Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Intervistë me Albin Kurtin: LVV dhe LDK duhet të bëhet qeveri e re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë për KALLXO.com ka folur për rënien e Qeverisë Haradinaj dhe për zgjedhjet e reja parlamentare.

Në intervistën e gjatë për KALLXO.com, Albin Kurti thotë se opozita e tanishme, LVV e LDK duhet të bëhet qeveri e re.

Ai ka folur edhe  për raportet me ish- kryeministrin Isa Mustafa, dhe ish-bashkëpartiakun Shpend Ahmetin.

Ai ka deklaruar se nuk do ta takojë Shpend Ahmetin edhe nëse merr ftesë për takim.

Kurti ka folur edhe për procesin e dialogut duke komentuar njeriun që pritet ta udhëheq atë, diplomatin spanjoll, Josep Borrell.

KALLXO.com: A keni menduar se vendi do të shkojë në zgjedhje në këtë mënyrë dhe si e vlerësoni krejt këtë situatë politike kaotike dhe meqë vendi është zgjedhje, a mund të na flisni për bashkëpunimet e mundshme. A e përjashtoni mundësinë e një bashkëpunimi me AAK-në per zgjedhjet e reja ?

Albin Kurti: Nuk e kam menduar këtë mënyrë, por e kemi kërkuar këtë rezultat, sepse kemi kërkuar qysh moti dorëheqjen e kryeministrit në disa raste gjatë këtyre dy viteve. Por, jo për çështjen e thirrjes për intervistim nga zyra e prokurorit të specializuar. Fundja, thirrja nuk është as aktakuzë e as arrestim. Për imazhin e vendit tonë nuk përbën dallim a po intervistohet kryeministri apo u.d. i kryeministrit. Dallimi është në Kosovë, ku qeveria është në dorëheqje dhe zgjedhjet e reja po bëhen të pashmangshme ndërkohë që moti ishin të nevojshme. Opozita e vërtetë që njëkohësisht paraqet dy subjektet më të mëdha politike në vend, LVV dhe LDK, duhet të bëhet qeveri e re. Ndryshimi ndryshe nuk bëhet. Sa i përket AAK-së, ajo ishte dhe është në pushtet.

KALLXO.com: A jeni të gatshëm për një koalicion me AAK-në në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen ?

Albin Kurti: Sondazhet nuk na tregojnë se do të ketë nevojë për diçka të tillë. Dikur menduam se do të mund të bashkëpunonim me ta për shtet, ata zgjodhën të bashkëpunojnë me PDK-në për pushtet. Le t’i bartin pasojat e keqqeverisjes së tyre, plot dështime e korrupsion. Shteti nuk është më pak i kapur për shkak se ata janë në qeveri. Përkundrazi! Prokuroria e dorëzuar para krimit të organizuar dhe prokurimi i dorëzuar para korrupsionit qeveritar e kanë bërë shtetin e së drejtës si një qiri të hollë i cili po soset teksa digjet me shpejtësi nga të dyja anët. Në Kosovë sot nuk ka vetëm korrupsion në institucione por edhe institucione në korrupsion.

KALLXO.com: Si opozitë, a mund të na komentoni qeverinë e sapo rrëzuar. A ia vlerësoni Haradinajt qëndrimin kundër idesë për korrigjim të kufijve, vënien e taksës e krijimin e ushtrisë?

Albin Kurti: Kjo ishte një qeveri me skandale të përditshme e cila e rriti kapjen e shtetit të Kosovës. Ishte qeveri tërpijanësh, qeveri e babëzisë, e lakmisë së pakontrollueshme, e grykësisë së pangopshme. Shumë mirë që ra. Qytetarët tashmë po marrin frymë më lirisht, vërehet gëzim dhe entuziazëm tek ata. Pas protestës masive të 29 shtatorit 2018, protestës më të madhe të Kosovës së pasluftës me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, ish kryeministri u pat rreshtuar drejt, kundër aventurave personale e akrobacioneve të rrezikshme të presidentit për pazare territoresh me Serbinë. Kjo sigurisht që është për t’u vlerësuar pozitivisht. Megjithatë nuk është keq të bëjmë pak kujdes sepse ai e pat kundërshtuar edhe demarkacionin që na e ndryshonte kufirin e pas 3 vjetëve ndërroi qëndrim për 180 shkallë. Po ashtu, më 13 dhjetor 2018 e ofroi një propozim 30 faqësh për marrëveshjen Kosovë-Serbi e cila ishte “Ahtisaari Plus” dhe atë ua dërgoi ambasadorëve të Quintit dhe BE-së. Heqja e tarifës 100% është kërkesë e Vuçiqit dhe kjo nuk duhet të pranohet. Natyrisht që shumë më e mirë dhe më e drejtë do të ishte vendosja e parimit të reciprocitetit sesa tarifa 100%, e cila tregon që megjithatë ti e ke një çmim. Gjithashtu është për t’u vlerësuar kalimi i tri ligjeve për FSK-në më 14 dhjetor 2018, me ç’rast prej 99 amendamenteve, 77 u patën bërë nga GP i LVV. Mangësia është që ndryshimi në letër i FSK-së nuk u përcoll edhe me ndryshim buxheti. Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është mbi pesëfish më i lartë sesa i Ministrisë së Mbrojtjes.

