Veternik

Inspektorati i Punës u jep të drejtë ish-punëtorëve të 'Konak Investments' - Dokument

Gjashtë punëtorë të kompanisë turke në Kosovë, ‘Konak Investments’, në pronësi të Senol Ata, po ankohen se janë larguar padrejtësisht nga puna.

Përveç kësaj ata janë përfshirë në një luftë gjyqësore me pronarin e kompanisë që po pretendon se këta punëtorë janë pjesë e një skenari për t’ia shkatërruar kompaninë.

Nehat Shala, Rinor Rexhaj, Veton Shpejti, Mehmed Rrotlla, Mubekir Hajdini dhe Besama Hoxha kishin qenë punëtorë të ‘Konak Investments’ derisa u larguan nga puna më 15 tetor të këtij viti, sipas tyre pa ndonjë arsye legjitime.

Punëtorët që dërguan ankesë në Inspektoratin e Punës, thonë se kanë provuar në vazhdimësi që të bijnë në kontakt me pronarin e kompanisë për të kërkuar sqarime lidhur me largimin e tyre nga puna, por që letrat e tyre janë injoruar.

Më 9 janar të këtij viti, Inspektorati i Punës doli me vendim që i sheh si të bazuara ankesat e punëtorëve.

Në vendim që KALLXO.com e ka siguruar thuhet se punëdhënësi në këtë rast ka bërë shkelje në mos ofrimin e kontratave për disa prej këtyre punëtorëve, duke mos u ndërprerë kontratat e punës me vendim parashtruesve të ankesës duke përfshirë edhe arsyetimin për ndërprerjen e kontratave të punës e të tjera.

Kësaj kompanie i është dhënë e drejta e ankesës brenda 8 ditëve, ndërsa sipas vendimit ankesa e ushtruar nuk e shtyen ekzekutimin.

 

Në anën tjetër, pikërisht pronari, Senol Ata dha deklarata nëpër media se po përballet me një komplot për shkatërrimin e kompanisë së tij dhe se ndaj këtyre punëtoreve ka bërë kallëzim penal.

I autorizuari i kompanisë në Kosovë, Murat Bejtullahu në përgjigjet e tij për KALLXO.com tha se “Konak” ka pasur disa telashe me një numër të vogël të punëtorëve dhe kryesisht menaxher.  

“Kjo ka ardhur si pasoj e keqmenaxhimit dhe tendencave të disa prej tyre për ta keqpërdorur kompaninë, madje sjelljet dhe veprimet e tyre janë bazë e fortë e veprave penale dhe prandaj kompania është detyruar të ngrit edhe kallëzim penal ndaj tyre dhe rasti tashme është duke u hetuar.Lidhur me këto është njoftuar edhe aksionari kryesor, Senol Ata dhe ka ardhur nga Turqi në Kosovë për të zgjidhur këto probleme”,tha Bejtullahu.

Ai shtoi se ‘sa i përket pyetjeve të vendimit të Inspektoratit të Punës për kthimin e punëtorëve në vendin e punës ne se bashku me zyrën ligjore jemi duke i shikuar mundësit tona ligjore dhe do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë për ankimim’

Bejtullahu insisitoi se Kompania “Konak” është një ndër investitoret me të suksesshme në Kosovë në fushën e ndërtimtarisë e cila terë aktivitetin e saj e ushtron konform rregullave dhe ligjeve të Kosovës.

Historiku i problemeve në ‘Konak Investments

Punëtorët e larguar dhe pronari i kompanisë turke kanë verzione të ndryshme mbi atë se çfarë ka ndodhur saktësisht para dhe pas largimit të këtyre punëtorëve nga puna.

Nga të dy verzionet thuhet se rreth datës 15 tetor, pronari i kompanisë, Senol Ata, kishte kërkuar nga i autorizuari i tij në Kosovë që të bënte largimin e disa punëtorëve nga puna.

Sipas deklaratës së tij në gazetën Infokus, këtë largim ai e kishte kërkuar për shkak se kishte vërejtur sjellje të pahijshme dhe formimin e një rrjeti të punëtorëve që nuk punonin për interesa të kompanisë.

Në anën tjetër, punëtorët e larguar thonë se kanë dërguar shumë shkresa në drejtim të pronarit dhe menaxhmentit të kësaj kompanie për të kërkuar sqarime lidhur me largimin e tyre.

Sipas ankesës që këta punëtorë e kanë bërë në Inspektorat të Punës, tre prej tyre kishin qenë duke punuar pa kontrata.

Besama Hoxha, që foli për KALLXO.com në emër të këtyre punëtorëve, tha se përmes deklarimeve të këtij pronari në media, e kanë kuptuar se ai i ka parë shkresat e tyre por i ka injoruar.

“Përkundër të gjitha kërkesave dhe tentim komunikimeve tona me ‘Konak Investments’ ne nuk kemi marrë asnjë pergjigje nga kompania në fjalë, kurse në videon e publikuar ku invesitori Senol Ata, rrefen ekskluzivisht se si kemi tentuar t’ia marrim kompaninë, e kanë publikuar njërën nga letrat tona të dërguara, fakt ky që të gjitha letrat tjera të dërguara i kanë lexuar dhe nuk kanë reaguar për asnjë nga ato”, tha Hoxha.

Më pas, më datën 17 tetor këta punëtorë kishin shpallur grevë.

Sipas Hoxhës,  pikërisht nga kjo datë këtyre punëtorëve i është ndaluar qasja në objektin e kompanisë ende pa u sqaruar statuti i tyre.

Pas kësaj, pronari i kompanisë në deklarimet e tij kishte thënë se këta punëtorë ia kanë marrë asetet e kompanisë që përfshijnë telefonë e laptopë.

