Kapaciteti i cekët i Parlamentit për analizë buxhetore

Për promovimin e qeverisjes së mirë dhe transparencës fiskale, angazhimi aktiv i parlamentit në procesin buxhetor dhe buxhet është thelbësor. Praktika buxhetore e shteteve ka treguar se sa më i madh është ndikimi i parlamentit në procedure buxhetore dhe buxhet aq më e madhe do të jetë transparenca dhe llogaridhënia për shpenzimin e parasë publike. Aktorët kryesorë në procedurën buxhetore janë Ministria e Financave, Parlamenti, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe tatimpaguesit.

Zhvillimi i procedurës buxhetore vetëm nën ndikimin e organeve ekzekutive ndikon negativisht në shumë aspekte por para së gjithash:

a) Parimi bazë i demokracisë, që nënkupton të drejtat e Parlamentit për të ushtruar pushtetin mbi paranë publike, nuk realizohet, përkatësisht legjislativi nuk arrin të sigurojë qytetarët se të ardhurat dhe shpenzimet e ofruara në buxhet janë të arsyeshme dhe më së miri i përgjigjen nevojave të tyre dhe që shpenzohen në përputhje me parashikimet, dhe

b) Nuk mund të realizohet kontrolli efikas i buxhetit dhe ekuilibri midis organeve legjislative dhe ekzekutive, si një parakusht kryesor i “administrimit të mirë publik”.

Parlamenti i Kosovës de jure ka të drejtë të pakufizuar mbi buxhetin dhe mundet në tërësi ta ndryshoj projekt-buxhetin e Qeverisë. De facto këtë të drejtë e ka shfrytëzuar shumë pak. Për më tepër roli i parlamentit në procedure buxhetore dhe buxhet ka qenë fiktiv dhe sipërfaqësor.

Pikërisht këtu qëndron shkaku kryesor i keqmenaxhimit të parasë publike dhe jo-llogaridhënies në Kosovë. Mjeti më efikas me të cilin parlamenti mund ta kontrollon qeverinë është buxheti.

Nga teoria dhe praktika buxhetore dihet se roli i parlamentit në buxhet është i kushtëzuar në mënyrë indirekte nga; a) Mundësia e parlamentit që të ketë qasje në dokumente të rëndësishme mbi buxhetin b) Roli i Komisioneve Parlamentare në kontrollin buxhetor, c) Kapaciteti dhe mundësit e parlamentit për hulumtim dhe analizë të buxhetit dhe, d) dinamika e partive politike.

Një nga faktorët shumë të rëndësishëm, padyshim se është kapaciteti dhe mundësia e parlamentit për hulumtim dhe analizë të buxhetit.

Përfaqësuesit parlamentar duhet ta kuptojnë përmbajtjen e projekt-buxhetit për të luajtur rol të rëndësishëm në procedurën buxhetore dhe buxhet. Buxheti është dokument përveç voluminoz edhe mjaft kompleks në strukturën e tij përmbajtjesore.

Buxheti nuk është vetëm krahasim numerik i të hyrave dhe shpenzimeve. Buxheti është një mekanizëm qeverisës i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo ekonomi dhe popullsi të secilit vend. Buxheti është rezultat i procesit të buxhetit dhe ky procesi i buxhetit është një aktivitet serioz ekonomik dhe politik në të gjitha shtetet moderne.

Është shumë kompleks dhe përbëhet nga disa faza, në të cilat rolet kyçe i kanë faktorë të ndryshëm. Përfaqësuesit parlamentar shpesh here ankohen se nuk i kuptojnë pozicionet e caktuar, përkatësisht nuk kanë qasje në përmbajtjen e projekt-buxhetit për shkak të laicizmit në çështje financiare.

P.sh. nga anketa e bërë para do kohe në parlamentin e Kroacisë del se për 36 % të përfaqësuesve parlamentar projekt-buxheti nuk është krejt i kuptueshëm, ndërsa për 4% të përfaqësuesve projekt-buxheti nuk është aspak i kuptueshëm.