KALLXO.com: A ndjeni dhimbje për mënyrën e largimit të Haradinajn nga Qeveria për arsye të ballafaqimet e tij me drejtësinë ndërkombëtare për shkak të luftës ?

Albin Kurti: Dhimbja ime është pse ekziston një gjykatë e tillë speciale. Pasi e lanë UÇK-në jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe jashtë Kushtetutës së Republikës, të njëjtit njerëz e futën atë nën Gjykatën Speciale! Kosova ka nevojë për shtet të së drejtës, që do të thotë: gjykata normale brenda Republikës e jo gjykata speciale sipër Republikës. Pra, po na dëmtohet edhe historia kombëtare edhe shteti republikan. Unë besoj fuqishëm në popullin dhe shoqërinë tonë, në qytetarët dhe njerëzit tanë. Ne do të fitojmë, por shumë po na vonojnë e shumë po na dëmtojnë. Vetëm pas kësaj dhimbjeje, më dhimbsen individët e veçantë, por jo Ramush Haradinaj më shumë se Sylejman Selimi apo Sokol Dobruna apo të tjerët.

KALLXO.com: A jeni i gatshëm ta negocioni postin e kryeministrit me partnerët e ardhshëm politikë?

Albin Kurti: Ne nuk negociojmë poste. Ndryshimi në Kosovë do të vijë kur të kuptohet se më i rëndësishëm është programi e plani i punës, e jo postet. Është mbështetja e votuesve e besimi i qytetarëve ajo që duhet ta çojë një politikan në një post. Përndryshe kryeministra me marrëveshje e pa vota Kosova ka patur plot, një të tillë e kishim, por mund ta shihni të gjithë se çfarë dëmi është kjo për qytetarin e për buxhetin, për demokracinë e për qeverisjen. Ai kryeministër s’ka asgjë në dorë për të bërë ndryshim, gjithë pushteti i tij përqendrohet te thellimi i korrupsionit.

KALLXO.com: Jeni parë duke u përqafuar dhe duke u krenuar me Shpend Ahmetin dhe punën e tij gjatë kohës sa ishte me juve. Si ndiheni sot për të? A ju ka zhgënyjer ?

Albin Kurti: Si kryetar i Prishtinës e kemi mbështetur jo për arsye personale por për arsye ekipore. Në ekipin e tij i ka patur disa drejtorë të guximshëm e të mirë, të cilët premtuan dhe realizuan ndryshime pozitive. Sot ata drejtorë ai i largoi, dhe nuk e ka më mendjen te Prishtina, por te projekte që s’i takojnë. Psh. hyri në grupin antikushtetues, sepse ka dëshirë të madhe për pushtet më shumë se sa për punë. Prishtina ka nevojë për punë, dhe në shumë aspekte mandati i tij i dytë është dobët, krahasuar me të parin. Pra, ka zhgënjyer. Mendoj se edhe vetë e di që nuk ka as çka lyp në zgjedhjet e ardhshme lokale.

KALLXO.com:  A ju ka ftuar kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ndonjëherë në takim për të bashkërenduar veprimet si opozitë dhe nëse iu fton a do ta pranonit një takim me të ?

Albin Kurti: Jo.

KALLXO.com: Gjatë këtij mandati keni pasur takime të shumta me Isa Mustafën. A i keni kërkuar ndonjëherë falje për deklaratat, gjuajtjen me vezë, aksionet e të tjera që i keni ndërmarrë ndaj tij, gjatë kohës sa Mustafa ka qenë kryeministër?

