mbante postin e këshilltarit për sigurinë të Kryeministrit Isa Mustafa, nuk punon më në qeverinë e Kosovës.

Gjithashtu, Zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigj të njëjtave pyetje të redaksisë sesi ishte arritur në këtë klasifikim të rrymave fetare dhe nëse në hartimin e strategjisë ishin përfshirë teologë relevantë dhe ekspertë me përvojë në çështjen e ekstremizmit të dhunshëm.

Plagjiaturë nga Wikipedia?

Përkundër klasifikimit të mësimeve “tepër ekstreme e irracionale të doktrinës Selefiste”, në të njëjtin dokument të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, gjendet një përcaktim shumë më i butë për selefët.

“Selefi, Selefizëm: përshkruan një person, grup apo besimin brenda Islamit që përqendrohet në imitimin e gjeneratave të hershme të myslimanëve (“Selefët”) dhe restaurimin e fesë të pastër. Shumica e selefive nuk janë të dhunshëm, dhe shumica i shmangen angazhimit politik të çdo lloji, ndërsa, disa janë politikisht aktiv. Një pakicë e selefive janë ekstremistë të dhunshëm apo xhihadistë”, thuhet në strategji [kliko këtu për variantin shqip dhe këtu për variantin anglisht të strategjisë].

Ky paragraf ndonëse i rifrazuar, është në thelb identik me një përshkrim nga Wikipedia, e cila si rregull nuk konsiderohet burim i besueshëm për t’u përfshirë në punime të ndryshme apo në artikuj gazetarie.

Paragrafi nga Wikipedia i përkthyer në shqip: “Lëvizja [Selefite] shpesh ndahet në tre kategori: grupi më i madh janë puristët (të papërfshirët), të cilët i shmangen politikës; grupi i dytë janë aktivistët, të cilët përfshihen në politikë; dhe grupi më i vogël janë xhihadistët, të cilët formojnë një pakicë të vogël”, thuhet në artikullin e Wikipedia.

Vetë artikulli i Wikipedia paraqet probleme sepse lexuesit kanë sugjeruar që të bëhet dallimi mes dy formave të Selefizmit, atij modern me pikënisje Egjiptin, si rrymë fetare me karakter politik e ndikuar nga kolonializmi perëndimor, apo atë të Arabisë Saudite, të frymëzuar nga mësimet e Muhamed Abdul Vahabit për rikthim në traditën ekzakte të myslimanëve të parë.

Zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjeve për ngjashmëritë thelbësore mes dy paragrafëve – përkatësisht në strategjinë e Kosovës dhe në Wikipedia – duke pamundësuar të kuptohet se si apo kush e ka përfshirë këtë përcaktim në dokumentin zyrtar kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Sa për krahasim, termi “Selefizëm”, apo cekje të përgjithshme të rrymave fetare, nuk bëjnë pjesë në strategjinë e Shqipërisë për ekstremizmin e dhunshëm [kliko këtu për dokumentin].

Gjithashtu, strategjia e Kosovës përmban edhe disa dallime të veçanta sa i takon përcaktimeve mes terroristëve dhe ekstremistëve të dhunshëm.

“Terrorizmi: përdorimi i dhunës me qëllim të shkaktimit të terrorit mbi popullsinë civile. Terrorizmi është një lloj i veçantë i ekstremizmit të dhunshëm. Ekstremizmi i dhunshëm: Ekstremizmi që përvetëson përdorimin e dhunës; përfshin, por nuk kufizohet vetëm në terrorizëm. Për shembull, ekstremistët e dhunshëm që sulmojnë pjesëtarët e policisë ose të ushtrisë, ose që marrin pjesë në luftime, zakonisht nuk janë terroristë”, thuhet në strategji.

Është e paqartë nëse me këto përcaktime do të pajtoheshin vetë strukturat brenda qeverisë së Kosovës, përfshi Ministrinë e Brendshme, apo mbështetësit tradicionalë të Kosovës në luftën kundër terrorizmit, siç janë SHBA-të, duke qenë se sulmet ndaj ushtrisë apo policisë për arsye ideologjike – fetare apo laike – në shumicën e rasteve konsiderohen si sulme terroriste.

