'Infrastruktura' e reagimit të Pal Lekajt ndaj ambasadorit të Zvicrës

Deklarata e ambasadorit zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet në lidhje me veteranët e rrejshëm duket se nuk i ka ‘pëlqyer’ ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai mbrëmë në një intervistë për Televizionin T7 tha se ambasadori Lebet duhet të largohet, pas kësaj deklarate.

“Nuk është ambasadori për me u marrë me ato. Publikisht para qytetarëve është e pakuptimtë me e lidhë një investim me një temë të ndjeshme, me veteranët e luftës. Sikur t’isha ai që marr vendime, sot ia kisha dërgu letrën e largimit”, ka thënë ministri Lekaj.

E për këtë dekalaratë ambasadorit Lebet në krah i dulën ambasadorët e tjerë në vend, përfaqësues të opozitës, ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli dhe shoqëria civile.

I pari i cili reagoi, ishte ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell. Ai në një postim në profilin e tij në Facebook tha se Lebet e ka thënë të vërtetën në lidhje me veteranët.

https://kallxo.com/oconnell-i-del-ne-krah-ambasadorit-zviceran-per-komentin-lidhur-me-veteranet/

“Ambasadori Zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë. Është koha që populli i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë”, tha ambasadori britanik.

Pas tij erdhi edhe reagimi i ambasadorit gjerman, Christian Heldt. Ky i fundit tha se ambasadori zviceran, Jean Humbert Lebet tha atë që shumica e njerëzve e mendojnë.

“Kolegu zviceran shprehu atë që shumë mendojnë. Ne si bashkësi ndërkombëtare jemi të angazhuar për të ndihmuar. Gjermania dhe Zvicra përkrahin me 10 milionë euro Kosovën për ujë dhe trajtim të ujërave të zeza në të gjithë vendin që nga viti 1999, jemi krenarë për atë që bashkëpunimi ynë me #Kosovën ka arritur për njerëzit! Por atëherë pyetjet për shpenzimet qeveritare janë legjitime. Jo mbi parimin e pensioneve, por për mënyrën se si po bëhen ato. Sepse ne duhet t’ua shpjegojmë taksapaguesve tanë pse po e bëjmë atë që po e bëjmë në të mirë të popullit të Kosovës”, tha ambasadori Heldt.

 

Kurse, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett ka shpërndarë postimin e O’Connell duke thënë shkurt se “pajtohet” me fjalët e tij.

Sa i përket spektrit politik në vend, reagimi i parë erdhi nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai madje kërkoi edhe shkarkimin e Lekajt si formë kërkim falje ndaj Zvicrës.

“Eshtë i pa precedent rasti që një ministër i Qeverisë se Kosovës kërkon largimin e një ambasadori. Dhe atë të Zvicrës, ku janë mbi 200 mije qytetarë të Kosovës. Në paratë qe Zvicra shpenzon ne Kosove përfshihen edhe taksat e këtyre 200 mije qytetarëve të Kosovës që i paguajnë në Zvicër. Prandaj, është më se legjitime të kërkohet llogari dhe shpenzim adekuat nga ana e Ambasadorit. Vetëm shkarkimi i këtij ministri mund te jetë i mjaftueshëm si kërkim falje ndaj një vendi mik si Zvicra”, ka shkruar Hoti.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli postoi në profilin e tij në Twitter një fotografi me ambasadorin zviceran dhe tha se Zvicra është partner kryesor i Kosovës.

https://kallxo.com/pacolli-mbeshtet-ambasadorin-e-zvicres/

“Zvicra luajti një rol të madh në ndërtimin dhe zhvillimin shtetëror të Kosovës. Jam dakord me ambasadorin Jean-Hubert Lebet për kontributin e tij në miqësinë tonë të fortë në mes vendeve tona. Ne jemi të fortë dhe kemi fituar gjithmonë me miqtë dhe aleatët tanë. Mund të mësojmë shumë prej tyre”, tha Pacolli.

Kurse, Grupi për Studime Juridike dhe Politike deklaratën e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj për largimin e ambasadorit zviceran, Jean-Hubert Lebet e ka quajtur ‘skandaloze’

“Deklarata e Ministrit Lekaj ku ai kërkon largimin e Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë përveç që është skandaloze, është ofenduese për çdo vend vullnetmirë që kontribuon në zhvillimin e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Asnjë ministër i Republikës së Kosovës, apo çfarëdo zyrtari tjetër i lartë, nuk duhet të vë në dyshim sinqeritetin e një ambasadori të një shteti mik”, thuhet në reagimin  e tyre.

E pas gjithë këtyre reagimive, ministri Pal Lekaj vendosi që të thyejë ‘heshtjen e tij’.

Përmes një komunikate ai njoftoi se është takuar me ambasadorin zviceran, Jean – Humbert Leben dhe se deklarata e tij dhënë mbrëmë,  është nxerrë nga konteksti.

“Lekaj, në asnjë moment nuk ka kërkuar largim të Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, e aq më tepër të kundërshtoj një shtet mik për Kosovën. Në deklarimin e tij, Lekaj ka theksuar se do të duhej një letër sqaruese për akuzat se veteranët në Kosovë janë të rrejshëm, për çka institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë një vendim”, thuhet në postimin e Ministrisë së Infrastukturës dhe Transportit në rrjetin social ‘Facebook’.

KALLXO.com ka kontaktur edhe Qeverinë e Kosovës për të marrë një qëndrim rreth këtyre deklaratave, por deri në publikim e tekstit, s’kanë kthyer përgjigje.