Instituti i Historisë Foto: KALLXO.com

Institutit të Historisë i mohohet qëndrimi në “shtëpi” të vet

Objekti i Institutit të Historisë në Prishtinë nuk ka destinim të qartësuar, ndërsa më së paku po i takon Institutit të Historisë.

Ky institut edhe pas përfundimit të punimeve për këtë objekt në vitin 2014,  nuk ka arritur ta shfrytëzojë vetëm për nevoja të veta, për të cilat edhe ishte ndërtuar.

Instituti i Historisë aktualisht ka të punësuar 30 persona, ku mes tyre vetëm shtatë punëtorë janë të vendosur në pesë zyre të objektit të Institutit, ndërsa pjesa tjetër e stafit janë të vendosur në objekt të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Kryesisht objekti është shfrytëzuar nga administrata qendrore e Universitetit të Prishtinës dhe së fundmi edhe nga qendra e ndërmarrësisë dhe inovacionit “Venture UP”, e cila shërben si urë lidhëse mes edukimit të lartë dhe ekonomisë.

Meqenëse Rektorati i UP-së ka rreth pesë vite që ka zhvendosur një pjesë të administratës qendrore të saj në këtë objekt, Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar përmes adresës elektronike, me 8 dhe 17 janar të këtij viti me këta të fundit, për të kërkuar sqarime se në çfarë vendimi janë bazuar, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.

Drejtori ekzekutiv i “Venture UP”, Fis Malësori tregoi se fillimisht janë vendosur në këtë objekt, që nga vjeshta e vitit 2017 përmes një memorandum bashkëpunimi, ndërsa që nga vjeshta e vitit 2018 vazhdojnë ta shfrytëzojnë hapësirën e njëjtë përmes vendimit të menaxhmentit të UP-së.

“Ne kemi gjithsej 4 hapësira: Dhoma e Trajnimeve, Startup Co-Working Space, Dhoma e Takimeve dhe e Stafit. Këto hapësira na janë dhënë në shfrytëzim për të përmbushur objektivat e planifikuara në bashkëpunim me Komisionin Evropian në Kosovë, që financon programet e VentureUP.”, deklaroi ai.

Sekretari i Institutit të Historisë, Arbër Kuçi ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se juridikisht, pronar i këtij objekti është Instituti i Historisë.

Ai tha se të gjithë aktivitetin që e bën Universiteti në atë objekt, i referohet vendimit të ish-kryeministrit Thaçi, por siç deklaron ai, “vendimi nuk është respektuar kurrë sepse objekti i është dhënë në shfrytëzim Bibliotekës Universitare mirëpo asnjë punonjës i saj nuk është në këtë objekt”.

“Ministri aktual i Arsimit ka marrë një vendim që thotë se katin e dytë me na e dhanë në shfrytëzim neve, por sipas informatave që unë kam, kur ministri ka marrë këtë vendim ka menduar që objekti i ka tri kate, por projekti është përdhesa e parë, përdhesa e dytë, kati i parë, kati i dytë, nuk ekziston kati i tretë.”, tha Kuçi.

Me 31 korrik të vitit 2008, ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte marrë vendim që objekti i Institutit të Historisë t’i kalojë në shfrytëzim Bibliotekës Universitare të Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë sepse edhe sot e kësaj dite, ky objekt nuk shfrytëzohet për këtë qëllim.

“Objekti i Institutit të Historisë kalon në shfrytëzim të Bibliotekës Universitare të Kosovës”, thuhet në vendimin e ish-kryeministrit.

Koordinatorja e Bibliotekës Universitare të Kosovës(BUK), Bukurije Haliti tha për gazetën JnK se fillimisht BUK kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit, Bibliotekën Kombëtare dhe Universitetin e Prishtinës, që t’ua mundësojnë ndarjen e Bibliotekës Universitare nga ajo Kombëtare.

