Shpella e Gadimes. Foto: Atdhe Mulla

Jo të gjitha shpellat janë të barabarta

Pakëz më thellë brenda dy shpellave më të njohura turistike të Kosovës shfaqen mangësitë e marrjes dhe ndërhyrjes institucionale në mjediset natyrore më piktoreske dhe të paprekura të botës.

Burimi i Drinit të Bardhë dhe ujëvarat pranë fshatit Radavc të Pejës kanë qenë vend i bukur turistik për dekada të tëra. Po të ecësh përgjatë ujëvarës së famshme e nëpër pyll, një rrugë gjarpërore çon në hyrjen e shpelle.

E vogël dhe modeste, kjo hyrje është fillimi i një rrjeti të ndërlikuar tunelesh, korridoresh dhe galerish, disa prej tyre ende të pazbuluara, të formuara nga rrymat e furishme ujore prej shirave që kanë lagur Rugovën për 2 milion vjet.

Rreth një orë me veturë në lindje të shpellës së Radavcit, 10 kilometra nga Prishtina gjendet fshati Gadime, shtëpia e një shpelle të mermerit, siç dihet gjerësisht. Pretendohet se shpellapret rreth 70 mijë vizitorë në vit, sipas udhërrëfyesit të shpellës, dhe shumë prej tyre janë nxënës të shkollave që vijnë për të parë brendësinë e rrallë të mermertë të shpellës dhe kristalet e pazakonta që ngjizen brenda saj.

Por, ndërsa afroheni te hyrja, dallimi midis mjedisit piktoresk të Radavcit dhe Gadimës është tronditës.

Gryka e Shpellës së Mermerit në Gadime nuk mund të shihet askund. Përveç biletarie të vogël dhe një restoranti të madh, në vend të saj janë ndërtuar një strukturë e madhe prej guri dhe një derë e qelqtë, si hyrja e ndonjë gjykate ose një qendre tregtare. Është e pamundur për ta parë mjedisin natyror të shpellës ngase betoni është suvatuar në të gjithë dyshemenë e hyrjes e deri në 400 metra brenda shpellës.

Ndërsa, shpella në Radavc është e gjallë e me veprimtari të shumta, me hulumtuesit, arkeologët, biologët dhe zhytësit e shpellave që zbulojnë sekretet e dy milion viteve të historisë natyrore brenda shpellës, Gadimja po mbetet prapa. Duke qenë nën mbrojtjen nga qeveria e Kosovës që nga viti 2011 si monument natyror me “rëndësi të veçantë”, eksplorimi i Gadimes ka u dëmtua nga mungesa e menaxhimit dhe financimit, akuzat për korrupsion dhe trajtimi i pakujdesshëm të mjedisit natyror të shpellës.

Shpella e Radavcit. Foto: Fatrion Ibrahimi

Parajsa e florës dhe faunës në Kosovë

Fatos Katallozi është kryetar i Federatës Speleologjike të Kosovës, një shoqatë e eksploruesve të shpellave të Kosovës dhe menaxher zyrtar i shpellës në Radavc. Duke kapërcyer mbi kangjellat metalike që i ka ndërtuar vetë brenda shpellës për t’i mbrojtur turistët nga humnera 90 metërshe me labirintë e lumenj nëntokësor nën këmbët e tyre, ai shpjegoi se si filloi ta mbronte shpellën e Radavcit dhe ta hapte atë për turizëm.

“E kemi eksploruar Radavcin që nga viti 2005 por edhe më parë ne shkonim në këtë shpellë, por nuk i kishim pajisjet për ta kënaqur kureshtjen”, tha Katallozi përderisa manovronte me lehtësi nëpër gurin gëlqeror të rrëshqitshëm. “Një grup i profesionistëve italianë për eksplorim të shpellave dhe alpinizëm erdhi dhe na trajnoi për dy javë. Ata na lanë disa pajisje të përdorura kështu që ne tani mund të eksplorojmë”.

Në vitin 2005, Katallozi zyrtarisht e regjistroi shoqatën e tij të speologëve, duke e quajtur atë ‘Aragonit’ sipas kristaleve që formohen në gëlqere, shkëmbi nga i cili është i përbërë shpella e Radavcit. Deri në vitin 2015, pasi kaloi aq shumë kohë për të eksploruar Radavcin, ai mori përsipër menaxhimin e kësaj shpelle dhe e quajti atë ‘Bukuroshja e Fjetur’.

“Nëse e marrin vesh se sa vizitorë vijnë në Radavc, mund të ma marrin”, tha ai duke qeshur në vend se ta tregojë numrin e turistëve që hyjnë në këtë shpellë çdo vit.

Vetëm me një helmetë, llampë koke dhe dorëza, Katallozi zbriti drejt njërit prej lumenjve nëntokësorë. Pas një zbritjeje të ngadaltë, shpella hapet në një galeri me një plazh rëre, të mbushur me stalaktite, formacione shkëmbore sikur ehuj që ngriten nga toka, të thyer nga fshatarët që eksploruan shpellën para se të bëhej një zonë e mbrojtur.

“Ne nuk donim të ndërhyjmë në muret e shpellës, ne i pastruam grafitet e mbetura nga fshatarët, vendosëm një portë dhe bëmë disa përmirësime të vogla”, shpjegoi ai, duke treguar mbetjet e bojërave ngjyrë ari në mure. “Kemi ndërtuar shkallët metalikeqë të jetë më e lehtë për turistët ta vizitojnë në mënyrë të sigurt pa prekur ndonjë nga shpellat, ne nuk kemi përdorur fare çimento”.

Katallozi dhe ekipi i tij duke eksploruar shpellat në rajonin e Pejës. Foto: Fatos Katallozi

Duke qenë shpella e dytë më e madhe në Kosovë pas shpellës së Grykës të Rugovës, Radavci deri më tani shkon 3,860 metra në brendi të malit. Projekti më i rëndësishëm i Katallozit ka qenë hartimi digjital i brendësisë së shpellës dhe përgjatë 12 viteve të fundit, ai dhe ekipi i tij kanë dyfishuar gjatësinë pjesës së zbuluar të shpellës.

Shumë prej këtyre galerive janë shtëpi lakuriqësh, bulkthave të verbër të shpellave, dhe dhelprave që  shpresojnë se do ta kapin një vakt të lehtë dhe humbasin në errësirë. Edhe ditëve të sotme, biologët ende po zbulojnë specie të reja që lulëzojnë atje, tha Katallozi.

Shpella e Radavcit është njëra ndër tetë shpellat që mund të gjenden në rajonin e Pejës dhe së pari ishin zbuluar nga një ekip nga Novi Sadi i udhëhequr nga Jovan Petroviq në vitin 1968, përafërsisht në të njëjtën kohë që është zbuluar shpella e Gadimes.

Ndryshe nga Radavci, shpjegon Katallozi, Gadimja është relativisht e sheshtë, duke e bërë më të lehtë për turistët që ta vizitojnë. Kjo, si dhe afërsia e saj me Prishtinën, janë arsyet kryesore që u zgjodh për të qenë një zonë e mbrojtur në vitin 1969 dhe u hap për turistët nga qeveria e ish-Jugosllavisë në vitet e 1970-a, tha ai.

Ngjeshja e natyrës në një tregim historik

Ndërsa shëtiste nëpër galeritë në Gadime, Januz Ejupi, udhërrëfyes në Shpellën e Mermerit, shpjegoi se një hyrje e shpellës u zbulua në vitin 1969 kur fshatari Ahmet Asllani, po gërmonte për t’i ndërtuar themelet e shtëpisë së tij, dhe çau një vrimë në tokë që doli të jetë shpella.

Gadimja është hapur për turistë në vitin 1974, dhe galeria e saj më e madhe u përdor për koncerte akustike dhe xhirime filmash. Më të mrekullueshme janë kristalet e ndritshme të formuara nga guri gëlqeror në muret e shpellës, një karakteristikë e rrallë dhe e bukur e 1,200 metrave të shpellës që janë zbuluar deri më tani.

“Stalaktitet dhe stalagmitet krijojnë kristale. Këto lloj kristalesh i thyejnë ligjet e fizikës dhe gravitetit, uji nuk ulet, por përhapet nëpër mure në shpella”, tha Ejupi, duke shpjeguar se si formohet forma e shpellës. “Kjo është posaçërisht e veçantë, sepse kristali nuk ekziston askund tjetër në Evropë”.

Shpella e Gadimes. Foto: Atdhe Mulla

Rritja nga dyshemeja pranë galerisë së ‘sallës së koncerteve’ është një grup i madh stalagmitësh në formën e një dore. Dy stalagmite në një moment do të qëndronin mbi të tjerët, si gishtat duke treguar lart, por një ‘gisht’ është thyer.

“Kishte dy gishta por gjatë luftës ajo u shkatërrua, ata thyen një nga gishtat. Ata thonë se nëse statuja kishte 3 gishta, ata nuk do ta shkatërronin aspak. Është quajtur statuja e Fitores”, tha Janjupi.

Gjestet me tre gishta, të bëra zakonisht nga serbët duke duke gishtin e madh, tregues dhe dhe at të mesëm të një dore, simbolizuan fillimisht Trininë e Shenjtë të ortodoksisë serbe dhe tani është bërë shenjë që lidhet me nacionalizmin serb.

Përveç “Statujës të Fitores”, Gadimja gjithashtu ka edhe mjekrën e Skënderbeut, një shqiponjë, një shkëmb në formë të hartës së Kosovës dhe më shumë, pra sentimenti historik luan rol kyç në shumicën e tregimeve të guidave turistike të Gadimes.

Kjo nuk është e vetmja lloj historie e shpalosur në Shpellën e Mermerit – turneu arrin kulmin me një vizitë në galerinë e fundit të hapur për vizitorët, të quajtur Kopshti i Dashurisë. Atje mund të gjendet Romeo dhe Xhulieta, një stalagmit dhe stalaktit që janë zgjatur prej vitesh dhe përfundimisht do të bashkohen, duke u kthyer në një shtyllë.

“Do të duhen edhe 1,500 vjet që të bashkohen”, tha Ejupi. “Ju jeni të ftuar në dasmë, por unë nuk jam i sigurt se do të jeni këtej për të!”

Ata që kanë vizituar shpellën thonë se këto rrëfime kanë mbetur të pandryshuara për më shumë se një dekadë.

Vizitorët e shpellës thonë se këto tregime asnjëherë nuk kanë ndryshuar për më shumë se një dekadë.

Gadimja është e mbushur me këto tipare unike gjeologjike, por është e vështirë të heqësh ndjenjën e pakëndshme kur i sheh ndërhyrjet ndaj saj. Përfshirë dyshemenë e betontë dhe telat elektrikë që shihen në brendinë e shpellës, si dhe atribuimi i rëndësisë artificiale historike ndaj karakteristikave të saj gjeologjike, imponimin njerëzor i shpellës është i prekshëm.

Shpella e Gadimes. Foto: Atdhe Mulla

Formacionet shkëmbore në shpella janë si skulptura natyrore, dhe në Radavc këto karakteristika duket se janë ruajtur me më shumë besnikëri: turistët janë mysafirë të një hapësire natyrore që i përket jetës së gjallë brenda saj, dhe guidat e Radavcit lënë hapësirë për kreativitet.

“Këto shpella kanë formacione të bukura dhe ato mund të jenë çdo gjë që dëshironi”, tha Katallozi, teksa afroheshim me një hark në shkëmb që i ngjan një elefanti, duke ecur nën hendekun mes këmbëve dhe më tej në shpellë. “Më pëlqen t’i lejoj vizituesit të interpretojnë atë që shohin [në formacionet e shkëmbinjve], për ta nxitur imagjinatën e tyre”.

Katallozi vuri në dukje një të çarë të mprehtë në faqen e një shkëmbi që ishte rreth dy metra e gjatë, si shpinë e ndonjë kafshe gjigante, që në fund kishte një bisht dhe një nofull të dhëmbëzuar dhe sy në anën tjetër.

“Më pëlqen të them se është kuçedër”, tha Katallozi. ”Nëse shikoni shkëmbin që përballet me kokën e saj, ju shihni dy vrima të mëdha që janë zhbiruar në muret e shpellës, sikur dragoi të kishte fryrë zjarr nga hundët”.

Përmes Federatës së Speleologjisë dhe agjencisë turistike të Katallozit, Outdoor Kosova, Radavci është vizituar nga ekspertët gjatë gjithë vitit, veçanërisht sepse shpella ka mbetur pothuajse e paprekur nga duart e njeriut. Shumë shpella në Evropë janë hulumtuar dhe dokumentuar tashmë, tha ai, prandaj arkeologët, hulumtuesit dhe biologët i ka tërhequr Kosova gjatë dhjetë viteve të fundit.

“Ne bëjmë kërkesa për të bërë hulumtime me ekipet e ndryshme nëpër Evropë, kemi gjetur tre specie të reja këtu së fundmi me speleobiologë [biologë të shpellave] nga Spliti dhe Zagrebi”, tha ai, duke na dërguar drejt një grumbulli shkopinjsh që ngjiten së bashku në muret e shpellës. “Ne po bëjmë harta digjitale të shpellës dhe do të bëjmë më shumë eksplorim me të gjitha skuadrat. Po ashtu me polakët do të bëjmë edhe zhytje në shpellë”.

Sidoqoftë, ky lloj bashkëpunimi dhe eksplorimi nuk ka qenë aq i lehtë për shpellën në Gadime. Ejupi shpjegoi se pjesa më e madhe e tuneleve dhe lumenjve të nëndheshëm në Shpellën e Mermerit mbeten të pazbuluara dhe se aktualisht askush nuk po kryen ndonjë lloj veprimtarie eksploruese.

“Këtu siç po e shohim është një gropë që arrin deri 16 kilometra drejt Janjevës”, tha ai. “E kemi kuptuar këtë pasi që një qen endacak dhe një lepur që kanë hyrë brenda kanë dalë në Janjevë. Së pari, ne vendosëm që të hyjmë brenda dhe ta zbulojmë me një ushtar të KFOR-it, por ne arritëm të shkojmë vetëm 4 kilometra thellë, pasiqë nuk kemi mjete për të përgatitur tunelin dhe për ta nxjerrë balten jashtë. Ne kemi nevojë për investime, të cilat nuk kanë ndodhur deri më tani”.

“Nga këtu mund ta shohësh liqenin”, tha Ejupi, duke u drejtuar nga një pjesë e ujit disa qindra metra brenda shpellës me një hapje të vogël në murin e saj afër sipërfaqes së ujit. “Një herë një zhytës shkoi atje dhe pa se janë tre kilometra me ujë, por kjo gjithashtu tregon për nevojën e investimeve për t’a thyer atë dhe për të mundësuar që të eksplorohet siç duhet, dhe kështu vizitorët mund të shohin në pafundësinë e liqenit”.

Pavarësisht që statusi i Gadimes si shpella e vetme “me rendësi të veçantë” në Kosovë, ky titull ka penguar ruajtjen dhe eksplorimin e saj në vend që ta garantojë kujdesin e ekspertëve.

Shpella e Gadimes. Foto: Atdhe Mulla

Pse është lënë Gadimja anash?

Shtatë shpella tjera në Kosovë janë nën përkujdesjen e MMPH-së si “monumente natyrore”, por vetëm Gadimes iu dha mbrojtje specifike si ‘monument natyror me rëndësi të veçantë’ në vitin 2011 për të përmirësuar menaxhimin e saj dhe për t’i ruajtur karakteristikat e saj natyrore.

Pasqyra e Progresit për Mbrojtjen e Natyrës në Kosovë e vitit 2015 ka paralajmëruar “degradimin e Gadimes, ndryshimet e mikroklimës, dëmtimet e kristaleve, ndryshimet e specieve të florës që janë karakteristike për shpellat”, si disa nga pasojat e menaxhimit të papërshtatshëm dhe baza për përcaktimin e tij si një zonë e mbrojtur.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me raportin mbi Gjendjen e Natyrës 2014, shpjegoi se mungesa e infrastrukturës, investimeve, planeve dhe projekteve konkrete kanë ndaluar zhvillimin e kapacitetit të shpellave si pikë e nxehtë e ekoturizmit.

“Një problem i veçantë është qasja e institucioneve qeveritare dhe shoqëria e Kosovës po ecën drejt shfrytëzimit të qëndrueshëm të këtij potenciali,” thotë raporti. “Shfrytëzimi i pakontrolluar i resurseve natyrore, dëmtimi i ekosistemeve, gjuetia ilegale dhe zgjerimi i vendbanimeve janë kërcënim i vazhdueshëm për këto vlera.”

Në po të njëjtin vit, Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit e transferoi shpellën nën administrimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke e ngarkuar një mbikëqyrës, disa ciceronë dhe njësi sigurimi, dhe e hapi shpellën për vizitorë në maj të vitit 2014.

Raporti i Gjendjës së Natyrës i vitit 2014 përmendi ndriçimin e pamjaftueshëm brenda shpellës si problem, gjë që shkakton rreziqe për vizitorët dhe ka rezultuar në ndryshime jo të mira në mikroklimën e shpellës.

Atë vit, Ambasada Franceze në Kosovë i ndau 11 mijë euro për ta përmirësuar ndriçimin e brendshëm të shpellës së Gadimes. Sidoqoftë, sipas Ejupit, ky mbetet problem edhe për vlerën estetike të shpellës.

“Kur ndreqet me dritë të përshtatshme, secili kristal ka bukurinë e vetë”, ka thënë Ejupi. “Dritat duhet të vihen më mirë në mënyrë që çdo pozitë e dritës të japë efekt tjetër për stalaktitet dhe kristalet.”

Këtë vit, pesë punëtorë të shpellës së Gadimes, përfshirë Ejupin, i dërguan letër një gazete kosovare, MHPH-së dhe Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës me pretendime për zhvatje dhe shpërdorim të detyrës zyrtare prej dy kolegëve të tyre, të cilët, sipas ankuesve, “kanë keqpërdorur minimum 200 euro në ditë, kurse gjatë pushimit të zyrtarit të financave janë keqpërdorur rreth 700 euro në ditë”.

Objektivat e Strategjisë për Mjedisin të MPHP-së 2022 përfshijnë forcimin e menaxhmentit të autoritetetve për zonat e mbrojtura. Gadimja në veçanti përmendet si vend ku duhet zhvillim në lidhje me kapacitetin turistik, monitorimin dhe kërkimet shkencore, duke thënë se “kapacitetet nuk kanë arritur nivel të kënaqshëm për momentin për ta bërë këtë të mundshme”.

Mbështetja për nismat e ekoturizmit në sektorin privat renditet si objektiv kyç për zhvillimin e aseteve natyrore dhe kulturore të trashëgimisë së Kosovës, model që ka funksionuar mirë në Radavc, ka thënë Katallozi, dhe që ka ndihmuar asetet tjera natyrore të Kosovës për të lulëzuar.

“Kemi hulumtuar, kemi bërë shumë marketing, kemi qenë në panaire ndërkombëtare turistike, dhe tash, rezultatet po vijnë.