Judah: Kohë të Vështira e Presin Ballkanin

Në Ballkanin Perëndimor, Viti i Ri fillon javën e ardhshme. Dy ngjarje kryesore pritet ta përcaktojnë agjendën politike për vitin 2013.

Ato janë zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 4 dhjetor në Kroaci dhe një darkë që do të organizohet, po këtë ditë, e në të cilën ministrat e Jashtëm nga shtetet e Bashkimit Evropian do të marrin vendime të rëndësishme për Serbinë dhe Malin e Zi. Vendimet, të paktën për këtë të parën, do të kenë ndikim të fuqishëm.

Në të njëjtën kohë, fati i rajonit është i lidhur ngushtë me atë të BE-së dhe të eurozonës.
Me parashikime sikur ajo në Financial Times, e dhënë nga ana e komentuesit Wolfgang Munchau më 27, se eurozona është vetëm dhjetë ditë larg kolapsit, liderët e rajonit nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të shikojnë me drojë, të pafuqishëm për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

Përveç nëse ka ndonjë ndryshim spektakolar në moment të fundit, rezultati i zgjedhjeve në Kroaci është i qartë. Partia në pushtet e shoqëruar me skandale të shumta, Unioni Demokratik Kroat, HDZ, do të largohet nga pushteti. Koalicioni Kukuriku, i udhëhequr nga Social-Demokratët, do të marrë pushtetin dhe lideri i tyre Zoran Milanovic do të bëhet kryeministri i ri.

Ne do të kemi shumë pak kohë për të festuar. Gjersa Kroacia pritet t’i bashkohet BE-së në korrik të vitit 2013, ekonomia kroate gjendet në telashe. Ajo është në borxhe të mëdha, sektori publik është i kapardisur dhe në sektorin financiar ka rritje të nervozizmit. Borxhet e jashtme, që tani kapin shumën prej 48 miliardë euro, përbëjnë 102 për qind të BPV-së.

Dy banka italiane kanë nën kontroll 48 për qind të aseteve bankare kroate, dhe kjo, pavarësisht asaj që bankierët thonë për t’i qetësuar nervat, paraqet burim shqetësimi, derisa financat e Italisë janë të rrezikuara.

Kroacia ka shumë asete të cilat mund të privatizohen dhe të cilat (natyrisht nëse do të kishte blerës, që është çështje krejt tjetër) do të mund ta lehtësonin këtë periudhë krize për këtë shtet.

Megjithatë, mënyra sesi janë trajtuar privatizimet në të kaluarën, ku disa kompani praktikisht janë shkatërruar dhe nga shitjet e tyre një grusht individësh kanë përfituar shuma marramendëse, ka bërë që privatizimi në Kroaci të konsiderohet fjalë e pistë.

Problemi i Milanovicit. ndoshta është, se nëse e paraqet saktësisht sa e rëndë është situata tani, dhe sa e rëndë ajo gjithsesi do të bëhet, ai nuk do fitojë vota. Si rrjedhojë e kësaj, ai nuk e ka paraqitur atë si është. Pasi që ta ketë marrë pushtetin, ai do të jetë në presion për t’i zbatuar shkurtimet e rënda për të cilat nuk kanë votuar zgjedhësit, gjë që paraqet potencial për trazira sociale.

Ekonomia e Serbisë është gjithashtu në gjendje të vështirë, por serbët veçse të dëshpëruar, thënë troç, kanë më pak çfarë të humbasin, sesa kroatët më të pasur. Në periudhë afatshkurtre, problemet e tyre janë politike.

Gjatë këtij viti të fundit, Qeveria dhe Presidenti Boris Tadic janë angazhuar që ta marrin statusin e kandidatit të BE-së për Serbinë. Në aspektin teknik, është arritur mjaft shumë.
Plani i Tadicit ishte që ta fitojë statusin e kandidatit kur kryeqeveritarët e BE-së do të takohen më 9 dhjetor. Me këtë arritje ai shpreson që Partia e tij Demokratike do të shkojë drejt fitores në zgjedhjet, të cilat me gjasë do të mbahen në pranverë.

Ngjarjet në Kosovën veriore kanë bërë që plani të devijojë. Një takim me Angela Merkelin, kancelaren e Gjermanisë, më 23 gusht, rezultoi në hidhësi, pasi Merkel bëri të qartë se Serbia duhet të heqë dorë nga ëndrrat e ndarjes së Kosovës në të ardhmen.

Mirëpo Tadic ka vetëm kontroll të pjesshëm mbi enklavat serbe në veri të Kosovës dhe, gjë që tërboi gjermanët, disa ushtarë të tyre që shërbenin në forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë lënduar në luftimet për kontroll të barrikadave serbe.

