Katër R-të

Parulla për menaxhimin e mbeturinave zakonisht është shpjeguar me tre R – reduktimi, ripërdorimi dhe riciklimi. Atyre unë do të dëshiroja t’ua shtoj një R tjetër – riparimin. Është e gabueshme të gjuhet diçka dhe të blihet diçka tjetër si zëvendësim nëse me pak meremetim do të kurseheshin krejt shpenzimet në energji dhe të holla.

Në Kosovë, çmimet për riparim janë të mundshme për veshmbathje, këpucë, kompjuterë dhe më shumë. Gjithashtu, meremetimi i diçkaje prej një mjeshtri të Kosovës nënkupton përkrahje për ekonominë e Kosovës në vend se të përkrahet ekonomia e Kinës ose ndonjë shteti tjetër nga mund të vijnë çizmet ose MacBook që doni t’i zëvendësoni.

Ka diçka të shërueshme kur merr këpucët e vjetra te këpucëtari të përkunden; pothuajse është si me pas një pedikyr. Çizmet dhe këpucët mund të riparohen në disa vende në qytet – një dyqan në qendër që është më shtrenjtë, në rrugën UÇK, afër ish-ndërtesës së OSBE-së, ose biznesi te shkallët (kërko shenjën e pikturuar në mur) te Agim Ramadani, ose kioska afër selisë së AAK-së, në rrugën kryesore te rrethi ku është Hotel Baci (pra pranë Ulpianës). Dërgo këpucët në një nga këto vende dhe për disa euro ato do të jenë si të reja, dhe kurseni krejt harxhimet e panevojshme në prodhimin dhe transportin e një pale të re të panevojshme.

Prishtina është edhe ma e mirë sa i përket mundësive për rrobaqepësi për riparime ose meremetime të rrobave. Më shumë ka biznese të tilla në rrugë për ambasadën zvicerane, por gjithashtu ka rrobaqepës në rrugën Agim Ramadani, afër tregut të Ulpianës, pastaj afër tregut të gjelbër te xhamitë, në Pejton, dhe secilin vend ku mundesh me zënë një makinë të qepjes dhe një grua me vullnet për punë. Riparoji teshat ku janë grisur, rregullo kapëset dhe lidhjet që janë prishur, ose përshtati veshmbathje për vetëm një përqindje të vogël të çmimit që kishe paguar për teshat të reja.

Edhe më shtrenjtë sesa veshmbathjet ose këpucët është blerja e një hardueri të ri për kompjuter. Si dikush me një Apple Mac, unë kam kursyer qindra euro, gjithashtu kam shpëtuar prej dhimbjeve të zemrës kur kam menduar që kam mundur të humbë të dhënat, prej njerëzve të mirë në shitore Molla pranë Kujtesës dhe Hotel Prishtinës.

Të rregullosh shtëpinë vetë është kënaqësi se kursen para, dhe po ashtu je miqësor ndaj planetit. Për materiale, shko në shitoret e mrekullueshme në anën më të larg të tregut kryesor, ku shiten copa të vogla të hekurit dhe çelikut në formë të baskive, varëseve, kapëseve dhe pjesëve të cilave nuk iu di emrat. Mundesh m’i llogaritë ose me ble sipas peshës, si bombonat e vjetër, mandej ato paketohen në konin e ricikluar, prej gazetave të vjetra – bash si gështenjat e nxehta që shiten në Sheshin Nënë Terezë. Nëse ke diçka që ka nevojë për riparim, zakonisht ka dikush në tregun e Prishtinës që mund të ndihmoi me zgjidhjen e problemit – qoftë me dru, hekur, zink ose pe – në vend se të detyrohesh me ble diçka të re.

Dhe kur është kohë që patjetër duhet me ble një zëvendësim për diçka që nuk mund të riparohet më, mirë kishte me qenë të mendosh për diçka që do të zgjasë më shumë edhe/ ose për të cilën do të jetë lehtë me gjetë pjesë për meremetim, në vend se ato këpucë për 5 euro me shuall të kartonit që janë dizajnue për me u harxhue shpejt. Kjo do të jetë më mirë për këmbët e tua, dhe më mirë për gjurmën tënde – të karbonit.

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]