Universiteti i Mitrovicës

Intervenimi i MAShT-it mban në punë Prorektorin e Universitetit të Mitrovicës

Vendimi i Bordit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” nuk mjaftoi për ta shkarkuar Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Rifat Morina.

Kjo për shkak se Ministria e Arsimit nuk pranoi këtë shkarkim me arsyetim se Bordi i Universitetit kishte tejkaluar kompetencat e tij në vitin 2017.

Morina po vazhdon të ushtrojë këtë detyrë deri në zgjedhjet e reja në këtë universitet.

MAShT është thirrur në statutin e përkohshëm të këtij universiteti që parasheh se mandati i rektorëve dhe ngjajshëm edhe prorektorëve mund të përfundojë për arsye të ndryshme, mirëpo “Vendimi për shkarkim mund të merret vetëm nga MASHT”.

Përderisa prorektori Morina e sheh tentativën për ta shkarkuar atë si keqdashëse nga ana e rektorit, ky i fundit nuk u përgjigj përtej ofrimit të dokumenteve që Zyra për Komunikim e universitetit e bëri lidhur me këtë çështje.

Në anën tjetër, MAShT nuk komentoi arsyet konkrete të kërkesës për shkarkimin e prorektorit Morina, mirëpo listoi ata që konsiderojnë të jenë shkelje e kompetencave nga ana e Bordit të Universitetit të Mitrovicës.

Historia e tentativës për shkarkim

Sipas dokumenteve të ofruara nga Universiteti i Mitrovicës dhe të konfirmuara nga Ministria e Arsimit, Bordi i UMIB-it kishte marrë vendim për shkarkimin e prorektorit Rifat Morina më datën 23 qershor të vitit 2017.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se propozimi për shkarkim u bë nga rektori i bazuar në konstatimet e Senatit dhe të dekanëve të UMIB-it nga një mbledhje e Senatit të këtij universiteti.

Sipas vendimit “Senati i UMIB-it në mbledhjen e mbajtur më 13.04.2017 ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj punës dhe veprimtarisë së prorektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim të cilësisë, sidomos në raport të bashkëpunimit jo adekuat të tij në strukturat udhëheqëse të njësive akademike”.

Tutje ky këshill ka arsyetuar vendimin e shkarkimit me ruajtjen e cilësisë në universitet në përgjithësi.

“Marrë parasysh që fusha e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të cilësisë ka rëndësi të madhe për UMIB, sidomos tani që janë në proces të riakreditimit të programeve të studimit të UMIB-it, Këshilli Drejtues konstatoi se fryma jo e mirë e bashkëpunimit midis strukturave kyqe udhëheqëse nuk i ndihmon as procesit të akreditimit e as zhvillimit akademik të universitetit në përgjithësi”, thuhet në vendim.

Në përgjigjet e zyrës për komunikim të Universitetit të Mitrovicës thuhet se nuk kanë pasur probleme me vendimin e MAShT-it.

“Vendimi i ministrit është respektuar dhe nuk ka pasur ndonjë problem sa i përket kësaj çështjetje. Ndryshe, sivjet është vit zgjedhor në Universitetin ‘Isa Boletini’, prej nga pritet të dalin organet e reja drejtuese. Sa për sqarim, ministri ka kompetenca për shkak se UMIB vepron në bazë të statutit të përkohshëm”, tha Ahmet Jashari, Drejtor për Informim në UMIB.

Në anën tjetër, Rifat Morina për KALLXO.com tha se fillimisht kishte bërë ankesë te ish -Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami që përfundoi mandatin në shtator të vitit 2017.

Më pas të njëjtën ankesë e kishte bërë tek minstri i ri, Shyqiri Bytyqi.

“Unë së pari kam bërë një ankesë me anë të emailit tek ish -Ministri z. Arsim Bajrami dhe nje ankesë të protokoluar drejtuar Ministrit të tanishëm z. Shyqiri Bytyqi. Gjithashtu kam kërkuar takim me të dy ministrat e MASHT-it, takime këto që nuk arritën të realizohen.Dy tentime janë bërë për të më shkarkuar, por nuk janë realizuar pasi që nuk u mbështetën në asnjë argument të ligjshëm e të drejtë nga ana e tyre”, tha Morina.

Rifat Morina – Prorektor – UP – Isa Boletini – Mitrovicë

 

Morina nuk foli konkretisht lidhur me arsyet për tentativën e shkarkimit të tij.

“Arsyet konkrete ju lutem kërkoni te ish-kryetari i Bordit të UMIB-it, Rektori, ish-këshilltari i rektorit, këshilltari i tanishëm i rektorit (ish-kryetari i parlamentit studentor) dhe ish dekani i Fakultetit Juridik. Komenti im për kërkesat e grupit që u ngrit kundër meje, është se kërkesa ka qenë  e trilluar dhe dashakeqe nga ana e tyre dhe humbje e vlerave të tyre në menaxhimin e situatës që ata krijuan për interesat e tyre meskine”, tha Morina.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga rektori që kishte qenë propozues i shkarkimit, mirëpo na është përgjigjur sërish Zyra për Informim e UMIB duke thënë se nuk ka komente të tjera për këtë temë.

“Nuk kemi kurrfarë komenti më shumë. I ke të gjitha materialet, vendimin e KD-së me të gjitha arsyetimet, mandej vendimin e MASHT-it. Ky vendim është respektuar dhe nuk kemi diçka tjeter”, tha Ahmet Jashari.

 

Vendimi për shkarimin e Rektorit Rifat Morina

 

Ministria e Arsimit në anën tjetër, në vendimin për anulim të vendimit për shkarkim nuk merret shumë me arsyetimin e shkarkimit por me shkeljet që sipas tyre i ka bërë Këshilli Drejtues që nuk e ka pritur vendimin e MAShT-it për shkarkim.

“Për anulimin e vendimit të datës 23.06.2017 të Këshillit të UM ‘Isa Boletini’, në Mitrovicë për shkarkimin nga pozita e prorektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim të cilësië, Prof. Ass. Dr. Rifat Morina si dhe vendimin pasues të Këshillit Drejtues të datës 04.10.2017 për pezullimin e të gjitha kompetencave dhe përgjegjësive nga pozita e prorektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim të cilësisë”, thuhet në dispozitiv të vendimit të MAShT-it.

Sipas këtij vendimi, KD nuk ka  “zbatuar neni 38, lidhur me nenin 32 të Statutit të Përkohshëm të UM ‘Isa Boletini’, në Mitrovicë, pasi që nuk ka pritur vendimin final të MAShT-it duke u thirrur gabimisht në nenin 32 paragrafi 4 të Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative”.

 

 

Vendimi i MAShT-it për anulimin e shkarkimit të prorektorit Rifat Morina

 

Më pas ata thanë se MAShT me shkresën e datës 16.11.2017 nuk e miratoi vendimin e Këshillit dhe i konsideroi të anulura të dy vendimet e lartcekura.

Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi tha se kanë pasur edhe ndihmën e Inspektoratit Arsimor për këtë çështje.

“Pas marrjes së Vendimit nga Bordi i Universitetit të Mitrovicës Isa Boletini (dt. 04.10.17 me nr. Prot. 1354/005) për pezullimin nga detyra të prorektorit z. Morina dhe ankesës së z. Morina ndaj këtij vendimi, ministria bëri verifikimin e duhur për pretendimet e ngritura nga bordi dhe z. Morina, nëpermjet kontrollit nga Inspektoriati Arsimor për këtë rast. Sektori i Inspektoriatit Arsimor në Mitrovicë vërtetoi që Bordi i kishte tejkaluar kompetencat e tij në këtë çështje”, tha Gashi për KALLXO.com

Më tutje ai sqaroi se ‘Vendimi i Bordit të UMIB-it për propozim-shkarkim të Prorektorit Morina me datë 23.06.2017 (nr.prot. 986/005), i është drejtuar së pari ministrit paraardhës të MASHT-it z. Arsim Bajrami, i cili po ashtu nuk e ka miratuar vendimin e bordit të UMIB-it për shkarkim’.

