Termocentrali ‘Kosova A’ . Foto: kallxo.com

KEK-u Eliminoi Kundërligjshëm Ofertën më të Lirë

Gjykata e Tenderëve ka konstatuar se KEK-u kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), pasi eliminoi nga gara operatorin ekonomik që i plotësonte kërkesat e paraqitura në dosjen e tenderit dhe njëkohësisht kishte dorëzuar ofertën më të lirë.

KEK-u me datën 21 dhjetor 2016 e kishte rekomanduar për kontratë dy vjeçare kompaninë “Ar-Tech & Izovent” e cila kishte ofertuar për 113 mijë euro. Kundër këtij vendimi ishte ankuar kompania “Intering”, e cila pretendonte që ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme. OSHP-ja e ka miratuar ankesën e kompanisë “Intering” si të bazuar.

“Anulohet vendimi i Korporatës Energjetike të Kosovës për dhënie te kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Riparimi, Liferimi dhe Montimi i Termoizolimit’… dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

KEK-u e ka respektuar vendimin e Gjykatës së Tenderëve dhe e ka anuluar dhënien e kontratës për konzorciumin “Ar-Tech & Izovent”.

Paneli i OShP-së i kishte dhënë arsyet e anulimit të vendimit të KEK-ut.

“Paneli shqyrtues konstaton se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i ofertave nuk është bërë konform nenit 59 të LPP-së, duke cenuar edhe nenin 1 të LPP-së, pasi nuk është marrë parasysh qëllimi i Ligjit për Prokurim Publik e që është sigurimi i mënyrës efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike,” thuhet në vendim.

Paneli konstaton se KEK-u duhet të sigurohen që fondet publike përdoren në mënyrë ekonomike.

“Paneli shqyrtues konstaton se është eliminuar operatori ekonomik ankues i cili pas sqarimeve shtesë dhe plotësimeve që janë bërë konform nenit 72 të LPP-së, rezulton që i plotëson të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit dhe duke ofertuar me çmim më të lirë se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë”, thuhet tutje në vendim.

Përfaqësuesi i operatorit “Intering” ka treguar para panelit kërkesën për sqarimin që autoriteti kontraktues KEK për pikën kontestuese ka thënë se bazuar në ligjin e prokurimit, KEK-u ka kërkuar nga ta dokumente dhe sqarime shtesë rreth certifikatave të prodhueseve.

“Ne si operatorë me kohë kemi kthyer përgjigje dhe shumë qartë dhe të kuptueshme si vijon”, citohet përfaqësuesi i kompanisë “Intering” në vendimin e OShP-së. Ai ka thënë se të gjitha certifikatat ia kanë dërguar KEK-ut, mirëpo sipas tij ka pasur keqkuptime sa i përket kompanisë “Tacke Lindeman”, që sipas tij ka qenë vetëm furnizues dhe rrjedhimisht nuk ka certifikatë të ISO-s.

“Është e vetmja pikë kontestuese. OE kur ka përmendur emrat dhe ka përmendur katër prodhues ku i ka bashkangjitur katër certifikatat ISO te prodhuesve. Ne këtë listë të të katërve ka mbetur edhe emri i shpërndarësit ‘Tacke Lindeman’ dhe sqarimi është shumë i plotë se ‘Tacke Lindeman’ është shpërndarës joprodhues dhe gjitha kërkesat e dosjes përmbushen nga katër prodhuesit tjerë”, sqaroi ai.

Por, KEK-u sqarimin e dhënë nga kompania “Intering” e mori me rezervë duke konstatuar se e njëjta mund të jetë mashtrim.

“Në rastin tonë a është e gabueshme apo mashtruese nuk e di, mirëpo faktet janë në letra”, citohet përfaqësuesi i KEK-ut në vendimin e OSHP-së.

Eksperti shqyrtues i OSHP-së e ka kundërshtuar KEK-un.

“Operatori Ekonomik ‘Intering’ ka plotësuar certifikatat dhe ka ofruar sipas kriterit të AK-së pika 9.1 dhe 9.2. Unë e kam cekë edhe te sqarimi nr 3 se OE ankues ‘Intering’ ka një bashkëpunim me kompaninë ‘Tacke Lindeman’ dhe për faktin ka sjellë dëshmi me certifikata ISO të këtyre kompanive dhe mendoj se OE ka plotësuar këtë kriter me certifikata ISO dhe ka qenë më i lirë”, ka thënë eksperti shqyrtues.