Albin Kurti: Kemi patur takime aq herë sa ka qenë e nevojshme për koordinim opozitar. Kemi diskutuar për mënyrat se si mund t’i ndalim disa nga të këqijat e rreziqet që i ka afruar kjo qeverisje. Po ashtu kemi diskutuar dhe për mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit në të ardhmen. Kanë qenë takime pune, të njerëzve e politikanëve të brengosur për fatin e shtetit, e jo takime për t’i bërë qejfin njëri-tjetrit.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

KALLXO.com: A keni ndonjë marrëveshje paraprake me LDK-në. Në media kanë qarkulluar lajme se në një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së, ju do të bëheshit kryeministër, ndërsa Isa Mustafa, president. Sa të vërtetë ka në këto lajme ?

Albin Kurti: Ky nuk është lajm, por spekulim pa burime. Nuk ia vlen as të komentohen rrena të tilla, sepse kjo vetëm sa i nxit spekuluesit që të vazhdojnë me spekulime të tjera.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka kërkuar marrëveshje të tilla, me ndarje postesh për emra, dhe i ka refuzuar ato edhe kur na janë bërë. Marrëveshjet tona nisin nga përgatitja e parimeve politike e programore të përbashkëta, e jo nga postet. Jemi optimistë se duke u fokusuar te drejtësia e lufta kundër kapjes së shtetit e korrupsionit, te nevoja për investime në ekonomi, punësim të qytetarëve dhe progres shoqëror, do të mund të kemi një marrëveshje programore me LDK-në. Kjo do të ishte në të mirë të Kosovës.

KALLXO.com: A është Kosova në rrezik që gjatë kësaj kohe pa kryeministër, të tentohet të arrihet një marrëveshje me Serbinë ?

Albin Kurti: Nuk mund të ketë kurrfarë marrëveshje me Serbinë nga askush në këto rrethana. Tani legjitimiteti institucional në Kosovë është çështja edhe më urgjente edhe më e rëndësishme. Pra: zgjedhjet demokratike, zëri i qytetarëve, vullneti i popullit.

KALLXO.com: Duket se ndërkombëtarët janë të të interesuar ta mbyllin marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, pa i interesuar detajet. Në rast të ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, si do ti qaseni procesit të dialogut?

Albin Kurti: Dialog i përgatitur mirë e me parime të qarta. Përgatitje do të thotë shqyrtimi e vlerësimi i 33 marrëveshjeve të deritanishme nga dialogu 2011-2017, i zbatimit dhe ndikimit të tyre. Dhe, lista e kërkesave tona ndaj Serbisë për borxhin e okupimit dhe luftës së Kosovës. Më pas platformë me parime dhe ekip negociator me strategji. Përgjatë gjithë hapave të procesit të ecim me 2/3 e deputetëve të Kuvendit e jo vetëm në fund pas marrëveshjes.

KALLXO.com: Gjatë këtyre viteve keni pasur dyshime lidhur me ecurinë e dialogut, sidomos me qasjen e Federica Mogherinit. Në mediat ndërkombëtare po flitet se zëvendësues i saj do të jetë Josep Borrell. A mund ta komentoni njeriun që pritet ta zëvendësojë, duke ditur që ai vjen nga një vend që nuk e njeh Kosovën?

Albin Kurti: Spanja nuk e njeh Kosovën, dhe kjo është e ditur. Mirëpo Italia ka qenë ndër vendet e para që e kanë njohur Kosovën, e megjithatë nuk pamë ndonjë ndihmë nga znj. Mogherini gjatë kësaj kohe. Dua të them se, pavarësisht qëndrimit të njohjes apo mosnjohjes, ka nuanca shpeshherë edhe personale në qasjen që disa figura politike në pozita të larta, mbajnë ndaj nesh. Sigurisht aty luan rol edhe se cilët janë ata që na përfaqësojnë ne, edhe kjo mund të ndikojë jo pak te qasja e zyrtarëve evropianë.

Sa i përket z. Borrell, pres që ai të ketë një qasje korrekte. Është intelektual i nivelit të lartë dhe politikan me eksperiencë. Në lidhje me Kosovën i ka patur disa dallime kur ka qenë ministër i jashtëm i Spanjës, psh. ka deklaruar se nëse Serbia e njeh Kosovën, edhe Spanja menjëherë do ta njohë, gjë e cila ndryshon prej qëndrimit tërësisht refuzues të paraardhësve të tij djathtistë. Po ashtu, Borrell vjen nga një qeveri spanjolle tërësisht pro-BE dhe mendoj se kjo do të luajë rol, sidomos kur shoh se në zgjedhjet e fundit evropiane është forcuar shumë Gjermania dhe linja politike e Kancelares Merkel, gjë që premton mirë për Kosovën. Por që të arrijmë diçka na duhen politikanë të dinjitetshëm e jo injorantë të pangopshëm.

