Incidentin Geci-Syla e Merr Eulex-i

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Shyqyri Syla ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se me rastin janë duke u marrë prokuroria e Eulex-it. 

“Mund të konfirmoj se këtë rast qysh dje e ka marrë Prokuroria Speciale e Eulex-it dhe me të janë duke u marrë prokurorët e Eulex-it”.

Ndërkohë EULEX-i ka konfirmuar që është duke punuar në këtë rast bashkë me një prokuror vendor.

“Prokurori i Eulex-it nuk është duke punuar në këtë rast vetëm, por tashmë ka filluar të punojë së bashku me një prokuror kosovar në një ekip të përzier” tha Blerim Krasniqi, zëdhënës i Eulexit.

Gjatë tubimit përmbyllës të fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, që ka ndodhur të hënën, Gani Geci ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti aktual Azem Syla janë fjalosur, me ç’rast janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. 


Azem Syla |  Foto: nga faqja në Facebook

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka lëshuar komunikatë përmes së cilës ka thënë se ka ndodhur një rrahje, ku sipas informacioneve të para, dyshohet se është sulmuar fizikisht deputeti i PDK-se Azem Syla dhe Adnan Koci, truproja i deputetit Gani Koci.

“Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se në vendngjarje ka ndodhur një e shtënë në ajër me armë zjarri, por mbetet të hetohen të gjitha rrethanat e mundshme të këtij rasti “, thuhet në komunikatën e policisë, të lëshuar po të hënën. 

Vetë Gani Geci ka mohuar për Lajm.net të ketë pasur të shtëna armësh gjatë incidentit. 

“Unë isha ulur para lokaleve të mia në Skënderaj vetë i 15-ti kur përfundoi fushata e PDK-së. Në ndërkohë andej erdhi eskorta me njerëzit e PDK-së, në këmbë. Njëri prej tyre na ka fyer dhe na ka sharë. Pastaj unë nxora një revole joreale”, tha Geci për Lajm.net, të hënën. 

Ai shtoi se ka një revole të metaltë që nuk është armë zjarri, ndërsa më tepër e përdor si shkrepëse. 

Se nuk ka pasur të shtëna nga Gani Geci, e thanë edhe vëllezërit e tij, të kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

” Nuk ka pasë të shtëna nga ana e Ganiut, asnjë fishek nuk ka kërsitë prej tij, unë mbaj përgjegjësitë, këto janë gënjeshtra”, tha Fadil Geci, vëllai i të përfshirit në incident me deputetin Syla.

“Aty ka gjuajtur dikush prej tyre, po nga ana jonë nuk ka pas as tentim për gjuajtje”, tha Haxhi Geci, vëllai tjetër i Ganiut. 


Gani Geci

Haxhi Geci i cili ka qenë aty në momentin e ngjarjes, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se rreth orës 14:00 para lokalit të Ganiut, ka pasur provokim nga ana e Sylës, me ç`rast janë fjalosur, por se nuk pasur tentim për gjuajtje me armë. 

Sipas tij, kjo ka qenë një mosmarrëveshje e mëhershme mes tyre. 

“Ai [Azem Syla] e shau Ganiun prej kerrit edhe ka ec në punë të veta”, tha Haxhi Geci. 

Ndërkohë deputeti i PDK-së nuk ka komentuar ende publikisht incidentin. 

“Nuk dua të merrem me të. Me të (Gani Gecin), do të merren Gjykata e Prokuroria”, ka deklaruar Syla për Klan Kosova.

Kundër këtij sulmi kanë reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka dënuar ashpër sulmin ndaj ish-komandantit të SHP të UÇK-së, z. Azem Syla. 

“Sulmi ndaj komandantit Azem Syla, nuk është vetëm sulm i drejtuar ndaj tij, por dhe ndaj të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sulm ndaj luftës çlirimtare të kombit shqiptar për liri dhe bashkim”, shkruan në reagimin e OVL të UÇK-së.

Sipas Muharrem Xhemajlit, kreut të veteranëve, nuk  kanë informata se nga kush ka ndodhur sulmi, por është reaguar kundër sulmit.

“Nuk kemi të dhëna zyrtare se nga kush është sulmuar, por sapo të marrim të dhëna të tjera do të reagojnë me kohë”, tha Xhemajli. 

Sipas policisë nuk është raportuar për ndonjë person që është vrarë, ose plagosur gjatë kësaj ngjarjeje.