Në rastin e Kosovës se sa kuptohet buxheti nga deputetet nuk është bërë ndonjë anketë deri tani, por nisur nga fjalimet e deputetëve në debatin për buxhetin, rrjedh konstatimi logjik se ai debat ngjan në çdo gjejë tjetër përveç debatit të mirëfilltë buxhetor.

Nga debati buxhetor tejet joprofesional që zhvillojnë pjesa dërmuese e deputetëve mund të konstatohet se fondi në mesatare i njohurive profesionale paraprake mbi buxhetin është i cekët dhe për keqardhje.

Një debat profesional mbi buxhetin do të ishte situata kur ka kontestimit ndërmjet deputetëve, në të cilin ata marrin qëndrim mbi një çështje buxhetore në interesin e përgjithshëm të qytetarëve duke e mbështetur atë qëndrim mbi fakte dhe argumente, dhe asesi situatë kur deputeti/ja e kushtëzon voten pro aprovimit të buxhetit me asfaltimin e rruges në lagjen,  ose fshatin prej nga vjen.

Nga teoria dhe praktika buxhetore mësojmë se ekonomistet dhe juristet posedojnë njohuri paraprake mbi buxhetin dhe mund të dhënë vlerësim më kritikë  dhe më të mirëfilltë mbi draft-buxhetin e qeverisë. Nisur nga krahasimi i kompleksitetit të faktorëve mbi bazën e të cilëve krijohet dhe frymon politika buxhetore në Kosove gjithsesi duhet krijuar një Zyrë për Analiza Buxhetore.  Zyra për Analiza Buxhetore duhet themeluar kryesisht për këto katër arsye në vijim

1. Për të ofruar analiza për buxhetin dhe këshilla të pavarura për parlamentarët

2. Për t’i siguruar legjislativit projeksione dhe skenare fiskale të cilat mund të jenë të ndryshme nga ato të paraqitura nga qeveria

3. Kuantifikimi i ndikimit të politikave alternative të shpenzimeve tatimore, veçanërisht për buxhetin e vitit të ardhshëm fiskal.

4. Të kompensoj mungesën e kohës dhe kapacitetet analitike që përfaqësuesit e zgjedhur do duhej t’i kishin. (shih – Ian Lienert, The role of legislature in budgetary procedure, IMF 2010):

Kjo zyre do ndikonte në rritjen e kapacitetit dhe mundësive të parlamentit për hulumtim dhe analizë të buxhetit dhe me këtë në rritjen e rolit të parlamentit në procedurë buxhetore dhe buxhet.

Themelimi i Zyrës për Analizë Buxhetore është e domosdoshme. Kjo zyrë do të duhej të ndihmonte, përmes ekseprtizës profesionale, deputetet mbi çështje të buxhetit, përkatësisht me rastin e vendimmarrjes mbi buxhetin. Këtë zyrë e kanë shumë shumica e shteteve dhe për Kosovën është e domosdoshme.

Në 30 vende të OECD janë themeluar disa zyra të specializuara për buxhet që funksionojnë bashkë me parlamentin. Zyrat të tilla të themeluara së fundmi janë ato në Kanada, Kore dhe Meksikë e të cilat janë ndikuar nga Zyra për Buxhet e Kongresit amerikan (themeluar në vitin 1974). Në krye të listës për këto kapacitetet qëndron, padyshim, Zyra për Buxhet brenda Kongresit të SHBA-ve në të cilën punojnë rreth 245 punëtor me kualifikime të larta shkencore nga lëmi i buxhetit.

Në Filipine në Drejtorin për planifikim dhe buxhet punojnë rreth 50 punëtor. Disa parlamente kanë njësi të vogla të specializuar për çështje të buxhetit siç është p.sh. rasti i Polonisë. Ndërsa disa shtetet siç është rasti i Bundestagut gjerman kanë Njësi Të Përgjithshme Hulumtuese të cilat mund të bëjnë analiza dhe hulumtime edhe nga lëmi i buxhetit.  .

Autori është Profesor  i Rregullt ne Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe është bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal, Amsterdam.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.