“Kafen Shohim N'mikroskop”

Vëllimi “Lahutari Shqiptar” me këngë që u krijuan nga poetët anonimë popullorë gjatë kohës së diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, i autorit Lek Pervizi, botuar më 2010, lexohet me një frymë dhe tregon një anë tjetër të Shqipërisë komuniste – disponimin kundër të një pjese të popullatës.

Lek Pervizi është 82 vjeç dhe “Lahutari Shqiptar” është libri i parë me poezi që ka botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtëpinë botuese Lulu Enterprise, Inc. Aktualisht poeti Pervizi jeton në Bruksel, Belgjikë, ku ai është drejtuesi dhe redaktori i revistës Euro-Shqiptare, Kuq e Zi.  

Përmbledhja e këngëve përfshin periudhën që nga pushtimi italian i 7 prillit 1939 deri në vitin 1992, përfshirë vitet e Luftës së Dytë Botërore, periudhë që njihet si ndër më të përgjakurat në historinë e Shqipërisë duke pasur parasysh kampet e internimit në çdo skaj të vendit ku shqiptarët e deklasuar dhe të persekutuar janë detyruar të bëjnë punë fizike dhe janë përballur me tortura nga më të egrat. Të internuarve/bashkëvuajtësve të Lek Pervizit u është dashur të punojnë në miniera me stomakun bosh, shpesh herë edhe të shtyrë me shkop nga gardianët e burgut.

Sipas disa historianëve, sundimi i regjimit komunist në Shqipëri ka qenë njëri ndër më të rreptit në kontinent. Por, kalvari i vuajtjeve të rreth 20 mijë ish-të përndjekurish politikë është tani i gjallë edhe pse shumë nga ata që ndanë fatin e Pervizit nuk ndodhen më mes nesh.

Është një kujtim që shqiptarët duhet ta kishin. 

Autorët më të mëdhenj të eposit shqiptar mbeten zakonisht poetët anonimë. Në rastin e këtij vëllimi, ata kanë shprehur me finesë, ironi, sarkazëm dhe mallkim indinjatën e tyre për regjimin komunist. 

Leka, sa herë që takohej me të dënuarit tjerë, shkruante në letër vargjet që ia thoshin shokët e që konsideroheshin “armiq të pushtetit popullor”.  

“…Na s’kem qumësht as për fëmijtë, 

As nji gotë e pikë për mallë,

Na ka zanë i madhi hall

Kafen shohim n’mikroskop 

Buka e misrit me i ra n’top!…”  

Foto: http://www.hist.tirana.cchnet.it

   Foto: http://www.hist.tirana.cchnet.it

Duhet të jetë ky këndshikim që i mbante ata në burg. Në anën tjetër, tregon Pervizi, “shteti komunist planifikonte dhe servirte një folklor të zyrtarizuem e konformist që t’i shërbente regjimit, për të tregue se sa i lidhun ishte ky lloj pushteti me Popullin…”.

Por, sipas Pervizit, regjimi “harronte se ky popull, ndonëse i gjunjëzuem, i torturuem dhe i gjymtuem, ruente thellë në shpirtin e tij të pamposhtun, flakën e pashueme të qëndresës, që shpërthente përmes vargjeve të rrembyeshme epike, lirike apo satirike të rapsodëve e lahutarve të maleve ose përmes elegjive të grave vajtore, që thurëshin e këndohëshin brenda mureve të ngurta të kullave kala. Kështu ai i bani ballë stuhive shekullore dhe patjetër do të mund të përballonte edhe ato të disa vjetëve të diktaturës, shumë ma të  furishme.”  

Forca e këtyre elegjive bën të mundur që Lek Pervizi të mbledhë energjitë dhe të hedh në një vëllim këngët e vuajtësve të tjerë bashkë me disa nga elegjitë e tij. Si biri i një gjenerali, Gjen. Prenk Pervizit, autori Pervizi, del i suksesshëm në luftën e tij të rikujtimit të historisë.

“Mallkue kjofshi krimmela 

Që sajuet kampet me tela, 

Mallkue kjofsh parti kulsheder, 

Gjakatare dhe fort e egër! 

Po kjajnë nanat ditë e natë  

Për fëmijte e tyne t’ngratë, 

Po kjajnë fëmijt po derdhin lot, 

Nana e baba vdesin kot. 

Enver Hoxha ka urdhnue, 

Skifterr kjoftë e kjoftë mallkue!”  

Kjo përmbledhje është një nga të vetmet materiale që tregonin disponimin e të internuarve dhe që tregon se vullneti i qytetarëve nuk ishte absolutisht pro-regjimit, siç paraqitej në atë kohë. 

“Mjer Shqipnia mjer  Shqiptarët, 

N’fuqi erdhën sllav-barbarët, 

Komunistë e Shqipnisë,

Lidh pas qerrës së Rusisë,

N’krye të shtetit e t’qeverisë: 

S’po lajnë krime për pa krye, 

Burrat n’burgje tuj mbërthye, 

Shumë tuj vra, tuj pushkatue, 

Tuj djeg shpija, tuj rrenue, 

Gra e fëmi tuj internue …. 

–    –

“Në Kurbin malet gjïmojnë 

Pyjet, grykat fort ushtojnë,

Shumë do trima po luftojnë; 

Luftëtarë janë të lirisë 

Bij të rreptë të Shqiptarisë.” 

Vëllimi tregon se jo vetëm që mënyra e qeverisjes së Enver Hoxhës kundërshtohej nga shumë shqiptarë, por edhe se ata e shihnin politikën e tij si të huaj. Dhe askush nuk tregon histori më bindshëm sesa folklori.