Kapen Hajnat e Veturave

Policia ka arrestuar katër persona për disa vjedhje të veturave, që kanë ndodhur gjatë këtij muaji, në Prishtinë. Ndërkohë dyshohet edhe për pesë persona të tjerë, të jenë të involvuar në këto raste.

Hetuesit policorë të Stacionit Qendra dhe Jugu në Prishtinë, një ditë më herët arrestuan tre persona të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të veturave, ndërsa të premten u arrestua edhe personi i katërt.

“Bazuar në informacionet e mbledhura në rrugë operative, hetuesit policorë kanë ngritur dyshimin se në këto raste mund të jenë të përfshirë edhe pesë persona të tjerë, të cilët janë identifikuar nga ana e policisë dhe momentalisht ndodhen në arrati”, njoftoi policia, nëpërmes një komunikate shtypi.

Veturat, një “Opel Kadet”, katër “Golf 2”, dhe një “Golf 5”, janë vjedhur gjatë muajit nëntor të këtij, në rajonin e përgjegjësisë të Stacionit Jugu dhe Qendra në Prishtinë.

Disa nga veturat janë gjetur pjesërisht të demoluara në fshatrat Lluzhan, Dumosh, Godishtnjak e Llapashticë të Podujevës. Ato janë konfiskuar dhe janë dërguar për ekzaminim, përderisa të dyshuarit po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ndërkohë që operacioni është duke vazhduar.