Motrat Zeqiri duke stërvitur në pingpong në garazhën e shtëpisë. Foto: Kallxo.com

Kampionet nga garazha

Garazha e një shtëpie zakonisht është e ndërtuar për t’u shfrytëzuar për parkingun e veturës, ndonjë metër dru anash dhe vegla tjera teknike varur në mure të saj.

Mirëpo, garazha e shtëpisë së Skender Zeqirit në fshatin Pasjak të Gjilanit, ka histori tjetër.

Tri vajzat e familjes, Egzona, Linda dhe Hanifja i bëjnë stërvitjet dhe përgatitjet për pingpong në këtë garazhë, poshtë shtëpisë ku jetojnë.

Prej vitit 2006 e deri më tani, Egzona, Linda e Hanifja, i kanë fituar të gjithë titujt e mundshëm në pingpong në Kosovë në të gjitha kategoritë me klubin lokal ‘Drita’.

Në ranglistën kosovare për seniorë, Linda është e para me 1500 pikë ndërsa Hanifja e dyta me 1034.

Trajneri i tyre, Jeton Azizi, tregon për regjimin stërvitor të motrave Zeqiri.

Koleksioni i medaljeve në pingpong i motrave Zeqiri. Foto: Kallxo.com

“Ka qenë jashtëzakonisht shumë e vështirë, por duke pasur parasysh vullnetin e madh që e kanë pasur vajzat, kemi menduar që vullneti i mund të gjitha dhe përpos sakrificave dhe kushteve të vështira ne i kemi koordinu ushtrimet tona. Unë kam dhënë kontributin tim në punën teknike dhe taktike, ndërsa Linda nuk ka hezituar gjithmonë i ka bërë përgatitjet që kanë të bëjnë me kondicion me elasticitet të trupit”, thotë trajneri Azizi.

Ai thotë se punën me to e ka bërë në mënyrë vullnetare, pa u paguar as edhe një cent të vetëm.

“Duke e pasur parasysh vullnetin e madh të kësaj familje veçanërisht babës së Lindës, për me e përkrahë vajzën e vet në rrugëtimin drejt titujve ajo më ka dhënë motiv dhe jam paraqitur në mënyrë vullnetare drejt suksesit kulminant për Lindën. Fillimisht ka qenë sfidë, por njëkohësisht ka qenë edhe privilegj dhe kënaqësi e veçantë, sepse të stërvitësh një familje dhe nga ajo familje të nxjerrësh tre kampione është me të vërtetë eksperiencë e jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Azizi tregon dallimet mes stërvitjeve mes një garazhe dhe të një salle sportive adekuate për ping pong.

“Dallimet janë diametralisht të kundërta, do të thotë shumë të mëdha saqë me një garazh ne mund të ushtrojmë vetëm me një tavolinë, do të thotë më së shumti me dy sportiste. Ndërsa në sallat e sporteve së paku mund të jenë deri në tetë tavolina, ku mund t’i stërvitësh 16 sportiste njëkohësisht, kjo është esenciale, por ka edhe dallime të tjera, në garazh mungon edhe goma ku është më e përshtatshme, është distanca lartësia është edhe gjatësia edhe gjerësia që të gjitha këto standarde kërkohen në lojëra ku garimi është i nivelit ndërkombëtar. Ne kemi arritur me vullnetin e madh, po e shihni edhe vet se në çfarë kushte dhe rrethanash”, tregon trajneri i pingpongut Jeton Azizi.

Pingpongistja Linda Zeqiri duke stërvitur në garazhën e shtëpisë. Foto: Kallxo.com

Motra më e madhe, Egzona Zeqiri kujton stërvitjet e para në një garazh tjetër, me trajnerin e parë Naser Hasani.

“Fillimisht ideja ka qenë e prindërve që të merremi me një sport, nuk e kemi pasur të caktuar se çfarë sporti, por me pingpong e pat si ide babi dhe vendosëm me shku me e provu se a po na pëlqen a jo. Kemi shku si fillim veç me provu nja një javë edhe na pëlqeu shumë shkonim me entuziazëm çdo ditë me ushtru dhe pas një kohe edhe pse ka qenë pak vështirë për neve pasi u kon largë  dy kilometra përafërsisht prej shtëpisë tonë. Trajneri i parë ka qenë Naser Hasani, ai e ka pasë si garazh, kushtet nuk kanë qenë shumë të mira, ka qenë një tabelë e pingpongut, po ka qenë shumë ngushtë”, tregon Egzona për KALLXO.com.