KALLXO.com: Në rast se Kosova ka përpara vetes dy zgjidhje: Planin e Thaçit për korrigjim në një anë, dhe në anën tjetër Asociacionin me kompetenca ekzekutive, cilin do ta zgjidhnit ?

Albin Kurti: Kosova nuk i ka më këto zgjidhje, sepse këto zgjidhje kanë rënë. Këto zgjidhje janë problem. Ato ranë falë protestave masive të popullit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, falë bashkëpunimit sistematik opozitar LDK-LVV, falë popullit i cili nuk i ndoqi liderët autokratë të cilët sajonin provokime për të shkaktuar incidente në terren midis shqiptarëve dhe serbëve. U shpall antikushtetuese ‘Zajednica’, u shpall antikushtetues grupi negociator, si edhe dialogu presidencial. Pra asnjë nga këto zgjidhje nuk janë në tavolinë më. Dialogu i deritashëm na doli se paska qenë përplot abuzime e shkelje, prandaj s’e kemi patur keq që e kemi kundërshtuar. Dialogu tash është ndalur, dhe të vetmen rrugë përpara për dialogun e kemi ofruar ne, me katër hapat që përmendëm më sipër.

KALLXO.com: Si kryetar i një partie politike, qysh e komentoni vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për të mos i lejuar në parti njerëzit që kanë aktakuza ?

Albin Kurti: Vendim i kotë, duke ditur se në Kosovë Veseli e veselët janë ata që vendosin se kush ka e kush nuk ka aktakuza. Ky njeri vetë ka pranuar që ka drejtuar për vite me radhë një organizatë kriminale si ShIK-u, dhe ende nuk e ka një aktakuzë. Pra, marketing qesharak. Por kreu i PDK-së do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë qesharakë, sepse s’ka ç’bën, e ka të domosdoshme të mbrohet prej rënies në vend të katërt. Dhe i trembet shumë një drejtësie të pakorruptuar, që do të jetë realitet i së ardhmes me Lëvizjen në qeveri.

KALLXO.com: Është bërë shumë ‘zhurmë’ për deklarimin e pasurisë nga ju në Agjencinë Kundër Korrupsion, ku keni deklaruar se bashkëshortja e juaj ka blerë apartament me vlerë prej 400 mijë euro. QSi i komentoni ato?

Albin Kurti: Zyrtarët e Lëvizjes nuk gënjejnë në deklarimet e pasurisë, dhe nuk fshehin asgjë. Ajo banesë, me atë vlerë, është një banesë e blerë nga bashkëshortja ime, me kredi 25 vjeçare, në Norvegji. Janë të ardhurat e bashkëshortes sime e cila punon si hulumtuese e lartë në një institut norvegjez për politikë të jashtme.

KALLXO.com: Jeni zotuar për një qeverisje ndryshe dhe gjithmonë në paraqitje publike flisni për një qeverisje ndryshe; mirëpo, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është duke e mbajtur në detyrë një drejtor të dënuar. Pse nuk është shkarkuar nga detyra dhe ky amnistim a nënkupton se Lëvizja Vetëvendosje do të lejojë në Qeverinë e saj njerëz të dënuar ?

Albin Kurti: Nuk e njoh rastin në detaj, por di se personi në fjalë vjen nga radhët e subjekteve të tjera. Në koalicion siç thashë më lart, ne diskutojmë për programin e planin e përbashkët, si dhe përcaktohemi për punë e pa korrupsion. Por nuk mund të arrijmë deri në pikën sa t’ua caktojmë edhe se cilët persona subjektet e tjera i emërojnë diku. Nëse ka shkelje ligjore në atë emërim, apo nëse ai person ka bërë shkelje gjatë kohës që është drejtor, kjo duhet adresuar urgjentisht nga ju dhe nga ne. Mirëpo sa i përket të shkuarës së tij, ajo mbetet çështje e subjektit të koalicionit që e ka sjellë në atë pozitë.

KALLXO.com: Qysh e komentoni faktin se gjatë kohës së qeverisjes së Haskukës në Prizren ka shpenzim të parasë publike për pije alkoolike ?

Albin Kurti: Këto janë pyetje që duhet t’i drejtohen ndonjë zyrtari në atë Komunë, e jo mua. Nuk mund të merrem me imtësi të tilla. Por, edhe pa qenë i informuar, sigurisht që Komuna pret delegacione të shumta nga vende të ndryshme të botës, dhe në disa raste shtrohen edhe darka në këto pritje, sepse kështu funksionon protokolli. E aty dikush mund të porositë verë. Të mos i organizosh këto pritje, konsiderohet si mungesë etikete e mirësjellje, dhe do të shkaktonte prishje të marrëdhënieve me partnerët e ndryshëm.

KALLXO.com: Që sa kohë e njihni Glauk Konjufcën? A besoni se ai ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK) dhe si i komentoni diskutimet në opinion rreth kësaj ngjarjeje ?

Albin Kurti: Këto janë pallavra. E njoh mirë, dhe është njeri me integritet të lartë moral e intelektual. Nuk ia vlen dhe s’është mirë të komentohen shpifjet që dalin nga idhnakët pasi që dështojnë. Kanë dashur ta vrasin politikisht Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por kanë bërë vetëvrasje si politikanë. A vritet Lëvizja bre? Tentimvrasja e tyre u bë vetëvrasje.

KALLXO.com: Presidenti Hashim Thaçi ju ka përmendur juve dhe Glauk Konjufcën se qëndroni mbrapa organizatës “Syri i Popullit”. Cila është arsyeja që e ka shtyrë presidentin të thotë diçka të tillë dhe a ju ka ftuar Prokuroria në lidhje me këtë çështje ?

Albin Kurti: Nuk e di a i keni përcjellë lajmet, por tash prej gati tre muajsh ne i kemi paditur këta zyrtarë të papërgjegjshëm, Thaçin e Veselin, për shpifjen që kanë bërë në Gjykatë, kur kanë qenë nën betim. Po presim që prokuroria të veprojë. Por prokuroria po rri e trembur, sepse është e kapur. Prandaj ka patur thirrje edhe nga ambasadat për të protestuar kundër kësaj prokurorie, sepse nuk veprojnë as kur krimet janë evidente e publike.

Pse shpifin ata? Se nuk kanë mënyrë tjetër të mbulojnë problemet e mëdha që kanë vetë, e që i ka dhe Kosova. Dhe, janë në panik, sepse janë në mandatin e fundit të tyre i cili po shkurtohet shumë më shpejt sesa që rrjedhin ditët.

KALLXO.com: Qysh e shihni të majtën në Kosovë. Sipas jush, a janë të majtë në politika dhe programe dy partitë tjera politike në Kosovë, Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate dhe ku i keni dallimet ju si Lëvizje Vetëvendosje ?

Albin Kurti: Asnjë emërtim nuk funksionon me vetë shpallje. Për ta merituar një emërtim, duhet të tregohesh, në teori e në praktikë. Në teori, për ato dy subjekte s’kemi çka flasim, sepse nuk kemi gjë të shkruar prej tyre në atë fushë. E në praktikë, puna e tyre në ndihmë të korporatave të mëdha monopoliste, si dhe praktikat korruptive tregojnë se as era e të majtës nuk u vjen. Psh. së fundi, ministria e Arsimit shpejt e shpejt bëri konkursin për tekste shkollore, ku 80% ia dha një korporate të vetme, edhe pse konkurrues pati shumë shtëpi botuese të mira, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Aq shumë u nxituan me atë konkurs, sa tekstet janë plot gabime dhe tash po thonë se është eksperiment e le t’i gjejnë nxënësit gabimet. Apo ky subjekti tjetër që ikën nga LVV, këta vunë si kusht për të marrë kioskat, që të kishin 5 milion euro xhiro! Pra edhe kioskat në shesh donin t’ua jepnin miqve të tyre milionerë. Kjo nuk është e majtë.

KALLXO.com: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, vijnë nga dy parti që identifikohen si të majtë. Si i shihni ju në praktikë, a janë duke qeverisur si të majtë Rama dhe Zaev?

Albin Kurti: Nuk është praktikë që një politikan që synon qeverisjen të komentojë publikisht politikanët e vendeve të tjera. Megjithatë, e pamë se ç’mendonte Zaevi për Thaçin e Vuçiqin që po na e sjellin Moskën te dera. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, sfida e çdo të majte atje është tejkalimi i diskriminimit strukturor, ekonomik e shoqëror i shqiptarëve. Nëse shqiptarët do të bëhen të barabartë me maqedonët, atëherë mund të them se ka një sukses e majta atje, për ne shqiptarët.

Sa i përket Shqipërisë, pabarazia ekstreme ekonomike, dyshimet për përzierje të krimit dhe biznesit në media e politikë, kanë shkaktuar një krizë të demokracisë. Një forcë e majtë duhet t’i paraprinte kësaj krize, dhe të mos e lejonte rrezikimin e demokracisë në këtë mënyrë.

Albin Kurti e Edi Rama. Foto: LSA