Investimet kapitale, sfida kryesore e Podujevës

Auditori thotë se Podujeva ka nivel të ulët në realizimin e buxhetit te investimet kapitale dhe se kjo është sfida më e madhe e kësaj Komune.

“Shkalla aktuale e ekzekutimi të buxhetit për investime kapitale është sfida kryesore të cilën përballet komuna”, thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Podujevës.

Raporti thotë se me gjithë faktin se kishte kërkuar buxhet shtesë, arsyetuar me faktin e mbulimit të shpenzimeve për disa projekte, përsëri vetëm 78% e buxhetit të kësaj kategorie është shpenzuar.

Sipas Komunës arsyet për nivelin e ulët të ekzekutimit lidhen me planifikimin jo të mirë të shpenzimeve, vonesat në inicimin dhe lidhjen e kontratave, si dhe ngecjet në realizimin e projekteve.

Vonesat ka edhe në realizimin e projekteve kapitale.

Raporti thotë se ka gjetur se në disa projekte ka vonesa në realizimin e punëve:

  • Në kontratat “Asfaltimi i disa rrugëve në lagjen Bajgora” dhe “Asfaltimi i rrugës në fshatin Obranqë” të nënshkruara në fund të vitit 2016, është paraparë që projektet të kryhet brenda 50 dhe 40 ditëve kalendarike. Këto projekte janë përfunduar në korrik 2017, pra me shtatë muaj vonesë. Përmes librave ndërtimorë vërejtëm se kryerja e punëve nga OE është evidentuar në ditë pune. Sipas zyrtarëve komunal, vonesat ishin shkaktuar për disa arsye: nga janari deri në mars nuk është punuar me arsyetimin se është sezoni dimëror, kishte ditë të paarsyetuara nga menaxheri i projektit si dhe shkaku i çështjeve të pazgjidhura pronësore.
  • Projekti për “Ndërtimin e Serave“ kontratë e nënshkruar në maj të vitit 2017, ishte paraparë të përfundojë brenda 60 ditësh derisa as gjatë kohës sa ne ishim në teren (në muajin prill 2018) kjo nuk kishte përfunduar. OE ka filluar punët me vonesë rreth një muaj, me arsyetimin e mungesës së lëndës së parë e cila nuk prodhohet në Kosovë. Po ashtu arsyetohen me ndërprerje të punëve nga ana e OE për shkak të mos pagesës së situacioneve nga ana e komunës dhe për shkak të kushteve klimatike.

Një tjetër problem i Podujevës, sipas auditorit është mosefikasiteti në mbledhjen e të hyrave, duke shënuar trend negativ.

“E gjetura Komuna e Podujevës ka shënuar trend negativ në realizimin e të hyrave. Vetëm 1,198,727€, apo 64% të planit kishte arritur të realizojë, apo 19% më pak se vitin e kaluar”, thuhet në raport.

Auditori ka vërejtur se në lloje të ndryshme te të hyrave nuk ishin bërë planifikime adekuate dhe nuk ishin marrë masa të mjaftueshme për realizimin e të hyrave.

“Kjo vërehet tek ngecja në mbledhjen e të hyrave nga qiradhëniet, i cili plan ishte përmbushur vetëm 33%, si dhe realizimi i planit për ngarkesat e taksave komunale i cili ishte realizuar vetëm 57%”, thuhet tutje në raport.

Mosmbledhja e të hyrave nga qiraja

Ngecje tjetër e Podujevës janë edhe të hyrat nga qiraja.

“Në një rast, komuna ka ngarkuar me qira mujore personin edhe pse kontrata i ishte ndërprerë, megjithëse i njëjti vazhdon ta shfrytëzon pronën komunale pa kontratë. Obligimet e tij ndaj komunës kishin arritur vlerën 12,538€”, thuhet në raport.

Raporti konstaton se edhe në një rast tjetër, edhe pse qiramarrësi ishte i obliguar të paguaj vlerën prej 330€ për qira mujore, ai nuk ka paguar asnjëherë duke u rritur borxhi i tij në 22,110€, si dhe të njëjtit nuk i është ndërprerë kontrata dhe vazhdon të shfrytëzoje të njëjtën pronë.

“Komuna aktualisht kishte shpërndarë njoftime tek qiramarrësit që nëse nuk paguajnë borxhin do të merren masa ndaj tyre”.

E rreziku sipas auditorit është që menaxhimi i dobët i kontratave të qirave rezulton në rritjen e të arkëtueshmeve si dhe ka shkaktuar rritjen e papërgjegjshmërisë së qytetarëve të cilët shfrytëzojnë pronat publike në mënyrë të kundërligjshme.

Kontrata për shërbime të veçanta që nga viti 2010

Auditori thotë se kjo komunë ka edhe një tjetër problem, kontratat për shërbime, ku kishte angahzhuar 23 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV).

“Në 10 rastet e rishikuara kemi vërejtur se zyrtarët ishin angazhuar në kryerjen e punëve për periudhën më të gjatë se gjashtë muaj. Përveç tjerash dy prej tyre ishin duke kryer aktivitetet që nga viti 2010”, thotë raporti.

Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme si konsulent, zyrtarë për bujqësi, përkthime, digjitalizim të rrugëve, roje, pastruese, e që sipas auditorit mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi meritor.

Podujeva mangësi  ka edhe në procesin e pagesave

Raporti thotë se në tri raste me vlerë 40,744€ kanë vërejtur që pagesat e faturave nuk ishin ekzekutuar brenda 30 ditësh, por kishin zgjatur deri në gjashtë muaj vonesë derisa janë procesuar për tu ekzekutuar për pagesë.

“Te projekti “Pajisje për mirëmbajtjen e shkollave “, me vlerë 5,753€, ishte caktuar komisioni prej tre anëtarëve për pranimin e mallit, derisa malli ishte pranuar vetëm nga dy anëtarë”.

Podujeva nuk respekton kriteret e vendosura vet

Auditori thotë se te ftesa publike për përkrahjen e fermerëve me sistemin e ujitjes pikë-pikë, komuna kishte vendosur kriter që fermerët të cilët ishin përfitues të mëhershëm të subvencionit të mos përfitojnë edhe subvencionin e dytë, mirëpo komuna ka shkelur kriteret që ka përcaktuar vetë.

“Ndërkohë që në rastin e testuar i njëjti person paraprakisht kishte fituar një projekte për serë si dhe ishte përfitues edhe i projektit për sistemin e ujitjes”.

Sipas tyre, mos respektimi i kritereve të vendosura nga vet komuna, mund të shpie në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton përfituesit e rinj potencial.

Ndarja e tenderëve dhe përdorimi i procedurave minimale

Nga 209 kontrata të nënshkruara përmes procedurave tenderuese, raporti thotë se 68 prej tyre (32%) ishin bërë sipas procedurës minimale si dhe 41 (20%) ishin me kuotim çmimesh.

“Kjo përbën një raport relativisht të lartë të përdorimit të këtyre procedurave, dhe paraqet një dukuri jo të favorshme kur marrim parasysh madhësinë e kësaj komune si dhe humbje financiare për shkak se në rastet e tilla çmimet e ofertuesve mund të jenë më të larta”, thuhet në raport,

Tutje sipas LPP-së, Autoriteti nuk do të ndajë kërkesën për prokurim për një sasi të caktuar të produkteve me qëllim të zvogëlimit të vlerës së kontratës për furnizim nën kufirin e caktuar.

:Gjatë vitit 2017, ishin zhvilluar 23 procedura të prokurimit për hartimin e projekteve të ndryshme zbatuese sipas procedurës së vlerës minimale apo kuotim që në total përbëjnë vlerën mbi 106,996€, kjo në vend se të shkonin me një tender prokurimi/procedura të hapura”.

Auditori thotë se Podujeva ka nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm.