Punimet arkeologjike në Ulpianë - Foto: KALLXO.com

Institucionet kulturore në kolaps, Ministria ‘komplikon’ financimet

Forma e re e financimit të institucioneve të kulturës të nivelit kombëtar nga ana Ministrisë së Kulturës është komplikuar edhe më shumë.

Nga fillimi i kësaj jave çdo pagesë apo obligim që kanë Institucionet e  kulturës për realizimin e projekteve të tyre, nuk mund të bëhet përmes xhirollogarive të tyre. Tashmë xhirollogaritë e tyre janë jofunksionale, e mjetet e mbetura institucionet është dashur t i kthejnë në thesarin e shtetit.

Nga e dita e enjte e javës së kaluar, Ministria e Kulturës u ka kumtuar drejtuesve të institucioneve formën e re që do të zbatohet nga institucionet rreth mënyrës së shfrytëzimit të buxheti të mbetur për këtë viti.

Tani e tutje, institucionet kulturore shlyerjen e  detyrimeve ndaj palëve të angazhuara në projektet e tyre, do ta bëjnë vetëm duke dërguar faturat në MKRS-së dhe kjo e fundit pastaj i përcjellë në thesar.

Tek pas kësaj proceduare, të angazhuarit në projekte e ndryshme do t’i marrin paratë e tyre për punët që kanë kryer në dobi të institucioneve të kulturës.

Një formë e tillë ka alarmuar drejtuesit e institucioneve, të cilët kanë shumë paqartësi rreth mënyrës së si do ta përdorim buxhetin e tyre, për të përmbushur nevoja që dalin për realizimin e projekteve të tyre, apo edhe për nevojat më  të vogël, sanitare ose për harxhime ditore.

Rrezikimi i aseteve arkeologjike

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës. Foto: Kallxo.com

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, i cili edhe pritet të jetë ndër institucionet më të ‘goditura’ me formë e re të financimit të institucioneve që janë nën ombrellën e MKRS, ka deklaruar për KALLXO.com se mënyra se si IAK duhet ta përdorë buxhetin e tij për t’i realizuar projektet e parapara për këtë vit vetëm sa është komplikuar, dhe mund të shtrëngojë edhe më kolapsi financiar ku është futur IAK-ja.

Ai ka pohuar e ka mjaft të paqartë se si do të ekzekutohen pagesat e mbetura për punët e kryera dhe pagesat për mirëmbajtësit dhe rojat e aseteve arkeologjike.

“Kjo mënyrë e financimit që na është thënë se duhet të zbatohet tani e tutje, është e gabuar dhe do të krijojë mjaft probleme, deri stopim të punës për realizmin e projekteve të miratuara edhe nga vetëm MKRS, por njëkohësisht edhe rrezikim të aseteve të trashëgimisë, pasi nuk kemi ide se si do të ekzekutohen pagesat e mbetura për punë e kryera, sidomos mirëmbajtësit dhe rojat në Parkun Arkeologjik”, ka pohuar ai për KALLXO.com.

Drejtori I IAK-së ka pohuar më tej se ka më se tre muaj që u është bllokuar buxheti çka ka sjell edhe  bllokim të rreth 50 % të punë të planifikuara nga ky institucion.

Baleti rrezikon prezantimet ndërkombëtare

Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Foto: Facebook

Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, e ka quajtur si shumë të keqe mënyrën se si tash e tutje duhet të përdorin buxhetin e tyre.

Ai ka thënë për KALLXO.com se ky është një dështim i institucioneve qeveritare, e që po rrezikon seriozisht funksionimin e institucionit që ai drejton.

Brahimaj ka thënë se ka tre muaj që BKK-së i është ndërprerë financimi duke e zhytur në kolaps dhe rrezikuar seriozisht realizimin e punë e këtij institucioni.

Ai ka bërë të ditur se tashmë janë rrezikuar edhe prezantimet e Baletit që pritet t’i ketë nëpër Europë, e  të cilat BKK i ka planifikuar dhe futur në agjendë për vitin 2018.

Sipas tij, kështu vihet në pikëpyetje edhe kredibiliteti i Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Më 13 shtator do të udhëtojnë për në qytetin Ruse të Bullgarisë, si të ftuar për të shfaqur baletin “Xhulieta pa Romeon”, dhe për momentin nuk kemi mjete për këtë udhëtim. Kurse në  muajin tetor do të udhëtoj për herë të parë drejt Finlandës, ku do të ketë turne në katër qytete finlandeze me shfaqjen “Një legjendë për dashurinë”, turne i cili është planifikuar para më shumë së një viti”, ka thënë Brahimaj, duke shtuar se koreografi Israel Rodriguez, ka udhëtuar nga SHBA për në Prishtinë që nga  25 gusht për të realizuar premierën e radhës së BKK, e cila do të jetë më 4 tetor, dhe për shkak të bllokimit të buxhetit, BKK  nuk ka mundësi të kryej obligimet ndaj të ftuarit.

Gjithçka pas vërejtjeve të ZKA-së

Ministria e Kulturës

Gjithë kjo situatë është  krijuar pas konstatimeve të Zyrës Kombëtar të Auditimit se institucione kulturore janë duke shfrytëzuar llogari bankare të paautorizuar nga ana e thesarit të Ministrisë së Financave.

Për rrjedhojë ka ndodhur bllokimi i llogarive të institucioneve kulturore, që financohen nga ministria.

Samir Hoxha, Këshilltar politik i ministrit të Kulturës, ka thënë në për KALLXO.com se pas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, i cili, pat theksuar se llogaritë e institucioneve te Kulturës janë të paautorizuara nga thesari i Ministrisë së Financave.

Por Hoxha thotë se thesari dhe Ministria e Financave kanë qenë të njoftuar pasi të gjitha shpenzimet që janë bërë në sistem, janë përcjellë edhe nga Ministria e Financave.

Megjithatë, kjo ministri e ka njoftuar Ministrinë e Kulturës se llogaritë e institucioneve të kulturës janë jo aktive e që rrjedhimisht “ne nuk mund të procedojmë me alokimin e mjeteve ne këto llogari”.

“MKRS ka mbajtur një takim me Ministrinë e Financave nga e cila jemi njoftuar për mënyrën e realizimit te këtij buxheti duke qene ne harmoni me Ligjin për Buxhetin dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Nga kjo javë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  ne bashkëpunim me Ministrinë e Financave do te fillojnë me realizimin e shpenzimeve buxhetore te cilat janë obligime te Institucioneve vartëse”, ka thënë Këshilltari Hoxha.

Por, ai nuk ka dhënë shpjegime për mënyrë se si institucionet kulturore do të kenë qasje në buxhetin e tyre.

Institucionet elitare kulturore që funksionojnë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës që nga paslufta vazhdojë të trajtohen financiarisht sikurse OJQ.

Edhe pse janë institucione publike të pavarura, madje të nivelit kombëtar ato buxhetin e tyre e kanë marrë vetëm pasi për secilin projekt veç e veç dërgonin paraprakisht kërkesë në MKRS.

12 Shtator 2018 - 15:43

Isa Vatovci 12/09/2018 - 15:43
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend