Intervistë me Alban Mujën, artisti që përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut

Ajo për të cilën do të flitet më së shumti sivjet në Bienalen e Venedikut është ekspozimi i anijes së fundosur, ku humbën jetën mes 700 e 1.100 refugjatë që udhëtonin mes Libisë dhe ishullit italian Lampedusa, më 18 prill 2015.

Pasi që forensika italiane kishte kaluar muaj të tërë për të nxjerrë trupat e kurthuar në anije (ku vetëm 28 njerëz kishin shpëtuar), anija ka arritur në Venedik për t’u paraqitur si një përkujtim i zymtë i përvojës së refugjatëve, ide kjo e artistit zvicerano-islandez Christoph Buchel.

Në këtë kontekst duket që prezentimi i Alban Mujës, artistit kosovar në pavijonin e Kosovës që hapet sot në ora 14:00 që paraqet përvojën e refugjatëve kosovarë më 1999 duket t’i përshtatet preokupimit tematik të artistëve mbarëbotërorë.

Gazeta Jeta ne Kosovë bisedoi me Mujën disa ditë para hapjes së pavijonit lidhur me punimin e tij.

Gazeta Jeta në Kosovë: Sot bëhet hapja e pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut. Për njerëzit që nuk mund të jenë aty, na tregoni çka prezantohet në këtë pavijon?

Alban Muja: Projekti është multimedial. I kam marrë 3 imazhe gazetareske të bëra para 20 viteve, të fëmijëve që janë fotografuar nga mediat e njohura në atë kohë si refugjatë (ose nëpër kampe ose në ikje prej luftës), dhe kam bërë tri video me ata fëmijë 20 vjet pas. Ideja ka qenë me sjellë një projekt human, përmes këtyre imazheve që përkujtojnë jo vetëm çka ka ndodhur në Kosovë kur më shumë se 1 milion njerëz u shndërruan në refugjatë më 1999, por edhe të përkujtojmë sfidën me të cilën ballafaqohen refugjatët e sotëm. Këto personazhe janë fëmijë që në atë kohë kanë qenë 6 muaj deri në 5 vjeçar.

Fjala është për Besa Lutën nga Kaçaniku që është foshnja e nënës nga Kaçaniku që është fotografuar duke i dhënë gji bebes derisa kapërcente kufrin me ikë nga lufta, dhe dy videot tjera me Besimin e Jehonën, vëlla e motër, nga Mitrovica dhe Agimin nga Prizreni.

E kam quajtur punimin “Albumi familjar”, sepse këta fëmijë tash janë rritur dhe kanë qenë në disa raste shumë të vegjël për të pasë ndonjë memorie të asaj përvoje por e kanë krijuar kujtimin për këtë ngjarje, pra aktin e të mbajturit mend (memories), në bazë të informatave që i kanë marrë prej familjarëve. Më ka tërhequr ideja që të bëj më personale fotot aq publike të refugjatëve që kanë bërë bujë kur u botuan dhe raportuan nga mediat e huaja në atë kohë.

Sherife Luta – Foto: Samir Sagolj/Reuters

Gazeta Jeta në Kosovë: Rrëfimet e këtyre fëmijëve do të ngjallin kuriozitet, jo vetëm artistik por kuriozitet dokumentar, pasi që njerëzit mund të shohin çka ka ndodhur me këta fëmijë 20 vjet pas. Çka ju inspiroi të krijoni këtë punim?

Alban Muja: E gjithë kjo ka filluar prej nje fotografie time personale, kur e gjeta këtë fotografi në albulmin e familjes time në kampin Hamallaj, që quhej “kampi spanjoll” i refugjatëve në veri të Shqipërisë. Ishte fotografi e marrë pak ditë pasi kishim arritë të bashkohemi me babën tem që iku prej burgut serb të Smrekovnicës (burgu serb në Vushtrri ku ishin burgosur shqiptarët gjatë bombardimeve të NATO-s).

Para disa viteve e kam gjetur këtë foto dhe kam filluar të mendoj të bëj diçka me të, dhe më vonë vendosa që s’do të merrem me fotografinë time personale por do të marr fotografi të njohura të refugjatëve në atë kohë dhe t’i gjej ata refugjatë.