Lobimi nga autoritetet serbe nënkupton që, përkundër situatës në Kosovë, deri javën e kaluar dukej se vetëm Gjermania duhet të bindet që të pajtohet për statusin e kandidatit për Serbinë. 
Komisioni Evropian kërkoi vazhdimin e bisedimeve me Kosovën, të cilat ishin ndërprerë në korrik. Kjo edhe u bë, mirëpo dy shpërthimet e dhunës në Kosovën veriore bëjnë me dije se Gjermania me siguri se tani do të bllokojë kandidaturën e Serbisë.

Në fakt, vendimi me gjasë, nuk do të merret fare më 9 por më 4 dhjetor, kur do të takohen ministrat e Jashtëm. Ata do t’i bëjnë rekomandimet për takimin e mëvonshëm. Duke pasur parasysh se aktualisht liderët e BE-së kanë gjëra tjera të rëndësishme në mendjet e tyre, gjasat janë se ato rekomandime do të pranohen pa humbur kohë të madhe në debate.

Nëse Serbia e fiton statusin e kandidatit, Partia Demokratike ka gjasa të fitojë zgjedhjet e pranverës së ardhshme. Por, politika e saj ka shënuar përmbytje, ndërsa Partia Progresiste Serbe, e cila u krijua nga ish-liderët e Partisë Radikale Serbe, me prirje nacionaliste, ka më shumë gjasa t’i fitojë zgjedhjet.

Ndërsa ngjarjet në Serbi dhe Kroaci në pamje të parë dominojnë agjendën e lajmeve në regjion, në një të ardhme të afërt në vende të tjera do të dominojnë çështje të tjera.
Bosnja dhe Hercegovina është pa qeveri për më shumë se 13 muaj që nga zgjedhjet e fundit.

Një pasojë e kësaj dhe e paralizës së përgjithshme politike në këtë vend është fakti se në vitin 2013 Kroacia do t’i bashkohet BE-së, ndërsa Bosnja nuk do të mund të eksportojë më tek fqinji i saj vezët, prodhimet e qumështit apo prodhimet e mishit.

Kjo ndodh për shkak se liderët e vendit nuk mund të pajtohen nëse do të duhej që certifikimin e domosdoshëm shëndetësor dhe sanitar ta kryejnë entitetet apo shteti i Bosnjës.

Maqedonasit janë duke e pritur me padurim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 5 dhjetor, në lidhje me pretendimin e tyre se Greqia ka shkelur një marrëveshje të vitit 1995 duke vënë veto mbi anëtarësimin e tyre në NATO në vitin 2008. Megjithatë, pa marrë parasysh se cili do të jetë qëndrimi i Gjykatës, çfarëdo shprese që mund të ketë pasur sa i përket zgjidhjes së kontestit mbi emrin e Maqedonisë [të cilin nuk e pranon Greqia] tani nuk mund të konsiderohet se ekziston, marrë parasysh gjendjen aktuale në Greqi.

Ndërkohë, bankat greke posedojnë 24.7 të aseteve bankare në Maqedoni, gjë që është brengosëse.

Mali i Zi shpreson se do ta marrë datën për të filluar bisedimet për pranim në BE më 9 dhjetor. Por, sikur në rastin e Serbisë, megjithëse për arsye tërësisht të ndryshme, nuk është fare e qartë nëse ministrat e Punëve të Jashtme do të japin për këtë dritën e gjelbër, në takimin e datës 4 dhjetor.

Fati i Kosovës është ngushtë i lidhur me çështjen e veriut, në lidhje me të cilin ka pak gjasa që të shënohet ndonjë përparim në të ardhmen e afërt. Kosovarët tani janë i vetmi popull në Ballkan që nuk është në gjendje të udhëtojë në zonën e Shengenit pa viza.

Ata shpresojnë ta marrin të ashtuquajturin ‘udhërrëfyes’ të vizave rreth fundit të këtij viti, gjë që do t’i vinte ata në shtegun e duhur për ta fituar këtë privilegj; sidoqoftë, edhe në këtë rast, nuk është e qartë nëse ministrat e BE-së do t’ua lejojnë këtë.

Shqipëria ka rreth 1 milion qytetarë që jetojnë në Greqi dhe Itali, të cilat janë goditur nga kriza. Edhe pse kriza ekonomike e ka goditur Shqipërinë, deri tani ajo nuk ka qenë aq e fuqishme siç është pritur. Sidoqoftë, pasi që nga Greqia dhe Italia nuk mund të priten lajme të mira në të ardhmen e afërt apo të mesme, as për Shqipërinë nuk mund të priten lajme të mira.

Kësisoj, perspektiva e këtij rajoni për periudhën nga 4 dhjetori e deri në vitin 2013 nuk është e ndritur. Kombinimi i problemeve lokale dhe kontekstit më të gjerë ekonomik dhe politik në nivelin global japin bindjen se këto vitet e vështira që kaluan do të përcillen me kohëra edhe më të vështira.