Ndërkaq, sipas punëtorëve, asetet kanë qenë të vendosura në veturat e kompanisë të parkuara para kësaj kompanie ndërsa thonë se nuk kanë pasur kujt t’ia dorëzojnë qelësat e veturave meqë këtyre iu ishte ndaluar qasja në kompani.

Përveq kësaj, Hoxha shpjegoi se përfundimisht asetet janë rikthyer me datën 19 tetor.

“I gjithë ky rrefim [deklaratat e Senol Ata] është bërë në ditën e nënshkrimit të pranim dorëzimit të të gjitha aseteve të kompanisë (llaptopa dhe telefona), të cilat kanë qëndruar në veturat e kompanisë, të cilat kanë qenë të parkuara në oborr të kompanisë që nga data 19 tetor, por çelësat e veturave nuk janë dorëzuar ngase punëtorëve ju është ndaluar çasja në vendin e punës duke i ndërruar cilindrat e dyerve dhe duke mos u përgjigjur në asnjë kërkese dhe komunikim zyrtar”, tha Hoxha.

Ajo shtoi se pretendimet se këta punëtorë kanë bërë komplot kundër kompanisë janë absurde, meqë sipas saj të njëjtit nuk kanë pasur fuqi ekzekutive.

“Ai pretendon që punëtorët pa kontrata dhe pa kompetenca për pagesa dhe as çasje në sisteme financiare, kane keqpërdorur, manipuluar dhe tentuar t’ia marrin kompaninë, bile po të njejtit që i kanë dërguar të gjitha ftesat në mënyrë zyrtare dhe i kanë kërkuar të drejtat e tyre, qoftë nga punëdhënësi qoftë në institucionet shtetërore e kanë shantazhuar dhe kanë dashur ta  dëbojnë nga Kosova”, tha Hoxha.

Ankesa në Inspektoratin e Punës

Meqë nuk kishin arritur të kontaktonin apo të merreshin vesh me pronarin e kompanisë, ky grup i punëtorëve të udhëhequr nga Besama Hoxha dhe Nehat Shala, kishin shkuar në Inspektoratin e Punës.

Ata kishin provuar që të bënin ankesë zyrtare më datën 29 nëntor, por sipas tyre nga zyrtari i Inspektoratit, Lulzim Arrni, ishin udhëzuar se duhet të bëjnë ankesë zyrtare brenda kompanisë para se të niset ankesa në inspektorat.

Në përgjigjen për KALLXO.com, Inspektorati i Punës konfirmoi se ky zyrtar kishte bërë këtë udhëzim ndaj punëtorëve.

“Duke respektuar procedurat ligjore që rregullojnë çështjen e ankesave, z. Arrni i ka këshilluar ata që fillimisht të bëjnë ankesë brenda kompanisë (ashtu siç parashohin rregullat ligjore) dhe pastaj të ushtrojnë ankesën pranë Inspektoratit të Punës. Në këtë rast, duhet pritur deri sa të kalojë afati ligjor në përgjigjen në ankesën nga ana e punëdhënësit, në rast se të njëjtit kanë paraqitur ankesë brenda kompanisë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.

Më pas, në datën 15 nëntor këta punëtorë kishin arritur që përfundimisht të dorëzonin ankesën në Inspektoratin e Punës.

Inspektorati i Punës  tha se për shkak të volumit të madh të punëve, nuk kanë mundur të dalin me një vendim për këtë çështje.

Kështu ishte deklaruar ky inspektorat në pyetjet e KALLXO.com, më 19 dhjetor.

“Inspektorati i Punës (IP) ka pranuar ankesën e një grupi të punësuarish të “Konak Investments”-it dhe e njëjta është duke u shqyrtuar. Ankuesit janë të njoftuar se për shkak të volumit të madh të punëve të Inspektoratit, me fokus të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë, mund të mos nxirret vendimi shpejtë, por sidoqoftë vendimi do të nxirret brenda afateve ligjore”, thuhet në përgjigjen e inspektoratit.

Më 9 janar të këtij viti, Inspektorati i Punës doli me vendim që i sheh si të bazuara ankesat e punëtorëve.

Në vendim që KALLXO.com e ka siguruar thuhet se punëdhënësi në këtë rast ka bërë shkelje në mos ofrimin e kontratave për disa prej këtyre punëtorëve, duke mos u ndërprerë kontratat e punës me vendim parashtruesve të ankesës duke përfshirë edhe arsyetimin për ndërprerjen e kontratave të punës.

Po ashtu janë gjetur shkelje sepse punonjësve nuk u janë lëshuar vendimet e pushimit vjetor dhe duke mos u ndërmarrë masa diciplinore ndaj parashtruesve të ankesës për konstatimin e shkeljeve ligjore.

Ata poashtu kanë bërë padi për shpifjeve ndaj mediave që kanë publikuar dhe ripublikuar deklarimet e Senol Ata ndaj këtyre punëtorëve.

KALLXO.com ka dërguar email në drejtim të të autorizuarit të kësaj kompanie në Kosovë, Murat Bejtullahu më 13 nëntor dhe ka kontaktuar të njëjtit në telefon ditë më vonë, por nuk ka marrë përgjigje lidhur me pretendimet e punëtorëve.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Senol Ata më 10 janar dhe ende nuk ka pranuar përgjigje më 10 janar ndërsa përfundimisht ka marrë përgjigje më 11 janar.

Më poshtë mund të gjeni kallëzimin penal që kompania ‘Konak’ ka dorëzuar lidhur me këta punëtorë.

 

Shkrimi është edituar për të përfshirë përgjigjen e kompanisë që erdhi pas  afateve të parapara