Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë| Foto: Facebook

Inspektorati: Largimi i asistentes nga Universiteti i Pejës, i kundërligjshëm

Inspektorati i punës i ka dhënë të drejtë një asistenteje të angazhuar në Universitetin e Pejës që pretendonte se e kishin larguar në mënyrë të padrejtë dhe të pa arsyeshme nga puna. Në anën tjetër universiteti insiston se kishin të drejtë t’ia ndërprenin kontratën asaj për shkak të mungesës së orëve.

Sipas inspektoratit megjithëse Universiteti pretendon se nuk pati orë të mjaftueshme për asistenten në fjalë, ata e angazhuan dikë tjetër në vend të saj. Edhe këtë e mohon Universiteti.

Lidhur me këtë vendim ekziston e drejta e ankesës. Pas ankesës së ushtruar ndaj vendimit të shkallës së parë, tashmë ky rast është në shkallë të dytë.

Redona Gaxherri, ish-asistente në Universitetin e Pejës

Inspektorati i Punës ka vendosur se Redona Gaxherri është larguar nga puna në mënyrë të kundërligjshme nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.

Inspektorati e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e Gaxherrit kundër Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, për largimin e saj nga puna.

“Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë për shkak të ndërprerjes të marrëdhënies së punës ndaj Redona Gaxherrit është përgjegjëse për shkeljen e nenit 70, paragrafi 3 dhe nenit 72, paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit të Punës”, thuhet në vendim.

Më tej në vendim thuhet se Gjylbehare Murati, në cilësinë e dekanes së Fakultetit Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës ndaj Redona Gaxherrit është përgjegjëse për cenimin e dispozitave e nenit 70, paragrafi 3 dhe nenit 72, paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit të Punës.

Redona Gaxheri është angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme për ushtrime për grup lëndësh civile në Fakultetin Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, nga 17 tetori i vitit 2018 deri më 30 qershor 2019. Por Gaxherri është larguar nga puna disa muaj pa i përfunduar kontrata e punës.

Më 25 shkurt 2019, Këshilli i Fakultetit Juridik kishte mbajtur një takim ku ishte konstatuar se për semestrin veror të vitit 2018/2019 nuk mund të angazhohet Redona Gaxherri për shkak se nuk ka orë të mjaftueshme.

Redona Gaxherri ishte ankuar më 4 mars në Inspektoratin e Punës se ajo ishte njoftuar vetëm gojarisht për shkëputjen e kontratës dhe nuk kishte marrë ndonjë vendim apo shkresë për largimin e saj nga Universiteti.

Një vendim zyrtar për largimin e saj nga puna është marrë një muaj që nga parashtrimi i ankesës nga Gaxherri në Inspektoratin e Punës.

Më 5 prill, Këshilli i Fakultetit Juridik kishte dalë me një vendim për shkëputjen e kontratës së Redona Gaxherrit.

Grumbulli i dëshmive për veprime të kundërligjshme

Inspektorët e punës kanë ardhur në përfundim se Redona Gaxherri është larguar kundërligjshëm nga puna dhe se punëdhënësi, Universiteti “Haxhi Zeka” dhe U.D. Gjylbehare Murati gjatë ushtrimit të punëve, funksioneve të saj si person fizik, janë përgjegjëse për shkeljen e dispozitave të cekura më lart.

Redona Gaxherri ka paraqitur kërkesë tek inspektorët e punës me datë 4 mars 2019 për mbrojtjen e të drejtave për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, për shkak të largimit nga puna pa vendim apo ndonjë shkresë.

Inspektorët e punës, Pashk Vuksani dhe Nderim Povataj duke vepruar në bazë të ankesës së Redona Gaxherrit, më datën 13 mars 2019, kanë bërë inspektimin e punës tek punëdhënësi Universiteti “Haxhi Zeka”. Kontrollimi inspektues ka përfunduar me datën 22 mars 2019.

Inspektorët e punës kanë kërkuar nga U.D dekania e Fakultetit Juridik, Gjylbehare Murati arsyen e largimit nga puna dhe dokumentacionin lidhur me zhvillimin e procedurave të largimit nga puna e Redona Gaxherrit.