Tutje ajo sqaron se duke u bazuar në vendimin e vitit 2008, disa punëtorë të Bibliotekës Universitare kishin kaluar në objektin e Institutit në vitin 2014, por siç tregon Haliti, përmes një marrëveshje të re bashkëpunimi kishin kërkuar që të kthehen në Bibliotekën Kombëtare, për shkak se ai nuk ishte objekt i përshtatshëm për bibliotekë.

“Kemi qëndruar atje prej vitit 2014 deri në vitin 2016, mirëpo nuk jemi funksionalizuar. Hapësira adekuate për bibliotekë atje nuk ka pasur, nuk ka depo të leximit. Librat që i kemi bartur për një kohë, dy salla të leximit vetëm janë mbushur, ndërsa tash e kemi depon këtu në Bibliotekën Kombëtare, kushtet janë më të mira edhe për lexuesin edhe për punëtorin.”, ka thënë Haliti.

Pas ankesave të shumta nga Instituti i Historisë drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ministri Shyqiri Bytyqi me 21 dhjetor të vitit 2017, kishte marrë vendim që t’ia jap në shfrytëzim katin e dytë të Bibliotekës Universitare të Kosovës, pronarit ligjor të këtij objekti.

“Për dhënien në shfrytëzim të katit të dytë të Objektit të Bibliotekës Universitare të Kosovës, Institutit të Historisë”, thuhet në vendimin e ministrit Bytyqi.

Gazeta ka kërkuar nga Rektorati i UP-së, që të komentojë vendimin e ministrit Bytyqi, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Sekretari i Institutit tregoi që në muajin nëntor të vitit 2018, janë vendosur 20 për qind e punëtorëve të Institutit në katin e dytë sepse zyrtarë të MAShT-it u kishin thënë se “nuk po na e respektoni vendimin”, por ai theksoi se hasin në vështirësi të shumta gjatë punës sepse nuk kanë qasje në internet, mirëmbajtje dhe telefon zyrtar.

Pavarësisht se ky objekt është destinuar për Institutin e Historisë, Kuçi tregoi që vazhdojnë të shpenzojnë duke paguar qira për shfrytëzim të hapësirës, në objektin e Agjencisë së Arkivave Shtetërore.

“I jemi drejtuar edhe Ministrit të Arsimit me një shkresë edhe Administratës Publike. Mundem me thanë që është njëfarë uzurpatori UP-ja në këtë objekt, e kanë zënë e nuk po e lëshojnë. Ministria nuk na ka dhënë ndonjë sinjal që do të merret seriozisht me këtë çështje, nëse dështojnë të gjitha këto, instanca e fundit është gjyqi sepse të gjitha letrat janë në favorin tonë.”, theksoi ai.

Rrugëtimi për pronësi i Institutit të Historisë

Gurthemeli për ndërtimin e objektit të Institutit të Historisë ishte vënë në vitin 2002, mirëpo për shkak të mungesës së fondeve, punimet në këtë objekt prej tre mijë metrash katrorë, kishin shkuar shumë ngadalë deri në vitin 2014.

Përveç amfiteatrit, i cili gjendet poshtë katit përdhesë, objekti në fjalë ka edhe dy kate të tjera, pra ka amfiteatrin dhe një zyrë, katin përdhesë me 14 hapësira, katin e parë me 18 hapësira dhe katin e dytë me 5 hapësira apo zyra.

“VentureUP” shfrytëzon gjithsej katër hapësira, Instituti i Historisë ka pesë hapësira dhe administrata qendrore e rektoratit të UP-së shfrytëzon 38 hapësirat tjera, përveç amfiteatrit i cili shfrytëzohet nga të gjithë.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka sqaruar për GJNK se kush është pronari i këtij objekti dhe kush e menaxhon atë.