Pasi hulumtimin e kam filluar nga albumi im familjar, e kam quajtur kështu punimin pasi deshëm ne apo s’deshëm këto fotografi janë bërë fotografitë më të rëndësishme e më të vlefshme të përvojës familjare të cilën ia tregojmë njëri-tjetrit. Në ndërkohë i kam marrë të drejtat për përdorimin e këtyre fotografive nga fotografët që i kanë bërë në atë kohë, me qëllim që të tregohet një histori ma e gjanë. Kemi nisë rrëfimin prej një fotoje, e pastaj vazhdohet me video, narracion i treguar në formë dokumentareske.

ALBANIA – MAY 03: Agim Shala, 2 years old, is passed thru the barbed wire fence at the Arab camp as members of the Shala family are reunited after fleeing Kosovo. The relatives who just arrived from Prizren had to stay outside the camp until shelter was available. (Photo by Carol Guzy/Washington Post/Getty Images)

Gazeta Jeta në Kosovë: Në fakt Alban keni qenë në garë për të përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venedikut edhe më parë, para 4 viteve. Këtë herë u përzgjodhë, Çka mund të na thuash për këtë proces të përzgjedhjes së artistëve për të prezentuar Kosovën në Bienale?

Alban Muja: Është mjaft impresive përzgjedhja e krejt artisëtve që e kanë përfaqësuar Kosovën deri tash, duke nisur prej Flaka Halitit, Petrit Halilajt dhe Sislej Xhafës herën e fundit. Herën e kaluar kur jam propozuar kam qenë një prej 4 të propozuarve me ç’rast ka fituar Flaka Haliti dhe kam qenë ndër të parët që ia kam uruar. Procesi i përzgjedhjes, fatmirësisht, është mjaft meritor. Komisioni përzgjedhës bazohet në vlerësimet e disa njerëzve të fushës, i kontakton edhe insitutcionet artistike jashtë Kosovës për të marrë një vlerësim, njëri prej kritereve që vlerësohet shumë sa ka qenë aktiv artisti viteve të fundit nëpër prezentime para se të ekspozojë në Bienale, dhe unë kam qenë më aktiv viteve të fundit me ekspozita jashtë Kosovës. Edhepse sivjet jam unë ai që e përfaqësoj Kosovën më duhet të them që ka plot artistë të mirë në Kosovë që ende nuk ju ka ardhë shansi apo mundësia që të prezantohen këtu. Në fakt është komentuar nga kuratorë të njohur botërorë që Kosova, duke marrë parasysh sa e vogël është, ka numër bukur të mirë të artistëve bashkëkohorë.

Gazeta Jeta në Kosovë: Si e shpjegoni faktin që në këtë fushë, në Kosovë, nuk po i fusin hundët politikanët të dërgojnë “artistët e vetë”, por ka një përzgjedhje kualitiative të artistëve të cilët të gjithë i respektojnë dhe nuk ka kritika që kanë shkuar pa meritë ta prezantojnë Kosovën, për dallim prej fushave të tjera ku nepotizmi e lidhjet politike po dominojnë e jo kualiteti i punës dhe meritokracia?

Alban Muja: Pikërisht! Në këtë drejtim është mendu një politikë e mirë. Bienalja e Venedikut është prezentim direkt i një shteti mes qindra shteteve që prezantohen këtu dhe është mendu që nuk ia vlen  me dërgu dikënd që na korit. Si shtet i ri e i vogël nuk e kemi luksin me u korit në vitet që sa kemi fillu të prezantohemi si shtet. Po më vjen mirë që institucionet e kanë marrë seriozisht ta lënë një imazh te ri e të mirë, gjë që mund të dëshmohen me emrat që janë prezantuar deri tash edhe para meje, jo vetëm unë. Unë, edhe kur nuk kam qenë vetë i përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën, e kam respektuar dhe vlerësuar këtë proces të përzgjedhjes së artistit që po bëhet me përgjegjësi, deri tash, se fundja për të bërë këtë pavijon paguhet prej pareve të taksapaguesve të Kosovës dhe ia kemi borxh taksapaguesit ta bëjmë si duhet.

Anija që u përmbyt me refugjatë, sillet në Venedik – Foto: Andrea Merola/EPA

Gazeta Jeta në Kosovë: Në fakt pasi folët për taksapaguesit e Kosovës, ju jeni i i pari “taksapagues” që e përfaqësoni Kosovën në pavijon, sepse 3 artistët që na kanë përfaqësuar viteve të kaluara nuk jetojnë në Kosovë.

Alban Muja: E vërtetë, megjithatë janë njerëz që janë të lidhur e të preokupuar me Kosovën të gjithë, por mendoj që unë i shoh problemet e Kosovës ndryshe, duke ia nisur prej faktit që anëtarët e mi të familjes mezi kanë gjetur termin nëpër ambasada për të qenë prezent në hapjen e ekspozitës. Ndoshta po nisem prej problemeve ma bazike por mund të them që nëse s’ke liri të lëvizjes kjo është problemi kryesor për avancimin e një njeriu në çfarëdo profesioni. Unë u ligjëroj studentëve në Kosovë dhe më pengon fakti që edhe studentët e mi që mund të paguajnë për të ardhur në Bienale për të parë veprat e fundit të artit bashkëkohor, nuk mund ta bëjnë këtë për shkak të mungesës së vizave. Mendoj që ky është frustrimi kryesor i të qenurit të ‘bazuar në Kosovë’.

Gazeta Jeta në Kosovë: Ajo që na bën përshtypje viteve të fundit është që edhe ju me punimin tuaj, edhe Sislej Xhafa para dy viteve, fokusoheni në temën e drejtësisë tranzicionale, merreni me tema të luftës, gjëra të cilat nuk janë fare pjesë e marrëveshjeve apo bisedimeve Kosovë-Serbi, dëmet e luftës. Xhafa është marrë me të zhdukurit, ju me refugjatët. Si e shpjegoni faktin që artistët po merren me tema më ‘patriotike’, thënë kushtimisht, sesa politikanët që zgjedhën t’i avancojnë të drejtat e popullit të vet përpara?

Alban Muja: Ne vazhdimisht jemi në kontakt me artistë të rajonit nëpër ekspozita jashtë Kosovës. Unë vazhdimisht u them kolegëve të mi serbë se ne duhet me adresu atë çka ka ka ndodhur në Kosovë, as me e ‘shminku’ as me e zmadhu atë që e ka ndodhur.

Unë jetoj në Kosovë dhe e di që e kaluara na ndikon në kualitetin e jetës, duke nisur nga mungesa në arsim që kemi përjetuar një dekadë të tërë nën sundimin e Millosheviqit, kur janë pezulluar shkollat zyrtare në shqip. Krejt këto duhet me u diskutu dhe me u ballafaqu ne me to. Unë u them krejt këtyre kolegëve artistë që i takoj nëpër botë se qëlliminuk është t’i bëj të ndihen fajtorë për të bëmat e shtetit të vet, por kërkoj ballafaqim për ato tema përmes punës time. Së fundi unë nuk mund të mos merrem me këto tema, jetoj në Kosovë e jo në Paris. Dhe kam përgjegjësi si artist, kur e përfaqësoj shtetin tim, mendoj që ky pavijon duhet të merret me tema që e reflektojnë shoqërinë prej nga vij. Unë kam qenë 18 vjeçar kur ka ndodhur lufta dhe jam bërë refugjatë, pra e kam përjetu këtë histori për të cilën po flitet edhe në punimin tim. Dhe kam mendu, sivjet është pikërisht 20 vjetori i asaj përvoje, prej kur gjysma e popullatës së Kosovës u bë refugjat. Nuk më ka shku mendja të ik prej kësaj teme. E politika i ka prioritetet tjera prej artistëve si duket.

Gazeta Jeta në Kosovë: Për që politika ka prioritete të tjera vërehet edhe prej faktit që Kosova, edhe sot pas 20 vjet pas lufte, s’e ka një muze ku një turist që vjen në Kosovë do të mund të kuptonte më shumë për atë që ka ndodhur gjatë luftës. Përveç kësaj nuk është shtuar as një muze i vetëm i artit, prej që Serbia më nuk e udhëheq Kosovën.

Alban Muja: E qartë. Nëse një turist vjen në Prishtinë nuk mund ta shohë historinë e artit modern dhe bashkëkohor në Prishtinë. Ne kemi aq art sa të mund të ekspozojmë në një muze modest të artit bashkëkohor, të ngjashëm me atë që e ka bërë Lubjana së voni (jo një muze megaloman të artit bashkëkohor çfarë e ka Zagrebi, i cili e ka kufizuar orarin e hapjes për shkak se s’po mund t’i mbulojë shpenzimet e rrymës).