Inspektorët e punës gjithashtu e kanë pyetur Muratin, se a është bërë largimi nga puna i Redona Gaxherrit me vendim. Kjo për shkak se Gaxherri në ankesën e saj kishte potencuar se largimi i saj nga puna është bërë pa vendim apo ndonjë shkresë.

“Gjylbehare Murati e cekë se nuk ka vendim me shkrim për largimin e saj nga puna, në takimin e Këshillit të Fakultetit Juridik të mbajtur me datën 25 shkurt 2019 është konstatuar që për semestrin veror të vitit 2018/19 nuk mund të angazhohet Redona Gaxherri për arsye se nuk ka orë të mjaftueshme”, thuhet në raportin zyrtar të inspektorëve.

Inspektorët e punës kërkuan nga Gjylbehare Murati që të jap përgjigje me shkrim lidhur me largimin e Redona Gaxherrit nga puna. Po ashtu, kanë kërkuar që së bashku me përgjigjen me shkrim të prezantohet dokumentacioni, provat nga dosja e të punësuarës Redona Gaxherri, pranimi i saj dhe procedura e largimit nga puna.

Në vendim thuhet se në përgjigjen e U.D dekania Gjylbehare Murati ka thënë se greva në muajin janar 2019 ka ndikuar në marrjen e vendimeve finale lidhur me angazhimin e stafit të jashtëm dhe si rezultat i kësaj janë paraqitur disa çështje të natyrës teknike.

“Gjatë semestrit dimëror, Redona Gaxherri ka pasur një numër të vogël që kanë ndjekur ushtrimet, e dëshmon me listat të cilat i posedon departamenti i financave të Fakultetit Juridik. Bashkëngjitur përgjigjes me shkrim të Gjylbehare Muratit nuk bashkëngjitet provë apo dëshmi, procesverbalin veror nuk mund të angazhohet Redona Gaxherri”, theksohet në vendimin e Inspektoratit.

Vargu i shkeljeve sipas Inspektoratit

Sipas raportit zyrtar të Inspektoratit, me largimin e Redona Gaxherrit nga puna, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shkelur nenin 49 të Kushtetutës së Kosovës, nenin 49, 70, 72 të Ligjit të Punës dhe kushtet e kontratës.

“Shkelet neni 49, paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku qartë ceket: E drejta e punës garantohet. Largimi nga puna e Redona Gaxherrit bëhet pa kurrfarë vendimi dhe pa kurrfarë procedurash ligjore”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.

Sipas Inspektoratit, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shkelur nenin 70, paragrafin 3 të Ligjit të Punës, duke e larguar Gaxherrin nga puna pa asnjë vendim.

“Shkelet neni 70, paragrafi 3 i Ligjit të Punës, ku qartë e cekë: Punëdhënësi duhet që të mbajë takim me të punësuarin për t’ia shpjeguar atij/asaj ndërprerjen e kontratës së punës ose me qëllim që t’ia dorëzojë paralajmërimin, i punësuari ka të drejtë që të shoqërohet nga një përfaqësues sipas dëshirës së vet”, vazhdon vendimi.

Shkelja tjetër sipas Inspektoratit është tek pçrocedurat e ndërprerjes së kontratës. Në vendim thuhet se është shkelur neni 72, paragrafi 1 dhe 2 i Ligjit të Punës.

“1. Vendimi për të ndërprerë kontratën e punës duhet të bëhet me shkrim dhe duhet të përfshijë arsyetimin për ndërprerje. 2. Vendimi nga paragrafi 1. i këtij neni është përfundimtar ditën kur i dorëzohet të punësuarit”, theksohet në vendim.

Gjithashtu në vendim thuhet se ka shkelje të dispozitave të kontratës së punës për shkak se me largimin e Gaxherrit nga puna nuk ka arsyetim me shkrim.

“Shkelen dispozitat e kontratës së punës ku qartë ceket: “Punëdhënësi e gëzon të drejtën e vet për mos vazhdimin e kontratës së punës dhe përfundimin e parakohshëm me arsyetimin përkatës””, vazhdon vendimi i Inspektoratit të Punës.

Kontrata e punës në mes Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Redona Gaxherrit parasheh se në rast të mospajtimit me kushte të kësaj kontrate dhe rregullave të punësimit apo kushteve të përgjithshme të punësimit, duhet të respektohen dispozitat e Ligjit të Punës.

“Nga kjo rrjedh se me rastin e largimit nga puna e Redona Gaxherrit është dashur të respektohet procedura e largimit e paraparë me Ligjin e Punës”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë kanë thën për Gazetën JnK se ata i kanë pranuar vërejtjet e Inspektoratit të Punës.  

“Inspektorati i Punës i ka dërguar vërejtjet përmes një raporti dhe UHZ-ja iu është përgjigjur brenda afatit duke i ofruar sqarim për secilën vërejtje të dhënë. UHZ-ja, i ka hapur rrugë juridike znj.Gaxherri duke e këshilluar qe t’i shfrytëzoj mjetet juridike të brendshme, pra t’i drejtohet shkallës së dytë”, theksohet në përgjigjen e Universitetit për Gazetën JnK.

“Orët e pa mjaftueshme” shkak për largimin e Gaxherrit

Më 5 prill, Këshilli i Fakultetit Juridik ka dalë me vendim përmes të cilit i është shkëputur Redona Gaxherrit duke u bazuar në mbledhjen e mbajtur më 1 prill nga Këshilli i Fakultetit Juridik.

“Në takimin e datës 1 prill 2019, Këshilli i Fakultetit Juridik, ka konstatuar që pas të gjitha përpjekjeve që t’i sigurohen orët Gaxherrit për semestrin veror të vitit akademik 2018/19, ka ardhur në përfundim se nuk ka orë të mjaftueshme të parapara me Rregulloren e brendshme për të ardhura personale dhe është marr vendim për shkëputjen e kontratës së Redona Gaxherrit”, thuhet në vendimin e Këshillit të Fakultetit Juridik.

Në këtë vendim thuhet se Gaxherri është njoftuar për largimin përmes telefonit si dhe gjatë takimit të datës 26 shkurt me U.D dekanen e Fakultetit Juridik, Gjylbehare Murati.

“Para së t’i lëshohet vendimi, Gaxherri është njoftuar përmes telefonit si dhe në takimin e datës 26.02.2019 nga U.D dekania e Fakultetit Juridik është informuar për rrethanat e krijuara, ku i janë ofruar të gjitha sqarimet në lidhje me mos angazhimin e saj në semestrin veror të vitit akademik 2018/19”, thuhet në përgjigjen e Universiteti të Pejës “Haxhi Zeka” për Gazetën JnK.

Në përgjigjen e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” thuhet se dy herë është shtyrë afati për regjistrim të semestrit për të marrë një pasqyrë konkrete lidhur më numrin e saktë të studentëve që do ta ndjekin modulin Civil dhe të shikohet mundësia e ndarjes së orëve për Redona Gaxherrin.

“Pas gjitha këtyre përpjekjeve që të gjendet një zgjidhje për Gaxherrin, Këshilli i Fakultetit Juridik ka nxjerr vendim më 5 prill 2019 për ndërprerjen e kontratës (kontratë me honorar)”, është theksuar në përgjigjen e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.

Ndërprerja e kontratës është bazuar në nenin 70, paragrafi 3, pika 1 e Ligjit të Punës ku thuhet se “Ndërprerja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit bëhet për arsye ekonomike, teknike ose organizative” si dhe kontratës së punës, ku parashihen kushtet e natyrës së veçantë të cilat përcaktojnë që “punëdhënësi gëzon të drejtën e vet për mos vazhdimin e kontratës dhe përfundim të parakohshëm me arsyetimin përkatës”.

Gjithashtu në përgjigjen e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” thuhet se në kontratën e Gaxherrit është paraparë që pagesa të bëhet sipas orëve të mbajtura, e cila bëhet komfor listave të dorëzuara tek zyra për financa.