Gjithshtu, asnjë nga të akuzuarit dhe të dënuarit për vepra që lidhen me terrorizmin në Kosovë nuk është gjykuar për krime ndaj civilëve (çka e bën dikë të jetë terrorist sipas strategjisë) por kryesisht sepse kanë psur të bëjnë me organizata terroriste dhe aktivitete përkatëse (çka i bën ata thjesht ekstremistë të dhunshëm sipas strategjisë). Si e tillë, kjo pikë e strategjisë ka një mospajtim themelor me ligjet e Kosovës.

Dyshime mbi aftësitë zbatuese

Strategjia kundër ekstremizmit të Kosovës ka marrë vlerësime të përziera nga ekspertë të ndryshëm.

Shpend Kursani, autor i një hulumtimi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak, kishte shprehur më parë për Gazetën Jeta në Kosovë, dyshimet e tij për aftësitë e qeverisë në zbatimin e kësaj strategjie.

“Nuk kam shumë shpresa që ky plan i qeverisë do të funksionojë sepse ende nuk e kanë kuptuar problemin si duhet, dhe nga sa i kam përcjellë, kanë një qasje shumë sipërfaqësore në diskutimet që bëjnë, duke i ndarë praktikantët në ata me mjekra dhe ata pa mjekra, dhe duke ia lënë fajin kryesisht fesë, a thua se Islami ka lindur në 11 shtator”, tha Kursani.

Kosova është me gjasa vendi me numrin më të lartë në Evropë të të aktakuzave që lidhen me terrorizmin, me afër 120 arrestime dhe gati 60 individë që po gjykohen apo janë shpallur fajtorë për krime që përfshijnë: rekrutim për terrorizëm, lehtësim dhe mbështetje të veprave terroriste, organizim dhe pjesëmarrje në organizata terroriste dhe armëmbajtje pa leje.

Rreth 40 nga këta të dyshuar akuzohen se u janë bashkuar ISIS-it dhe Al Nusra në Siri dhe Irak gjatë viteve 2013 dhe 2014.

Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, kryesuesi i grupit të punës për strategjinë e Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm, Edon Myftari, tha se vendi ishte i përgatitur nga rrafshi ligjor për t’u përballur me sfidën e ekstremizmit të dhunshëm.

“Ne si Kosovë, si shtet, këto ligje dhe strategji na bëjnë shumë të përgatitur në raport me rajonin që të përballemi me ketë fenomen dhe këtë sfidë globale mund të them”, tha Myftari.

Kosova miratoi reforma ligjore në mars të vitit 2015, të cilat e bënë në shumicën e rasteve luftimin në konflikte të huaja një vepër penale që dënohet deri në 15 vite burg.

Por, duke qenë se shumica e të dyshuarve që janë aktualisht në gjyq akuzohen se kanë luftuar në Siri dhe Irak në vitin 2013 ose 2014, ata nuk mund të gjykohen sipas legjislacionit të ri. Rrjedhimisht, ata janë akuzuar sipas ligjeve të vjetra kundër terrorizmit.

Gazeta jeta në Kosovë ka zbuluar se disa aktakuza apo aktgjykime janë të pambështetura mbi prova konkrete, dhe se shumë nga të akuzuarit janë gjykuar apo shpallur fajtorë, shpesh mbi një deklaratë të vetme apo mbi rrethana dytësore, si ajo e një udhëtimi në Stamboll.

Gjithashtu, ka pasur raste të dokumentuara të fabrikimit të organizatave terroriste fantazmë nga Prokuroria Speciale dhe dënimit të të akuzuarve mbi të njëjtat trillime nga gjykatat në Kosovë.

Nga ana tjetër, Skënder Perteshi, hulumtues dhe oficer i projekteve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, ka paralajmëruar se masa konkrete ç’radikalizimi janë të domosdoshme për trajtimin e luftëtarëve të kthyer apo të ekstremistëve të tjerë.

“Ky është një problem i vërtetë. Nevojitet një plan konkret për t’u përballur me luftëtarët e kthyer. Burgu nuk është një zgjidhje universale për këtë problem dhe në disa raste kjo mund të rezultojë të jetë edhe kundër-produktive”, ka thënë Perteshi.