Komuna e Prishtinës - Foto: Atdhe Mulla

Insistimi i Komunës së Prishtinës për tenderin e sigurimit fizik të objekteve

Komuna e Prishtinës ka këmbëngulur për herë të tretë në përzgjedhjen e grupit të operatorëve ekonomikë, “AS – Security” dhe “Komtel Project Engineering”, si kompani fituese për tenderin “Sigurimi fizik i objekteve të komunës së Prishtinës”.

“Komtel Project Engineering” është në pronësi të Vegim Gashit, ish-kandidatit të AKR-së për kryetar të Prishtinës. Kjo parti aktualisht është në bashkëqeverisje me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin. Vlera e përgjithshme e kontratës është 439 mijë e 401 euro.

Ky është rekomandimi i tretë që Komuna e Prishtinës e bën për të njëjtën kompani. Herën e parë e kishte anuluar vendimin pasi ishte aprovuar ankesa në shkallën e parë nga vetë Komuna, kurse herën e dytë anulimi ishte ardh pas vendimit të OSHP-së i cili kërkonte që lënda të kthehet në ritenderim.

Sërish kundër vendimit të Komunës së Prishtinës për dhënie të kontratës është ankuar në OSHP operatori ekonomik “Alpha Private Security”.

“Alpha Private Security” është ankuar se edhe pas kërkesës për rishqyrtim në Komuna e Prishtinës janë “refuzuar nga AK pa asnjë bazë ligjore ose argumentim”.

Në ankesën e kësaj kompanie të publikuar në ueb-faqen e OSHP-së nuk janë dhënë shumë shpjegime, por janë cekur vetëm nenet që operatori ekonomik ankues pretendon se janë shkelur. Sipas operatorit ekonomik ankues “Alpha Private Security”, Komuna e Prishtinës ka shkelur nenin 7, 10, 59, 60, 61 të Ligjit për Prokurim Publik.

2 herë përzgjedhja e “AS – Security” dhe “Komtel Project Engineering”

Pas pranimit të ofertave, Komuna e Prishtinës e kishte publikuar ‘njoftimin për dhënie të kontratës’ më 2 mars të vitit 2018 për grupin e operatorëve ekonomikë fitues, “AS – Security” dhe “Komtel Project Engineering”.

Kundër vendimit të Komuna e Prishtinës për OE të rekomanduar për kontratë ishin ankuar me 6 mars operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “Alpha Private Security &“SAS”.

Komuna e Prishtinës me 20 mars ka dalë me ‘njoftimin për anulimin e dhënies së kontratës’ për operatorin e rekomanduar.

Pas rivlerësimit të bërë, Komuna e Prishtinës sërish e ka rekomanduar për kontratë kompaninë e njëjtë, pasi i ka kërkuar dokumente shtesë kompanisë së rekomanduar për kontratë.

Përsëri me 29 mars është marrë vendim për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit pas ankesave nga operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “Alpha Private Security &“SAS”.

Me 30 mars zyrtari përgjegjës i Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka vendosur që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e dy operatorëve ekonomikë ankues për rivlerësim.

Të pakënaqur me këtë vendim të Komunës së Prishtinës, “Rojet e Nderit” janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe sërish është pezulluar aktiviteti i prokurimit më 10 prill.

Kthimi në rivlerësim nga OShP

Gjykata e Tenderëve ka vendosur që ta kthej në rivlerësim tenderin për “Sigurimi fizik i objekteve të komunës së Prishtinës”. Ky tender është rivlerësuar për herë të dytë pasi herën e parë një gjë e tillë ishte bërë pas miratimit të ankesës në shkallën e parë, pra nga vetë Komuna e Prishtinës.

Paneli shqyrtues ka kërkuar që gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit të kërkohen sqarime shtesë dhe të vërtetohet në veçanti se konsorciumi “AS – Security” dhe “Komtel Project Engineering”, a e plotëson kërkesën e Komunës së Prishtinës në lidhje me pagën e punëtorëve prej 230 euro bruto në muaj.

“Pra të bëhet një analizë detale e çmimeve dhe të analizohet në detaje se operatori i rekomanduar për kontratë “AS – Security” dhe “Komtel Project Engineering”, a i plotëson të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë”, theksohet në arsyetimin e Panelit Shqyrtues.

Operatori ekonomik “Rojet e Nderit” në OSHP janë ankuar se oferta 1.52 euro për orë e ofruar nga kompania e rekomanduar për kontratë nuk arrin të plotësojë kërkesën për pagën bazë prej 230 eurove që e ka kërkuar Komuna e Prishtinës.

“Operatori ekonomik nuk plotëson as elementin bazë – Trustin Pensional, e lëre më edhe TVSH-në. Ekspertit nuk di a i ka ikur ky detaj, por çmimi online mund të analizohet dhe ky çmim është nën çdo kriter të autoritetit kontraktues”, ka thënë Arben Hasani, përfaqësues i OE – “Rojet e Nderit” gjatë seancës e OSHP-së.

Paneli shqyrtues e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Rojet e Nderit” lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Sigurimi fizik i objektit të komunës së Prishtinës” i iniciuar nga Komuna e Prishtinës.