‘Zëvendësimi’ i Gaxherrit  

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë kishte deklaruar se Redona Gaxherrit i ishte ndërprerë kontrata për shkak se nuk kishte orë të mjaftueshme për të. Por, Inspektorati i Punës në vendimin e tyre kanë potencuar se në vend të Redona Gaxherrit është angazhuar Eneida Lajqi. Inspektorët kanë kërkuar dokumentet në lidhje me pranimin e Lajqit në punë.

Sipas vendimit, Lajqi është angazhuar më 16 shkurt 2019 dhe kontrata e saj do të zgjasë deri më 30 qershor 2019.

“Për mbajtjen e orëve të cilat i ka mbajtur Redona Gaxherri angazhohet Eneida Lajqi. Me të Universiteti “Haxhi Zeka” lidhë kontratë pune me honorar në kohë të caktuar prej 16.02.2019 deri më datën 30.06.2019”, theksohet në vendimin e Inspektoratit.

Në vendimin e Inspektoratit thuhet se “më datën 26 shkurt 2019, Redona Gaxherri ftohet nga U.D të Fakultetit Juridik nga Gjylbehare Murati, në zyrën e saj ku e njëjta e njofton gojarisht se në vendin e saj është pranuar dikush tjetër dhe mos të dalë në punë. Ky fakt vërtetohet nga deklarata e Redona Gaxherrit dhe nga përgjigja me shkrim e U.D të Fakulteti Juridik, Gjylbehare Murati”.

Por, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë e ka mohuar për Gazetën Jeta në Kosovë se është angazhuar dikush tjetër në vend të Redona Gaxherrit.

“Jo. Jo, askush nuk është angazhuar sepse nuk ka pasur orë”, theksohet në përgjigjen e Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në orarin e ushtrimeve për semestrin veror, i cili është i publikuar në faqen e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, shihet se Eneida Lajqi do të mbajë ushtrimet në lëndët “E drejta familjare dhe trashëgimore” dhe “E drejta sendore” në semestrin veror.

Gaxherri ka thënë për Gazetën JnK, se gjatë vitit të kaluar ajo i ka mbajtur ushtrimet në lëndët të cilat këtë semestër i janë ndarë Lajqit.

“Në vitin e kaluar kam pasur ushtrimet nga e drejta familjare dhe trashëgimore, procedura civile, e drejta e autorit. Domethënë edhe lëndët që i ka tash kjo (Eneida Lajqi) që ka ardhur vendin tim, unë i kam pasur, se unë kam punuar edhe vitin e kaluar”, ka theksuar Gaxherri.

Por Eneida Lajqi ka deklaruar për Gazetën JnK se në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës është angazhuar me konkurs të rregullt në gusht të vitit të kaluar.

“Jam përzgjedhë nga ana e komisionit përkatës pas plotësimit të gjitha kushteve të parapara, ku përveç notës mesatare kam edhe publikime shkencore dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore ndërkombëtare”, ka deklaruar Lajqi.

Më tej ajo ka shtuar se pas përzgjedhjes ajo e ka nënshkruar kontratën e punës në muajin tetor, për semestrin veror të vitit akademik 2018/2019 e cila është e vlefshme që nga 16 shkurti i 2019 dhe e njejta përfundon me 30 qershor të vitit 2019.

“Jam e angazhuar për semestrin veror të këtij viti akademik, konkretisht për lëndët “E drejta Familjare dhe Trashëgimore” dhe “E drejta Sendore””, ka thënë Lajqi.

Eneida Lajqi e ka mohuar se është angazhuar në vend të dikujt në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

“Nuk jam angazhu në vend të askujt, por vetëm në bazë të konkursit dhe procedurave tjera për angazhimin e stafit akademik. Proceduralisht janë përmbushë të gjitha kushtet lidhur me angazhimin tim dhe si rrjedhojë  është publiku lista me ç’rast ka qenë afati i ankesesës për ata që nuk janë pajtuar me vendimin në fjalë”, ka përfunduar Lajqi.