Josipovic: Reagimet e Serbëve “të Parëndësishme”

Në një intervistë të shkurtër të dhënë për gazetën serbe Kurir, Ante Gotovina u bëri thirrje të gjithë serbëve të Kroacisë që u arratisën gjatë Operacionit Stuhia [Oluja] në vitin 1995 të kthehen në shtëpitë e paraluftës.

“Ata janë qytetarë të Kroacisë, ky është atdheu i tyre ashtu siç është edhe i imi…Kjo është shtëpia e tyre dhe ata duhet të jenë këtu nëse duan”, tha Gotovina.

Operacioni ushtarak kroat “Stuhia” u lansua për të rimarrë territorin e kapur nga forcat rebele serbe në fillim të luftës në Kroaci. Mbi 200,000 serbë u arratisën nga Kroacia menjëherë pas Operacionit Stuhia.

Duke folur për gazetarët në Vukovar të shtunën, presidenti kroat, Ivo Josipovic, tha se ”është e rëndësishme që gjeneralët janë përsëri në Kroaci” duke shtuar se “sipas gjykatës, mbrojtja e Kroacisë dhe Operacioni Stuhia nuk ishin akte kriminale”.

Josipovic përsëriti se pas Operacionit Stuhia pati krime lufte dhe se Kroacia “duhet të bëjë çdo gjë për të dënuar ato krime”.

Ai kujtoi gjithashtu se Kroacia “ka nisur, jo një, por disa gjyqe për krime lufte ndaj anëtarëve të forcave të saj”.

Në një intervistë televizive të dhënë më vonë, Josipovic refuzoi të komentojë për reagimin e presidentit serb, Tomislav Nikolic.

Ai shtoi “Kroacia ka për detyrë të punojë drejt ripajtimit”, duke shprehur shpresën se situata mund të përmirësohet gjatë mandatit të Nikolicit.

“Por për tani, nuk mund të pajtohemi rreth luftës në Kroaci dhe veçanërisht për Vukovarin,” tha Josipovic.

Josipovic dhe kryeministri kroat, Zoran Milanovic, morën pjesë në marshin e së dielës që përkujtoi 21-vjetorin e rënies së Vukovarit, më 19 nëntor në duart e forcave serbe.

Vukovari ishte qyteti i parë në Europë që u shkatërrua nga luftimi që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1991, Ushtria e Popullit Jugosllav, JNA, dhe njësitë paramilitare serbe rrethuan qytetin kroat të Vukovarit pas deklarimit nga Kroacia të pavarësisë nga Jugosllavia.

Më shumë se 60,000 persona morën pjesë në marshin pesë kilometra të gjatë nga spitali i Vukovarit, nga ku forcat serbe morën pacientë për t’i ekzekutuar, tek varreza përkujtimore ku ndezën qirinj dhe vunë kurora me lule për të vrarët gjatë dhe pas rrethimit tremujor të qytetit.

“Vukovari është simboli i heroizmit dhe tragjedisë, por nga ajo tragjedi mundësi të reja lindin për qytetin, për t’u bërë jo vetëm qyteti i sakrificës, por qyteti i ripajtimit dhe bashkimit”, tha Josipovic.

Një nga ndërtesat e shkatërruara gjatë luftës është rindërtuar, me ndihmën financiare të BE-së, për t’u bërë Qendra e Paqes.

Shefi i delegacionit të BE-së në Kroaci, Paul Vandoren, kujtoi gjithashtu se Vukovari ka një “histori multietnike”.

“Më shumë se njëzet kombe të ndryshme jetojnë këto. Rindërtimi i trashëgimisë së shkatërruar është një kontribut për modelin Europian të ripajtimit, motoja e të cilit është ‘unitet në diversitet’. Kjo është një nga parimet bazë të Bashkimit Europian”, tha Vandoren.