 

Ndikimi i statuteve të përkohshme në ndikimin e MAShT në Universitete

Vendimi i Qeverisë së Kosovës në vitin 2013 për themelimin e Universitetit të Gjilanit, Mitrovicës dhe Gjakovës ka paraparë funksionimin e tyre me një statut të përkohshëm i cili do të zëvendësohej me statute të konsoliduara në bazë të specifikave të secilit universitet.

Megjithatë, edhe në vitin 2019 këto universitete vazhdojnë të funksionojnë me statutet e përkohshme.

Ngjashëm, universiteti i qytetit të Ferizajt, i themeluar në vitin 2015, po ashtu funksionon me një statut të përkohshëm të adaptuar nga Statuti i Universitetit të Prishtinës.

Vitin e kaluar, disa prej këtyre universiteteve që funksionojnë me këtë statut kishin thënë për ‘Gazetën Jeta në Kosovë’ se krijimi i statuteve të përhershme po e pret miratimin e Ligjit për Arsimit e Lartë.

Ndërkaq, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë kishte thënë se statuti i përkohshëm nuk është pengesë për zhvillimin e universiteteve.

“Duhet të jemi të qartë që nuk është pengesë ligji [për Arsimin e Lartë] që këto universitete të zhvillohen megjithëse kanë statut të përkohshëm, mundësitë për t’u zhvilluar i kanë, nuk është pengesë as në avancime akademike në marrjen e kuadrove profesionalë që janë të nevojshëm për ngritjen e cilësisë”, kishte thënë Bytyqi më 27 dhjetor.

Gazeta ka dërguar pyetje sërish në drejtim të universiteteve me statut të përkohshëm për të kërkuar komente lidhur me mundësinë e MAShT që të marrë vendimin final për shkarkimin e rektorit apo prorektorëve.

Nga këto universitete, është përgjigjur vetëm Universiteti i Gjilanit ‘Kadri Zeka’ që konsideron se fakti se funksionojnë me statut të përkohshëm ju shkakton probleme të vazhdueshme.

“Problemet që janë shfaqur janë të shumta. Shembull: Sipas statutit te Përkohshëm Kryesuesi i Keshillit Drejtues të njëjtën kohë e ka ushtruar edhe detyrën e Rektorit, kurse me zgjedhjet e rregullta, që janë mbajtur në UKZ në bazë të UA të MASHT Nr. 38/2014, këto pozita janë të ndara dhe ushtrohen veç e veç. Shembull tjetër është se statuti i përkohshëm parasheh emërimin e 9 anëtarëve të KD-së siç ka qenë në fillim, kurse në bazë të UA të lartpërmendur që bazën ligjore e ka në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe jo në statut, ku sipas Ligjit për Arsim të Lartë në Kosove numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues është së paku 5 dhe më së shumti 9, Universiteti ynë në bazë të rregulloreve në fuqi – përbërja  e KD është 7 anëtarëshe” thuhet në përgjigjet e UP “Kadri Zeka”.

Minire Rexhepi nga Zyra për Informim e këtij universiteti tha se përzierja e Ministrisë së Arsimit në shkarkimin e rektorit eliminon autonominë e universitetit.

“Komenti ynë sa i përket (neni 32), emërimin dhe shkarkimin e Rektorit dhe Prorektorit nuk e bën Ministri por Këshilli Drejtues, Organ ky i cili edhe i ka emëruar. Natyrisht nëse emërimi dhe shkarkimi i Rektorëve bëhet nga ana e Ministrit, atëherë nuk mund të diskutohet për autonominë universitare”, tha Rexhepi.

Ajo shtoi se: “Ne si Universitet Publik i kemi kryer obligimet tona duke e dërguar statutin e rregullt, të miratuar nga ana e Senatit të Universitetit dy herë në MAShT, së pari në kohën e ish- Ministrit, Arsim Bajrami dhe tani në kohë e Ministrit, Shyqiri Bytyqi”, tha Rexhepi.

Sipas saj, ende nuk kanë marrur asnjë pergjigjje lidhur me këtë çështje.

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me mungesën e statuteve të përhershme në Universitet Publike.

 

Universitetet me Statute të Përkohshme, Shkak Zvarritja e Ligjit për Arsimin e Lartë

.