Komuna e Istogut | Foto: KALLXO.com

Istog, zyrtari filloi punën dhjetë muaj para shpalljes së konkursit

Ish-drejtori i Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në komunën e Istogut, është punësuar në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Shpëtim.

Zyrtarisht Isa Hoxhaj ka filluar punën në pozitën e Zyrtarit të Lartë për Efiçiencë të Energjisë, me 24 dhjetor të vitit 2018.

Sipas njoftimit për kandidatin e suksesshëm në këtë pozitë, Isa Hoxhaj ishte vlerësuar më 90.2 pikë.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish-drejtorin, Isa Hoxhaj, i cili ka thënë se në pozitën e drejtorit ka qenë i angazhuar që nga viti 2010 dhe se e kishte mbajtur këtë pozitë deri në vitin 2018.

Pavarësisht se Komuna e Istogut, kishte hapur konkursin me 20 nëntor të vitit 2018 dhe kishte shpallur kandidatin e suksesshëm në dhjetor, Hoxhaj ka treguar se në pozitën ‘Zyrtar i lartë për efiçiencë të energjisë’, është duke punuar që nga shkurti i vitit të kaluar, që i bie dhjetë muaj para shpalljes së konkursit.

“Nuk e di se cilin Fakultet Teknik duhet me përfundu, përveç fakultetit te makinerisë dhe të kem informacione për burimet energjisë. Aty ku ka fizike aty mësohen te gjitha burimet energjetike 80 % të lëndëve në Fakultetin e Makinerisë janë të lidhura me fizikë, ndërsa 60 % të lëndëve janë të lidhura direk ose indirekt me burime të energjisë, si energjia termike, fluidet, makinat e ndryshme”, ka thënë Hoxhaj.

E rreth kësaj çështje, Drejtori për Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Rugova, ka thënë për KALLXO.com, se në mungesë të zyrtarit për efiçiencë të energjisë, këtë detyrë e kanë kryer së bashku me Hoxhajn.

“Këtë detyrë e kemi kryer unë si drejtor i SHPMSH dhe Isa Hoxha si drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit të Mjedisit. Pra disa herë kam qenë unë personalisht në takime dhe udhëtime zyrtare, kurse në trajnime dhe thirrje tjera që ishin më profesionale, delegohej z. Isa Hoxha”, ka thënë Rugova.

Ndërkohë, i pyetur se a mendon që në punësimin e tij ka ndikuar pozita e mëparshme si drejtor, Isa Hoxhaj ka thënë për KALLXO.com se ajo pozitë e ka ndihmuar vetëm në aspektin e përvojës.

“Pozita e mëparshme ka ndihmuar se kam një përvojë më të madhe edhe tek ndërtimet, e jo se kam përfituar nga pozita politike që kam pasur, se kam mundur të jem ende pa punë”, ka shtuar ai.

Ish-drejtori i Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në komunën e Istogut, Isa Hoxhaj

Drejtori për Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Rugova ka thënë për KALLXO.com se ish-drejtori Isa Hoxhaj është zgjedhur nga paneli intervistues, si kandidati më i përgatitur profesionalisht.

Sa i përket kualifikimit akademik, Rugova thotë se Hoxhaj ishte në kushte të barabarta me disa nga kandidatët që kanë konkurruar.

“Isa Hoxha, ishte drejtor i Drejtorisë të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinorë, dhe në vazhdimësi i ka përcjellë hapat e ndërmarrë nga Agjencioni për Energji i Kosovës dhe organizata GIZ, që ndihmon në implementimin e programit për energji efiçiente në vendin tonë”, ka thënë ai.

Sipas këtij drejtori, përgatitja akademike e Isa Hoxhajt, nuk është larg pikës së efiçiencës edhe pse ai është inxhinier i makinerisë.

Ai thotë se në katedrat e kësaj dege, është edhe dega e energjisë së ripërtëritshme.

“Nuk ka të bëjë me ndikime as politike dhe as ndonjë ndikim tjetër në përzgjedhjen e z. Isa Hoxha, në këtë detyrë”, ka shtuar Rugova.

Në anën tjetër, kundërkandidatit për pozitën e njëjtë Sabit Sadriajt, ende nuk i është shqyrtuar ankesa nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Avdyl Bektshi, zyrtar i Lartë për Bashkëpunim Profesional, ka thënë se kundërkandidati Sabit Sadriaj, ankesën e ka parashtruar më 13 shkurt të këtij viti.

Mirëpo sipas tij, KPMShCK nuk ka arritur të nxjerrë vendim për ankesën në fjalë, për shkak se nga data 13 dhjetor 2018, katër anëtarëve të këtij Këshilli u ka skaduar mandati.

“Nga data 21.01.2019 edhe një anëtar i Këshillit është dekretuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës si gjyqtar, kështu që aktualisht Këshilli ka ngelur vetëm me dy anëtar, rrjedhimisht kjo e bënë të pamundur që Këshilli të vendos për ankesat e ankuesve pasi që në bazë të nenit 16 paragrafit 3 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ankesat i shqyrton Kolegji prej tre anëtarëve”, ka thënë Bekteshi për KALLXO.com.