Institut për Gjuhën dhe Kulturën Italiane në UP

Është inauguruar të martën në ambientet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë Instituti për Gjuhën dhe Kulturën Italiane.

Një nismë kjo e filluar 4 vjet më parë nga një bashkëpunim mes Universitetit Sapienza të Romës dhe Universitetit të Prishtinës.

Sipas Sedat Kuçit dekan i Fakultetit Filologjik, Instituti do të jetë një bërthamë për promovimin e kulturës dhe gjuhës italiane, deri në arritjen e krijimit të departamentit të mirëfilltë pranë Fakultetit filologjik.

Aktiviteti kryesor me të cilin do të merret instituti është organizimi i kurseve të gjuhës italiane.

“Ndërsa do të mbahen seminare të ndryshme me ligjërues italianë për prezantimin e kulturës dhe historisë italiane”, tha Kuçi.

Të pranishëm në këtë inaugurim ishin ambasadori i Italisë në Kosovë, Michael L. Giffoni, rektori i Universitetit të Prishtinës Ibrahim Gashi, Eris Bozhegu profesor në Universitetin e Sapienzës, si dhe pjesëtarë të tjerë të stafit akademik të UP-së.

Institute të tilla ekzistojnë edhe në Tiranë, Paris, Budapest dhe Londër.