27-vjeçarja thotë se pikërisht kushtet jo adekuate për t’u stërvitur i kanë motivuar motrat që të punojnë fort e të ushtrojnë në një ambient më të mirë, siç ushtron tani kampionia e Kosovës për vitin 2018, Linda.

“Pikërisht këto kushte na kanë bërë që me ushtru ma shumë edhe me arritë me fitu dhe me i ba kushtet që me mujt me ushtru në një ambient pak më të mirë si Linda për shembull që ka vazhduar ka shku në Prishtinë i ka vazhduar studimet dhe atje ka vazhdu me ushtru me një sallë të pingpongut që është adekuate për pingpong”, thotë Egzona.

E Hanifja, motra më e vogël në familjen Zeqiri, që ka filluar të merret me këtë sport në moshën 13 vjeçare në vitin 2010, tregon se inspirimin për pingpong e ka marrë nga Egzona e Linda.

Qëllimi i saj kryesor ka qenë që të takohet në finalen për të mirën e Kosovës, me motrën e saj Lindën, qëllim të cilin ia ka arritur në vitin 2018.

Ajo  atë takim e ka humbur, mirëpo për të e familjen është fitore, pasi qëllim të vetëm e kanë pasur ta bijnë në shtëpi një titull më shumë.

“Në fakt edhe fitoren e motrës unë e konsideroj një fitore për arsye se gjithmonë ka qenë e rëndësishme për neve me e sjellë një kupë në shtëpi, nuk ka pasur rëndësi se e kujt është ajo, kujt i takon mirëpo vetëm të sjellim kupën në shtëpi”, thotë ajo.

Ndërsa tri herë pingpongistja më e mirë në Kosovë, Linda Zeqiri, zbulon për Kallxo.com, se si fati ishte më të në vitin 2006 kur kishte arritur ta përfaqësojë Kosovën në Bratisllavë të Sllovakisë, duke i shënuar shtatë fitore radhazi.

Pingpongistet Egzona, Linda e Hanife Zeqiri në familje në Pasjak të Gjilanit. Foto: Kallxo.com

 

Ajo ishte dënuar për tre vite nga Federata e Pingpongut të Kosovës, pas një deklarate për media, por nuk u dorëzua dhe në vitet 2017 dhe 2018 u shpall pingpongistja më e mirë e vitit.

“Ishte një kohë e gjatë që u demoralizova edhe normal që e ula intensitetin e ushtrimeve, mirëpo prapë gjeta motiv që të vazhdoja me pingpong edhe në vitin 2017 prapë u shpalla si pingpongistja më e mirë duke vazhduar edhe tash në vitin 2018”, thotë ajo.

Linda tregon se çdo titull të mundshëm në Ping-pong e ka fituar prej vitit 2006. Por, ai më i veçanti është ndaj motrës së saj Hanifes, në vitin 2018.

Në vitin 2010, Linda ishte zhvendosur në Prishtinë për studime, por edhe për t’u stërvitur në kryeqytet me trajnerin Samir Ajeti, në kushte më të mira.

“Prej vitit 2010 vazhdoj me ushtru në Prishtinë, në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve”,  me trajnerin Samir Ajeti. Më nuk ushtrojmë bashkë, por luajmë në të njëjtin ekip”, thekson ajo.

Kur ka fituar gjithçka që mund të fitohet në tavolinën e pingpongut, në kushte jo fort premtuese për sukses, Linda tani ka një mesazh për të rejat.

“Ju kisha sugjeru të gjithë të rinjve, sidomos vajzave të merren me aktivitete fizike, jo vetëm me pingpong, por cilido sport që u pëlqen. Aktiviteti fizik e përmirëson shëndetin dhe ndihmon socializmin e fëmijëve”, thotë kampionia gjilanase.

Motrat Zeqiri duke stërvitur në pingpong në garazhën e shtëpisë. Foto: Kallxo.com