Katër hapa për fuqizimin e Kosovës dhe të diasporës

Diaspora ka potencial, ekspertizë, kapital dhe mundësi për të kontribuar. Kosova i ka ligjet dhe kushtetutën si edhe fuqinë politike që ta kthejë diasporën në gjirin e vet që ta ndihmojë Kosovën drejt suksesit dhe prosperitetit. Ne në diasporë jemi gati - topi është në fushën tuaj.

Kosova po transformohet, diaspora po ashtu po kalon në një fazë të ndryshimeve që duam apo nuk duam ne, do të ketë efekte dhe pasoja në mënyrën se si ecin punët në Kosovë dhe më gjerë.

Kontributi i diasporës kosovare ndër vite tashmë është i njohur, pa marrë parasysh që ky kontribut në disa instanca mbetet i papërfillshëm, prapë se prapë asgjë nuk mund ta zhbëjë faktin se kontributi i diasporës ka qenë vendimtar për shumë vite para çlirimit të vendit dhe shumë vite pas.

Pra, nëse flasim për kontribut konkret dhe koherent diaspora kosovare është investitori numër një i jashtëm në shtetin e Kosovës duke e tejkaluar BE-në, SHBA-të dhe vendet tjera mike.

Megjithatë pyetja që duhet të shtrojmë është se çka i duhet sot Kosovës nga diaspora dhe si do të duhej të kanalizohej ky kontribut i saj në të mirë jo vetëm të vendit por edhe të vet diasporës?

Së pari, diaspora duhet të bëhet pjesë integrale e përfaqësimit politik në shtetndërtimin dhe reformimin e shtetit të Kosovës. Duke marrë parasysh kompozicionin kushtetues të ndarjes së ulëseve në Kuvendin e Kosovës, përmes një amandementimi kushtetues, diasporës duhet t’i rezervohen përafërsisht 15 ulëse në Kuvend.

Një përfaqësim i denjë i zërit të diasporës në Kuvendin e Kosovës është i domosdoshëm për tri arsye:

  1. Institucionalizon çdo veprim aktiv të shqiptarëve në diasporë në të mirë të vendit.
  2. Ndihmon diasporën që të gjejë rrugë më të mira dhe më të lehta për ta bërë të mundur integrimin e gjeneratave të reja.
  3. Përfaqësimi me ulëse të garantuara i ofron diasporës hapje të horizonteve, potencialit investues, arsimimit dhe binjakëzimit të punëve dhe aktiviteteve kulturore, ekonomike dhe sociale në mes të shtetit amë Kosovës dhe diasporës.

Së dyti pjesëmarrje direkte në strukturat ekzekutive udhëheqëse në qeverinë e Kosovës duke i garantuar diasporës tri ulëse në qeveri, kryesisht qeverisjen me dikasteret e ekonomisë, themelimin e Ministrisë për Remitanca dhe Kapitalin e Diasporës, dhe dikasterin për promovimin e Kosovës jashtë.

Së treti, diasporës duhet t’i hapen pozita drejtuese në ushtrinë e ardhshme të Kosovës, sepse pjesëtarët e diasporës duhet të jenë pjesë e shërbimit ushtarak me dëshirën dhe vullnetin e tyre.

Së katërti për çdo ministri strategjike për zhvillimin ekonomik në qeverinë e Kosovës një zëvendës ministër duhet të jetë nga diaspora duke mundësuar kështu që përfaqësuesit e diasporës të konsiderohen si pjesë përbërëse e qeverisjes – vend ku ekspertiza, dituria dhe eksperienca e tyre do të ishte më se e vyer për reformimin dhe zhvillimin e vendit.

Në kuadër të ndërtimit të politikave zhvillimore, diasporës së vendit duhet që me legjislacion të posaçëm t’i krijohen mundësi operimi dhe veprimi me anë të themelimit të një instituti për diasporën. Ky institut joqeveritar por i mbrojtur me ligj për politikat e saja neutrale, do t’i ndihmonte Kosovës në rrugëtimin e reformimit politik dhe ekonomik.

Instituti i diasporës do të shërbente si një lloj think-tanku që si detyrë kryesore do të kishte rekrutimin e njerëzve të duhur dhe meritorë e profesional për të ndihmuar në përfaqësimin politik dhe vendimmarrës më vonë. Instituti do të sponsorizohej nga një përqindje e strukturuar e remitancave vjetore.

Si bazë fillestare veprimi duhet që qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Diasporës të krijojë një grup punues në mes të pjesëtarëve të zgjedhur nga diaspora që kanë bagazh profesional dhe eksperiencë menaxhuese që të hartojnë një politikë veprimi për institucionalizimin e hapave konkret për integrimin e diasporës në vendimmarrje dhe përfaqësim në institucionet e vendit.

Si detyrë e parë e konkretizimit të një plani integrues për diasporën qeveria e Kosovës duhet të emërojë një përfaqësues të remitancave që do të operojë si ministër dhe koordinator në mes të qeverisë dhe përfaqësueseve të diasporës në mënyrë që brenda një afati një vjeçar të bëhet strukturimi i remitancave dhe kapitalit të diasporës që hyn në Kosovë përgjatë vitit financiar 2019-2020.

Kjo strategji kombëtare do të mund të implementohet nëpërmjet të ndihmës dhe bashkëpunimit në mes të qeverisë, bankave komerciale në vend si edhe kompanive të specializuara për transferim të parash, e tëra kjo e përkrahur nga platformat digjitale siç do të mund të ishte për shembull lansimi i një Aplikacion (app) platformë për shërbimet e diasporës.

Remitancat më pastaj do të duhej të konsideroheshin si pjesë e veçantë buxhetore e shtetit të Kosovës. Ky kapital i akumuluar të bëhet pjesë e rezervave të shtetit me një përqindje të konsiderueshme dhe të organizohet për investime kapitale.

Ka ardhur koha që diasporës t’i hapen rrugët që ta ndihmojë vendin të konsolidohet me kuadër dhe eksperienca të vyeshme nga jashtë. Ka ardhë momenti që 40 % e popullsisë së Kosovës që jeton jashtë vendit të ketë hapësirë veprimi. Kjo do të arrihet me implementimin e politikave reformuese dhe amandamentimeve kushtetuese.

Kjo është faza e fundit, kohë kur diaspora kosovare e ka shansin të integrohet në shoqërinë kosovare dhe po ashtu të behët edhe pjesë integruese sociale, ekonomike, dhe kulturore, e vendit.

Diaspora ka potencial, ekspertizë, kapital dhe mundësi për të kontribuar. Kosova i ka ligjet dhe kushtetutën si edhe fuqinë politike që ta kthejë diasporën në gjirin e vet që ta ndihmojë Kosovën drejt suksesit dhe prosperitetit. Ne në diasporë jemi gati – topi është në fushën tuaj.

Emanuel Bajra

Emanuel Bajra është bankier dhe shkrimtar që banon në Londër. Me origjinë gjakovare, ai ka studiuar në University of East London dhe në London School of Economics dhe Open University.

Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve. 

 

11 Tetor 2018 - 13:25

Emanuel Bajra 11/10/2018 - 13:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend