Ish-kandidatja e AAK-së për kryetare të Drenasit punësohet në ministri

Ish-kandidatja për kryetare të Komunës së Drenasit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Arta Ahmeti -Xhylani është punësuar në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Ajo do të udhëheqë Departamentin për Integrime Europiane dhe Koordinim të Politikave.

Ahmeti –Xhylani ishte kandidate për Kryetare të Komunës së Drenasit, por humbi në garë nga Ramiz Lladrovci i PDK-së.

Gati një vit prej këtyre zgjedhjeve dhe pasi partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj mori drejtimin e qeverisë së Kosovës, ajo u zgjodh në një pozitë menaxheriale në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Më 10 shtator të këtij viti, MZHR publikoi një njoftim ku thuhet se kandidati i suksesshëm për pozitën Drejtor i Departamentit për Integrime Europiane dhe Koordinim të Politikave është Ahmeti- Xhylani.

MZHR-në e udhëheq Rasim Demiri nga Partia Demokratike e Boshnjakëve. Në njoftim thuhet se kjo kandidate ka fituar 82.2 përqind të pikëve.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish-kandidatën për kryetar të Drenasit. Ajo thotë se ka të drejtë, në bazë të ligjit, për të aplikuar nëpër konkurset e qeverisë së Kosovës.

“Unë i jam nënshtruar komplet proceseve të cilat janë organizuar në konkurs. Kam aplikuar, i kam plotësuar të gjitha kriteret që janë kërku, i jam nënshtruar dy testeve, edhe testit me shkrim”, ka thënë ajo.

Thotë se partia e udhëhequr nga kryeministri nuk e ka ndihmuar në punësim.

“As edhe një ndihmë më të vogël, partia jem as që e ka ditë që unë jam konkurente në atë vend punë”, ka thënë ai.

Përkundër kësaj, ajo e pranon që detyra e re është e para në pozita menaxheriale nëpër institucionet publike. Në të kaluarën ka punuar 3 muaj si përkthyese në Komunën e Drenasit.

“Unë kam qenë gjithmonë në pozita menaxheriale, kam punuar në kompani private. I kam gati 9 vite përvojë punë. Kam pasur përvojë në Komunë të Drenasit për tre muaj. Jam punësuar si përkthyese, mirëpo e kam zëvendësuar zyrtarin për informim. Më pas kam dhënë dorëheqje pasi kam vazhduar studimet master”, tha Ahmeti-Xhylani për KALLXO.com.

Ajo thotë se do të vazhdojë të kontribuojë për AAK-në.

“Unë kam qenë në pozita politike por me marrjen e detyrës së re, nuk tërhiqna prej politikës sepse nuk ma ndalon ligji. Për momentin dua të fokusohem në administratë”, tha ajo.

KALLXO.com kishte bërë një profil të grave kandidate në zgjedhjet lokale

Arta Ahmeti Xhylani është një juriste nga Drenasi që u kandidua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ta udhëhequr këtë komunë.

Ahmeti-Xhylani u përball me shtatë kundër kandidatë burra në garë për Komunën që tradicionalisht ka qenë bastion i PDK-së.

Megjithatë, Ahmeti- Xhylani ka paraqitur synimet e saj në një qeverisje eventuale që kryesisht do të fokusohet në arsim.

Sipas saj, prioritet do të ketë rinia dhe përmirësimi i shërbimeve publike ndaj qytetarëve të Drenasit.

“Ju premtoj një qeverisje të mirë, staf administrativ të mirëfilltë, një mirëqenie sociale. Prioritet i jemi ka me qenë arsimi gjithsesi sepse është degraduar në nivelin më të ultë. Do të bëj të pamundurën për të përmirësuar kushtet në shëndetësi. Kam me pasë prioritet edhe rininë, ka me u mundu me i dhanë shumë përkrahje të rinjve”, kishte thënë  ajo.