“Objekti i Institutit të Historisë në Rr. Eqrem Çabej, në Prishtinë, nuk evidentohet e regjistruar në regjistrat kadastral, vetë parcela kadastrale me nr.7090-19 me sipërfaqe prej 3000m², evidentohet në pronësi të Institutit te Historisë. Ky objekt është në perimetrin e Kampusit Universitar, që do të thotë se edhe menaxhimi dhe mbikëqyrja bëhet nga Rektorati i Universitetit.”, ka thënë Mullafazliu.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Administratës Publike, Zeqir Bekolli ka deklaruar për GJNK se objektin në fjalë e menaxhon Rektorati i UP-së.

“Atë ndërtesë e menaxhon Rektorati.”, ka thënë ai përmes adresës elektronike.

Përvetësimi i hapësirës së objektit të Institutit të Historisë

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema me 20 nëntor të vitit 2018, kishte marrë vendim që të zhvendos personelin e administratës qendrore nga objekti i Rektoratit, me përjashtim të pesë punonjësve.

Vendimi i rektorit Dema për zhvendosjen e administratës në Fakultetin e Filologjisë

Në vendimin e rektorit, personeli urdhërohej që pas një dite të zhvendosen në zyrat e katit përdhesë të aneksit të Fakultetit të Filologjisë, pjesë kjo e cila ka nevojë për rinovim.

Në arsyetimin e vendimit të rektorit Marjan Dema, thuhej se kjo zhvendosje duhet të bëhet me qëllim të rritjes së efikasitetit në punë dhe krijimit të hapësirave më të përshtatshme, mirëpo fotografitë e mëposhtme tregojnë gjendjen e kësaj pjese të fakultetit.

Aneksi përdhesë në Fakultetin e Filologjisë

Aneksi përdhesë në Fakultetin e Filologjisë pas kundërshtimit të këtij vendimi për zhvendosje në këtë objekt, nga ana e administratës, rektori Dema kishte shqyrtuar mundësinë e zhvendosjes së këtij personeli në objektin e Institutit të Historisë, ku veçse ishin të vendosur një pjesë e administratës së UP-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me MAShT-in për ta pyetur se a janë të informuar rreth vendimit në fjalë të rektorit të UP-së, ndërkaq këshilltari politik në kabinetin e ministrit, Valmir Gashi ka thënë se ‘vendimi i ministrit rreth objektit të Institutit të Historisë është i qartë dhe si i tillë duhet respektuar’.

“Për çështjet tjera ne nuk kemi informacion zyrtar, por ju lutem drejtohuni tek institucionet përkatëse, UP dhe Instituti.”, ka deklaruar Gashi.

Në anën tjetër, rektorati i UP-së i është përgjigjur gazetës rreth kësaj çështje duke thënë se menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës është i përkushtuar për funksionimin sa më të mirë të administratës së Universitetit dhe se ky vendim paraqet një procedurë normale.

Sa i përket lokacionit se ku janë vendosur këta punonjës, rektorati me 4 janar ka zhvendosur të gjithë inventarin e këtyre zyrtarëve administrativ, për në objektin e Institutit të Historisë.

E rreth kësaj zhvendosje sekretari i Institutit, Arbër Kuçi theksoi se Rektorati i UP-së, asnjëherë nuk i ka kontaktuar për t’i pyetur për t’i pyetur se a kanë hapësirë të mjaftueshme të cilën mund ta shfrytëzojnë.

Madje sipas tij, “Rektorati mendon që për këtë objekt duhet me u pyet ata, deri në një vendim të ri”.

“Ne si institut jemi në krizën e hapësirës, e Rektorati ka gjetur hapësirë me ia dhënë në shfrytëzim edhe një organizate joqeveritare. Kjo është problematikë dhjetë vjeçare. Neve na lejohet ligjërisht që t’u japim një afat për të na liruar objektin, nuk është plani jonë por na lejohet ligjërisht sepse ne jemi pronarët.”, përfundoi sekretari i Institutit të Historisë.

Instituti i Historisë Foto: KALLXO.com