Gazeta Jeta në Kosovë: Ka shumë debate lidhur me atë se ku duhet të vendoset ky muze. Cili është pozicioni juaj lidhur me lokacionin për këtë muze të artit bashkëkohor?

Alban Muja: Nuk është vetëm çështje infrastrukturore. Mos harroni që kjo është çështje edhe e mungesës së njerëzve mjaftueshëm të kualifikuar apo të shkolluar për të kuruar një muze të tillë. Për shembull kemi një Fakultet të Artit që nuk prodhon historianë të artit, nuk prodhon kuratorë dhe ne nuk kemi dërgu kurrë studentë jashtë Kosovës të kryejnë  Historinë e Artit në mënyrë që me zhvillu skenën e kurimit të muzeve të reja. Duhet të fillojmë tash ta bëjmë këtë punë, të investojmë në njerëz që janë drejtues të fushës së artit. Edhe nëse kemi artistë, na mungojnë këto hallka të artit që janë pjesë e rëndësishme e që të gjitha duhet të inicohen nga sistemi i edukimit, që kjo fushë e edukimit për histori të artit të hapet në Arte apo Fakultet Filozofik dhe të ivnestohet diku 5-10 vjet që me i eduku disa njerëz në këto fusha ose duhet me i importu qysh kanë vepruar vendet e tjera, por besoj që prapë edhe importi na kushton.

Gazeta Jeta në Kosovë: Pra në aspektin e burimeve njerëzore kemi mungesa, e në aspekt infrastrukturor, a keni ndonjë propozim?

Alban Muja: Nuk ka hapësirë më të mirë se ish objekti i Gërmisë për Muze të Artit Bashkëkohor, për disa arsye. Së pari, për një sallë koncertale duhet të kesh një vend ku shumë njerëz vinë në të njejtën kohë, pra i qasen ndërtesës të njejtën kohë sepse koncerti fillon në orë të caktuar dhe duhet të ketë hapësirë për parking për gjithë ata. E arti është diçka që nuk kërkon frekuencë të qytetarëve në orë të caktuara andaj për arsye logjistike mendoj që ai vend nuk është  i përshtatshëm për sallë koncertale por për muze arti. Madhësia e asaj ndërtese është pikërisht modeste që mjafton për një muze arti, pra mund të intervenohet në atë ndërtesë pa e shkatërruar plotësisht, por për ta marrë shembullin e Lubjanës që e ka përvetësuar një ndërtesë të vjetër.

Gazeta Jeta në Kosovë: Ata që e kanë menduar sallën e koncerteve në atë ndërtesë të ish-Gërmisë s’do pajtoheshin me ju.

Alban Muja: Unë po sugjeroj vendin që gjithmonë është menduar për sallë koncertale që nga paslufta sepse aty do të mund të ndërtoheshin mjaft hapësira të reja për parking, te Fakulteti Teknik. Pra nuk është që po sugjeroj mos me u ndërtu hiç por duhet të mendohet që kaosit urbanistik të Pristhinës të mos i shtohet një kaos i ri ku, qytearët të cilët ne e dimë që përdorin shumë makina, të mos i qasen në të njejtën kohë qendrës së Prishtinës, ku ka mungesë të parkingut. Kjo po më duket zgjidhje më praktike për te dy komunitetet, edhe ata të artit edhe të muzikës.

Gazeta Jeta në Kosovë: Në fund, si artisti i parë kosovar që jetoni në Kosovë e po e përfaqësoni Kosovën në Bienale, a ka gjasa të ndodhë me ju si me Eliza Hoxhën, artistes paraprake që më 2018 e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e arkitekturës, e në 2019 iu bashkangjit PDK-së. Mos do të ju shohim edhe juve duke e marrë librezën e ndonjë partie politike. Kritikët do thoshin: mos po të “bukëzojnë”?

Alban Muja: S’kam ambicie të tilla. Mendoj që mund të kontribuoj për shtetin mjaftueshëm pa pasë nevojë të hy në parti, së fundi edhe vetë më parë konstatuat që artistët (si dhe sportistët) po e kallxojnë rrëfimin e popullit të vet më mirë se politikanët andaj s’kam asnjë motivim t’i bashkangjitem partive. Në anën tjetër, është pëzgjedhje individuale e secilit prej nesh të kontribuojmë shoqërisë ashtu si mendojmë që mund të kontrobuojmë më së miri.

09 Maj 2019 - 09:28

Jeta Xharra 09/05/2019 - 09:28
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend